Lulzim Omuri/ Eksodi që po boshatis Shqipërinë nga të rinjtë e pashpresë

900
Largimi nga Shqipëria në një masë të jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme, aktualisht është kryebisedë në çdo vatër shqiptare, në çdo tavolinë, kafene apo diskutim mes njerëzve. Ky fenomen bëhet edhe më i rëndë, kur të dhënat tregojnë se pjesa me e madhe e atyre që po largohen janë të rinjtë. Familje të sapo krijuara, të rinj plot ëndrra (të vrara) nga diplomimi i tyre, janë gati të braktisin vendin, pasi nuk gjejnë asnjë mundësi për shpresë.
Ndërkohë që rinia duhet të ishte promotori i zhvillimit të Shqipërisë, potenciali më i madh për ardhmëri. Çfarë po ndodh në të vërtetë? Pse gjithë ky eksod mizor ndodh pikërisht tani? A është e mundur që të kthehet shpresa që në një të ardhme jo të largët, të mos shndërrohemi në një vend totalisht të braktisur nga populli i vet?! Largimi i të rinjve do e çoj popullsinë shqiptare drejt një plakje të shpejt, si rrjedhojë do të pasojë regres në shumë aspekte të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor për një kohë të gjatë. Vendi padyshim ka kaluar faza të vështira në këto vite të tejzgjatura tranzicioni, i cili praktikisht vazhdon, e pavarësisht kësaj nuk kemi patur këtë vërshim masiv në braktisje të vendit. Është fakt, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare se pas Sirisë, shqiptarët kryesojnë listën e azilkërkuesve. Ky fenomen flet qartë për një emergjencë për të kthyer vëmendjen nga populli, për tu ulur me ta dhe dëgjuar çfarë po ndodh, pse po ikin shqiptarët. Në prag të 25 vjetorit të lëvizjes studentore, logjika të thërret të mendosh dhe gjykosh se, motori i shoqërisë, pra rinia, duhet të ishte në kulmin e aktivitetit të saj, duke punuar dhe investuar dijet dhe energjinë që e karakterizon në vendin e vet, duke shërbyer si model për brezat që vijnë. Shqipëria sot më shumë se kurrë, ka nevojë për një axhendë të re, ambicioze dhe serioze, frymë zhvillimi dhe për teknokratë me qasje për integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por çfarë po ndodh në realitet?! Një pjesë e konsiderueshme e tyre tashmë e kanë lënë vendin dhe më shumë se gjysma e rinisë së mbetur nuk mendojnë tjetër veç braktisjen e çdo realiteti shqiptar. E nesërmja duket më e vështirë se e sotmja.
Nëse duam progres të vendit, të rinjtë kanë nevojë për shpresë në sajë të politikave të reja për përfaqësimin e tyre në të gjitha nivelet. Ka ardhur momenti për alternativë të re me qasje përfaqësimi të qartë. Mundësitë duhet t’ju jepen të rinjve, po aq sa rinisë në institucionet e mbarë vendeve ku ne aspirojmë të ndjekim modelet më të mira të suksesit dhe zhvillimit. Rinia ka nevojë të lihet në lirinë e saj, të gjenerojë modelin e saj. Nuk ka nevojë për modele të rritura invitro. Të rinjtë kanë nevojë të japin shembullin e tyre. Ata duhet të lejohen të vendosin një gur në këtë urë të nevojshme për vendin tonë! Pa pjesëmarrjen e të rinjve ne do humbim avantazhin e moshës së re dhe do të mbetemi gjithmonë ashtu siç jemi sot, të fundit në Europë për ekonomi dhe zhvillim dhe të parët pas Sirisë për azil në Gjermani.
Sigal