Luan Rama/ Siguria Kombëtare dhe transparenca ndaj publikut

562
Sigal

Diskutimi dhe miratimi prej Kuvendit i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, është akt i një rëndësie të veçantë. Në kushte normale, do të duhej që ky proces të meritonte një seancë të posatshme dhe solemnitet imponues jo vetëm për vëmendjen shtetërore dhe mediatike, po për vëmendjen e të gjithë shoqërisë, pasi siguria nuk është vetëm një term i thjeshtë që nënkupton një aspekt të caktuar të marrëdhënieve  ndërkombëtare, por është një faktor vendimtar që ndikon jo vetëm politikën në të gjithë spektrin e saj, por i shtrin efektet në psikologjinë, vetëdijen, jetën dhe mirëqenien e çdo individi. Ndaj politika e sigurisë nuk mund e nuk duhet të merret thjeshtë si diçka që ka të bëjë vetëm me sigurinë e brendshme dhe të jashtme, por si një instrument që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Për këtë arsye do të duhej të ishte e pranishme padyshim edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhej kushtëzuar prej asnjë interesi apo motivi tjetër që përballë interesit të sigurisë kombëtare mbetet dytësor, ashtu sikundër, pjesëmarrja formale gjatë diskutimit në Kuvend të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, e drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të sigurisë e forcave të armatosura, do të ishte një shenjë e shfaqjes së seriozitetit dhe respektit për Kuvendin dhe të gjithë ata që kanë punuar për këtë dokument, e më shumë se kaq, do të ishte një qasje e re përgjegjshmërie ndaj vetë Sigurisë Kombëtare.

Mirëpo, ndërsa çështjet e sigurisë kombëtare gjenden në periferinë e vëmendjes mediatike e publike, për sa kohë që në epiqendër të saj e në krye të fjalës prej gati një muaj ka zënë vend një debat absurd e servil për historinë e një romani, nëse ai është shkruar 60 vjet më parë apo më vonë, pretendimi im ngjan utopik.

Sot siguria është fjala më e përdorur nga njeriu dhe politika. Kjo për arsye se ky është një term, i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë individin duke e ndikuar atë në marrjen e vendimeve dhe në zgjedhjen e përfaqësuesve politikë në të gjitha nivelet.

Analistë të ndryshëm të çështjeve të sigurisë shënojnë se siguria shtrihet në dy rrafshe: në rrafshin vertikal fillon nga individi, kalon tek shteti dhe përfundon në sistemin ndërkombëtar, ndërsa në rrafshin horizontal, kemi të bëjmë me sigurinë në fusha të ndryshme të veprimtarisë si ekonomia, mjedisi, ekologjia, ushqimi, emigracioni, epidemitë, katastrofat natyrore, ato humanitare etj..

Human Security është një koncept tjetër i sigurisë. Në bazë të këtij koncepti nuk qëndron më siguria e shteteve, por siguria e njeriut në situatat konkrete në të cilat ai jeton. Pra tashmë kemi të bëjmë jo më me siguri shtetërore ushtarake apo policore, por edhe me siguri të tjera si ajo ekonomike, ekologjike, politike, etj..

Strategjia kuptohet më mirë si art dhe shkencë e zhvillimit dhe përdorimit të fuqisë politike, ekonomike, socio-psikologjike dhe ushtarake të shtetit në përputhje me udhëheqjen politike me qëllim krijimin e efekteve të nevojshme për mbrojtjen dhe zhvillimin më tej të interesave të shtetit në mjedisin e dhënë strategjik.

Mjedisi strategjik është arena në të cilën lidershipi strategjik vepron me shtetet dhe aktorët e tjerë dhe mundësitë që mund të krijohen për të zhvilluar më tej mirëqenien dhe begatinë e qytetarëve dhe të shtetit. Strategjia është një proces i disiplinuar gjykimi e vlerësimi që synon të zbatojë një shkallë racionaliteti dhe lineariteti në një mjedis që mund të jetë ose jo i tillë, në mënyrë që të kryhet një planëzim i efektshëm. Strategjia e bën këtë duke identifikuar qëllimet (objektivat) strategjike, mënyrat (konceptet) dhe mjetet (burimet), të cilat kur plotësohen, krijojnë ndikime të favorshme në lidhje me mirëqenien e shtetit.

Strategjia e sigurisë kombëtare është një­ dokument kornize apo “kuadër’ po të përdorim një term më diplomatik, që përshkruan se si një vend ofron siguri për shtetin dhe qytetarët e vet dhe shpesh herë prezantohet si një dokument i përgjithësuar.

Eksperti i njohur David Law argumenton domosdoshmërinë e pajisjes së shteteve me një strategji të sigurisë. Shtetet duhet të kenë një politikë gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme të sigurisë kombëtare për pesë arsye të rëndësishme, të cilat janë:

• që të sigurojë që qeveria do t’i trajtojë të gjitha rreziqet në mënyrë gjithëpërfshirëse;

• që të rrisë efikasitetin e sektorit të sigurisë duke optimizuar kontributet e të gjithë aktorëve të sigurisë;

• që të drejtojë zbatimin e politikës;

• që të ndërtojë konsensusin e brendshëm të vendit;

• që të rrisë besimin dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.

Për sa i përket sfidave  kryesore për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, politologët pajtohen me kërkesat se: Strategjia e Sigurisë Kombëtare duhet të baraspeshojë hapjen dhe fshehtësinë e nevojës për të ruajtur lirinë e veprimit dhe kufizimeve të vendosura në veprimet e drejtuesve, nevoja për shqyrtime të politikës së sigurisë kombëtare duhet të baraspeshohet kundrejt kostos së tyre, qoftë në aspektin njerëzor, qoftë edhe në atë material dhe se Strategjia e Sigurisë Kombëtare duhet të baraspeshojë debatin publik me kontributin e ekspertëve.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare ka një rol për të tanishmen dhe për të ardhmen, pasi skicon interesat bazë të vendit dhe përcakton udhëzimet për trajtimin e rreziqeve dhe mundësive aktuale dhe të ardhshme. Strategjia kombëtare është një nevojë dhe detyrim legjitime për kombin, ndaj rreziqeve që mund t’i paraqiten, të drejtave të njeriut dhe ekzistencës së shtetit. Qëllimi për të hartuar SSK është që vendi të definojë qartë që elementët e fuqisë kombëtare të përcaktohen drejtë dhe në mënyrë të koordinuar, për t’u përballur me sukses ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve ku mund të gjendet shteti.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është padyshim dokumenti më i rëndësishëm strategjik që përcakton bazën e politikës së sigurisë në mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare ofron një analizë të mjedisit të sigurisë, identifikon sfidat e sigurisë, rreziqet dhe kërcënimet, vendos interesat kombëtare, përcakton synimet, parimet themelore dhe elementet e politikës së sigurisë kombëtare dhe përcakton strukturën, parimet e funksionimit dhe llogaridhënies në kuadër të sigurisë së sistemit.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare është bazë për hartimin e dokumenteve strategjike në të gjitha fushat e jetës dhe funksionimit të organeve shtetërore dhe institucioneve sociale, për të ruajtur dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve, shoqërisë dhe shtetit. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë pasqyron në tërësinë e vet mendimin më të plotë dhe më cilësor shqiptar të deritanishëm mbi perspektivën e sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe interesave të saj në mjedisin e sotëm global të sigurisë dhe si pjesë integrale e këtij mjedisi.

Karakteristikat thelbësore të saj deklarohen qartë; proaktiviteti dhe gjithëpërfshirja, të cilat materializohen mjaft mirë në të gjithë përmbajtjen e dokumentit.

Pikënisja e brendshme për garantimin e sigurisë kombëtare përshtatet drejt me mjedisin aktual të sigurisë, e cila del qartë në analizën e këtij mjedisi, që përbën çelësin e logjikës që përshkon gjithë dokumentin. Analiza e mjedisit të sigurisë shqyrton objektivisht situatën e sigurisë në të cilën gjendet sot vendi ynë.

Mendësia e re në fushën e sigurisë, nëpërmjet arkitekturës së re të sigurisë që shpall kjo strategji, përbën një qasje të pranueshme, të cilën sot e kanë përqafuar pjesa më e madhe e shteteve demokratikë e të përparuar të globit. Sigurisht është një qasje që vjen si domosdoshmëri e kohës, e drejtë dhe e nevojshme, por që duhej të shqyrtohej më parë nga një analizë e thellë strategjike dhe studimesh në fushën e sigurisë kombëtare të vendit, me qëllim për të qenë të qartë dhe të ndërgjegjshëm si për avantazhet konkrete që ofron ashtu edhe për implikimet e mundshme që mund t’i sjellë në përgjithësi sigurisë kombëtare, ashtu edhe të zbatueshmërisë së strategjisë.

Në tërësi mendoj se SSK është një shprehje e përputhshmërisë së faktorëve relevante politikë të institucioneve qeveritare, OJQ-ve dhe qytetarëve në qasjen e përgjithshme dhe në mënyra për arritjen e mbrojtjes së interesave kombëtare, në përputhje me sfidat aktuale duke vlerësuar, rreziqet dhe kërcënimet për sigurinë e Republikës se Shqipërisë.

Strategjia është e orientuar nga njohuritë bashkëkohore teorike në fushën e sigurisë, përvojën kombëtare dhe nevojat e sigurisë, si dhe përvojat e vendeve të tjera në krijimin e sistemeve të tyre të sigurisë kombëtare dhe zgjidhjen e rreziqeve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë. SSK është një dokument në të cilin qëllimet kryesore strategjike për forcimin e sigurisë kombëtare janë vënë në mënyrë transparente për publikun dhe është shprehur angazhimi i Republikës së Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në ndërtimin dhe përmirësimin e sigurisë rajonale dhe globale.

Mendoj se SSK siguron një pikënisje për zhvillimin e strategjive mbështetëse në fushat kryesore shtetërore dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore si dhe për rregullimin normativ të aktiviteteve në kuadër të sistemit të sigurisë kombëtare.

Përgjegjshmëritë institucionale, të trajtuara me profesionalizëm, dhe  mbështetja e institucioneve publike dhe shoqërore është një parakusht thelbësor për arritjen e një shkalle të lartë të lëvizshmërisë të burimeve në dispozicion dhe koordinimin e punës së institucioneve shtetërore në mënyrë që të arrihen qëllimet strategjike të politikës së sigurisë kombëtare dhe në këtë mënyrë shërben si një parakusht për efektivitetin e kësaj strategjie dhe të gjitha dokumenteve që rrjedhin prej saj.

SSK-të kanë një rol për të tanishmen dhe për të ardhmen, pasi skicojnë interesat bazë të vendit dhe përcaktojnë udhëzimet për trajtimin e rreziqeve dhe mundësive aktuale dhe të ardhshme. Strategjia e Sigurisë Kombëtare është një nevojë dhe detyrim legjitime për kombin, ndaj rreziqeve që mund t’i paraqiten, të drejtave të njeriut dhe ekzistencës së shtetit.

Në tërësi, dokumenti në formatin e tij dallohet qartë se është veshur me një tis teorik, që përfaqëson nivelin aktual modern të ndërtimit të strategjive e përshtatur me mjedisin shqiptar, gjendjen dhe nevojat e tij.

Me gjithë vlerësimin pozitiv që kam për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, mendoj së është tepruar disi me “gjuhën metaforike”, teksa shprehemi me tepri për “interesa strategjike”, e nuk artikulojmë më drejtpërdrejtë interesat kombëtare.

 Ne nuk ka se pse të hezitojmë ta konsiderojmë Republikën e Kosovës dhe praninë e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në rajon si faktor të rëndësishëm për garantimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe me impakt pozitiv për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, përkundër përcaktimit që gjejmë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku theksohet se: (citoj: “Shpallja e paligjshme e pavarësisë së Kosovës dhe dështimi i pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë e Metohi, përbën rrezikun kryesor për sigurinë e Republikës së Serbisë”)

Përvoja ka treguar se politikat e jashtme të shumë shteteve paraqiten shpesh si konstante, pavarësisht kthesave dhe ndryshimeve ideologjike, sepse qeveritë arsyetojnë në një mjedis gjeografik të pandjeshëm ndaj ndryshimit kohor. Situatat e mbylljes dhe izolimit përshkojnë shekujt, kjo edhe kur progresi njerëzor lejon transformimin e raportit që njeriu ka me gjeografinë. Gjeo-politikanë të vëmendshëm pohojnë se çdo politikë shtetërore është produkt i tre faktorëve themelorë konservativë: realiteti gjeografik, realiteti identitar dhe kërkimi i burimeve.

Gjeografia fizike përbën të dhënën e qëndrueshme që është në themel të politikës së jashtme të shteteve. Të dhënat historike ndryshojnë, por gjendja gjeografike e shteteve mbetet e njëjta. Gjeografia fizike, në të gjithë përbërësit e saj, është përcaktuesi i parë gjeopolitik; është ai që i ka vendosur popujt atje ku ata janë, që ka bërë të mundur ndërtimin e shteteve sedentare, ose në të kundërt të lëvizjeve nomade, është ai përcaktues që ka ruajtur veçoritë fetare dhe etnike. Por ky përcaktues nuk vepron i vetëm tek grupet njerëzore dhe as nuk është përsosshmërisht i parezistueshëm.

Rajoni i Ballkanit, sidomos hapësira shqiptare, shqiptarët si komb, si organizëm shtetëror apo shoqëri të ndryshme përfaqësojnë një faktor kyç në zhvillimet e ardhshme.

Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë se, në  kushtet e presonit të brendshëm shpirtëror për të ruajtur identitetin kombëtar dhe të presionit të jashtëm për ta humbur këtë identitet, shqiptarët konservuan një shtresë të ndërmjetme  instrumentesh qëndrese: vetadministrimin dhe gjuhën. Pos të tjerash orientimi të vlera kombëtare e gjuhës bëhet më e qenësishme kur shohim se prej kohesh është hapur debati antikombëtar në vlerësimin tim, për domosdoshmërinë ose jo të gjuhës së njehsuar kombëtare! Pra, ka nga ata që kanë hedhur idenë që të krijojmë “një gjuhë tjetër “ shqipe. Dikush mund të pyesë se ç’lidhje ka gjuha me sigurinë kombëtare?

Të dyshosh apo të dyzosh një gjuhë do të thotë, as më pak e as më shumë, të dyshosh e të dyzosh bartësit e saj, njerëzit, popullin, kombin.  Prandaj është i rëndësishëm miratimi i këtij dokumenti, sepse ai detyron, gjë që nuk ka ndodhur deri tani te gjitha institucionet e tjera te marrin e te përmbushin përgjegjësi të interesit kombëtar si kusht për të garantuar Sigurinë Kombëtare.