Luan Shmilli / Medinë, pranë Profetit Muhamed dhe larg tij, me respektin në mes

93

Medina, qyteti i Profetit Muhamed me look të ri, përmes kujtimeve të një kohe me dhe pa fe…

Kush ka qenë mes myslimanëve të vërtetë në Medinë, nuk mund të mos emocionohet nga panorama e re, po aq mbresëlënëse, e vendit ku prehet prej shekujsh Profeti Muhamed. Dhe jo vetëm kaq, kujtesa, si një makinë e shpejtë, e pazhurmshme, bën retromarsh të menjëhershëm, gjë që më ndodhi jo rastësisht dhe mua, teksa përgatiteshim të hynim në vendin e shenjtë në Medine. Mijëra ndjesi zbritën në trurin tim dhe sollën kujtime të turbullta, prej fëminisë me Zot e Muhamed të turbullt dhe rinisë pa “Zot”. Grimca bore në tru ato çaste teksa vizitoja varrin e Profetit. Mizëria e besimtarëve nuk mund ta shihte kompleksitetin tim të brendshëm teksa gazeta, që kisha në dorë, kish foton e Muhamedit të një aktori, luajtur me ofensivë fyerje në një film që solli viktima të panevojshme dhe dhunë shkatërruese për vendet e tyre dhe SHBA. Ne s’jemi thjesht vizitorë me distinktiv “PRESS”. Jemi ata që përcjellim ngjarje drejtpërdrejtë, fakt dhe pasfakt, shoqëruar me filmim, foto, komente a opinion. Natyrisht, nuk jemi të pagabueshëm dhe pikërisht sepse dimë këtë dhe të drejtën njerëzore të besimit, përpiqemi të jemi të vërtetë apo dhe koherentë me bindjet njerëzore, duke i respektuar, ashtu si deklaroi edhe Papa Ratzingher, ditë më parë, në Tokën e Shenjtë. Dhe e tha në mbrojtje të çdo besimtari. Kemi ardhur për të njohur më nga afër “Pranverën Arabe”, dhe udhëtimi na çon aty ku mijëra e mijëra besimtarë kryejnë rite lutje dhe shfaqin besim pranë Profetit. Ka dhe turistë e ateistë, si dhe besimtarë të feve të tjera, kristianë e budistë që nga larg dhe afër vizitojnë me kureshti Profetin Muhamed. Hyjmë dhe ne në xhaminë e Madhe të botës myslimane duke lënë këpucët në një vend të posaçëm parapërgatitur. Traditë u them kolegëve dhe tradita respektohet. Kolegët e mi nuk kanë asnjë lidhje me Muhamedin. Unë kam. Nuk e mohoj këtë edhe pse dihet, kush më njeh, jam ateist. Ateist që nuk mohon rrënjët fetare të atyre që më krijuan dhe më lanë edhe kujtime reale muhamedane, dhe bektashiane. Në fakt, gjyshi im nga nëna, mbaj mënd se ishte një besimtar i mirë mysliman, bashkë me gjyshen dhe gjëja me e bukur që më kujtohet në bashkëjetesë me ta, ishin festat e Bajramit, ditët e tyre të agjërimit dhe fjalë që u ngulitën në kujtesë si: Muhamedi, Bajram i madh, Bajram i vogël, Nata e Kadrit, Namazi, Syfyri… Ritet, si shkonin në xhami dhe faleshin. Vdiq rreth të ’80-tave gjyshja dhe gjyshi sa nuk preku 100. Ata nuk e panë kurrë varrin e Muhamedit edhe pse gjithë natën luteshin nën emrin e tij… Kjo më mundon, disi, për pengun e tyre… Nuk e di si do ndiheshin t’u thosha me I-Phon: “Varri i Muhamedit, ja ku është! “Varr, o varr Profeti, sa të kanë dashur! “Profeti nuk flet! Kam ardhur unë, ateisti, pranë tij, por me ata muhamedanët e mi në mend. Se, s’mund ta mohoj. Me mua Muhamedi ka qenë i pranishëm në fëmini… U largua në moshën e rinisë dhe tani kur ata, të mirët e mi, gjyshërit muhamedanë, nuk janë më, ai është rikthyer. E kam mohuar. Kjo nuk mohohet. Por dhe pse e kam mohuar, Muhamedi ka qenë thellë meje edhe pse pranë varrit të tij, them se është misticizëm i bukur, për kohën sot, ardhur nga koha e largët dhe nëse nuk e besoj Muhamedin dhe vet Zotin, s’kam përse të mos respektojë ata që e duan. Burrat e shtetit tonë monist, më 1967 bën gabimin fatal, dhunuan fetë. Dhe Marksi vet gjëkundi nuk thotë të mbyllen xhamitë dhe kishat, edhe pse thotë: “Feja është opium për popujt!” Besimtarë e jobesimtarë janë përzier në Medine dhe pse veshjet karakteristike dhe ngjyra e fytyrës e arabëve dallohen nga veshjet karakteristike dhe ngjyrat e fytyrës së grupeve turistike nga Birmania, nga Kina, Afrika dhe Europa. Medina nuk trembet. Qyteti i Profetit Muhamed, dalluar nga Meka, ka respektin njerëzor me gjithë njerëzit që marrin rrugëtimin drejt tij. Dhe më të shumtë do të jenë në të ardhmen. Sot 200 mijë njerëz mund të qëndrojnë pranë varrit të Profetit. Nesër, na tregojnë, 1.6 milion do të vizitojnë a falen në xhaminë e Profetit në Medine. Një projekt fareonik, është pothuaj i përfunduar në skicë. E thotë shtypi dhe përkthyesit tanë. Zërave që qarkullojnë se, mbreti saudit Abdulla, 89 vjeç i sapokthyer nga një muaj pushimesh në Marok, ai vet do t’i shpërndajë duke shpallur një plan ristrukturimi dhe zgjerimi të Mauzoleumit të Muhamedit në qytetin e shenjtë Medina. Projekti, shkruan edhe shtypi perëndimor “Le Monde”, “La Repubblica”, do të jetë faraonik. Disa grimca sekretesh të rrjedhura, gjatë tre ditëve tona të qëndrimit, bëjnë fjalë se nafta është ajo që do sjell sponsorizimin e madh të sheikëve të disa vendeve arabe në këtë vend të lavdishëm e të shenjtë të gjithë myslimanëve të botës. Planet janë aprovuar nga mbreti Abdullah dhe kryesore kanë zgjerimin e kapaciteteve njerëzore. Nga 200 mijë, që aktualisht është kapaciteti, në një milion e gjashtëqind mijë. Nuk dihet ende shifra e punimeve të tjera kompletuese të mega projektit për Profetin, por dihet se plani është i ndarë në tre faza dhe do të zgjasë disa vjet. Ndërkohë dihet se vetëm për të shpronësuar banorët dhe prishur banesat e tyre dhe pallatet pranë, do duhen 6 miliardë e gjashtëqind milion dollarë. Është princi zotërues Selman (76 vjeç) por dhe të tjerë anëtarë të trupit monark. Guri i parë i inaugurimit të punimeve është parashikuar fundi i muajit tetor 2012, kur përfundon edhe muaji kushtuar pelegrinazhit në Mekë (Hajj). Edhe pse nuk është shpallur, projekti gjigant i zgjerimit, rikonstruktimit dhe konsolidimit të vendvarrosjes së Profetit Muhamed, është një përgjigje e hapur ndaj perëndimit dhe qarqeve të caktuara reaksionare kundër diskreditimit të Muhamedit. Dhe një përgjigje flakë për flakë duke u kërkuar qeverive perëndimore të përshpejtojnë planet e ngritjeve të xhamive të mëdha në Londër, Paris, Milano, Xhenova, Bruksel, Nju Jork etj.. Milionat e myslimanëve në Europe dhe tendenca e rritjes së numrit të tyre dhe nga vendas qytetarë, dikton kushte falje dhe liri besimi. E njëjta gjë mund të thuhet me këtë rast edhe për Tiranën ku ka projekt, por ende besimtarët e Profetit Muhamed diskreditohen sepse falen shpesh edhe në sheshe. Edhe pse është qyteti i dytë, pas Mekes dhe para Jerusalemit, Medina historikisht është themelore në biografinë reale të Profetit Muhamed. Në Medinë, Muhamedi është transferuar në vitin 622 për të ndërmjetësuar në luftën njëqind vjeçare mes tribuve. Këtu ai themeloi të njohurën Huma, bashkësi besimtarësh. Këtu ai përpiloi ligjin themelor të Islamit (Sharia) dhe këtu, në Medinë, ai vdiq dhe u varros në këtë vend që dhe sot quhet Xhamia e Profetit Muhamed. Pavarësisht se nuk ka asnjë dyshim mbi vendvarrosjen e Muhamedit, i ashtuquajturi shenjtërim është më i pastër me të varrosur jo myslimanë, në krahasim me atë që ka rezultuar në Mekë. Si praktikë vetëm qendra e vjetër e qytetarëve i është rezervuar qytetarëve myslimanë. Kjo sepse sot, Medina qytet me 1.5 milion banorë, ku disa qindra mijë janë emigrantë të ardhur nga Azia dhe veriu i Afrikës, paraqitet si qytet i hapur edhe për besimet e tjera fetare. Duhet theksuar se kohët e fundit fal teknologjisë moderne, infrastrukturës në zhvillim, ka një hapje më të madhe nga institucionet fetare. Mbreti Abdulla që kryeson regjimin ka krijuar një konsensus me shtetasit falë edhe fluksit të parave që disponon ku shërbimet sociale pezullojnë protestat. Regjimin e tij nuk e ka kapur Pranvera Arabe, fal parave që hedh dhe projekti Medine, përveçse është një kundërpeshë për fyerjet ndaj Profetit, duket se është edhe mur pengues për Pranverën në vendin ku mbretëron. Protestat, që në fakt nisën dhe u ndërprenë pasi arrestoi mbi 60 vetë dhe futi në punë makinën e shtetit me pararojë të paguar shtypin, televizionet dhe drejtësinë, janë fakti tjetër që zbulon qëllimet dytësore të mbretit miliarder Abdulla. Ngushtësia apo edhe zgjerimi faraonik, nuk ja rrisin vlerën mbretit saudit që pengoi dhe vrau Pranverën, përkundrazi, edhe kur projekti të ketë përfunduar dhe besimtarët të kapin shifrën e parashkruar 1.6 milion tek varri i Muhamedit, ndërgjegjja dhe jeta e tyre reale do të kërkojë më shume liri, mirëqenie dhe barazi vëllazërore. Sepse, për këto i ka folur, realisht, në mënyrën e tij mistike vetë Profeti Muhamed. Atëherë dhe Medina do të jetë më e ndritshme! Atëherë dhe qytetërimi do të jetë zhvendosur edhe më përpara në vendin pa mbretin Saudit qe “iku” duke zgjeruar vendshenjtërimin për më shumë myslimanë dhe gjenden më shumë ateistë! Atëherë në Tiranë xhamia e re do të ketë shumë më shumë besimtarë të islamit, si kishat, po ashtu më besimtarë, tyrbet, më shumë bektashinj! Në qoftë vërtetë kështu, gjithsesi, ajo kohë nuk do të jetë imja!As jotja, njeri!… Por e respektuar e drejta e fesë patjetër do të jetë! Edhe më shumë se sot! Nga ky respektim, do të vijë dhe e vërteta!

Medinë-13 shtator 2012

PËR MEDINËN

Një projekt faraonik për të zgjeruar mauzoleumin dhe sjellë në xhaminë e Profetit miliona besimtarë

Mbreti saudit Abdullah deklaron se për të shpronësuar nga prona e tyre qytetarët dhe prishur banesat do shpenzohen 6 miliardë dollarë

Medina, qyteti i dytë pas Mekës, quhet edhe “Qyteti i Profetit”

Xhamia e profetit mban poshtë kupolës qendrore varrin e vërtet të Muhamedit

Xhamia mban 200 mijë besimtarë. Rikonstruktimi do sjellë 1.6 milionë besimtarë e turistë