Luan SHMILLI / Kina reforma të thella pas Kongresit të 18-të të PKK

620
Sigal

Hu Jintao, kryetari i partisë komuniste kineze lexon raportin në kongresin e 18 të PKK dhe do të delegojë detyrën tek zëvendësi i tij, Xi Jinping

Ka nisur pothuaj si kundërpeshë e zgjedhjeve të presidentit amerikan, Kongresi i 18 i partisë komuniste kineze. Një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Kinën komuniste në politikë dhe komunisto-kapitaliste në ekonomi, por dhe për mbarë botën, shënon shtypi perëndimor europian, pasi gjigandi i dytë i ekonomisë botërore ka peshën e vet të rëndësishme, në situatën aktuale të globit, të mbërthyer nga kriza dhe rëniet e prodhimit. Mbi dymijë delegatët e ardhur në kongres janë zgjedhur në segmentin piramidal të partisë duke pasur objektiv kryesor reforma të thella në parti pa lejuar pluralizmin e rrezikshëm  partiak, ku sipas raportit dhe stilit kinez,”qentë hanë qentë dhe të gjithë lehin si qentë, duke mos zhvilluar vendin, por xhepat e tyre, të oborreve partiake, familjare dhe personale!” Raporti shumëfaqësh me rreth 100 minuta kohë leximi, sipas gazetarëve pjesëmarrës, ishte euforik, pasi Kina nën udhëheqjen e komunisteve ka ngjitur shkallë të larta botërore duke sfiduar kapitalizmin informal, konkurruar dhe mposhtur atë në të gjitha drejtimet. Deklarimi i vet kapitalisteve të falimentuar dhe shtrirja e dorës se tyre për ndihmë, në Amerikë dhe Europë, është sa tragjike që na detyron t’i ndihmojmë, aq dhe katastrofike për kapitalizmin pa rregulla dhe mëshirë. Me tej:”Mijërat e punëtoreve që hidhen në rrugë sepse falimentojnë ndërmarrjet dhe “bosët” bëhen “lopçarë” ku asnjë bankë nuk i ndihmon, është shprehje e një sistemi të falimentuar që vet qytetarët duhet ta shkallmojnë. Mrekullia jonë nis me kryetarin Mao Ce Dun dhe do të vazhdojë në rrugën e tij për demokraci popullore…Nuk do të lejojmë ndryshime të sistemit politik ndërsa do kërkojmë e marrim duke e aplikuar e përsosur çdo formë të mirë të përparimit ekonomik në botë. Nga vend i varfër me miliarda njerëz ne jemi vendi me nivel përparimi të lartë, punë të garantuar për çdo qytetar, konkurrencë shtet-privat me përparësi mbrojtjen e interesave të popullit duke investuar ku ka efektivitet prodhimi dhe mbi të gjitha, treg. Luftojmë jo çdo qytetar të behet miliarder, por çdo qytetar të bëhet prodhues dhe konsumator.” “Defektet me korrupsionin në parti dhe shtet duke filluar nga kreu i partisë, si u akuzua me shpifje nga kapitalizmi i groposur,duhet t’i eleminojmë me ligje komuniste, kontroll të rreptë dhe drejtësi të vërtet!…”Ka shumë pjesë raporti, vënë në dukje vëzhguesit, që flasin vërtet për seriozitet komunist sidomos kur flitet të hapen dyert ekonomikë të Kinës duke thithur investitorë strategjikë, që të trembur a shpartalluar nga kriza dhe taksat, kërkojnë të investojnë në Kinë. Shembulli i Mollës amerikane ku prodhohen e ambalazhohen I-Phonet, I-Padet e fenomenit Jobes, janë të mirëpritur me kërkesën e vetme: Kushte normale pune punonjësve kinezë, paga proporcionalisht të larta, aspak më të ulëta se punëtorët në SHBA dhe Europë… Kina ka nevojë për punë, duke garantuar lirinë e prodhimit dhe taksa të ulëta, madje edhe tregun me të madh në botë, për konsum. Nuk trembemi nga konkurrenca teknologjike, në shumë drejtime mbajmë vendin e parë.

Kryetari aktual e ka mirëpritur dhe shprehur në raport rizgjedhjen e Obamës president, i cili ka treguar “Bashkëpunim dhe mirësjellje të përhershme për sakrificat gjiganteske të Kinës dhe popullit të saj punëtor e paqësor… Do të vazhdojmë bashkëpunimin ekonomik, duke u kujtuar përherë shlyerjen e borxheve që na kanë. Me Europën në raport, Kina tregon se ka pasur dhe ka marrëdhënie të mira e të gjithanshme”. Në të kaluarën kemi pasur miq të mëdhenj në shtete të vegjël, të cilët na kanë ndihmuar shumë në rrugën tonë të bllokuar. Merkel, me ardhjet e saj të shumta ka treguar interes për epërsinë tonë dhe ne e mirëkuptojmë për vështirësitë e saj, të Italisë, Spanjës e sidomos Greqisë, dhe urojme të dalin sa me shpejtë nga gjendja e rendë, e cila ka frenuar disi edhe ekonominë tonë që ka rënie nga ky bllokim… Raporti nuk ka lënë pa prekur marrëdhëniet e Kinës me vende të tjera, të cilat përveç Japonisë, që kërkon më kot të grabisë pjesë deti kinez, janë të mira, ku Rusia ka treguar interes për zhvillimin ekonomik dhe ka sjellë përvojën e saj në këtë drejtim.

Më tej raporti tregon se 82 milionët komunistë kinezë, kanë mundësinë t’i tregojnë botës se drejtimi politik shtetëror i centralizuar, është më i mirë dhe më efektiv se pluralizmi partiak. Mbeten detyrë këto dhjetë vjetët e ardhshëm, reformat brenda partisë, ku liria e mendimit, kritika dhe autokritika, ndëshkimi dhe përjashtimi të jetë kundër të korruptuarve me tesër komunistësh,(ngjarjet e fundit me disa figura të ndëshkuara komunistësh për korrupsion e pasurim të paligjshëm cilësohen hapur),i hapur, publik, aspak i brendshëm dhe i fshehtë nga masa e popullit, e cila freskon partinë me 1 milion komunistë çdo vit, e orienton atë drejt përparimit dhe nëse dëshiron bëhet edhe pjesëmarrës i anëtarësuar në parti. Çdo kinez duhet të gëzojë mirëqenie të lartë jetese. Partia dhe shteti për këtë po luftojnë…”, pa harruar të lëshojë sfidën botore se “do të jemi ne për dhjetë vjet superfuqia e deteve me flotë të gjithanshme për tregti dhe mbrojtje”.

Drejtuesi kinez nuk ka harruar t’u premtojë edhe italianëve që urën gjigande të tyre në ngushticën e Sicilisë, prej disa kilometër tua ndërtojnë në kohë rekord duke deklaruar: “Ç’janë 5 kilometër urë në det për Kinën që ka ndërtuar po në det urën me të madhe në botë prej 168.8 kilometër?” Natyrisht një e vërtetë, por duket e thënë për të garantuar më mirë italianët mbi këtë eveniment në projekt. Kongresi, vënë re vëzhguesit, nuk i ka shpëtuar lavdërimeve dhe portreteve të kryetarit Mao. Portret i stërmadh i Maos, mbrohet dhe sfidon me liderin neo-maoist Bo Xilai. Reformizmi i “gjyshit Ten Hsiao Pin, duket i stopuar disi, megjithëse kontradikta nuk është e thellë. Kina premton se gjer në vitin 2020 do dyfishojë GDP. Nuk ngeli pa u përmendur edhe marrja e çmimit Nobel në letërsi ketë tetor nga shkrimtari 57 vjeçar Mo Yan, duke e ngjitur në dy nobelistë numrin e shkrimtarëve kinezë këto tre vjetët e fundit. “Është një kongres sa i vjetër aq dhe i ri, sa enigmatik, aq dhe i hapur, sa rezultativ me çka arritur Kina, aq dhe në zhvillim për njeriun kinez, krejt ndryshe nga dhjete vjet më parë”.Mjafton të shikosh grataçelat dhe autostradat, portet dhe aeroportet, hekurudhat me trenat me një shinë e shpejtësi të jashtëzakonshme, piramidat e kodrave me xham industrial për bujqësinë intensive, parkimet dhe metrotë nëntokësore, ferrarët që blihen e shiten, tregu i bollshëm dhe nën kontroll ekologjik, një sistem komunist që vështirë të falimentojë, shkruan e përditshmja spanjolle “El Pais”, pa përmendur komente dhe analiza që këto ditë Kongresi në Kinë janë në të gjithë botën. Natyrisht është dhe ana tjetër, ajo e vështira, e mungesës së lirisë për lindje fëmijësh, që mund të limitohet me dy fëmijë, ajo e grevave dhe demonstratave të ligjshme që ka nisur të ndihet. Edhe në afërsi të kongresit një grup i vogël protestuesish kontestonte, mundet për sy të kapitalistëve, por gjithsesi liria e protestës dhe grevave është ende nën kontroll… Jeta në zonat e largëta, natyrisht ende e vështire, por rrjetet rrugore moderne, agro-turizmi mund t’i mbajë ekzotikë ende këto zona. Kongresi në raportin e ditës së parë trajtonte edhe anën tjetër… natyrisht ende problematike, për vet drejtuesit komunistë. Kina komuniste ndryshoi rrjedhën botërore të kapitalizmit informal, duke e falimentuar atë. A do të falimentojë pluralizmin kapitalist? Mbetet ende të shihet, por gjithsesi, si thotë Marksi, shkruan e detyruar “Le Monde”: “Nuk behet politikë me barkun bosh!”dhe se politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë!” Në të dyja thëniet e Marksit, Kina ka avantazh, kapitalizmi detyrohet të paktën gjer më sot të ndalet, sprapset dhe pse jo, rrezohet! Kina konkurron të vetmen sot SHBA. Potenca e dyte botërore në Kongresin e saj të 18. Ishin dikur edhe miqtë tanë më të mirë!

 

Për “Telegraf”, nga Italia