Luan SHMILLI / Mirësevjen në Shqipëri, zonja Klinton!

38

Kryetarja e diplomacisë amerikane ka udhëtuar më shumë se askush tjetër në  historinë e diplomacisë amerikane. Për herë të parë edhe në Shqipëri

I shoqi i saj, Bill Klinton, ish-President i SHBA-ve, është miti modern i shqiptarëve, të cilët jetojnë në Ballkanin e trazuar në dy shtete shqiptare dhe në katër shtete fqinjë. Greqia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, kanë në përbërje të shtetit të tyre shumë shqiptarë. Një shtet i prerë përmes, Shqipëria me Mur ende të pa rrëzuar. Dhe, ajo po vjen në Shqipëri. Më saktë ka ardhur që në 20- vjetorin e festimit të rënies së Murit të Berlinit, me fjalën e saj të lirë e demokratike i kujtoi Europës, ende të pabashkuar e problematike se: “Ka ende mure në Europë që duhen rrezuar!”

Tani, si në shumë vende të tjera të botës, ajo zbret dhe në Shqipërinë e gjysmë shqiptarëve, të cilët më 28 Nëntor do të festojnë me madhështi, në Vlorë, gjysmën e pavarësisë së Kombit. Një ditë më pas, ditën e madhe të çlirimit të vendit nga okupatorët nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë. Gjer atëherë, stafi i Obamës, ku Hillary ka postin e kryediplomates, ka datën 6 nëntor përpara ku amerikanët do të vendosin nëse Obama do të vazhdojë të jetë president apo do t’ia dorëzojë atë rivalit të tij në zgjedhje, Romney. Ndaj Hillary, është në punë. Një turne pune, ndofta vërtet i fundit, për këtë mandat në përfundim. Ishte dhe në Serbi dhe u prit me protesta, pikërisht sepse Kosova me shumicën e popullsisë shqiptare, zgjodhi rrugën e pavarësisë nga Serbia. Por dhe sepse ai që u bë mit i tyre duke ndihmuar e kontribuar konkretisht në ketë pavarësi ishte edhe burri i saj. Zonja Klinton, flokëshprishura nga erërat e udhëtimeve të shumta, i di këto. Madje, më tej, sido që të vendos 6 nëntori, ajo pothuaj është e deklaruar si kandidate e demokratëve amerikanë, pas katër vjetësh. Grua e jashtëzakonshme, me një vullnet të hekurt pune dhe zgjuarsi të lartë individuale. Është shkruar dhe do të shkruhet për punën e saj. Sekretarja e shtetit amerikan përbën ajkën e punës kualitative të stafit organizativ të presidentit Obama. Natyrisht si tek gjithë presidentët e tjerë, me specifikimin se Hillary është sa moderne në komunikim dhe zgjidhje problemesh, aq e thjeshtë dhe konkludive. Hillary Rodham, e mbiquajtura Klinton, ka këtë tipizim që nga hershmëria, nga Universiteti Yale, qëkur përkëdhelej dhe afrohej me një djalosh të shkathët e brilant, të quajtur Vvilliam J.Klinton, të cilin e thërriste “Bubba”, me të cilin kalonte gjithë ditën në bibliotekë. Hillary, ka treguar për shtypin një ndër profesorët e saj, “ishte një studente gjeniale. Nëse duhej të mësohej përmendësh një artikull nga ligjet, ajo mësonte përmendësh gjithë kodin”. Por në furinë lehtësisht nervoze, me të cilën zonja ka përballuar detyrën e sekretares së shtetit, pas humbjes në duelin partiak në parësorin për presidentin me Barrak Obamën, që e beri të qajë në publik, ka një moment që shkon përtej “Jet diplomacy” dhe që është diplomacia moderne. Hillary edhe ditët e fundit të prag zgjedhjes së presidentit po vazhdon diplomacinë moderne në vende problematike siç janë ende vendet ballkanike. Sukseset e diplomacisë maten shpesh me ato që nuk shihen. Dhe më e besueshmja është ajo se Hillary ka mbajtur me “frena” makinën Izrael, ndërsa në Ballkan kërkon atë që nuk duket, uljen e tensioneve ndëretnike me probabilitet të lartë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, që kanë 100 vjet nën një pavarësi të përgjysmuar, shpërndarë nëpër shtete që ende nuk kuptojnë ç’kanë bërë kundër popullit më të lashtë të Ballkanit. Si duket, në Ballkan, për disa çaste ajo është tashmë edhe presidente e Amerikës, pasi protestat në Serbi dhe pritja me ngrohtësi në Shqipëri janë në thelb vlerësim dykrahësh ndaj politikës amerikane, që ka kulmin piramidal tek presidenti. Ballkanasit ende nuk kanë qetësinë e duhur dhe Hillary këtë e di. Nga këtu kanë lindur dy luftërat e fundit botërore dhe janë bërë koalicionet e mëdha kundër perandorive të Romës e asaj otomane, ku viti 1389, në Fushë-Kosovën me shqiptarët banorë, shënon pikë reference që asnjëherë nuk është përsëritur më. Hillary, me siguri e di këtë, sikurse di përzënien me gjenocid të pashembullt të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre të stërlashta epiro-ilirike. Hillary di gjithçka, edhe papërgjegjshmëritë qeverisëse ballkanike ku, kriza ka rrezikuar seriozisht Greqinë dhe mban jashtë BE-së Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, dhe ende nuk ka pranuar si kandidate pa kushte Shqipërinë. Hillary vjen t’u kujtojë qeveritarëve se nuk duhet të jenë të përhershëm, si kanë manipuluar dhe ende pretendojnë, por si ajo vet të përkohshëm dhe me krah fluturimi për vendin dhe jo veten e tyre a oborrin që mbërthen për fyti shtetin. Hillary, vjen për zhvillimin duke pretenduar me siguri, rigjallërim të industrisë, bujqësisë, minierave, gjithë resurseve që ka Shqipëria. Hillary, vjen që shqiptareve të mos u vidhet dhe manipulohet vota dhe politika të ketë moral e jo vulgaritete rrugësh, fyerje dhe kërcënime, apo më keq vrasje qytetarësh! Ndaj ajo nuk ndalon udhëtimet. Ndofta edhe pse, si thonë, brenda saj rrinë vargjet e poetit të madh Robert Frost: “Unë, kam premtuar të mos ju tradhtoj/ mijëra kilometër më parë se në gjumë të shkoj…”  Hillary vjen në Shqipëri që shqiptarët në vetvete të shohin me besim të ardhmen! Mirësevjen zonja me krah fluturues! Ne do ndryshojmë të sotmen së bashku!…

Për “Telegraf”, nga Italia