Lulzim BASHA/Të mos harrojmë periudhën e errët diktatoriale!

614
Sigal

Inaugurohet memoriali që do të dëshmojë periudhën më të errët të komunizmit.  Ish-Blloku, vendi historik për Tiranën që dikur askush nuk lejohej të kalonte sot do të ketë memorialin e përkujtimit të dhimbjes. Kryebashkiaku Basha, së bashku me përfaqësues të lartë të politikës, intelektualë dhe qytetarë të Tiranës kanë përuruar , “Post-Bllok”, duke mos lënë pa kujtuar historinë e errët 50-vjeçare.  “Memoriali përbëhet nga tre objekte, të cilët përfaqësojnë terrorin, paranojën dhe izolimin si instrumente të diktaturës. Në emër të Bashkisë së Tiranës, së bashku me ndjesën për mungesën e gjatë dhe të pakuptimtë të çdo shenje përkujtimi apo refleksioni për këtë periudhë të errët të kryeqytetit më famëkeq të Evropës komuniste, dua të falënderoj ambasadoren Holtkemper dhe Ulrike Begën për iniciativën për të sjellë këtu në Tiranë ofertën e qytetit të Berlinit, për një pjesë të një monumenti historik, Murit të Berlinit; dua të falënderoj deputeten e Kuvendit dhe artisten e mirënjohur Rajmonda Bulku, e cila në një bisedë miqësore private sugjeroi që në vend që të hiqnim bunkerin që ndodhej këtu prej shumë kohësh, ta përjetësonim atë në një monument; të falënderoj autorët Fatos Lubonjën dhe Ardian Isufin që e mundësuan këtë; dua të falënderoj zotërinjtë Lavdosh Celibashi, Ervin Shijaku dhe Lulzim Brahja për kontributin e tyre në materializimin e kësaj vepre; Ndërmarrjen nr.2 të Bashkisë së Tiranës për disa nga aspektet e realizimit, siç është ndriçimi. Funksioni i këtij memoriali, për mua si Kryetar i Bashkisë së Tiranës është i dyfishtë. Së pari, në një kohë që lëviz kaq shpejt, veçanërisht për brezin e ri, aq sa e kemi të lehtë të harrojmë dhe ta marrim të mirëqenë edhe lëvizjen e lirë pa viza në Europë, është e rëndësishme të kujtojmë një moment kur nuk lëviznim dot të lirë as brenda qytetit të Tiranës. Një kohë të errët në të cilën njëri prej simboleve më të njohura të diktaturës komuniste në botë Muri i Berlinit, në fakt nga cilado faqe e tij lindore apo perëndimore mbetej një ëndërr e paarritshme për shqiptarët. E tillë ishte natyra e diktaturës, instrumenteve të saj dhe vuajtjeve që i shkaktoi këtij qyteti! Së dyti, duke kujtuar dhe mos harruar këtë pjesë të rëndësishme, ndonëse tepër të errët të historisë sonë, ne jemi të qartë për të sotmen e të ardhmen tonë. Është e domosdoshme kjo veçanërisht për brezin e ri, qindra e mijëra prej të cilëve këtu në Tiranë e kalojnë periudhën e tyre të lirë të ditës apo fundjavat, në këtë zonë të njohur si Blloku, por pa ditur saktësisht se çfarë simbolizonte dhe çfarë projektonte në zemrat dhe mendjen kolektive të shqiptarëve për vite e vite me radhë. Është një moment kur ne duke respektuar dhe duke u përulur para atyre heronjve që lirinë e tyre e festuan, e celebruan në zemrën e institucioneve më famëkeqe të terrorit komunist, shikojmë me besim drejt së ardhmes sonë, drejt hapave të tjerë që na mbeten për anëtarësimin e plotë në familjen evropiane, një proces, i cili ka qenë plot sakrifica, vështirësi e pengesa por që deri më tani ia kemi dalë mbanë me sukses. Më lejoni të kujtoj edhe njëherë këtu, sikundër në rastin e fundit që diskutuam në publik këtë çështje, faktikisht në Këshillin Bashkiak, që ky monument i lirisë, nëpërmjet instrumenteve të diktaturës nuk është në fakt as apologjia e qytetit dhe as monumenti i Qëndresës, për të cilin Kryeministri Berisha dhe ministri i Kulturës, z.Bumçi janë angazhuar publikisht. Faktikisht, Bashkia e Tiranës po bashkëpunon për këtë projekt tjetër madhështor i cili pa dyshim do të kryhet me pjesëmarrje edhe më të gjerë e të plotë të gjithë të interesuarve, duke nisur nga përfaqësuesit legjitimë të të përndjekurve politikë dhe grupe të tjera të shoqërisë civile”.