Luan Shmilli/ Gazeta greke “Kathimerini”, sulm kundër shqiptarëve dhe opsionit “komunuellth”

549
Sigal

Ishte e pamundur që grekët e rrënuar nga kriza, të mos reagonin pas mbledhjes së dy qeverive tona. Asaj të Kosovës mikpritëse dhe Shqipërisë “mike”.

Gazeta që mori e para përfaqësimin e hapur të nacionalizmit ekstremist grek, është “Kathimerini”. Ajo nuk i ka kursyer as sulmet, as aludimet ndaj kësaj mbledhje që ndonjë “analist” shqiptar në opinionet e tij në Facebook, duke nxituar, “parashikoi” heshtje e mospërfillje, pasi, në mos i pavlerë takimi; me siguri u jepte “dorë” vendeve ballkanike që na rrethojnë e dominojnë në qiellin e tyre të zymtë, 5 Yjet e popullsisë shqiptare ndarë padrejtësisht prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913! Kush ka lexuar artikullin e “Kathimerinit”, apo ndjekur ndonjë koment të paplotë në News 24, ka kuptuar se deri Greqisë i ka “djegur” kjo mbledhje, madje, duke e aluduar atë si një ripërpjekje përkujtimore për atë mbledhje të njohur të Prizrenit që çoi në shpallje të përgjysmuar të Pavarësisë shqiptare. Gazeta përpiqet të na bindë për “forcën” e shteteve ballkanike që dhe sot kupton atë që shqiptarët e sotëm duan të përgatisin, me marshimet e mëdha dhe demonstrimet që kanë kryer.
“Kathimerini” merr, me ose pa dashur, rol këshillues ndaj shqiptarëve e sidomos ndaj dy qeverive të shqiptarëve të ndarë, duke u kujtuar se nuk ka më kohë për aventura të vjetra. Se çfarë aventurash të vjetra mund të bëjnë shqiptarët, kjo nuk thuhet, por kuptohet se edhe grekët mund të bëjnë aventura, madje, në “bllok” me shtetet që në të vërtetë Shqipërinë e kanë copëtuar!
“Kathimerini” nuk përmend gjenocidin grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë: një yll qielli mes 5 Yjeve, kjo popullsi, e këputur barbarisht dhe përzënë nga trojet e veta. “Kathimerini” bën të heshturën kur dihet se me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, zonja Hillari Klinton, duke rrëzuar histerinë europiane se, “tashmë” nuk ka më Mure në Europë për të rrezuar, iu përgjigj me qortimin se: “Në Europë ka ende Mure që duhen rrezuar!”(lexo gazetën italiane “La Repubblica” të atyre ditëve). Dhe, natyrisht, Muri më i madh dhe më kriminal në Europën e sotme, është Muri që ndan 5 Yjet e popullit shqiptar, nga qielli i tokës mëmë! Sigurisht, absolutisht nuk duhen kërkuar kufijtë të rinj dhe në këtë pikëpamje ndryshe nga Sali Berisha dhe Kreshnik Spahiu; Hashim Thaçi dhe Edi Rama janë më “europianë” dhe pa kërkuar kufijtë nacionalë, kërkojnë “Komunuellth” për popullin shqiptar dhe pse jo atë ballkanik, shfaqur kjo ide nga një studiues i njohur europian, që në vitet ’20 të shekullit që shkoi! A mund të përfundojë ky “komunuellth”shqiptar, më parë se “komunuellthi” ballkanik? Kjo ende mbetet opsion! Por një opsion që duket e ka frikësuar nacionalizmin ballkanik dhe më fort atë grek që shpërtheu në “çarje” e kërcënime për mbledhjen normale të dy shteteve shqiptare në Ballkan!
Do të kemi reagime të tjera? Me siguri, por, ndërkohë, shqiptarët, me mënyrën e tyre jo agresive, hodhën një hap normal përpara!…