Luljeta Nano dhe Irena Islami/ Auditimi suprem publik dhe IPA

638
Sigal

* KLSH

Në kuadër të asistencës për Shqipërinë dhe të zbatimit të Instrumentit të parazgjerimit, IPA 2013, komponenti i I-rë, KLSH ka fituar një financim nga Bashkimi Evropian për Forcimin e kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm me vlerë 2.11 milionë euro. Ky projekt binjakëzimi është ndër 7 projektet e  përzgjedhur nga BE për t’u implementuar në mënyrë të decentralizuar nga institucionet e shtetit shqiptar. Ky financim i BE-së do të kontribuojë dhe do të shërbejë si një instrument efektiv për realizimin e reformave të ndërmarra nga KLSH për modernizimin institucional dhe shndërrimin tërësor të tij në një institucion i cili reflekton zbatimin e kërkesave të INTOSAI-t dhe që i përgjigjet kërkesave të EU Acquis Communitare për aderimin në BE. Nëpërmjet këtij projekti do të bëhet e mundur përmbushja e një sërë objektivave të shpalosura nga Kryetari i KLSH-së në Projekt idenë e lançuar në Kuvend në Nëntor të vitit 2011 ku ndër të tjera u artikulua objektivi që KLSH do të udhëhiqet nga një vizion koherent bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve të BE-së e respektimit rigoroz të Standardeve Ndërkombëtare të INTOSAI” .Implementimi i projektit është në konvergjencë të plotë me detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i Nenit 90 të Marrëveshjes së Stabilizimit-Asociimit të Shqipërisë me BE-në, i cili siguron se “Bashkëpunimi ndërmjet Palëve është me fokus në fushat prioritare lidhur me Acquis të BE-së në fushën e kontrolli publik të brendshëm financiar dhe auditimit të jashtëm. Palët bashkëpunojnë veçanërisht për të zhvilluar një sistem efikas të KBFP dhe auditimit të jashtëm në Shqipëri, në përputhje me standardet dhe metodologjitë e pranuara nga bashkësia ndërkombëtare, si dhe me praktikat më të mira të BE-së”. Përmirësimi dhe rritja e kapaciteteve të auditimit të KLSH-së kontribuojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së auditimit dhe në përmirësimin e qeverisjes, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit. Projekti do të kontribuojë gjithashtu në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, e cila përfshin një grup objektivash, të cilat sigurojnë që qeverisja e vendit, politikat e saj të zhvillimit, planifikimi dhe zbatimi i tyre të realizohet në mënyrë koherente, efiçente dhe të integruar. Kjo mënyrë është e lidhur drejtpërdrejtë me menaxhimin dhe kontrollin e sistemit financiar. Një pjesë e rëndësishme e sistemit të kontrollit të financave publike përfaqësohet nga funksionimi sipas standardeve të INTOSAI-t, i auditimit të jashtëm publik, pra KLSH-së. Performanca e lartë dhe përmirësimi i auditimit të KLSH-së do të thotë përmirësim i sistemit të kontrollit financiar të vendit. Një strategji sektoriale e lidhur ngushtë me KLSH-në është Strategjia e Zhvillimit të Sektorit Financiar dhe Kontrollit të Financave Publike 2014-2020, e cila ka siguruar mbështetjen financiare të BE-së, në shumën prej 40 milionë euro. Kjo strategji përfshin brenda saj, si një komponent shumë të rëndësishëm, atë të zhvillimit të KLSH-së dhe forcimin e rolit të tij auditues, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t dhe praktikat më të mira të BE-së. Në këtë mënyrë, përmirësimi i efikasitetit dhe transparencës në përdorimin e parave të taksapaguesve, si dhe forcimi i përgjegjshmërisë së administratës shtetërore, po marrin një vëmendje të veçantë në sistemin e ri të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit. Ky sistem kërkon një ndryshim të rëndësishëm në menaxhimin e politikave dhe institucioneve publike, si  dhe mbështetje të fortë financiare dhe institucionale. Roli i KLSH në suksesin e performancës së sistemit të ri është parësor.Projekti IPA 2013 për KLSH është komplementar me ndihmën e dhënë deri tani nga programe të mëparshme të BE-së dhe shkon gjithashtu në linjë me Projektin e binjakëzimit të Ministrisë së Financave “Zbatimi i një sistemi modern Menaxhimi Financiar dhe Kontrolli, si dhe Inspektimi Financiar Publik në Shqipëri”, i financuar nga  IPA 2012. Ai mbështetet në Marrëveshjen e Bashkëpunimi në mes KLSH-së dhe Ministrisë së Financave, bazuar në Standardin ISSAI 9150: “Për Koordinimin dhe bashkëpunimin në mes të Institucioneve të Auditimit Suprem dhe Audituesve të Brendshëm në Sektorin Publik”, nënshkruar në maj të vitit 2012. Aktivitetet e parashikuara në Projekt do të rrisin sinergjinë e krijuar mes dy institucioneve në fushën e auditimit publik.Zbatimi i Projektit IPA 2013 të KLSH-së, i cili nis në prill të vitit 2015, vjen pas miratimit të ligjit të ri organik për institucionin nga Kuvendi i Shqipërisë më 27 nëntor 2014, i cili shënon shkëputjen përfundimtare të KLSH-së nga kontrollet e tipit inspektim financiar dhe profilizimin e tij si një institucion modern evropian i auditimit suprem publik, i cili e bazon tërësisht aktivitetin e tij në standardet e INTOSAI-t dhe moton e kësaj organizate Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë. Projekti do të jetë një mbështetje e rëndësishme  teknike për zbatimin e ligjit të ri, diversifikimin e mëtejshëm të llojeve të auditimeve të KLSH-së dhe rritjes së cilësisë dhe impaktit në auditim.  Gjithashtu, projekti do të ndihmoje KLSH-në që të jetë një institucion model edhe për institucionet e tjera publike dhe të udhëheqë nëpërmjet shembullit. KLSH ka si synim, që nëpërmjet punës së tij të sjellë ndryshim pozitiv në jetën e qytetarëve (ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e SAI-ve”).Një nga komponentët kryesorë të Projektit IPA është përmirësimi i kuadrit legjislativ për auditimet, nxjerrja e akteve të reja nënligjore si edhe udhëzimeve të përgatitura për zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe skemat e përmirësuara për ndjekjen e rekomandimeve, duke përfshirë përmirësimet në ligjet dhe rregulloret e kërkuara, si dhe zhvillimin e metodologjive të auditimit dhe kapaciteteve të raportimit, të cilat jo vetëm do të jenë në përputhje me kërkesat e ligjit te ri por edhe do të realizojnë plotësisht rekomandimet e Progres Raporteve të Bashkimit Evropian nga viti 2009 e në vazhdim. Ky projekt i financuar nga BE, me kohëzgjatje 2 vjeçare (deri ne Prill të vitit 2017), është pa diskutim një mbështetje e fortë, por është njëkohësisht edhe një nga sfidat e radhës së KLSH-së, i cili ka treguar në vitet e fundit që po punon fort dhe po realizon cilësisht objektivat e tij, duke ecur në mënyrë të sigurt në rrugën e tij të modernizimit, atë të realizimit të auditimeve të tij në përputhje të plotë me standardet INTOSAI dhe praktikat më të mira të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“SOM” Performanca e lartë dhe përmirësimi i  auditimit të KLSH-së do të thotë përmirësim i sistemit të kontrollit financiar të vendit. Një strategji sektoriale e lidhur ngushtë me KLSH-në është Strategjia e Zhvillimit të Sektorit Financiar dhe Kontrollit të Financave Publike 2014-2020, e cila ka siguruar mbështetjen financiare të BE-së, në shumen prej 40 milionë euro.