Luan SHMILLI / Banditi që frymëzonte turistët

611
Sigal

Graziano Mesina (Grazianeddu), emigrantët shqiptarë nga Berati, Durrësi, Shkodra kanë vizituar shtëpinë e banditit sard, kur ai ishte në burg

Edhe në Shqipërinë tonë ai njihet. Banditi më i famshëm i botës, në shekullin e shkuar, sardenjasi, Graziano Mesina, me drejtësinë italiane i ka larë”borxhet”. Më shumë se dyzetë vjet burg të kryera, janë “pastrimi”  i tij pse jo përfundimtar. Dënimet për vrasje kundërshtarësh dhe policësh, banditi i kreu.  kanë mbetur pas ndofta vërtet përgjithmonë, ndërsa nuk ka mbetur pas as e heshtur padia e banditit Graziano Mesina, i cili pak kohë më parë ka kundërsulmuar legalisht dhe ka paditur Ministrinë e Drejtësisë italiane, për rrogën e burgut, e cila gjatë viteve të shumta i ka ardhur e parregullt dhe plotë me mangësi shifre. Pra, banditi padit shtetin.

Në të vërtetë shifra e rrogës në burg pranohet se duhet rikalkuluar, por banditi pa pritur kalkulim, ka ngritur padi në Gjykatën e Kaljarit ndaj dhe shtypi italian nuk ka nguruar ta bëjë padinë e tij lajm të rëndësishëm dite. Në rrethana të tjera, nuk do të shkruaja për të. Por banditin Graziano Mesina indirekt e njohin mirë edhe emigrantët shqiptarë që vite të tëra kaluan në vendlindjen e tij, Orgosolo dhe në qytezën pranë, Fonni, në punë të rëndomta emigrimi, pasi  lanë vendin e tyre, Shqipërinë, me eksodin e viteve ’90 e të tjerë më pas.

Me ta, ato vite fund shekulli, kam qenë edhe unë vet, personalisht. Shqiptarët nga Berati, Agron Nano, Sokol Bajraktari, Arben Berberi, Arjan Shehu,etj… Fonni, por dhe Pëllumb Gjoni, Aleks Mema nga Durrësi me Shtjefn Palokën e Zef  Përvathin, nga Shkodra, që ishin në Orgosolo, dinë mirë kuriozitetin e ditëve të para, për të njohurin e vetëm dhe më pas njohjen me shtëpinë, ambientin, njerëzit e tij të afërm dhe, natyrisht, famën e banditit. E vërteta ishte se banditët sardë (edhe sot ka ende të pakapur e ndëshkuar nga drejtësia) popullsia i donte dhe pse jo, i mbronte. Nuk është aspak kundërshti logjike, po të kemi parasysh pozicionin gjeografik dhe politiko-ekonomik të Sardenjës. Ishulli mesdhetar në shekuj ka pasur një histori të trishtë, pothuaj të njëjtë me pushtime dhe shkatërrime, si Shqipëria. Sardenja që në kohë të lashtë e sidomos gjatë perandorisë së Romës, ka “thithur” shqiptarë. Me saktë rebelët shqiptarë, që nuk i bindeshin Romës që ngrinin krye kundër saj, kur kapeshin, përfundonin të dënuar (nëse u falej jeta) edhe në burgjet e Sardenjës. Burgjet më të tmerrshëm janë aty, edhe sot dhe shqiptarë, jam i informuar se ka pasur dhe ka. Por lashtësia është e çuditshme. Ndërkohë, si në një minierë, sa më shumë të gërmosh, aq më shumë vlera nxjerr…  Ndofta është kjo arsyeja që vetëm në vendlindjen e banditit Mesina, apo edhe në Fonni, Provinca Nuoro, gjen mbiemra të çuditshëm dhe pse jo puro edhe shqiptar. Mbiemri i shkruar Malocu, shqiptuar Maloku, si në shqip, besoj se nuk ka nevojë për sqarim,edhe pse mbartësit e tij thonë se mundet të mos jemi sardë puro, por këtu kanë varret stërgjyshërit tanë. Po kështu mbiemri Buzi,(shkruar Busi) Manca (Manka) Bua e Coni (Koni) që sipas studiuesit të njohur prof.Claudio De Palma, këta të fundit janë përfundimisht të Ilirisë jugore, ku Caonët (Kaonet) janë fis i larguar nga Iliria nga pushtimi dhe shkatërrimi i vendbanimeve të tyre; pa përmendur sigurisht, mbiemrin e shquar e njohur në të gjithë botën, Gramschi (Gramshi). Antonio Gramshi, ishte për gjithë emigrantët shqiptarë në ishull, mburoja më e pathyeshme dhe ndihma më e mirë në “konfront” miqësor me sardët shpirtmirë. Edhe mbiemri i banditit të njohur sard, Mesina, duket qartë që është i prejardhur. Duket sicilian, por familja e banditit nuk kishte ide dhe fakte ta konfirmonte sepse nuk mbahej mend sa i lashtë ishte fisi në tokën dhe malet e “Supramonte”,të Orgosolo. Kështu thoshin. Shtëpia e banditit Graziano nuk dallonte nga shtëpitë e tjera me mure graniti ngritur dhe dritare të vogla. Aty, pranë qendrës, në një rrafshinë me hijen e maleve mbi supe, shtëpia e banditit Graziano ishte kthyer në një muze të vërtetë për të huajt, italianët dhe vet ishullorët. Në faqen e murit, si në gjithë shtëpitë e objektet e qendrës, ishin të pikturuara murales. Piktura gjigande me jetën e vendbanimit, ku hijet e zeza dhe të murrme të ngjyrave tregonin edhe zymtësinë e jetës së shkuar. Aty kemi mësuar se Barbagia, zona më e lartë dhe më qëndrestare e Sardenjës, ishte edhe “kryeqyteti botëror” i Murales dhe pikërisht Orgosolo, kryeqendra e banditizmit, pasi aty ishte krijuar e para shkollë pikturimi Murales krijuar nga një mësues që ishte martuar me një vendase dhe jetonte aty,fare pranë shtëpisë së banditit Graziano Mesina. Mua atëherë më lidhte turizmi me Orgosolo. Hoteli ynë “Cualbu” më i madhi dhe me moderni i zonës,  të gjitha grupet me turistë të prenotuar, pas mbërritjes, darkës dhe fjetjes i niste pikërisht drejt “Supramonte”, ku i priste një drekë mes natyrës, barinjve dhe një agro-turizmi me kuzhinë, fruta e pije karakteristike. Më parë ndalohej nê Orgosolo dhe aty turistët me aparate filmimi ndaleshin e fiksonin vetveten me kujtim për banditin. Graziano, si e thërrisnin banorët, kishte bërë 22 herë arratisje nga burgu dhe në dhjetë herë ja kishte dalë mbarë duke lënë me gisht në gojë e ndëshkime të rënda ruajtësit e tij dhe drejtuesit e burgjeve të sigurisë së lartë. Nga këto arratisje të bujshme dhe vrasjet e kryera kundër policisë e karabinierëve, banditi Graziano u ndëshkua edhe  me burgim të përjetshëm, pas dënimeve me 24 vjet, një tjetri me tetë dhe një të treti me gjashtë vjet. Graziano mbahet mend edhe për sekuestron e sardëve ndaj djaloshit Faruk Kasem, ku drejtësia dhe opinioni i kërkoi atij ndihmë (dyshohej se nga burgu ishte ai drejtuesi i grabitjes së djalit të vogël, të cilit grabitësit i kishin prerë, si dihej edhe veshin) Banditi në burg pasi deklaroi se nuk kishte gisht në këtë grabitje të poshtër fëmijësh,urdhëroi grabitësit sardë të mos turpëronin Sardenjën dhe banditët e saj popullorë, duke grabitur fëmijë a vrarë civilë të pafajshëm. Faruk Kasemi u lirua veshprerë dhe autorët u gjetën. Nga burgu ndihmoi banditi Graziano Mesina, për të cilin ka edhe një film të njohur. Kur ishte i arratisur, atë arriti ta gjejë në Supramonte edhe një gazetare e huaj, e cila kish rënë në dashuri, pa e takuar asnjëherë banditin e arratisur shumë herë nga burgu. Intervista e saj e famshme me ditët e dashurisë me banditin sard që policia, karabinierë, agjentë të fshehtë e helikopterë e ndiqnin dhe nuk e kapnin. E kapnin dhe u arratisej, mbetet një nga bukuritë e gazetarisë botërore që duhet përkthyer. “Janar, në një përrua rrethohet banditi i armatosur Graziano madje edhe me helikopter përsipër, i mirëidentifikuar. (….)Shpëton sepse u fut poshtë ujit dhe për mbi dy orë merrte frymë me një kallam rastësor, gjersa helikopteri dhe qindra karabinierë ikën nga nata që erdhi,”ka treguar ai, për shtypin. Në vitin 2003, banditi Graziano Mesina i kërkoi falje Presidentit të Republikës Italiane. Në vitin 2004,Graziano Mesina falet nga Presidenti Carlo Azeglio Ciampi dhe ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Roberto Castelli. Duke lënë burgun e Voghera, Graziano Mesina kthehet në Sardenjë dhe në Orgosolo ku kishte lindur. Nuk mund të them nëse kishte edhe shqiptarë atë ditë mbërritjeje. Besoj se dikush mund të ketë qënë. Beratasi Lulzim Dolla, mundet. Mundet edhe Shtjefëni prej Shkodre…Unë nuk isha. Kisha lënë Sardenjën përgjithmonë për Xhenovën. Por, ata, Buzët e vjetër  pse jo shqiptarë, sigurisht duhet të kenë qënë, edhe miku im sard Tonin-o Maloku ka qenë… Ata e donin banditin Graziano. Edhe presidenti tjetër italian, lindur në Sardenjë, (sot nuk jeton) me mbiemrin interesant Cossiga, (Kosiga) sipas vet atij: “Mbiemër me probabilitet jo sard-sepse mbizotëron mbaresa …uddul (Puddu) (Marceddu) (Crroddu),por ballkanas, nga fjala blegtorale Kos…ose nga…Kos-ovë. Kos…iga, pse jo nga Kosova…ikur. Unë jam sard!”(të qeshura të pjesëmarrësve, në një intervistë të tij televizive). Dhe në një tjetër intervistë, në Rai Uno, me titull të paralajmëruar në reklamë: “Sardenja: Një president dhe një bandit ballë për ballë”, u shfaq individualiteti dhe bota sarde. E kujtoj atë intervistë, pas faljes. Ishte dhe një nostalgji imja për Sardenjën, Barbaxhian me banditë ende, Fonnin, ku punoja dhe Orgosolo, ku shpesh çoja turistë… Graziano tashmë është në plakje dhe i trokasin vitet ’70 mbi supe. Nuk është më bandit. Jeton mes njerëzve i lirë. Me siguri edhe do ta kisha njohur nga afër, të isha atje. Ma kujtoi shtypi. Shtypi e ka ringritur në faqet e tij kryesore. Dikur drejtësia padiste atë dhe e dënonte. Sot,banditi padit drejtësinë, për parregullsi… Dhe ka të drejtë, sipas shtypit. Nuk di nëse në Orgosolo ka ende emigrantë shqiptarë. Në Sardenjë ka. Sardenja i ka trajtuar shumë mirë shqiptarët. Ndofta sepse kishte shqiptarë të lashtë. Ndofta sepse e dinin që ikona e tyre politike, marksisti -antistalinist dhe antifashist Antonio Gramshi, ishte shqiptar. Edhe ish- banditi Graziano Mesina me siguri di mirë për Gramshin. Përputhen në një pikë: E duan shumë Sardenjën e tyre!