Luan SHMILLI / Amerikanët sot zgjedhin Presidentin!

609
Sigal

SHBA: Finishi i garës presidenciale, Obama apo Romney?

Sot është dita e amerikanëve. E të gjithë amerikanëve. Ata sot janë fitimtarët e vërtetë edhe duke fituar një pjesë ose humbur tjetra. Shtëpia e Bardhë, kulla e demokracisë botërore do të ketë sot presidentin e ri. E vendosin ata, amerikanët, pa dallim bindjesh, niveli, seksi a ngjyre të lëkurës. Çdo amerikan me të drejtë vote, e ndjen veten sot president. Vota e tij e lirë dhe e pacenueshme e vendos atë mbi presidentin. Pa votën e qytetarëve pro e kundër qoftë, nuk ka president Amerika. Natyrisht ka edhe nga ata që nuk duan të votojnë! Edhe nga ata që në skedë shënojnë për të dy kandidatët konkurrues X. E drejtë e pamohueshme… Amerika ka ngritur në këmbë popullin e saj për të zgjedhur presidentin që sido që të drejtojë, mirë a shkëlqyeshëm, nuk mundet kurrsesi të zgjidhet me mandat popullor zgjedhës, dy herë nga katër vjet. Sot, sovrani amerikan vendos. Dy kandidatët mbërrijnë në finish. Barak Obama me ripërtëritje të mundshme edhe katër vjet si kandidat i Partisë Demokratike amerikane, Romney kandidat i Partisë Republikane, i mundshëm si president nëse pjesa e amerikanëve mbështetës të tij, tejkalojnë përqindjen e mundshme të mbështetësve me votë të Obamës. Një garë e fortë, e vështirë, plot përgjegjësi dhe angazhime për të dy kandidatët. Kriza në mes tyre. Dëmet e shumta me viktima, që solli uragani i fundit tronditës. Garë e fuqishme me një publik amerikan dhe botëror që ndjek garën gjithë vëmendje. Një ndeshje që mund të thuhet plotësisht e barabartë. Edhe në këto momente, që shkruajmë për lexuesit e “Telegraf”, baraspesha është elementi i dukshëm në këtë garë të madhe. Janë hapa të fuqishme të dy kandidatëve që të mbështetur fort nga partitë e tyre kërkojnë fitoren.”Duhet të sjellim sa më shumë njerëz në kutitë e votimit!”, deklaron Obama”. I vogli Nju Hampshire, mban gjallë ëndrrën e Romney,” shkruan me titull gazeta italiane “La Repubblica”, që konkludon sondazhet me barazim të plotë. Është pikërisht shteti Nju Hampshirë që barazon shifrat duke e bërë të vështirë deklarimin për fitore të Obamës që gjatë gjithë kohës ka pasur një epërsi të lehtë mbi Romney duke e mundur me dy takime të drejtpërdrejta të fituara dhe një të humbur!

Sot, gjithçka përfundon! Obama dhe Romney, janë në metrat e fundit të garës dhe si çdo garë ka një finish. Natyrisht në garë janë edhe të tjerë kandidatë. Sigurisht minorë, përballë gjigantëve ku simboli i kërriçit për Obamën dhe elefanti për Romney, janë “poetikisht” shumë më të fuqishëm dhe të shpejtë të përgjegjshëm për çka duhet të bëjnë karshi të tjerëve në garë. Më i avancuar duket kandidati për president Gary Johson, i partisë “Libertario”, ish-guvernator i Nju Meksiko. Pas tij në garë është Jill Stein, kandidate e të gjelbërve mbështetur nga komunistët. Jo larg tyre, sipas sondazheve Virgil Gode, përfaqësuese e Partisë për Kushtetutën, parti e së djathtës kristiane. Pas saj Rocky Anderdo i Partisë për Drejtësi. Natyrisht influencojnë disi, por vështirë të afrohen a kalojnë dy kandidatët kryesorë, Obama-Romney, partitë e të cilëve historikisht kanë drejtuar Shtëpinë e Bardhë. Kanë mbetur larg kohët e të tretit “të padëshiruar” Ross Perot- kandidat i pavarur, miliarder që mori 20 milion vota (18.9 për qind) dhe bëri të humbuasë zgjedhjet George Bush, i ati, duke çuar në Shtëpinë e Bardhë, Bill Klinton. Sot nuk ekziston as Realph Nader, i gjelbëri me”komunistë”, mbrojtës i konsumatorëve që me pothuaj tre milion vota kontribuoi në humbjen e Al Gore në zgjedhjet e “mallkuara”, për demokratët në vitin 2000. Mendohet se pas shifrës zero, këta katër kandidatë do kenë një presje me disa shifra pas për përqindje përfundimtare votuesish. Gara e Obamës dhe Romney është sa e komplikuar në ardhmërinë e Amerikës, aq dhe e bukur dhe plotësisht demokratike. Romney më i fuqishëm në finish, ka barazuar distancën me kritikat ndaj rivalit Obama, që duhej të kish menaxhuar më mirë krizën këto katër vjet. Natyrisht që ka të drejtë dhe nga kjo pikë nevralgjike, merr mbështetës. Obama përpiqet të mbajë ritmin edhe në metrat e fundit. Ka arritje në uljen e papunësisë që muajin e fundit zbriti në 7 përqind kur ishte 8.5, muaj më parë. I ngadaltë disi, Obama, në këtë finish, vërejnë analistët, që si kronometristët e garave masin treguesit. Boston, pas dyzetë vjetësh në mbështetje të demokratëve në vitin 2010 ra në dorë të republikanëve dhe mund të krijojë të njëjtin profil në këto zgjedhje. Obama këmbëngul aty. Romney kundërpërgjigjet me staf organizativ të fuqishëm dhe deklaron ruajtje rezultati. Nuk mungojnë të dalin në skenë, pro e kundër figura të spikatura. Ish-presidenti Bill Klinton ka lëshuar një intervistë ekskluzive që garanton amerikanët për një epërsi të padiskutueshme të vendit nën drejtimin e Obamës, ndërsa ka kujtuar premtimet për 12 milion vende pune të reja prej Romney, si të paargumentuara, plotësisht të pavërteta duke i mbështetur argumentet e tij edhe me mendimet e ekonomistëve nobelistë që e kanë quajtur të “çuditshëm” këtë deklarim, për të mos thënë blof elektoral që e djathta hedh herë pas here si krimb në grep për “peshqit” e detit popull, ku mashtron më shumë se shtresën e mesme, shtresën e varfër. Klinton kujton “vitet e Depresionit të Madh” që u kaluan me përgjegjshmëri dhe punë vetmohuese. Klinton fton amerikanët të mos qëndrojnë në shtëpi ditën kur janë ata president, por të shkojnë të votojnë sepse Amerika ka nevojë edhe për një votë pjesëmarrje, pavarësisht se kujt dëshirohet t’i jepet. Edhe aktori i mirënjohur Brad Pitt, rreshtohet me Obamën, duke ftuar fansat e tij të votojnë Obamën. Romney kudo përgjigjet me të famshmin slogan të kritikuar për shifrën e lartë: “Kryesore do të jetë për mua hapja e vendeve të punës!” Natyrisht një slogan i dobishëm, kur kriza kafshon pikërisht vendet e punës, nga rrjedh mirëqenia ose depresioni. Dita e fundit! Finishi i garës. Obama apo Romney? Një garë e gjatë komplikuese. Në finish duken të dy pranë e pranë. Dikush i sheh vetëm një hap para njëri…Kush mund të kalojë i pari në finish! Amerikanët sot zgjedhin presidentin! Mirësetëvijë edhe për ne shqiptarët! Welcome President!