Luan Shahollari/E majta, e djathta-Kthim në identitet!

613
Sigal

Ngjarja politike më e rëndësishme, prej fillimit të këtij muaji, vazhdon të mbetet “divorci” i LSI-së nga koalicioni qeveritar i PD-së dhe kalimi në koalicionin e opozitës të kryesuar nga PS-ja. Kjo lëvizje ka sjellë rivendosjen e LSI-së në spektrin e majtë, ku i takon, si një parti me program dhe statut të bazuar në dokumentet e Internacionales Socialiste. Ky ndryshim do të ndryshojë balancën e rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit 2013. Kthesa i jep fund politikave të ngushta pragmatiste të transferimit të votave, nga e majta në të djathtë, siç ndodhi me PA-në,  në zgjedhjet e korrikut 2005 dhe me LSI-në në qershor 2009. (Ky dhurim votash e ka inkurajuar shpesh z.Berisha të shprehet (me shaka), se do të jetë kryeministër edhe 35 vjet të tjera!),  Me këtë kthesë, LSI-ja u kthye në identitet, duke i dhënë fund një partneriteti të sforcuar katërvjeçar, në një koalicion të djathtë, me ndryshime të theksuara programore historike, politike dhe shoqërore. Por kthesë në drejtim të forcimit të identitetit të saj bëri edhe PS-ja. Për të arritur deri pika e takimit, liderit të PS-së iu desh të hedhë pas “inatet” e së shkuarës dhe t’i drejtojë LSI-së kërkesë zyrtare për bashkëqeverisje. Këto lëvizje i dhanë mundësi, që edhe PD-së e së djathtës, në tërësi, të tkurret në përmasat e identitetit të saj real. Muaj më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta pat paralajmëruar se koalicionin për zgjedhjet e 23 Qershorit do ta zgjidhte në muajin prill. Dhe këtë e bëri, që ditën e parë, duke i njoftuar në mënyrë qytetare largimin nga qeveria e “Berisha”. Me këtë rast, ai arriti të heqë edhe ndonjë hije dyshimi, se ishte “i kapur”, për shkak të një procesi gjyqësor të mëparshëm. Krijimi i boshtit PS-LSI i ka rritur shanset për fitore në koalicionin e majtë, por, në të njëjtën kohë, ka shkaktuar nervozizëm në kampin qeveritar. Ky është shkaku pse Berisha, në vend që të falënderonte LSI-në, për mundësinë që i dha për të qeverisur, e mallkoi me “halat e ngjalave”, me heqjen e përfaqësuesit të saj në KQZ, me spastrimet në administratën publike. Edhe znj. Topalli doli jashtë kontrollit, kur i “uroi” deputetët socialistë “të shkonin për lesh”! Megjithatë, ende jo të gjithë (madje edhe brenda së majtës) kanë krijuar bindje për qëndrueshmërinë e kësaj aleance të re. Kjo vjen për shkak se, ndarja vazhdoi gjatë, kurse afrimi ndodhi shpejt, në formën e një “surprize”. Veç kësaj, prurjet e reja, nga disa, shihen, ngushtë si zënie e posteve qeveritare në nivel qendror, apo lokal, apo edhe në nivele të tjera. Fyerjet dhe sulmet personale, të intensifikuara pas demonstratës të 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues paqësorë, si dhe pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, gjithashtu i patën keqësuar marrëdhëniet midis këtyre dy partive dhe krijuan një imazh negativ në opinionin publik. Kjo është një nga arsyet, pse analistë të medias të shkruar janë fokusuar më tepër në temën e moralit, në marrëdhëniet ndërpartiake dhe sjelljet e liderëve të tyre, duke rishfaqur në ekranin e televizorit replikat e ndërsjella Rama-Meta. Por shkaqet e ndarjes (si dhe të bashkimit tani) janë më të thella, se ato morale. PS-ja dhe LSI-ja ishin aleatë në zgjedhjet vendore të shkurtit 2007, për rrjedhojë grupimi i majtë fitoi jo vetëm në Tiranë por edhe në qendrat e qarqeve më të mëdha të vendit. Krisja ndodhi, kur PS-ja dhe PD-ja u bënë bashkë dhe më 21 prill 2008 dhe ndryshuan Kushtetutën, në disa pjesë thelbësore, duke zëvendësuar sistemin maxhoritar-proporcional (të përzierë) me sistemin proporcional-rajonal, si dhe duke hequr (rritur) kufirin e hyrjes në Kuvend prej 2.5 për qind. Kufij për hyrjen në Parlament parashikohen, si rregull, në të gjitha sistemet zgjedhore ndërkombëtare. Pragjet e ulëta nxisin një përfaqësim më të gjerë të partive të vogla, kurse nivelet e larta, i pengojnë ato. Kështu, në Holandë, pragu është 0.67 për qind, në Izrael 1.5 për qind, në Gjermani 5 për qind, por në Turqi pragu është shumë lart: 10 për qind! Heqja e këtij kufiri në Shqipëri, me nismën e dy partive kryesore kundërshtare, synonte reduktimin e forcave politike në Kuvend dhe krijimin e një sistemi të mirëfilltë dy partiak, si bazë për një qeveri të qëndrueshme. Ky synim nuk mund të mos binte ndesh me interesat e partive të vogla, si dhe të LSI-së, edhe pse kjo, me një peshë më të madhe. PS-ja tregoi të njëjtin zell, si dhe PD-ja për realizimin e këtij synimi, si rrjedhojë, krisja me LSI-në u shndërrua në çarje. Kjo solli si pasojë që PS-ja dhe LSI-ja të konkurronin si kundërshtarë, duke lëshuar edhe spote televizive negative të ndërsjella në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Ndryshimet kushtetuese të reflektuara në Kodin Zgjedhor të 2008 i dhanë gjithashtu një peshë më të madhe koalicionit- si një grupim i  dy apo më shumë partive politike për të konkurruar së bashku;  koalicionit fitues të zgjedhjeve i lind e drejta për të krijuar qeverinë. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, Kuvendi që doli nga këto zgjedhje, në dallim nga i zgjedhjeve të korrikut 2005, që përbëhej nga 12 parti dhe 1 i pavarur, u reduktua në tre koalicione: i PD-së, që fitoi zgjedhjet, i PS-së që mbeti në opozitë, dhe i LSI-së. Për shkak se nuk e kaluan pragun, nga skena parlamentare dolën shumica e partive të vogla, disa u përfaqësuan me vetëm një deputet, u reduktua ndjeshëm roli i LSI-së, ndonëse mbeti faktor në qeverisjen e vendit. Këtë faktor, LSI-ja e përdori për t’iu bashkuar PD-së. Për një vend në Kuvend u deshën mesatarisht nga 8 834 vota (në qarkun e Vlorës) në mbi 11 868 vota (në Qarkun e Tiranës). Shprehur ndryshe, pragu, doli nga 3.1 për qind në Qarkun e Tiranës në 25 për qind në qarkun e Kukësit.  PS-ja doli forcë e parë në këto zgjedhje, me 10 mijë vota më shumë se PD-ja, por koalicioni i PD-ja fitoi 24 mijë vota më shumë. Kurse 84 mijë votat e koalicionit të LSI-së, për shkak të shpërndarjes në 12 qarqet e vendit, “prodhuan” vetëm 4 deputetë.  Koalicioni i PD-së nxori 70 deputetë me 10,182 vota mesatarisht secili, koalicioni i PS-së (pa llogaritur vjedhjet) 66 deputetë me 10,435 vota mesatarisht secili, kurse koalicioni i LSI-së vetëm 4 deputetë me 21,101 vota mesatarisht, ose sa dyfishi i atyre të PD-së dhe PS-së. Duket qartë se LS-ja ka qenë më e dëmtuara nga ndryshimet kushtetuese në sistemin zgjedhor. Rezultati do të dilte ndryshe, nëse LSI-ja do të përfshihej brenda koalicionit të PS-së. Krejt ndryshe do të kishin dalë edhe rezultatet e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011, nëse PS-ja dhe LSI-ja do të kishin qenë bashkë. Në median e shkruar dhe atë elektronike, këto zgjedhje shpesh janë analizuar si “fitore e të djathtëve”, apo “humbje e të majtëve”. Mirëpo, kjo nuk është e saktë, pasi jo të gjitha votat janë hedhur sipas krahëve politikë. Në kuadrin e projektit për ndryshimet kushtetuese (prill 2008) dhe më vonë kam botuar shkrime me të dhëna statistikore të rezultateve të zgjedhjeve, ku kam nxjerrë në pah domosdoshmërinë e bashkëpunimit PS-LSI në shkallë kombëtare dhe vendore. Më e fundit, ka qenë një analizë për rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, (“Telegraf”, 12 gusht 2011), ku theksoja se, nëse PS-ja dhe LSI-ja do të kishin qenë bashkë si më 2007, E.Rama do të kishte fituar 39 mijë vota më shumë se L.Basha, Kryebashkiaku  i Tiranës. Në këto zgjedhje, grupim fitues doli koalicioni “Aleanca për Qytetarin” i kryesuar nga PD-ja me 813,335 vota, ose 51.8 për qind të votave gjithsej. Mirëpo këtu përfshihen edhe 117.707 votat e LSI ose 7.5 për qind. Grupimi i dytë doli koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” i kryesuar nga PS-ja, me 671.612 vota ose 42, 7 për qind. Nëse LSI-ja do të ishte pjesë e koalicionit të majtë, atëherë ky do të kishte 789,319 vota ose 50.2 për qind, kurse koalicioni i djathtë, pa LSI-në do të mbetej me 695,628 vota ose 44.3 për qind. (Diferenca është jashtë koalicioneve). Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë 54 parti, por vetëm 7 prej tyre kanë fituar mbi 3 për qind të votave në shkallë vendi (PSSH, PD, LSI, PRSH, PDIU, PDS, PDSH), që sipas nenit 162 të Kodit Zgjedhor, përbën kufirin për vlerësimin e shpërndarjes të mandateve për deputetë, në zonën zgjedhore përkatëse, kur ato  konkurrojnë më vete. (Për koalicionet ky kufi është 5 për qind.). Prandaj, kur flasim për moralin politik, dhe sidomos për atë në planin personal, është e nevojshme ta vëmë në balancë me interesat e një mase të madhe të zgjedhësve të majtë. Me këtë nuk dua të nënvleftësoj rëndësinë që ka qëndrimi moral i partive dhe krerëve të tyre në jetën politike të një vendi. (Prof. S.Pëllumbi njërin prej librave të tij e ka titulluar “Edhe politika do moral”). Mirëpo, janë të rrallë krerët politikë kryesorë (të djathtë e të majtë) që të mos e kenë akuzuar dhe fyer njëri-tjetrin me shprehjet nga më të rënda. Kjo është arsyeja, pse politika shqiptare në këto dy dekada, krahas përvojave pozitive, ka grumbulluar edhe shumë pisllëqe. Çdo krahasim çalon, por nga masa e ndotjes, shpesh ajo ngjan me stallat e mbretit Augias, që, për t’i pastruar, sipas mitologjisë greke, Herkuli i fuqishëm, ktheu rrjedhën e një lumi. Duke u përpjekur për të verifikuar (por pa sukses) një shprehje negative për politikën, që flitet si thënie e ish kryeministrit anglez U. Çërçill, në të kundërtën, gjeta një vlerësim pozitiv: “Mjeshtëria politike është aftësia për të parashikuar çfarë do të ndodhë….dhe paskëtaj të kesh zotësi të shpjegosh pse nuk ndodhi. (www.totalpolitics.com/quotes). U deshën mbi pesë vjet që krerët e PS-së dhe LSI-së të pranonin hipotezën se bashkimi sjell fitoren, kurse ndarja humbjen. Të shkuara të harruara, thotë populli në raste të tilla. Megjithatë, i rëndësishëm mbetet fakti se tashmë ata kanë nxjerrë mësime dhe se janë angazhuar për t’i rivendosur marrëdhëniet mbi bazën e një morali të shëndoshë politik. Për krijimin e një pozicioni të fuqishëm konkurrues të organizatës, apo firmës në literatureën ekonomike shpesh përdoret analiza e tipit SËOT (Strengths, Weaknesses, Oportunities, and Threat) që në shqip përkthehet si: fuqitë, dobësitë, shanset dhe kërcënimet) është një nga teknikat që ndihmon. Nëse do ta shtrinim këtë lloj analize edhe në rastin e marrëveshjes PS-LSI, për të konkurruar së bashku brenda një koalicioni, do të arrinim në përfundimin se zbatimi i saj do të sjellë fuqizimin e pikave të forta dhe shanseve dhe do të reduktojë pikat e dobëta dhe kërcënimet për fitore në zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013.