Luan Çipi/ Nuk ka më i keq se hajni…

821
Sigal

I kam ende të pashlyera mbresat e një poshtërimi dhe injorimi të plotë, që në çast ma zhduku për një farë kohe vetëdijen qytetare: kontrollova xhepin e mbrapsmë ku mbaja portofolin dhe ai… nuk ndodhej aty. Kjo më çoroditi. E kisha atë para 10 minutash, kur nxora paret dhe pagova do sende ushqimore të blera dhe e mbaj mënd mirë që e futa sërish në anën e pasme, në të djathtë të pantallonave, mandej edhe e mbërtheva me kujdes plotësisht kapakun e xhepit.  Si ndodhi: Po kthehesha nga tregu dhe të dy duart i kisha të zëna me trasta mbushur me ushqime.  Hipa në autobusin e Unazës së Tiranës pikërisht te Stacioni i Tregut Industrial dhe po udhëtoja në drejtim të “Shkollës së Fulcit”. Kur hipa, te porta e mbrapsme e autobusit të linjës kishte një turmë të madhe pasagjerësh, gati të ngjeshur me njëri tjetrin.

Pas nisjes, mu desh të dy trastat që rëndonin, t’i vendosja për t’i mbajtur në një dorë dhe të nxirja lekët për të paguar biletën. Vazhdonte trysnia dhe deri ngjeshja trup me trup e njerëzve edhe me pretekstin për t’i lënë rrugë faturinos së autobusit, që ai të ndante biletat e të mblidhte paret, Edhe një herë tjetër u detyrova sërish trastat t’i kaloja në një dorë, se një krah, mbase i pakujdesshëm (a i qëllimshëm?) më rrëzoi kapelën dhe mu desh ta rivendosja atë  në kokë.

Ndërkohë, autobusi mbërriti te pikë qëndrimi më i afërt, pas Stacionit të Trenit. Aty zbriti shumica e pasagjerëve dhe vendet u liruan disi. Mua më bëri përshtypje zbritja e shpejt me vrap e bashkudhëtarëve që para një minute ishin aq ngjitur me mua. Instinktivisht dyshova dhe e shpura dorën te portofoli dhe bash në atë çast, konstatova se ai më mungonte. Një britmë më doli vetiu nga thellësia e shpirtit: “Më vodhën portofolin, të poshtrit!”. Hodha sytë jashtë dritareve dhe nga ish bashkudhëtarët e dyshuar nuk dukej më frymë njeriu. Po edhe sikur t’i shihja diku larg e jashtë, unë plaku 80-vjeçar, kë do ndiqja dhe si do t’i ndaloja?. Vazhdoja të bërtisja i shqetësuar dhe i inatosur… Gjindja e ngelur në autobus, që do të zbrisnin në stacionet vijuese, po dhe shoferi e faturinoja, nisën të më qetonin duke më thënë se “kjo e keqe, tani ndodhi, po t’i mblidh mendjen e mos u ligështo, se do të të bjerë pika”. Ata kureshtar e solidar, pyesnin “sa para e çfarë të tjera sendesh kisha në portofol” dhe së fundi, nisën të më këshillonin të njoftoja urgjencën policore, etj.

Ndërkohë unë ndjeja pozicionin e një njeriut të vjedhur, të poshtëruar e injoruar, të humbur, të plakur, të vetmuar e të pa fuqishëm për kundërveprim e zgjidhje situate.  Mendova aty shpejt se sa e përhapur e sa shumë “të drejtë qytetarie”  ka në shqip emri  “hajdut” me aq shumë sinonime, që diku thirret edhe hajn, kusar, vjedhës, vjedhacak, grabitës, po gjithnjë ka damkën e njeriut të poshtër dhe të urryer, dembel, parazit e djall, që të ngjall përbuzje e sikur të ndot. Dhe ata këtë radhë, objekt vjedhjeje, talljeje, poshtërimi, injorimi e ndotjeje, më  patën mua. Më kaloi si në ekran filmi, jeta ime: Dikur i ri, sportist kampion e  mundës, i fort dhe i paprekshëm; trajner i “Flamurtarit” në Ngritje Peshash dhe kështu i rrethuar me shokë fizikisht nga më të fuqishmit e kohës; nëndrejtor, drejtor e shef, me qindra shoqërues për rreth, me disa bashkëpunëtorë e deri punëtorë të thjeshtë e të ndershëm, që dukej se linin kokën, po të më prekej një qime floku (si bëja edhe unë për ta). Po, farefisi në Vlorë: Çipajt e Banajt e dëgjuar për solidaritet, forcë, guxim e ndershmëri? Po krushqia e miqësia me mijëra, thuajse gjithë Vlora? Po kolegët, nxënësit dhe studentët e mi të 20 viteve mësimdhënie pa ndërprerje? Të gjitha këto, ish përparësi, në këto çaste kthyer përmbys, ma shtonin vuajtjen shpirtërore dhe vërtetë e ndjeja veten vetmitar, si të isha para humbjes dhe asgjësimit njerëzor tërësor. Shpura si i tulatur në shtëpi trastat me ushqime, që mu dukën se ato ishin shkaktare të fatkeqësisë dhe u nisa si i trullosur drejt Komisariatit të Policisë (Rajoni 3). Këmbët më shpunë instinktivisht te “Studioja Fotografike Vali” aty afër dhe padashur u ndodha përballë nipit të gruas time, Hanëmes, që quhet Valter Haxhiraj. Ai ndërkohë, me profesion e licencë, është dhe ekspert privat kriminalist. -Po, ç’ke, o xhaje, që je zverdhur, e sikur të merren këmbët, më pyet eksperti, me intuitën e tij profesionale. Më tej në vijim, duke biseduar gjatë, ai ma mblodhi mendjen: -“Të morën të keqen çka kishe aty, me para dhe me dokumente. Ato i zëvendëson shpejt, po nuk është çudi dhe organet shtetërore t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë. Hajde të shkojmë bashkë qysh tani në Komisariat. Oj, e ka humbur pusullën, ky alamet burri dhe është poshtëruar e shuar, se i morën një copë portofoli nga xhepi. Po mua, duke qenë dhe profesionist i specializuar për ruajtje dhe zbulim vjedhësish, ata hajnat, më grabitën një alamet autoveturë “Benx Mercedes”. Apo e harrove “bukuroshen”, që kur e gjeta e kishin shkrirë copa, copa për ta përdorur si pjesë këmbimi?” Inxhinier Valter Haxhiraj, ky ekspert i talentuar kriminalist, nuk është vetëm një specialist i shquar, po edhe një mesoburrë i mençur dhe shumë i gjendur në halle e në nevojë për gjithë shoqërinë, (duke i përjashtuar ngjyrimet politike) që e duan dhe e respektojnë. Më shkoi mendja te ish major Llazi Plaku në Vlorë vite më parë, një nga ish kriminalistët më  të spikatur të vendit. Atë, disa vjet pas ndryshimeve demokratike, e hoqën nga puna për shkak moshe e qëndrimi politik dhe kur unë i shpreha keq ardhjen ai, duke aluduar pikërisht për Valter Haxhirajn më tha: “Nuk më vjen keq për largimin, se tani po më zëvendëson një inxhinier i ri dhe mjaft i talentuar, që do t’i shpjerë edhe më përpara punët e kriminalistikës shqiptare”. Ishte pikërisht ky specialist me kaq përvojë, që bëri efekt psikologjik të shpejtë dhe më ktheu mua në botën reale ku jetojmë, rrethuar nga papunësia dhe krimi, droga dhe prostitucioni, ku nga pakujdesia e shoqërisë në edukim dhe në kërkesë llogarie, ndodhin ende kaq shumë vjedhje të pasurisë shtetërore, ku dallohen vjedhësit e energjisë elektrike e deri të pronës private në shtëpi e rrugë, pa përjashtuar këputjet e përditshme të varëseve të qafës të grave të pafajshme. Aty, në Komisariatin e Policisë, duke soditur nga afër punën voluminoze e këmbëngulëse të personelit, në kushte të një niveli të mirë pajisjesh kompjuterike, të albumeve, të punës laboratorike e të arshivave, u qetësova edhe më shumë dhe nuk pyeta më për “gjëmën” që më gjeti mua personalisht, që tani më dukej gjithnjë e më shumë si ngjarje e rëndomtë. Rajoni 3 i Policisë së Tiranës, në një ditë jave të zakonshme gumëzhinte nga lëvizja dhe preokupimi total për dhjetëra raste analoge dhe më të rënda, të shoqëruar diku edhe me dhunë, grabitje dhe armë, e ndonjëherë deri në krime e banda. Binte menjëherë në sy se personeli aty ishte me kompetencë të mirëfilltë profesionale, i preokupuar seriozisht dhe njëkohësisht karakterizohej edhe nga mirësjellja njerëzore, respekti për gratë dhe të moshuarit hallexhi. U largova nga Komisariati i Policisë për në shtëpi, fare i qetësuar pas bisedave njohëse e shpjeguese dhe sidomos për çfarë pash e mësova nga shefi dhe inspektorët kriminalist dhe punonjësit e tjerë, të aftë dhe aktiv të Policisë. Me këtë rast justifikova si ekonomist shpenzimet që bëhen për ruajtjen e rendit publik dhe arsyetova më drejt si qytetar, për domosdoshmërinë e intensifikimit të presionit shtetëror, shoqëror shtrëngues dhe edukativ. Mendova gjithashtu dhe kuptova edhe më mirë, se sa të drejta janë masat shtetërore të rrepta që u morën në Lazarat e Dukagjin për asgjësimin e bimëve të drogës, si dhe ato që po merren për vjedhësit e energjisë elektrike, për forcimin e Sistemit Gjyqësor etj..  Nga ato që pash sot, në këtë ditë pësimi gjurmëlënëse për mua, formova bindjen, se me siguri do arrihet rezultat, kur t’i vijë radha edhe për vjedhësit e xhepave, shtëpive dhe rrugëve, për ta zhdukur këtë lloj hajnie mesjetare, si një të keqe të madhe shqiptare të trashëguar dhe për fat të keq, ende të shpeshtë.