Lulzim Basha: Afera “Crown Agents” është kapje e shtetit

655
Sigal

*Kryetari i PD-së

Javën e kaluar në mbledhjen e grupit, u thelluam në aktin e pa precedent të  uljes drastike nga qeveria të të ardhurave tatimore dhe doganore. Miliona  dollarë të humbur  me ligj në më pak se tre muaj. Shtruam pyetjen javën e kaluar: “Ku do të shkojnë këto para, që do t’i mungojnë arkës së shtetit”?  U zotuam para qytetarëve se kjo pyetje është pa dyshim në buzët dhe gjuhën e çdo qytetari të vëmendshëm se kësaj pyetje, është  detyra jonë si opozitë t’i  japim përgjigje si një çështje themelore, transparence dhe përgjegjshmërie. Përgjigjen e parë  po e japim  dhe do të vazhdojmë ta thellojmë, duke  ndriçuar të vërtetën e kontratës midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Crown Agents”. Kontratë për menaxhimin e  doganave shqiptare, e mbushur me elementë të errët, abuziv, të paligjshëm dhe të papranueshëm. 4.5 milionë Euro në vit, do t’i paguajë qeveria shqiptare kësaj kompanie private kundrejt shërbimeve ende të paqarta në detajimin e tyre. 400 mijë Euro do t’i merren arkës së publikut vetëm për të  blerë makina luksi për agjencinë në fjalë. “Të gjitha këto pagesa dhe favore të tjera do t’i jepen agjencisë  për rritjen e të ardhurave doganore”, – thotë qeveria.  Bashkë me qytetarin e vëmendshëm kemi të drejtën dhe detyrimin të konstatojmë sot: “Crown Agents” do të paguhet  për rritjen e të ardhurave  të ulura  nga  vetë qeveria Rama. Këta pra, në rastin  më të mirë, do të mbledhin të ardhurat që vijnë  natyrshëm dhe në  vazhdimësi nga doganat, por që do të duken të rritura për shkak të uljes së tyre artificiale dhe të paligjshme nga vetë Rama.  Ky është shembulli “par excellence” i kapjes së shtetit. Ky është një batakçillëk, në përputhje me stilin e një  kryeministri, që kërkon të bëjë sukses me gjetjen e një gjëje që ka fshehur vetë. Nevoja për këtë marifet të ulët, përputhet edhe me vlerësimin dhe qëndrimin e Bankës Botërore ndaj kompanisë Crown Agents, të cilën e ka përjashtuar për gjashtë muaj nga projektet e saj për praktika  mashtrimi. Këtë kompani ka gjetur të kontraktojë z.Rama.  Ka gjetur, siç thotë populli – Tenxherja kapakun. Ja ku kemi fokusuar destinacionin e një pjese të parave, që  Akti Normativ i qeverisë ia ka hequr arkës së publikut.  Por nuk mbaron këtu! Qeveria ende nuk e ka paraqitur në Kuvend shtojcën “C”, ku detajohen të tjera çështje, që ajo ka zgjedhur në mënyrë të kundraligjshme t’i mbajë sekret apo ka rezervuar të drejtën t’i ndryshojë deri në çastin e fundit në varësi të reagimit publik. Është abuzive kjo kontratë, sepse, e para dhe më elementarja, nuk bazohet në asnjë  analizë dhe në asnjë studim konkret  në lidhje me problematikën e doganave shqiptare, nuk jep përgjigje të qartë pse duhet të bëhet, çfarë problemesh  kanë doganat shqiptare që nuk i zgjidhka dot administrata dhe faktori vendas me ndihmën institucionale të Bashkimit Europian tash 23 vjet, por u dashka pajtuar një agjenci private që do të paguhet gati-gati, sa paguhet gjithë personeli shqiptar i doganave.

E dyta, pavarësisht problematikës, në vlerësimin e  BE-sw dhe të institucioneve të tjera, doganat janë një nga sektorët më të rregulluar të sistemit tonë, fryt i investimeve disavjeçare në logjistikë, në trajnim, në kulturën e punës. Kjo është arsyeja që BE-ja disa herë është shprehur jo në favor të  ndërhyrjeve të tilla në sistemin doganor shqiptar, duke i cilësuar ato të panevojshme dhe të kushtueshme.

E treta, në dritën e  ndryshimeve strukturore  dhe  perspektivës së shërbimit doganor në kuadrin e  përafrimit në Bashkimin Europian,  ndërhyrje  si  këto  në dogana  na kthejnë jo vite, por dekada prapa,  në përvoja dhe sisteme afrikane të tejkaluara nga Shqipëria dhe përvoja e saj. Ose ky kryeministër nuk e njeh vendin e tij, ose nuk ka gjetur rrugë tjetër për të sajdisur me paratë e taksapaguesve shqiptarë miqtë e  tij të Crown Agents. Qeveria po tenton  ta kalojë në  Kuvend me procedurë të përshpejtuar, duke dëshmuar sërish se e konsideron aulën  e përfaqësuesve të popullit një  zyrë  të rëndomtë ku shkon  dhe noterizon arbitraritetin, abuzivizimin dhe makutërinë e saj. Pse me procedurë të përshpejtuar?  Çfarë urgjence ka?  Drejtoresha e re e doganave,  sapo na deklaroi që po e tejkalon planin e ulur, apo jo? Kush po i pret me urgjencë këto para, që Rama ka vendosur t’ja marrë në mënyrë arbitrare arkës së publikut? Ne do të  intensifikojmë  punën tonë, të  nderuar deputetë,  gjatë kësaj jave dhe në  vazhdimësi për t’i shkuar deri në fund kësaj afere të përmasave europiane, abuzivizmit të shumëfishtë dhe aferave të tjera të korrupsionit dhe arbitraritetit që po ngre me shpejtësi  në sistem kjo qeverisje. Dëshiroj ta përsëris për  qytetarët atë që tashmë e themi me zë të lartë në çdo aulë publike dhe para partnerëve tanë perëndimorë: Paligjshmëria dhe arbitrariteti është lufta  e zezë  që Rama i  ka shpallur hapur shtetit ligjor,  duke  hyrë me arrogancën tipike të  paraardhësve të tij ideologjik,  në domenet e shenjta të sistemit të drejtësisë dhe duke cenuar, sipas interesit të tij,  liritë dhe të drejtat demokratike të fituara nga qytetarët shqiptarë me përpjekje të mëdha, me kushtetutë dhe me ligj. Lufta e zezë e Ramës kundër ligjeve dhe arritjeve demokratike në vend nuk mund të jetë lufta finale, që mesa duket i tingëllon në mendje. Opozita e paralajmëron sërish, që një qeveri që angazhon në punën e saj, paligjshmërinë sistematike dhe  metodat e mafias, nuk mund të jetë më qeveri, por një bandë me veshjen e pushtetit. Askush nuk duhet të shpresojë se mund të marrë peng liritë demokratike dhe Shqipërinë demokratike. Askush të mos shpresojë se mund të kalojë e të vazhdojë duke bërë shurdhin e keq ndaj opozitës së vendit, për pyetjet dhe shqetësimet që i kemi shtruar dhe do të vazhdojmë të shtrojmë siç është rasti i vrasjes mafioze e një ish-pronari kazinoje, për të cilën Ministri i Brendshëm nuk po përgjigjet, që nuk po përgjigjet.  Siç nuk po përgjigjet për emërimet politike në krye të Policisë së Shtetit, nga Drejtori i Përgjithshëm, drejtorit të personelit, drejtorë rajonesh, shefa komisarësh, etj. Pyetjet janë shumë, pyetjet po shtohen. Ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrat dhe detyrimet tona si opozitë. Kemi patur pikëpamje se duhet të ekzistojë një sektor i përbashkët takimi midis nesh si opozitë dhe qeverisë. Ky është Integrimi Evropian. Jemi para një ngjarjeje historike, siç është marrja e Statusit. Duhet të punojmë fort për hapjen e  shpejtë të negociatave për anëtarësim. Qytetarët e kanë vënë re, se ne e kemi çështjen e statusit dhe integrimin në qendër të aktivitetit tonë të përditshëm e të përjavshëm, në të  gjitha takimet tona me miqtë dhe partnerët  perëndimore, e kemi  Integrimin, Kryefjalë  të bisedave, shqetësimeve dhe lobimit tonë pozitiv edhe si opozitë. Në krahun tjetër, qeveria nuk flet fare ose thotë ndonjë fjalë me arra në gojë për këtë aspiratë të madhe mbarëpopullore. Integrimi po bëhet një fjalë e huaj për artikulimet e Ramës.  Pse? Arsyeja e vetme është se kultura e zhbërjes dhe  arbitrariteti i tij janë në papajtueshmëri të plotë me detyrat e integrimit.  Dashtë Zoti të mos ketë zgjedhur paligjshmërinë para integrimit!