Luljeta Shtylla & Valentina Golemi/ BE, KLSH dhe sfidat e prokurimit publik

988
Prokurimi i mallrave, punëve dhe shërbimeve kryen misionin e tij me efektivitet dhe sjell të ardhura në Buxhetin e Shtetit, vetëm atëherë kur ka një koordinim të mirë ndërmjet katër shtyllave kryesore të këtij sistemi: a) kornizës ligjore të shoqëruar me rregullore të detajuara; b) kuadrit institucional; c) fazës operacionale dhe menaxhimit të tenderëve; d) sistemit të kontrollit, monitorimit, dhe integritetit. Mirëmenaxhimi i prokurimeve publike në vendet anëtare dhe ato kandidate është përparësi e politikave të sotme të Bashkimit Evropian. Sfidat e përmirësimit të prokurimit publik në Shqipëri janë pjesë e axhendës së organizatave ndërkombëtare si OKB, OECD si dhe vetë BE-së. Lind pyetja: Sa të përshtatshme dhe të aplikueshme janë kriteret e vendosura nga ndërkombëtarët për specifikën politike, demografike, ekonomike dhe mjedisore të Shqipërisë? Ky shqetësim vjen nga mungesa e informacionit se si direktivat e prokurimit dhe rregulloreve për zbatimin e kodit praktik, të rekomanduara nga institucionet ndërkombëtare mund të përshtaten për të përmbushur nevojat e furnizuesve, kontratorëve dhe autoriteteve të blerjes dhe sesi mund të maksimizohen kapacitetet e kompanive të vogla dhe të mesme në Shqipëri. Në këtë kontekst është thelbësore që të shtrohen një varg pyetjesh
-Sa efektive janë rregulloret aktuale të prokurimit në Shqipëri, parë nga perspektiva e furnizuesit, kontraktorit dhe autoriteteve të blerjeve; 
-Sa ndikojnë dhe si mund të përshtaten direktivat e BE-së mbi prokurimin publik në Shqipëri, duke përfshirë në prokurimin publik të bizneseve lokale, të vogla dhe të mesme, përdorimin e prokurimit publik për të avancuar objektivat ekonomike, sociale dhe mjedisore të politikave të qeverisë, kompleksitetin dhe fleksibilitetin e rregullave ekzistuese të prokurimit, vlerat e ofruara për paratë e shpenzuara; 
-A është korrupsioni në nivele të larta si rezultat i kulturës sonë lidhur me qëndrimin ndaj ligjit, apo është çështje e një sistemi prokurimi jo efikas (apo të dyja bashkë); 
-4) Sa efektive janë trajnimet dhe kualifikimet aktuale në fushën e prokurimit publik. 
Praktikat më të mira dhe auditimi i prokurimeve publike të fondeve të Bashkimit Europian 
Në datat 10-11 Qershor 2015 në Luksemburg, në vijim të bashkëpunimit mes Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi çështjet të interesit të përbashkët, u zhvillua seminari me tematikë “Praktikat më të mira dhe auditimi i prokurimeve publike të fondeve të Bashkimit Europian, duke u bazuar në “Direktivën e Re për Prokurimet Publike në BE 2014/24/EU”, ku morën pjesë dhe dy audituese të KLSH. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte prezantimi i praktikave më të mira të auditimit mbi proçedurat e prokurimeve publike të fondeve të BE, nga ECA, auditime të realizuara në përputhje edhe me ndryshimet e miratuara nga PE dhe KE të Direktivës së Re për Prokurimet Publike në BE 2014/24/EU. Auditues supremë nga shumë vende të Europës (mes tyre dhe auditueset e KLSH) u njohën me një përmbledhje për direktivat e mëparshme të BE për prokurimet, ato që janë në fuqi aktualisht dhe krahasimi me miratimin e Direktivës së Re për Prokurimet Publike në BE 2014/24/EU, si një sfidë e kuadrit legjislativ të proçedurave të prokurimeve publike të BE-së, me qëllimin e rritjes së mëtejshme e efiçiencës dhe efikasitetit në proçedurat tenderuese. Kjo direktivë është miratuar në 26 shkurt 2014 nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Europës dhe është e detyrueshme për t’u aplikuar nga të gjitha vendet e BE deri në vitin 2016, të gërshetuara me kodin e etikës së INTOSAI-t dhe aplikimin e ISSAI 30 në sektorin publik. Gjithashtu edhe vendet kandidate të BE (mes të cilave dhe vendi ynë), kanë detyrimin e përafrimit të legjislacionit të prokurimit publik me legjislacionin e BE. “Direktiva 2014/24/EU është e mbështetur në strategjinë e Bashkimit Europian “Europe 2020”, dhe qëllimi kryesor saj është: 
-Rritja e efiçencës në shpenzimet publike, duke zhvilluar një proçedurë prokurimi në përmbushje të kritereve ligjore, kapaciteve ekonomike, financiare dhe profesionale, në përzgjedhjen e ofertës më të mirë ekonomike, duke siguruar që Autoritetet kontraktore të pronojnë oferta të cilat janë të përballueshme, të qëndrueshme, të pakushtëzuara dhe të plotësimit të nevojave të saj.
-Të ndihmojë SME (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) në pjesëmarrjen në proçedurat e prokurimeve të fondeve të BE, duke i inkurajuar që operatorët ekonomike (SME), nga ana e tyre të jenë aktivë në krijimin e një marrëdhënie me integritet me entet publike.
-Të përmirësojë dhe lehtësojë procedurat e prokurimit në krahasim me Direktivën 2004/18/EC, duke i rishikuar dhe i modernizuar ato, duke mundësuar proçedura më efektive në qëllimin e përbashkët social të vendeve anëtare të BE dhe candidate. Në ndryshim me direktivat e tjera, Direktiva 2014/24/EU, i jep përmarësi proçedurës së negocimit të gjerë konkurues,
-Të bëjë sa më të qartë nocionet dhe konceptet ligjore të shprehura në përmbajtjen e saj, në lidhje me parimet e përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë dhe mos-diskriminimit. Për më tepër , rregullat të veçanta të BE-së zbatohen për dhënien e kontratave publike për punë, mallra dhe shërbime, për sektorët klasikë, për utilitet dhe për fushat e mbrojtjes dhe sigurisë.
Lufta kundër korrupsionit
Direktiva 2014/24/EU është në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet ndërkombëtare, duke lehtësuar edhe pjesmarrjen në proçeset e prokurimeve edhe për firmat të cilat nuk i përkasin shteteve të Bashkimit Europian, duke maksimizuar transparencën e garës konkuruese dhe marrjen e masave mbrojtëse për të rritur integritetin, aty ku është e nevojshme përshtatja e legjislacionit nacional me atë të legjislacionit të BE. Një këndveshtrim i rëndësishëm i seminarit ishte fokusimi ndaj luftës kundër korrupsionit. Kjo Direktivë është shoqëruar me manuale praktike për të evituar parregullsitë, mashtrimet dhe manipulimin e proçedurës së prokurimit. Duke qënë se kemi të bëjme me fonde publike që vihen në punë me qëllim realizimin e nevojave dhe interesave të publikut, vlerësohet si shumë i dobishëm aksesi me qëllim auditimi që ECA, duhet të bëjë mbi proçedura prokurimi të rëndësishme dhe kontrata komplekse dhe me vlera të mëdha, të cilat në mënyrë më të ndjeshme dhe të drejtëpërdrejtë prekin interesat dhe portofolet e individëve (taxpaguesit). Kjo praktikë, është e shoqëruar me manual praktik i cili përputhet me standatet e auditimit të Gjykatës Europiane të Audituesve dhe standardet INTOSAI. Këto manuale bëjnë të mundur lehtësimin e proçedurës së auditimit nga ana e audituesve të ECA-s dhe audituesve të SAI-ve të vendeve anëtare. Prokurimi publik në Shqipëri ka bërë progres të dukshëm në dekadën e fundit. Janë aplikuar metoda të reja bashkëkohore, si prokurimi elektronik në vitin 2008, duke vazhduar në 2009-ën me futjen në sistem elektronik të të gjitha prokurimeve me vlerë më të madhe se 3,000 euro. Kjo është konsideruar nga Bashkimi Europian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare si një nga arritjet më të mëdha që nga viti 1990. Prokurimi i mallrave dhe shërbimeve për sektorin publik është thelbësor në veprimtarinë e çdo qeverie për të inkurajuar rritje ekonomike afatgjatë dhe të qëndrueshme. Me fjalë të tjera, mirëadministrimi i fondeve buxhetore nëpërmjet koordinimit të katër shtyllave të përmendura më lart, liria e informimit dhe kulturës së hapjes dhe transparencës, konkurrenca e lirë, ku bizneset e vogla lokale të jenë pjesë e kësaj konkurrence, pavarësisht ekzistencës së mentalitetit që këto biznese nuk kanë kapacitetet e duhura për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut. Nga KLSH po punohet për përgatitjen e një stafi profesional audituesish, me njohuritë e duhura në fushën e prokurimit, me kualifikimet përkatëse. Trajnimet dhe rritja e kulturës profesionale në këtë fushë janë një armë e mirë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. 
Reforma e prokurimit publik
Reforma e prokurimit publik do të ketë sukses, kur procesi do të sigurojë mbështetje nga nivelet e larta politike, trajnime të plota për prokuruesit, legjislacioni modern dhe i përshtatshëm i prokurimit: si legjislacioni primar dhe aktet nënligjore zbatuese, informim për avantazhet e sistemit të ri dhe bashkëpunim në mes të sektorit publik dhe privat. Ky i fundit mundëson përfitime të ndërsjellta, duke kuptuar më mirë problemet dhe nevojat e njëri-tjetrit. Pavarësisht arritjeve, prokurimi publik në Shqipëri është larg standardeve europiane sepse korrupsioni është i lartë. Mungesa e konkurrencës është evidente – bizneset e vogla lokale nuk janë të inkurajuara që të jenë pjesë e procesit, për shkak se ekziston një mentalitet që këto kompani nuk janë të afta t’i përgjigjen kërkesave të tregut. Vihet re mungesa e një stafi të kualifikuar dhe njohurive në fushën e prokurimit publik, si dhe mungesa e koordinimit të katër shtyllave kryesore të sistemit te prokurimit publik. Në shume raste kornizat ligjore janë komplekse dhe janë subjekt i interpretimeve individuale, ku lejohet hapësirë për abuzime dhe korrupsion. Ndershmëria dhe saktësia në të gjitha fazat e prokurimit publik është një nga vlerat themelore që parandalon çdo lloj korrupsioni. Dhe kjo është një ndër arsyet kryesore që BE e ka vendosur prokurimin publik si një prioritet, duke e quajtur atë ‘një sistem që gjeneron korrupsion’, që mund të shndërrohet në ‘kancer’ që vonon zhvillimin ekonomiko-social dhe ‘vret’ konkurrencën e lirë. Këto sfida bëhen akoma më të vështira, kur mendon brishtësinë dhe ndryshimet e vazhdueshme demografike, politike dhe ekonomike tek ne, që mund të kenë impakt të drejtpërdrejtë në performancën e këtij sistemi dhe qe mund të rezultojë në një përpjekje të dështuar të qeverisë për të ndërtuar një sistem fleksibël, të qëndrueshëm, afatgjatë, transparent, të besueshëm për publikun dhe që inkurajon rritje ekonomike. Mendojme se çështjet e prokurimit publik tek ne duhen bërë subjekt i një diskutimi të gjerë, ku të përfshihen akademikë, profesionistë dhe praktikantë në lidhje me sfidat aktuale, reformat dhe përfitimet ekonomiko-sociale dhe të mjedisit, nëpërmjet prokurimit publik, në përputhje me eksperiencën e praktikave të fundit të BE-se dhe ECA-s.
Sigal