Luan RAMA/ Fisnikëria e një zemre amerikane

89

Historia e «Seksionit të 10»-të të «Feld American Service», në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore

Disa herë më ka rënë rasti të vizitoj varret e ushtarëve amerikanë në brigjet e Normandisë, në Collevile-sur-Mer, varret e ushtarëve që zbarkuan dhe ranë në Omaha Beach apo në Utah Beach, atëm ëngjes qershori të vitit 1944. Mijra varre të bardhë me mermerin e Karrarës mes të cilëve dhe ai i serxhentit Frederick Niland, alias «ushtari Rayan», rreshtuar si në kohë lufte mes atij gjelbërimi dhe paqeje të pafund, duke treguar sakrificën e madhe të popullit amerikan. Të tjera varreza të ushtarëve amerikanë, kësaj rradhe të luftës së Parë Botërore, gjënden në tokën e Francës si në Suresnes, Argonne, Saint-Michel, Oise-Aisne, Somme, Aisne-Marne de Bellau… Janë varret e atyre ushtarëve që kapërcyen oqeanin dhe në shenjë solidariteti në vitin 1917 erdhën në ndihmë të aleatëve për triumfin e Paqes dhe që të ndërtohej një botë e re. Këto mijra varre, jashtë Amerikës, përtej Atlantikut, janë dëshmia e shpirtit të madh amerikan e cila nuk u tregua vetëm në tokën franceze.

Pse, ka patur amerikanë në Korçë gjatë kësaj lufte?

Një ditë, tek po punoja rreth versionit frëngjisht të librit të sapo botuar «Bonjour d’Albanie», mbi ushtrinë franceze në frontin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore, një miku im më pyeti i habitur? – Pse, ka patur amerikanë në Korçë gjatë kësaj lufte? – Po, – iu përgjegja, duke i treguar një mori fotografish që kisha botuar dhe që ishin foto të marra nga fotografët francezë të misionit fotografik të Ushtrisë së Lindjes (L’Armée d’Orient), e cila vepronte në kufirin jugor shqiptar, në zonat e Korçës, Pogradecit e më pas Devollit, Ersekës dhe luginës së Shkumbinit. Në fakt, historia e amerikanëve në Korçë dhe Pogradec gjatë Luftës së Parë Botërore ka qënë pak e njohur, për të mos thënë aspak. Përshkrimet historike mungojnë, madje dhe këto foto, janë vendosur së fundi në sitin e Mediatekës Franceze të Arkitekturës e Fotografisë në Paris. Por ishin disa kujtime të botuara të vullnetarëve amerikanë të «Seksionit 10» të «Feld Amerikan Service», që dëshmojnë në mënyrë më konkrete veprimtarinë e amerikanëve në frontin shqiptar, veçanërisht në zonën e Korçës, në liqenet e Prespës, Ohrit, Maliqit apo dhe në Leshnicë e malet përreth. Në vitet 1916-1917, mijra amerikanë erdhën të ndihmonin aleatët francezë, britanikë, italianë, etj, në luftën e tyre kundër ushtrive austro-hungareze, bullgare e turke. Forcat kryesore u angazhuan në Francë, pranë ushtrisë franceze e britanike apo dhe asaj italiane, ndërkohë që vullnetarë të tjerë amerikanë erdhën gjer në Ballkan, siç ishte dhe «Seksioni 10» i ndihmës, ku amerikanët u angazhuan me automjetet e tyre të ambulancave, kuzhinës lëvizëse, etj, që të ndihmonin në këtë luftë të jashtëzakonshme.

Bombardimi

Fronti shqiptar në të kohë bombardohej natë e ditë nga aviacioni austriak e gjerman. Një ditë u bombarduan dhe qytetarët e Korçës çka shkaktoi një panik të madh në qytet. Një fakt interesant na sjell në ditarin e tij të luftës dhe ushtari francez Roger Pernot, i cili tregon për bombardimet e avionëve mbi ushtarët aleatë dhe mbi njerëzit e pafajshëm, shtëpitë, qytetet. Ai tregon sesi ishte rrëzuar një nga këta avionë. “… S’ka dyshim që është «boshi» që na ka bombarduar ditët e fundit, ai që vrau automobilistin amerikan dhe kolegët e tij, i cili vërtitej sipër kokave tona në ditët me diell… »

Historia e «Seksionit të 10»-të të «Feld American Service», në Ballkan nis kur kjo njësi, me automjetet përkatëse, e ngarkuar në anije në portin e Marsejës, më 26 dhjetor 1916 u nis drejt Selanikut ku ishte dhe shtabi i Ushtrisë Aleate, e komanduar nga gjenerali francez Maurice Sarail. Ndër vullnetarët amerikanë ishin Henry M. Suckley, Hamilton Lillie, William Dennison Swan JR, Franck J. Taylor, Burnet C.Wohlford, William J. Losh, etj. Nga Selaniku, seksioni amerikan i ndihmës i drejtuar nga kapiteni Henry M. Suckley, u dërgua menjëherë drejt Korçës ku shumë shpejt, veç qytetit, ata u vendosën edhe në Goricë e Zvezda. Një tjetër unitet, ai i quajtur “Standford Unit” u dërgua në fillim të korrikut 1917 për të ndihmuar në evakuimin e të plagosurve, duke ndjekur kështu operacionet e ushtrisë franceze në liqenet e Maliqit, Ohrit, në malet rreth Pogradecit, Korçës, etj. Në ditarin e tij, James W. Harle JR, nga New York City, i cili kishte hyrë në këtë shërbim që në shkurtin e vitit 1915, duke iu bashkuar pastaj “Seksionit 10”, në ditarin e tij përshkruan vrasjen e shefit të tij Henry Suckley, të cilin ai e konsideronte si një nga “njerëzit më simpatikë që kishte njohur në jetën e tij”. Në fakt, në 19 mars 1917, Suckley, mjeku përgjegjës i seksionit, ishte në Zemblak duke drejtuar transportimin e të plagosurve francezë. Pranë tij ishin bashkëpatriotët e tij si Robert Wood, nga Esathampton, Long Island, Jo Richardson nga Boston, si dhe shoferi i tij, ndihmësi shqiptar dhe një kuzhinjer. Në mesditë, ata vështruan një avion armik, i cili filloi të bombardonte mbi ata edhe pse në tendat e tyre ishin shenjat e Kryqit të Kuq dhe se bëhej fjalë për një ambulancë mjeksore. Pas katër bombave, avioni ishte kthyer sërrish dhe duke hedhur dy bomba të tjera, njëra prej tyre vrau ndihmësin e tij shqiptar si dhe plagosi rëndë shefin e seksionit, Henry Suckley. Ushtari Jo ishte ngritur menjëherë dhe kishte vrapuar drejt shefit të tij të plagosur, i cili i pëshpëriti se ishte prekur në bark. Tutje dergjej ndihmësi shqiptar, emrin e të cilit ne nuk e dime. Cili ishte në të vërtetë? Menjëherë Suckley-n e kishin transportuar me ambulancë drejt Korçës, ndërkohë që kuzhinjeri i seksionit ishte plagosur në këmbë. Në tregimin e tij, James W. Harle JR. mes të tjerave shkruan për qëndrimin gazmor të shefit të tij në spitalin e Korçës dhe bezdinë e tij që po merreshin shumë me të, ndërkohë që ata duhej të bënin diçka për luftën. Por të nesërmen në mëngjes, Suckley kishte dhënë frymën e fundit. Po atë ditë, në drekë, ai ishte përcjellur me nderimet ushtarake për në varr. Ndër të tjera, në kujtimet e tij ai shton: ”Oficeri francez, lietnanti Constant, u bë zëdhëndës i ndjenjave tona përmes një fjalimi të thjeshtë por gjithë hire, duke thënë: “Para se të jepte jetën në shërbim të Francës, Suckley i kishte kushtuar vendit tonë të gjitha forcat e tij morale, intelektuale e fizike. Që prej dy vjetësh në ushtrinë franceze, me angazhimin e tij ai kishte merituar “Kryqin e Luftës”, duke bashkuar në një thjeshtësinë e ushtarit dhe cilësitë e larta të një prijësi. Ai vlerësonte se për t’i bërë për vete ushtarët e tij, duhej tu tregonte shëmbullin e tij në mënyrë të admirueshme. Më kujtohet që një mbrëmje, pas një beteje të ashpër dhe të gjatë, mes borës dhe stuhisë, duke menduar se roja e natës duhej të ishte tepër cfilitëse për ushtarët e tij të lodhur, ai kërkoi që edhe pse ishte shefi i tyre, ta kryente vetë. Si mund që pas kësaj ushtarët e tij të ankoheshin? Ai jetonte me ata, mes tyre, punonte me ta dhe njëkohësisht i komandonte. Ai ishte më i miri nga ne dhe ai u vra. Por mbi të gjitha, vdekja e tij ishte heroike. Sapo u godit, ai kërkoi që të merreshin me të tjerët, edhe pse vetë ishte goditur tepër rëndë. Ai asnjëherë nuk mendonte për veten e tij. Me cigaren në gojë atë e transportuan në spital… Ne i detyrojmë mirënjohjen tonë. Vdiq për Francën duke treguar se dhe në këtë tokë të largët është fisnikëria e një zemre amerikane!…»

Në kujtimet e William Dennison Swan

Për vdekjen e Suckley kishte shkruar në kujtimet e tij dhe William Dennison Swan JR., nga Massachusets, i cili e kishte ndjekur bombardimin e asaj dite në Korçë dhe periferinë e saj. «Atë mëngjes u ngrita herët dhe shkova ne spital për të çuar një të plagosur. Mora vesh lajmin e tmerrshëm se Suckley po vdiste. Avioni armik i kishte hedhur bombat në rrugën e Zemblakut. Kur kishte dëgjuar avionin, Henry kishte nxituar në dalje të tendës së ambulances, por një nga bombat kishte rënë 15 jard larg tij. Edhe pse i prekur rëndë, me vetëdije siç ishte, atë e dërguan me ambulancë në Korçë, ku qëndroi deri mëngjesin e ditës tjetër, kur dhe vdiq. Gjatë gjithë kohës ishte me vetëdije, pinte duhan dhe bënte shaka e diskutonte ngrohtësisht me shokët e tij. Ai ankohej vazhdimisht që pse e shqetësonin kur do duhej që ata të ishin atje ku bëhej lufta. Ai vdiq paqësisht në orën 9 të mëngjesit. Pasdite u varros me ceremoni ushtarake. Ne që ishim në front nuk mundëm ta përcillnim në funeralet e tij, por kjo ishte ajo që donte dhe ai…”

Në ditaret e tyre të luftës

Në ditaret e tyre të luftës, veç ngjarjeve në front, bombardimeve, të vrarët, transportimit të pagosurve, për bombardimet veçanërisht në Zemblak, Bilisht, Shuli, Gorica apo në malet e Leshnicës, ata përshkruajnë edhe episode jetësore, në kontakt me njerëzit, duke i treguar ato me një ndjesi humori. William J. Losh, nga San Françisko, tregonte se si kishte shkuar njëherë në Korçë për të festuar ditëlindjen e tij. Mbushte 21 vjeç. Një tjetër ditë, në një rrugë të pjerët kodrinore, duke pritur t’i ftohej motori i makinës, ai kishte parë dikë që vinte hipur mbi gomar, veshur me një fustanellë gjer në fund të këmbëve dhe që i binte gomarit. Për të qeshur, ai i kishte thirrur në anglisht: ”Hello Jo! Përse i bije gomarit!…” Por tjetri i ishte përgjigjur menjëherë po në anglisht. Amerikani ishte habitur nga kjo e papritur, por shpejt, shqiptari ia kishte kthyer se sapo ishte kthyer nga Pittsbourgh i Pensilvanisë. “Të vish nga Pittsbourgh në një rrugë vetmitare, veshur me një kostum të habitshëm, duke rrahur një gomar?! – kishte shpërthyer me të qeshura ushtari William. Në ditarin e tij, Hamilton Lillie kishte shkruar: “E djelë 20 maj 1917. Në kthim nga fshati i Zhelovës, duke hyrë në Korçë, pikëtakova përballë një kortezh dasme. Përpara ishin gomerët e ngarkuar me baullet dhe kuti druri të lyera bukur, ndërsa mbrapa, gomarin me nusen me vello e shoqëronte burri i saj. Gjithë njerëzit shtyheshin që të shikonin kortezhin. Sipas ceremonisë së martesës, çifti nuk duhet të rrijë sëbashku gjatë dy ditëve. Martesa bëhet gjithnjë të djelën dhe festimet e dasmës janë gjatë gjithë javës. Të hënën, në një karvan me muzikë, prindërit shkojnë për të parë nusen…” Më tutje ai shtonte: “E hënë 21 maj. Takova në rrugë delegacionin e plakave që shkonin të shikonin nusen që ishte martuar dje. Të gjitha kishin hapur çadrat e zeza dhe shoqëroheshin nga një vajzë që i binte tamburasë.” James W. Harle JR, na tregon dhe historinë e një vajze adoleshente që fshatarët e Zhelovës donin ta çonin tek mjeku. “Këmba e saj ishte fryer tmerrësisht duke filluar nga gjuri dhe ajo kishte dhimbje të mëdha. E mora vajzën me ambulancë. Në Bilisht nxitova menjëherë tek dhoma e mjekut francez, një burrë i këndshëm, i cili pasi i pa këmbën më kërkoi shpjegime, por duhej përkthyer. Atëherë zbrita në rrugë dhe thirra: ”A ka këtu ndonjë që flet anglisht?… Një shqiptar shtatlartë e i dobët u shfaq nga turma dhe erdhi të pyeste se ç’donte amerikani…” Në fletoren e tij ai tregon sesi një ditë ai kishte kapur dy aviatorë gjermanë, një lietnant dhe një mitralier, të cilët, meqë motorri i avionit kishte filluar të bënte zhurmë, kishin flakur bombat mbi liqen dhe nga frika kishin zbritur. “Mendoj se duhet të jem i pari amerikan që ka kapur një gjerman, – shkruante ai. – Terreni ishte gjithë gropa dhe helika kishte goditur tokën duke e kthyer avionin me kurriz dhe duke i flakur aviatorët sikur të ishin bretkoca gjigande. Shkova drejt avionit të përmbysur në drejtim të pilotit duke i thënë se ata ishin robërit e mi. Pranoi duke mu përgjegjur me një frëngjishte më të mirë se timen… Me siguri duhej të ishte aviator që kishte vrarë Henry Suckley dhe dy të tjerët…”

Një çast nga beteja në zonën e brigjeve të Ohrit

Më 21 shtator, nga Korça, Brunet C.Wohlford, nga Escondido, jo larg nga Kalifornia dhe student i Universitetit të Stanford, përshkruan një çast nga beteja në zonën e brigjeve të Ohrit: “Sulmet franceze u zhvilluan në zonën e liqenit të Ohrit. Objektivi ishte të shtyhej linja e frontit për të penguar furnizimet e gjermanëve nga Durrësi dhe Manastiri. Francezët duan ta pushtojnë rrugën Korçë-Manastir që mbahej nga gjermanët dhe nga ora 3 e mëngjesit u zgjova nga sulmi që kishte filluar dhe menjëherë u dërgova në postin tim. Atje u takova me një lietnant francez dhe bashkë me të u zvarritëm në lartësinë e një kodrine për të parë fushën e betejës. Dallova që francezët ishin në një grup kodrinash dhe përballë tyre, austriakët në disa kodrina të tjera. Mes tyre ishte një luginë jo e madhe që përshkohet nga një lum i vogël. Bateritë e topave francezë kishin si detyrë që të bënin te heshtnin llogoret gjermane përballë, të cilat ishin në faqen malore. Mund të shikoje vetëm dritën e mitralozëve francezë, pasi mitralierët ishin fshehur mes drurëve. Ishte një zjarr i madh që bëri të heshtin pushkët gjermane, duke i detyruar të tërhiqen. Pastaj këmbësoria u hodh në sulm dhe e mori kodrinën. Nuk e di nëse ndeshën shumë rezistencë apo jo, pasi pashë çekët që dorëzoheshin në të shumtën e rasteve, vullnetarisht.”

Lexoj këto fragmente shkrimesh e kujtimesh dhe imagjinoj për një çast Heminguein 19 vjeçar, që dhe ai, si këta amerikanë të frontit shqiptar zbarkonte si ushtar në Itali. Amerika dërgonte në Europë ushtarët e saj… Dhe ai ishte një ndër të parët amerikanë që plagosej në frontin italian kundër austriakëve: 227 plagë të lehta dhe dy plumba në të dyja këmbët… Ai e përshkruan me një emocion të thellë plagosjen e tij dhe kohën kur infermierët dhe mjekët qëndronin mbi kokën e tij… Ishin këto imazhe që ai do t’i përshkruante dhe në romanin e tij, Lamtumirë armë, roman që kur ishim të rinj nuk e ndanim nga dora, apo në letrat që u dërgonte prindërve, ku ai u shkruante: «Të dashur prindër. Kam marrë pjesë gjatë gjithë betejës së madhe dhe kam një koleksion me pushkë e municione austriake, dekorata gjermane e austriake, por në morinë e kujtimeve të mia, mbart në mëndje imazhin e aq shumë të vrarëve dhe robërve austriakë, saqë toka ishte nxirë e tëra… Të 227 plagët që më bëri topi i transhesë përballë, për çastin nuk më shkaktuan dhimbje, por vetëm pata  përshtypjen se këmbët e mia ishin në këpucë kauçuku plot ujë që ziente. Kur kapiteni, një shoku im, më pa kishte thënë: «I varfëri Hem, së shpejti do të prehet në Paqe!…» Dhe në një nga poezitë e tij të luftës,  të titulluar ”Në fushën e luftës”, Heminguei do të shkruante: “Vdekja e ushtarëve asnjëherë nuk është e bukur / Atje ku ata bien kryqet vendin shënojnë / Kryqe druri ka atje ku janë varret / Ngulur mbi fytyrën e tyre janë…”

Nga fundi i luftës, në vitin 1918, në frontin shqiptar erdhi në Korçë gjenerali Humbert, në një kohë mjaft kritike kur shqiptarët kishin frikë se me largimin e ushtrisë franceze, formacione të ushtrisë greke futeshin në jugun shqiptar për të ripushtuar Korçën, Ersekën, Përmetin e Pogradecin. Pikërisht atëherë francezët krijuan zonën e administrimit ushtarak francez të kufijve shqiptarë (të jugut) në mënyrë që mos t’i lejonin grekët të kapërcenin kufirin. Për pritjen e gjeneralit në Korçë shkruan atëherë dhe revista e emigrantëve shqiptarë të “Federatës Vatra” në Amerikë Review Adriatic, nën titullin “Vive la France, Vive l’Albanie!:Populli i territorit të Korçës pati rastin të manifestojë ndjenjat që ushqen për Francën në praninë e gjeneralit Humbert që mbërriti në Korçë në 4 qershor dhe që u prit me thirrjet “Vive la France, Vive l’Albanie!” Trupat e milicisë lokale dhe ato të xhandarmërisë, me prijësit e tyre në krye mbanin flamurin shqiptar. Ishte i njëjti flamur që i kishte udhëhequr krahas francezëve në luftën kundër të njëjtit armik…” Nga kjo periudhë e luftës ka mbetur në arkivin shqiptar dhe një fotografi mjaft simbolike dhe që tregon një grup vullnetarësh shqiptarë që me uniformat e tyre të luftës niseshin drejt frontit shqiptar. Para tyre, dy flamuj kryqëzohen së bashku: flamuri shqiptar dhe ai amerikan…

Luan Rama.