Luan SHMILLI / Gjuha dhe letërsia shqipe në enciklopedinë italiane Treçani…

853
Sigal

Kjo enciklopedi vlerëson gjuhën tonë të veçantë e të lashtë, letërsinë, shkrimtarët dhe poetët deeri në ditët e sotme

Në Shqipëri ende ka një klimë nihilizmi ndaj gjithçkaje që është krijuar në të kaluarën moniste. Natyrisht, monizmi nuk ishte as pozitivizëm i paatakueshëm. Shkrimtarët, poetët megjithatë e kanë atakuar me mjetet e tyre edhe të ngjitur në Parnas… Gjer më sot gjithçka është mohuar, a goditur fal ndonjë përjashtimi. Mohimi, veti e më të dobëtëve. Denigrimi, arsye konkurrence, nëse marrim referencë tregun e kapitalit. Të shumtët kanë denigruar, këto 22 vjet, letërsinë dhe punëtorët e zellshëm të saj, shkrimtarët e kohës që lamë pas. Madje disa kërkojnë ende që me vullnetin e tyre shtetëror, politik të rrafshojnë gjithçka letrare. Dhe duhet thënë se gjer edhe kryeqeveritarë a diabolikë të tjerë rreth tyre, ja kanë arritur qëllimit. Kjo falë edhe vetpërgjegjësisë e mos kundërshtisë si “aktorë” real atëherë, në kohën e realizmit socialist. Është sërish arsye politike që, krijues shqiptarë vërtet të ndershëm dhe plotë peripeci në të kaluarën, janë sprapsur, u tronditën dhe disa u përbuzën tepër rëndë. Shkrimtarët, poetët, ata që ideologjia dhe sistemi i bëri “bashkëkohës”, jo në të gjitha evenimentet i bëri dhe duhet sot t’i bëjë edhe bashkëpërgjegjës. Sidomos atje, brenda “Kullës së Fildishtë”, në krijimtari. Realiteti, në mos gjithë kokën, ka dorën e diku gishtat të dalë jashtë kornizave dhe krijojë për këtë ndryshim, që mjerisht rezulton për shumicën plotësisht i deformuar. Enciklopedia italiane Treçani, ndihmon më shumë se fjala e dhjetë qeveritarëve që të djeshmen e shohin zi, kur të zinj kanë qenë edhe vet dhe pse jo të pavlerë atëherë, servilë e diabolikë të pandreqshëm, që u kthyen sot autoritarë, të dhunshëm e mohues të vlerave reale shqiptare dhe të kombit. Kjo enciklopedi vlerëson. Ajo flet paanësisht për gjuhën tonë të veçantë e të lashtë, për letërsinë, shkrimtarët dhe poetët gjer më sot. Mendoj se ja vlen, përveç leximit, të arsyetojmë edhe për kohën dhe peripecitë e të gjithë shkrimtarëve që në enciklopedi me meritë përmenden!…

-Shqipja, që ndahet në dy dialekte kryesore, gegërishtja dhe toskërishtja, është një gjuhë indoevropiane e tipit të ndërmjetëm midis SATEM dhe KENTIUM (si gjuha armene). Besohet se është një gjuhë autonome, e vendosur në qendrat aktuale e shtyrë nga sllavët në shekujt e parë të Erës sonë. Studimet gjuhësore të bëra mbi të folurën gojore në zemër të Shqipërisë, mbi pjesë të shkrimtarëve kishtarë të shekullit 17 dhe mbi vlerat ekspresive tradicionale të Italo-Shqiptarëve, kanë konfirmuar pavarësinë e strukturave fonologjike dhe gramatikore, duke ridimensionuar ndikim të rëndësishëm të latinishtes dhe neolatinishtes. Shqipja paraqet edhe disa karakteristika të përftuara të gjuhëve ballkanike. Përveçse në Shqipëri, shqipja është folur edhe në Greqi në rrethinat e Kastories dhe në Jugosllavi në zonën e brigjeve jugore të liqenit të Prespës dhe Ohrit, shtrihet në Dibër e Prishtinë në rrafshinën e Kosovës dhe nga këtu gjer në pjesën jugore të Malit të Zi. Duhen përmendur disa koloni në Turqi, Greqi, Dalmaci (Fshati Erizo pranë Zarës) ato të vendosura në Italinë jugore si dhe grupe emigrante në Rusi, Rumani, Bullgari, Egjipt dhe në Amerikën jugore.

-Letërsia:

Dokumentimet e para gjer më sot të njohura të shqipes konsistojnë në një formulë pagëzimi (1462) e renditur në alfabetin latin (biblioteka Laurenziana, Firence). -Pra, për t’u theksuar dokumenti i “Formulës së Pagëzimit”, ka burim vendndodhje dhe është kjo bibliotekë në Firence, (Itali-shënim i përkthyesit). Kjo Formulë Pagëzimi është në një pjesë të Vangjelit të S.Mateo në alfabetin grek (Biblioteca Ambrosiana, Milano). Vazhdon në dialektin e gegërishtes me “Mesharin” (1555) e Gjon Buzukut dhe përkthimin në toskërishte të “Catechismo” të Ledezmit (1562) në gjuhën sikulo-shqipe të Luca Matrangës. Në shekullin e 17 botojnë vepra në gjuhën shqipe priftërinjtë katolikë Pjetër Budi, Frang Bardhi ose Blanco, Pjetër Bogdani, dhe në shekullin e 18 shqipja e shkruar gjen shprehjen e vet në veprën Thoodhor Kavaliotit, Maestro Daniele, Kost Beratasit. Në këto dy shekuj edhe shqiptarët e Italisë kontribuojnë në ngritjen e letërsisë shqiptare me Nikolla Figlia prej Mezzoiuso (Palermo), Giorgio Nicola Brancato, Nicola Chetta. Ajo lulëzon veçanërisht në S.Giorgio Albanese me një poet origjinal, Jul Variboba, autor i këngëve fetare dhe i poemthit “Gjella e Shën Merisë” (1762) “Jeta e Marisë”. Në shek. 18 hapet një spektër me poetë myslimanë (Bejtexhinjtë), që përçojnë në letrat shqipe shpirtin, ngjyrat dhe format e Lindjes, cilësi e shquar e të cilave është karakteri laik (jofetar) i poezisë së tyre. Më të njohurit janë Muhamet Cami, Zyko Kamberi dhe Nezim Frakulla. Letërsia e vërtetë kombëtare lind me “Milosao” (1836), vepër poetike e Jeronim De Rada prej Maçhia Albanese (provinca e Kozencës) që shkruan në gjuhën e prindërve duke eksperimentuar e aspiruar rilindjen e gjithë shqiptarëve të shtypur në tokën mëmëdheut: motiv i rimarrë nga Naim Frashëri dhe nga françeskani Gjergj Fishta. Këta tre më të shquarit poetë të gjuhës shqipe krijojnë materie dhe modele nga vlerat e shfaqura popullore, duke dominuar fushën e letërsisë gjer në vitin 1937, vit në të cilin del në botim i publikuar përfundimisht, “Lahuta e Malësisë”, kryevepër epike e Fishtës dhe e gjithë letërsisë shqiptare. Një grup i madh poetësh dhe prozatorësh e bashkëshoqërojnë aktivitetin, gjersa struktura formësimi sjellin vibrime moderne. Rreth viteve ’30 ide të reja nxisin fushën e letrave dhe një nerv i hollë paqetësie shfaqet edhe midis shkrimtarëve besnikë të shpirtit kombëtar, sidomos në pranimin e çështjeve sociale më të rëndësishme për progresin e vendit. Pozicioni ekuilibrues ndërmjet korrenteve tradicionale dhe atyre progresiste u shtohen Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi. Korife i të rinjve krijues me radikalizëm lëvizës social e politik është Migjeni, pseudonim i Millosh Gjergj Nikollës, që i shton letërsisë shqipe motive dhe forma të letërsisë sllave. Ngjarjet e Luftës se Dytë Botërore prodhojnë një ndërprerje në linjën evolutive të letërsisë kombëtare. Heshtin papritur zërat e shkrimtarëve të afirmuar me vepra të arrira dhe shfaqen të rinj poetë e tregimtarë që bëhen shkëndija të realizmit socialist. Mbas një periudhe imitimesh e nënshtrimi të modeleve serbe dhe ruse, në më të mirët shfaqen impulse etnike. Figura të shquara midis poetëve shfaqen Llazar e Drago Siliqi, Luan Qafëzezi, Dritëro Agolli, ndërmjet tregimtarëve Sterio Spasse, Fatmir Gjata, Petro Marko e Moisi Zaloshja. Jashtë Shqipërisë e njohur është vepra poetike dhe tregimtare e shkrimtarit Martin Camaj. Gjinia dramatike e vonuar në formën tradicionale për ngurtësi të veshjeve dhe shtypjes së gruas, zhvillohet me shpejtësi pas vitit 1925 me krijime të Fishtës, Çajupit, Zef. M. Harapit, e mbi të gjitha me  poemat dramatike të Andrea Zadejës që i hapin teatrit vijën e re të realizimeve artistike. Mbas Luftes së Dytë Botërore, prodhimtaria e letërsisë shqiptare duket uniforme dhe e përcaktuar nga rregullat e realizmit socialist, në të cilin aderon një gjeneratë e re poetësh dhe shkrimtarësh, por edhe autorë tashmë të afirmuar. Ndërmjet këtyre të fundit shquhen: Dh.Shuteriqi, S.Spasse, P.Marko. Duke filluar nga vitet ’60 letërsia shqiptare hapet për novatorizëm tematik dhe forma. Elementë të rëndësishëm të procesit të pjekurisë dhe njësimit të gjuhës letrare, kodifikuar më pas me Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë (1972) që kalon nga dialektalizmat në gjuhë standardizimi (pranuar edhe në Kosovë). Hapjet drejt formalizmit dhe eksperimentalizmit provokojnë reaksion tek regjimi, me procese ose bërje autokritike nga shkrimtarët fajtorë që influencoheshin nga mentalitete borgjeze dhe dekadente, ndërsa lulëzon gjinia historike letrare, interpretuar nga epopetë e popullit. Krijues më i shquar i miteve kombëtare dhe historia e popullit të tij, është I.Kadare, që nga lumturia e paraqitjes si tregimtar (Gjenerali i ushtrisë së vdekur, 1963) pasqyron evenimente të lashtësisë dhe të bashkëkohësisë, për të ravijëzuar afreske përftuese në historinë kombëtare. Përveçse Kadare afirmohen autorë si A.Abdihoxha, S.Godo dhe mbi të gjithë Dritëro Agolli, tek i cili prodhimtaria poetike dhe tregimtare dëshmon një rrugë të vështirë në planin etik dhe në formë. Të tilla tensione konfrontohen në kërkimet e poetit F.Arapi, që është i prirur drejt vjershërimit të lirë duke zhdukur lidhjet sintaksore dhe ato logjike, duke marrë mbi vete persekutim dhe censurë prej regjimit. Paraqitësit e gjeneratës së re, në kërkim të një rrugëdalje nga skematizmi i realizmit socialist, që adoptuan një shkrueshmeri metaforike janë edhe poetët R.Dedaj, D.Xhuvani, që për gabime ideologjike në romanin “Tuneli” (1966) dënohet me “punë prodhuese” duke u dërguar në bazë. I kësaj gjenerate është edhe T.Laco, romancier dhe dramaturg. Në fillim të viteve ’90 klima e lirisë restauruese në Shqipëri favorizon afirmimin e autorëve të rinj, mes të cilëve poetët B.Londo, M.Ahmeti, dhe shkrimtaren D.Culi, të cilët shfaqen me modernitetin e të shprehurit në temat aktuale. Sukses të veçantë korr Fatos Kongoli me romanin “I Humburi” (1992) dhe “Kufoma” (1994) në të cilët autori vihet në kërkim të identitetit të humbur nga politika dhe rindërtuar përgjatë memories historike të familjes së shkatërruar nga regjimi komunist.

Përgatiti dhe përktheu për “Telegraf” nga Italia