Luan SHMILLI / Kina dhe Japonia në prag lufte

155

Ndryshe nga Shqipëria që nuk e ngre zërin për territoret e saj të humbura, dy vendet lindore zihen për një grup shkëmbinjsh

Ditë më parë lideri i opozitës, Edi Rama, i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Sali Berisha, të cilin opozita e ka kontestuar ashpër që ditën që me mashtrim votash dhe koalicion të padeklaruar më parë, u emërua kryeministër i vendit. Që nga ato ditë kontestimi, protestash dhe braktisje të përkohshme të parlamentit, kanë rrjedhur shumë ujëra dhe ndodhur ngjarje që kulmuan me vrasjen e katër protestuesve të pafajshëm në bulevard, pas një proteste të ligjëruar të opozitës, e cila u zhvillua e dhunshme me përplasje të policisë dhe protestuesve të shumtë. Në këtë hapësirë qeverisje të kontestuar ka ndodhur edhe falja e territoreve shqiptare Greqisë, falje që motivohet me mbetjen pezull të kufirit detar në jug të vendit, i cili sigurisht duhet të gjejë një zgjidhje të rregullt, konform të drejtës dhe ligjshmërisë ndërkombëtare dhe “konsensusit” midis dy vendeve.

Ngutja e kryeministrit dhe grupit që u mor me çështjen në fjalë, fshehtësia e madhe për ta shpallur pas firmëtimit vendimin e kontestuar ashpër nga një specialist i njohur dhe denoncimi që u bë ligjor edhe nga opozita, treguan se brenda këtij problemi ka pasur mangësi të theksuara matëse dhe detajuese, neglizhencë shkencore dhe pse jo, arsye përfituese dhe veprim politik të fshehtë në dem të shtetit të përgjysmuar shqiptar dhe qytetarëve të tij. Është folur e shkruar shumë rreth kësaj çështje, që u ndërpre nga Gjykata Kushtetuese, çuditërisht pa ndëshkim shembullor. Natyrisht çështja duhet zgjidhur sepse vërtet përbën “kolaps” shqiptaro-grek dhe lideri i opozitës,  që kërkon veprim nga kryeministri, vepron drejt, megjithëse duhet thënë se një kryeministër i tillë jo vetëm që nuk është më i besueshëm, por ai nuk duhet lejuar fare të rimarrë çështjen. Sepse është edhe ligjërisht nga Gjykata Kushtetuese, i bllokuar… Atij vetëm mund t’i kërkohet të lexojë se si shtete të fuqishme dhe plotë potencë botërore, si Kina dhe Japonia për një grusht shkëmbinjsh në det janë në konflikt të ashpër, gati dhe në prag lufte si thotë plotë shqetësim sekretari i departamentit të mbrojtjes, Leon Paneta. Dhe bëhet fjalë jo për kilometër katrorë, por për pak metër shkëmb. Berisha duhet të mësojë se të dy shtetet edhe sot kanë në mobilizim makinat e tyre ushtarake. Ishulli i Senkaku, si e quan Tokio ose Diaoyu, si e quan Kina, është në detin e Kinës lindore kontrolluar nga Japonia, por pretenduar nga Kina për afërsinë me të. Janë pothuaj tre shkëmbinj që i ka në pronësi (të blera duket nga paraardhësit e tij prej një pronari kinez), nga një japonez që ka vendosur t’ia shes vendit të tij, qeverisë japoneze. Kjo ka shkaktuar zemërimin e Kinës që pasi “dënon” ashpër parashitësit kinezë shekuj më parë, kërcënon me armatime, anije, helikopterë dhe ushtri Japoninë. Situata është e rëndë, natyrisht besohet se nuk do shkohet tek armët, por tregon nga ana tjetër se sa të përgjegjshëm janë shtetet kur kanë bindje se u shkelet e drejta territoriale dhe nuk ngurojnë të ngrenë temperaturat për territorin që e quajnë të tyre. Shqiptaret e dinë mirë ku e kanë kufirin e lashtë në jug (nuk mungojnë as harta) dhe nuk përtojnë të udhëzojnë, urdhërojnë e firmosin ridhënie të reja trojesh, kur me të drejtën e madhe të Kombit duhet tu kërkojnë ndërkombëtarëve dhe natyrisht edhe fqinjëve ndreqjen e krimeve monstruoze. Dhe është e përsëritur kjo poshtërsi e qeveritareve shqiptarë. Të parën shitje e ka bërë Ahmet Zogu! Rama, bën mirë që kërkon zgjidhje të çështjes, ashtu si beri mirë që e çoi si opozitë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Por ai nuk bën mirë që nuk tregon hapur opsionin e tij, në këtë çështje mbarëkombëtare. Madje, unë do t’i propozoja të shpallte hapur në popull dhe tek ndërkombëtaret: “Nëse vijmë në pushtet nga vota e lirë e shqiptarëve, ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Hagës, për të anuluar vendimin kriminal të Konferencës se Ambasadorëve, në Londër, më 1913. Nga Greqia fqinje dhe mike, kërkojmë vetëm abrogimin përfundimtar të ligjit absurd të luftës me Shqipërinë!” Atëherë ky do të ishte edhe opsion mbarëkombëtar i RILINDJES, që Rama propagandon! Atëherë mund të themi se në BE shkojmë si një popull vital dhe plotësisht normal!

Për “Telegraf”, nga Italia,

KONFLIKTE TERRITORIALE NË BOTË

– Greqia ende nuk ka hequr zyrtarisht ligjin e luftës me Shqipërinë, duke mbetur vend unik në Europë e në botë, në këtë çështje. Kjo do të mjaftonte të mos bëhej asnjë marrëveshje dhe jo t’i faleshin territore të reja!

– Kina dhe Japonia gati për luftë për një grusht shkëmbinjsh në largësi të oqeanit. Leon Paneta, sekretari i departamentit të mbrojtjes amerikane, ka deklaruar se: “riskojmë të jemi në prag të një lufte të re midis këtyre dy vendeve aziatike.”

– Konflikt i ashpër i kroatëve me serbët për dy ishuj në Danub, në territorin kroat. Aty banojnë vetëm disa dhjetëra njerëz, por ishujt u pushtuan nga serbët më 1991, kur Kroacia shpalli pavarësinë nga ish- Jugosllavia.

– Ishujt Folkland, janë nën varësi të Mbretërisë Britanike duke u kërkuar nga Argjentina. Ishulli ka 2563 banorë. Konflikti i nisur që më 1982.

– Taiwan, ishulli me 23 milion banorë kërkohet t’i bashkohet Kinës dhe konflikti që ka nisur më 1949 ende vazhdon.

– Qipro: Republika e Qipros është në kontestim të përhershëm nga Turqia dhe konflikti ka nisur në vitin 1974. Republika e Qipros ka 1 milion e 100 mijë banorë.

– Abu Musa,Tumb i madh dhe Tumb i vogël, konflikt midis Emirateve te Bashkuara dhe Iranit. Pretendimet kanë nisur në vitin 1971 dhe aty banojnë 500 njerëz.