Luan SHMILLI / Mbretëria e Bashkuar drejt shpërbërjes

131

Skocia drejt pavarësisë nga Londra. Kryeministri anglez Cameron pas shumë muaj negociatash me “irredentistët” lejon referendum në vitin 2014

Në Europë ende ka vende dhe popuj që kontrollohen dhe administrohen nga popuj të tjerë. Dhe pse nuk janë të pakët, rregullat dhe kolonizimet e vjetra nuk i lejojnë të jenë të pavarur. Megjithatë, popuj dhe vende që janë bërë shtete të rinj, apo luftojnë ende për t’u mëvehtësuar e bashkuar me “mëmëdhenë”, ka ende! Kosova është një ndër shtetet e rinj që shkaktoi krisje dhe me luftë e gjak, me solidaritet ndërkombëtar, u shkëput nga shteti agresiv dhe shtypës i Serbisë. Por, mjerisht, Serbia reziston. Greqia në jug kërkon të tjera territore…

Megjithatë, një tjetër popullsi europiane kërkon të ndjekë shembullin e Kosovës. Por pa luftë dhe gjak. Ky vend është Skocia. Shtypi perëndimor, dhe veçanërisht ai britanik, ka hapur dritaret tej e tej për të parë e komentuar evenimentin, i cili i jep një “grisje” të madhe teorive të vjetra antipopullore se: “Nuk do të ketë më ndryshim kufijsh!”, “Muri i Berlinit dhe i Kosovës ishin të fundit” etj…

Dhe nuk bëhet fjalë për popuj që vështirësitë e jetesës i kanë emigruar në vende të tjera, si shqiptarët, për shembull në Itali, me arbëreshët e shumtë që edhe tokat ua bleu heroi i tyre kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, të cilat edhe sot jo vetëm i kanë të vetat në rreth 82 fshatra e qyteza në jug e qendër të Italisë, por ruajnë dhe kultivojnë ende traditat shqiptare. Kemi dhe koloni të fuqishme në Turqi, Amerikë, Egjipt dhe Rusi, si shkruan Enciklopedia italiane Trecanni, që në Telegraf e publikuam disa numra më parë. Rastet e shqiptarëve, dhe tani Skocisë, nuk bëjnë fjalë për të ashtuquajturat popullsi “minoritare”, që pretendojnë bashkëlidhje me shtete të tyre kur nuk plotësojnë as kushtin elementar të pretendimit, me 20 përqind popullsi autoktone në një shtet tjetër.(ligjësi e OKB, kjo). Më tej:s i pretendojnë e kërkojnë gjer dhe kufij deti në jug të Shqipërisë, për shembull, grekët ultra-shovinistë, ku nëse vërtetë ka pakica greke, (kolonë të ardhur, a shqiptarë të dygjuhësuar) me rreth 300 mijë grekë, si pretendohet, duke pretenduar Shkumbinin, (e pushtuar nga mbreti Grek që i dha dhe emrin Greqisë, sipas D.Alikarnasit,- libri XIX) sepse në këtë hapësirë ka vërtet shqiptarë të fesë ortodokse, ashtu si ka në veri përreth Shkodrës, shqiptarë me besimin katolik. Këto realitete me pakica (kolonë)të vërteta greke në jug e oaze sllave në Veri e ndonjë oazë të prurë qëllimisht nga Zogu në Fier, (pasi shtypi me ta edhe kryengritjen kundër tij, duke vrarë Riza Cerovën, varur Hekuran Manekun, e burgosur qindra të tjerë), të cilëve u duhet njohur barazia dhe dinjiteti me shqiptarët e stërlashtë e autoktonë, por jo pretendimet territoriale, kur historia dhe dramat e mëdha shqiptare flasin për të kundërtën dhe me popullsi të shumtë të martirizuar, e troje të evakuara nën gjenocid. Edhe Europa e vjetër dhe rrogëtaret e saj fatlumë e të dhjamur, në Tiranën me qeverisje krejt të falsifikuar e të pandëshkuar, e di të vërtetën. Madje ajo ka përgjegjësinë e madhe që e preu përmes popullin më të lashtë të Ballkanit, duke e copëzuar në shtete të tjera në Konferencën e Ambasadoreve më 1913, pikërisht në Londër. Krimi i shëmtuar i ka kushtuar mijëra të vrarë në Veri dhe Lindje të shtetit me pavarësi të përgjysmuar dhe gjer gjenocid në Jug, pas shitjes me flori të kryeqendrës jugore shqiptare, Janinës, prej ish- komandantit turk në këtë garnizon, Esad Pashës dhe përzënies nga trojet e tyre të shqiptarëve të Çamërisë… Këtu nuk është vendi, por 100 vjetori i gjysmës së Pavarësisë, duhet të skuq Brukselin dhe ta bëjë të rishikojë vendimet e vjetra të Ambasadorëve në Londër, dhe pse jo t’i rikthehet opsionit real italian të atyre ditëve kriminale ndaj një popullit të stërlashtë në Ballkan. Asgjë nuk pengon. Kjo sepse është pikërisht po Londra që mori një vendim të drejtë karshi një populli të cilin e ka pasur përherë “vasal”, skocezët. Çfarë ka ndodhur? Në Londër shtëpia “e përbashkët” tronditet rëndë! Vetë Londra zhvidhos bulonat e parë të prishjes së urës së vjetër që lidh Endimburgun me Londrën. Ajo i lejon skocezëve më në fund të zgjedhin fatin e tyre kombëtar me një referendum ligjor në vitin 2014. Shkelet Neni 1707 i BE, por kjo nuk e preokupon fare Londrën. Skocezët të vendosin, madje më tej: “në votim për shkëputje a mosshkëputje do lejohen të votojnë gjer dhe 16 vjeçarët. Asnjë kundërshti megalomane si do të ndodhte me rreth 40 përqind të shqiptarëve nën Maqedoninë. “Kjo është ditë historike për ne, por dhe popuj të tjerë…” ka deklaruar pas firmës kryeministri skocez Alex Salmond. Në mesditë kryeministri britanik David Cameron hyri në St.Andreë’s House, vendqëndrimi i qeverise rajonale skoceze. Një moment i vështirë për të. Më i keqi, qëkur është bërë kryeministër. Partia e tij është kundër “kësaj çmendurie” skoceze, si e quajnë, madje edhe mbretëresha Elisabeta e II-të,e quan kështu sepse i shpërbëhet mbretëria. Por Kameron gjendet me shpatulla në mur sepse në Skoci “Scottish National Party”, ka fituar zgjedhjet me një mazhorancë tepër të madhe një vit më parë duke “ulërirë”, për pavarësi. Është kjo arsyeja që detyroi Kameron të deklarohet se: “Është e pamundur të mohohet një e drejtë demokratike”. Londra ndjen neveri nga Brukseli, Edingurgu skocez ndihet skllav i Londrës”, shkruan mes të tjerash edhe italiania e pavarur torineze “La Stampa”. Kameron miraton ato që i parashtron Salmond duke firmosur akordin e jashtëzakonshëm, i cili me siguri do t’i kthehet në “bumerang” në partinë e tij. Akordi përmban pika të rëndësishme ku të dy qeveritë, ajo e Britanisë së Madhe në Londër dhe ajo rajonale e Skocisë, angazhohen të menaxhojnë mirë dhe drejtë referendumin skocez, cilido që të jetë rezultati. Natyrisht “rebeli gri”, si quhet Salmond, është i bindur për Pavarësinë: “Kemi arritur atë që kemi kërkuar, pa pyetur Europën ende të vjetër dhe me rregulla skllavëruese. Referendumi do ketë vetëm një pyetje të thatë. Pavarësi? Sigurisht që do fitojë pavarësia. Duam Pavarësinë jo sepse jemi më të mirë se të tjerët, por sepse jemi në të njëjtat lartësi demokratike dhe ekonomike me ta”. Dhe të kujtojmë se bashkimi me Mbretërinë është bërë më 1707 duke pasur gjer më tani parlament të përbashkët. Sondazhjerët menjëherë kanë shpallur treguesit duke deklaruar Yuogoë se gjer tani një në tre persona dëshiron shkëputje, por që sigurisht do ngjitet në muajt dhe dy vitet e ardhme! Londra për Skocinë më në fund pranon verdiktin. Në Londër është prerë përmes dhe padrejtësisht, pa pyetur fare shqiptarët, kombi ynë, Shqipëria. Në Konferencën kriminale të Ambasadorëve, më 1913. Që atëherë po mbushen 99 vjet. Dhe kërkojmë të festojmë e ftojmë europianët, fqinjët grabitqarë, në 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit, kur kemi gjysmë Pavarësi dhe pafundësi tmerresh! Ja vlen të jesh dhe “i çmendur”, si skocezi gri Salmond. Po ku ta gjejmë një të tillë? Në fakt ne kemi një Salmond të tillë kryeministër, bile të çmendur që dhuron troje dhe vret shqiptarë pse protestojnë. Ne kemi një Salmond të vjetër tmerrësisht, që detyron të vetëdigjen edhe ata që lirinë u a mohuam! Ky firmëtim skocez, përtej BE, është një mësim edhe për shqiptarët e vërtetë kudo që ndodhen.

Nga Italia për “Telegraf”