Luljeta Nano/ KLSH, partner i rëndësishëm i financave publike

601
Nëse do t’i referoheshin përkufizimit semplist të përcaktimit të një buxheti kredibel, të besueshëm do të thoshim se buxhet i besueshëm është ai i cili ekzekutohet sikurse është planifikuar. Por në një këndvështrim më të gjerë një buxhet është i besueshëm kur publiku është i bindur që ai bazohet në politika fiskale të shëndosha dhe të qëndrueshme, që mbështetet në objektiva fiskale afatmesme dhe shërben si instrument efektiv për mbajtjen e qeverisë nën kontroll. Ne këtë aspekt është e nevojshme që ekzekutivi të ndërmarrë më shumë qasje proaktive për të adresuar në terma afatgjata nevojat e shoqërisë, konsideruar si një komponent kyç për besimin e publikut ndaj institucioneve qeveritare. Por çfarë e bën një buxhet të besueshëm? Politikat duhet të hartohen bazuar në analiza të qenësishme. Udhërrëfyesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar sugjerojnë që parashikimet makro fiskale duhet t’i nënshtrohen shqyrtimeve nga organizma dhe trupa të pavarura. Referuar Strategjisë së Zgjerimit të BE-së, një ndër tre prioritetet bazike të strategjisë është qeverisja ekonomike dhe menaxhimi financiar publik. Një menaxhim i besueshëm dhe relevant i financave publike dhe i buxhetit te shtetit është faktor vendimtar për një qeverisje ekonomike të suksesshme. Menaxhimi i Financave Publike referuar strategjisë, përfshin angazhimin për përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe të të gjithë procesit të buxhetimit nëpërmjet përgatitjes dhe implementimit të programeve shumë vjeçare si dhe angazhimit në politikat dialoguese të tyre me Komisionin Europian. 
Rekomandimet e KLSH në Kuvendin e Shqipërisë
KLSH në konvergjencë të plotë me objektivat e strategjisë se zgjerimit të BE-së dhe në një linjë me prioritetet e reformave i ka prezantuar Kuvendit rekomandimet të cilat synojnë marrjen e masave për sigurimin e qëndrueshmërisë, kredibilitetit të financave publike dhe konsolidimin e një kuadri, rregulli fiskal. Për disa vite radhazi KLSH ka sjelle në vëmendje të Kuvendit, faktin se situatat buxhetore janë karakterizuar nga projeksione mjaft optimiste gjë e cila ka sjelle krijimin e një hendeku të thellë midis trageteve të planifikuara me ato të realizuara dhe që në mënyrë të pashmangshme ka çuar në rishikimin e treguesve buxhetore gjatë ekzekutimit të buxhetit, gjë e cila është shoqëruar me reduktimin e shpenzimeve buxhetore me impakte negative të drejtpërdrejta ne ruajtjen dhe mbajtjen e një disipline fiskale efektive. Një mënyrë e tillë e planifikimit të buxhetit me shkurtime dhe reduktime eventuale ka afektuar ne kah negativ jo vetëm menaxhimin e shpenzimeve publike (krijimi i borxheve te prapambetura etj) por nga ana tjetër ka cenuar rëndë edhe proceset e planifikimit te buxheteve në terma afatmesëm. Ishte KLSH i cili që për tre vite radhazi 2012, 2013, 2014 i adresoi Kuvendit rrezikun e krijimit të gropës së zezë buxhetore, atë të krijimit të detyrimeve dhe borxheve ndaj biznesit si rezultat i ndërmarrjes së angazhimeve kontraktuale përtej burimeve financiare disponibel, si dhe rekomandimet për përmirësimin e gjendjes. 
Ngritja e Këshillit Fiskal
KLSH në funksion të promovimit të një qëndrueshmërie dhe kredibiliteti të financave publike, në funksion të përmirësimit të planifikimit të performancës fiskale, të projeksioneve makroekonomike dhe parashikimeve buxhetore, ka rekomanduar ngritjen e një Këshilli Fiskal i cili duhet të gëzojë statusin e një institucioni publik të pavarur, dhe që duhet të ketë një pavarësi operacionale shumë strikte e rigoroze nga politika. Ky organizëm i pavarur do të shërbejë për të promovuar politika fiskale të qëndrueshme dhe efektive dhe duhet të jetë parakusht, që të karakterizohet nga një pavarësi nga qeveria dhe një transparence komunikimi të drejtpërdrejtë me median. Ngritja dhe funksionimi i një Këshilli Fiskal i paanshëm, indipendent dhe thellësisht teknik është mjaft i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe promovimin e qëndrueshmërisë së financave publike. Ky rekomandim i KLSH është në përputhje të plotë me orientimet e Bashkimit Europian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ngritjen dhe funksionimin e këshillave fiskale si institucione publike të pavarura por jo vetëm, rekomandimi është në një linjë me praktikat e ndjekura nga shumë vende vitet e fundit të cilët kanë ngritur agjencitë e pavarura me synim promovimin e politikave fiskale dhe hartimin e buxheteve të besueshme. Në kushtet kur historikisht buxhetit i shtetit në vite ka rezultuar jo kredibël, është emergjente kryerja e oponencave të politikave fiskale, pa ndikime të politikës dhe që të jenë thellësisht teknike dhe të pavarura. Nëse ky Këshill Fiskal do të ngrihej dhe ekzistonte vite me parë pa dyshim qe do të shmangej fenomeni i krijimit të borxheve ndaj biznesit rrjedhoje e planifikimeve të buxheteve mjaft optimiste jo realiste. 
Rekomandimet e KLSH janë në një linjë edhe me Raportin e Progresit të Bashkimit Europian të Tetorit të vitit 2014 në të cilin theksohet që: “Në tërësi, stabiliteti makroekonomik duhet të forcohet më tej, duke ulur borxhin publik në raport me PBB-në, ndërsa ruhet hapësira fiskale për investime publike të orientuara drejt rritjes ekonomike. Konsolidimi fiskal, i fokusuar në të ardhura, filloi me buxhetin 2014, por duhet më shumë punë për t’i bërë financat publike të qëndrueshme. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të forcuar planifikimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, përfshi planifikimin buxhetor dhe menaxhimin financiar publik”. Kredibiliteti i buxhetit është i kondicionuar edhe nga sanksionimi dhe vendosja e një rregulli fiskal/objektivave fiskale të shprehura qartë në drejtim të targetimit të treguesit të borxhit, deficitit garancive etj. Krahas sa më sipër KLSH i është referuar zhvillimeve ekonomike ndaj nivelit të borxhit publik dhe rrisqeve që ai mbart në situatën makroekonomike të vendit. Referuar gjithashtu faktit që ndryshimi i kuadrit rregullator të limitimit të borxhit publik ndaj PBB-së, legjitimon mungesën e një tavani për borxhin publik dhe riskun e rritjes së tij. Shqyrtimit të trajektores dhe dinamikës në rritje të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së si dhe në vijim të rekomandimeve të dhëna nga KLSH si në vitin 2012 dhe 2013, KLSH në Tetor 2014 i prezantoi Kuvendit rekomandimin për ndërmarrjen e të gjitha masave për hartimin e një kuadri, rregulli fiskal, i cili do të synojë në reduktimin e nivelit të borxhit publik në një periudhë të përcaktuar kohore dhe sigurimin e një qëndrueshmërie afatgjatë të borxhit publik. Përgatitjen dhe paraqitjen e një iniciative ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të indikatorit të borxhit publik ndaj PBB-së, në nivelin 60 % arritjen e këtij niveli ne terma afat afatgjate. Në përfundim theksojmë që Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucioni i përgjegjës i garantuar nga Kushtetuta dhe ligji i tij organik për realizimin e mbikëqyrjes dhe auditimin e buxhetit të shtetit do të vijojë të jetë një partner i rëndësishëm duke ofruar qasje këshillimore me impakt mirëqeverisjen e financave publike ne vend. 
Sigal