Lulzim Basha/Problemi i trafikut në Tiranë më në fund gjen zgjidhje

598
Sigal

*Kreu i Bashkisë së Tiranës

Një rast i veçantë që ka të bëjë me të gjithë Tiranën është duke ndodhur. U përurua një nga qendrat më moderne të kontrollit të trafikut urban në rajon, qendër e trafikut e cila bën të mundur me teknologjinë më të avancuar, kontrollin e drejtpërdrejtë me kamera shoqëruese, me mesazhe trafiku dhe me semaforë të ndërtuar rishtas me tru elektronik të komanduar nga kjo qendër brenda godinës së Policisë Bashkiake, për të gjithë nyjet e trafikut të qytetit të Tiranës.

Për herë të parë, në këtë proces ne kemi instaluar edhe semaforët me buton për kalimin e këmbësorëve, të pajisur me sinjale akustikë për kalimin e sigurt edhe për personat me aftësi të kufizuar në dëgjim e shikim. Dua të falënderoj për këtë projekt të gjithë grupin teknik të Bashkisë së Tiranës dhe kontraktorin, BERZH, z. Fabio Serri, përfaqësuesin e kësaj banke që ndodhet këtu i pranishëm mes nesh, për kredinë që mundësoi ndërtimin e kësaj qendre. Dua të falënderoj qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Berisha që dha garanci për këtë kredi.

Ky investim vjen në kuadër të luftës sonë për të zgjidhur një ndër problemet më të mëdha të qytetit tonë, një ndër problemet më të prekshme për ju si qytetarë por edhe për qindra, mijëra shqiptarë që vijnë e shkojnë ditë për ditë në kryeqytet, problemin e trafikut.

Trafiku është përgjegjës për humbje kohe, për shpenzime të panumërta të kota, humbje durimi dhe nervash të cilat ne mund t’i përdorim kaq mirë për punët tona apo pranë familjeve tona, ndaj që në ditët e para Bashkia e Tiranës, e rikthyer qytetarëve me votën tuaj të 8 majit e ka konsideruar këtë si një problem madhor dhe ka hartuar një plan masash për ta zgjidhur atë. Disa prej këtyre masave kanë qenë të menjëhershme, siç ishte ndërhyrja që bëmë tek rrethrrotullimi i “Shqiponjës”. Disa prej tyre, si qendra që inauguruam do të vendosin në efiçiencë maksimale sistemin e semaforëve, duke bërë të mundur që trafiku në të gjithë arteriet kryesore të rrëshqasë më lehtë, më shpejt, të menaxhohet më mirë, të shkaktojë më pak ndotje dhe më pak humbje kohe e parash për qytetarët e Tiranës. Një ndër investimet kryesore për përmirësimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të situatës të trafikut në Tiranë dhe gjithë leverdisë që kanë qytetarët nga kjo, sa i përket ambientit, kohës që humbin, sa i përket parave që kushtojnë për karburantin shtesë, sa i përket nervave që prishin, janë investimet që ne po kryejmë anembanë qytetit. Këtu, gjej edhe një herë rastin, në praninë tuaj, të falënderoj kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij, sepse ne ndodhemi sot në prag të katër investimeve madhore, të cilat do të kishin qenë të pamundura pa mbështetjen e qeverisë.

Brenda ditësh nis puna për segmentin mungues të Unazës së Re, nga “Qyteti i Nxënësve” deri tek qendra “Kristal”, investim tërësisht i qeverisë shqiptare, sikundër nis puna për pjesën munguese të Unazës, nga Materniteti “Koço Glozheni” dhe lidhja më pas me Unazën e Re në Farkë e në pjesën jugore të qytetit të Tiranës. Vetëm këto dy investime, të dashur bashkëqytetarë, do të bëjnë të mundur që 4 në 10 automjete që sot kalojnë përmes qendrës së Tiranës, pasi nuk kanë rrugë tjetër, të mos kalojnë më përmes qendrës së Tiranës por të devijohen në këtë itinerar, duke përgjysmuar kohën e qytetarëve të Tiranës dhe të çdo shqiptari, për të bërë itinerarin e tij brenda qytetit të Tiranës. Vetëm para dy javësh, në seancën e fundit funksionale të parlamentit shqiptar, me propozimin e Kryeministrit Berisha kaloi akti normativ, i cili depozitoi në arkën e Bashkisë së Tiranës 63 milionë euro për bulevardin e ri dhe për lumin e Tiranës. Ky është një investim tjetër madhor, i cili do të ndihmojë situatën e trafikut, do të zgjasë aksin veri-jug, do të krijojë korridore deri tani të paimagjinueshme për kalimin e automjeteve, duke lehtësuar edhe më tej situatën e trafikut në qytet dhe së fundmi me Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, javët e ardhshme do të hapim koncesionin për terminalin multimodal të pasagjerëve, ku do të grumbullohen së bashku për herë të parë stacioni i ri i trenit, stacioni i tramit, stacioni i autobusëve ndërurban dhe linjat urbane, stacioni i taksive dhe i furgonave, duke lehtësuar sheshet dhe rrugët e qytetit nga ngarkesat e tepërta dhe problemet që sjellin shpërndarja e autobusëve urban dhe ndërurban në qytetin e Tiranës. Jemi pra në një transferim rrënjësor të infrastrukturës së qytetit dhe qendra që ne inaugurojmë është maja e teknologjisë, me të cilën ne do të bëjmë të mundur që jo vetëm infrastruktura fizike, por edhe menaxhimi i saj të jenë në përputhje me praktikat moderne evropiane, sepse ne duam dhe do ta bëjmë Tiranën një qytet modern dhe evropian. Për këtë, pa dyshim na duhet mbështetja e vazhdueshme e qeverisë, na duhet bashkëpunimi i saj, na duhen garancitë e saj para bankave ndërkombëtare, na duhet pra ky partneritet që na ka sjellë deri këtu dhe me anë të cilit do të bëjmë të mundur realizimin dhe përfundimin e të gjitha investimeve që kemi nisur së bashku, ndaj ju bëj thirrje të dashur qytetarë, bashkëinvestitorë, në këtë projekt të madh të transformimit të Tiranës, që me votën tuaj me 23 qershor të bëni të mundur që ky bashkëinvestim të vazhdojë për ju, për familjet tuaja dhe për të gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës kryeqytet!