“Logu i Bjeshkëve” i Malësisë së Madhe dhe At Gjergj Fishta

847
Sigal

 Nga Frank Shkreli

Disa javë më
parë, ashtu si edhe çdo verë tjetër gjatë 17 viteve të fundit, në Kelmend të
Malësisë së Madhe, u organizua një aktivitet kulturor me veshje, muzikë dhe
valle tradicionale të Malësisë së Madhe. Në përgjithësi, kjo është një ngjarje
për të venë në dukje trashëgiminë historike të kombit shqiptar, si dhe bukurinë
natyrore të Alpeve shqiptare, por edhe për të pasqyruar vlerat, traditat dhe
bukurinë karakteristike të grave dhe vajzave malësore të asaj treve. Historikisht,
kjo traditë mund të rrjedhë qysh prej kohës së Ilirëve, por në të vërtetë, ky
“log” e ka zanafillën në kishat katolike të famullive kryesore anë e mbanë Malësisë
së Madhe. E mbaj mend se edhe ndër malësorët e rrethit të Ulqinit, kjo traditë
kishte mbijetuar deri aty nga mesi i shekullit të kaluar. Pas meshës, zakonisht
Ditën e Pashkëve, organizohej një manifestim ku merrnin pjesë të gjitha nuset e
asaj zone që ishin martuar gjatë vitit, ndërkohë që banorët vendas mblidheshin
për të përzgjedhur më të bukurën. Duket se tashti, “logu” i nuseve është shndërruar
në logun e vajzave të reja të moshës 16-25 vjeç, që marrin pjesë në këtë konkurrim
vjetor, për tu përzgjedhur si më e bukura e Logut të Bjeshkëve. Organizatorët,
me të vërtetë meritojnë lavdërime për këtë nismë vjetore, pasi kur të merren parasysh
rrethanat ekonomike dhe kulturore të asaj zone të shtypur egërsisht gjatë
komunizmit dhe të lënë pas dore në periudhën post-komuniste – nuk është lehtë të
organizohet një aktivitet i tillë për çdo vit. Si nip i Vermoshit, mua më bëhet
zemra mal kur shoh një manifestim të tillë të trashëgimisë historike dhe të kulturës
dhe traditave të lashta të Malësisë së Madhe. Është kënaqësi për të parë se
“logu” tashti është shumë më i sofistikuar se dikur dhe se vlera kombëtare e një
aktiviteti të tillë në ato treva të harruara ka filluar të tërheq edhe vëmendjen
e Tiranës zyrtare, diasporës dhe madje edhe vizitorëve të huaj. Fatbardhësisht,
këtë vit organizuesit kishin gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në
realizimin e sivjetmë të këtij spektakli. Vihej re se e pranishme për herë të
parë në këtë manifestim kulturor-krahinor dhe kombëtar sivjet ishte edhe Mirela
Kumbaro, Ministre e Kulturës, e cila pohoi se vizitonte për herë të parë ato
zona të Shqipërisë së Veriut. Dhe shtoi se “ndjehem me fat që Ministria e
Kulturës e mbështeti këtë ngjarje të jashtëzakonshme që mbahet tani për shumë
vite me radhë në ato troje”. Ajo u shpreh gjithashtu para të pranishëmve në
log, se nga ajo vizitë mbeti e befasuar sepse nuk kishte pritur të shikonte një
bukuri aq madhështore të natyrës dhe të ishte njëkohësisht dëshmitare e një
kulture “përrallore dhe legjendash”, por aq të dinjitetshme të malësorëve dhe
malësoreve vendase. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministrja Kumbaro përshëndeti
me ngrohtësi pjesëmarrësit dhe pjesëmarrjet që ajo i cilësoi si, “Zanat e Malësisë
së Madhe dhe malësorët”. “Tek shikoja dhe i dëgjoja, më kujtuan që gjithë ky
vend, gjithë kjo trevë e jashtëzakonshme e Shqipërisë është shumë e mbarsur me legjenda,
me gojëdhëna, me përralla me të cilat edhe ne që nuk kemi pasur fatin të lindim
në Malësi të Madhe, jemi rritë. Dhe gjithmonë kur flasim për legjenda i mendojmë
si të pavërteta”, u shpreh Ministrja Shqiptare e Kulturës. “Pohoj që është hera
e parë që vi këtu. Por sot që erdha e kuptova që ato që unë i kam ditë si legjenda
në fakt qenkan të vërteta. Sepse këto vajza, këto çika të Malësisë janë ato
zanat e vërteta me të cilat është ushqyer gjithë imagjinata jonë”. Ministrja
Kumbaro shtoi se vizita e saj në Malësi i krijoi asaj një emocion të veçantë
dhe se ndihej me të vërtetë me fat se ajo zgjodhi për të vizituar Malësinë. Për
nga natyra, preferoj që në gjithçka të shikoj më së pari anën pozitive. Në këtë
frymë edhe e vlerësova vizitën e Ministres së Kulturës në aktivitetin në fjalë.
Si rrjedhim, më erdhi shumë mirë për pjesëmarrjen e Zonjës Kumbaro në logun e
Bjeshkëve të Malësisë së Madhe por edhe për faktin siç pohoi ajo vetë, se gjatë
qëndrimit atje, ajo zbuloi se “ato që unë kam ditë si legjenda, në fakt qenkan
të vërteta. ” Pas zbulimit të këtyre të vërtetave vjen mbrojtja e këtyre
vlerave. Por, mbrojtja e këtyre të vërtetave kombëtare – të përdhunuara dhe të
harruara për një gjysmë shekulli – nevojitet më shumë se një ushtar dhe më tepër
se një vizitë në Logun e Bjeshkëve. Por, sidoqoftë ky është një hap i parë dhe
si i tillë duhet të konsiderohet pozitiv. Por, në qoftë se Ministrja Kumbaro
dhe qeveria që ajo përfaqëson me të vërtetë janë serioz që të pasqyrojnë këto
vlera arbërore të Malësisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, atëherë ata
duhet të bëjnë më shumë se veç të vizitojnë njëherë në 17 vjet, Logun e Bjeshkëve.
Në formë sugjerimi, në kthim e sipër nga Malësia për në Tiranë, Ministrja
Kumbaro duhej tu kërkonte shoqëruesve që të ndaloheshin tek “shtëpia” rrënojë e
At Gjergj Fishtës – e harruar nga të gjitha qeveritë post-komuniste – në fshatin
Fishtë, në Zadrimë të Lezhës. “Shtëpinë” në rrënim e sipër të atij Fishte, i
cili në veprat e tija interpretoi, si askush tjetër, vlerat dhe traditat stërgjyshore
të cilat Ministrja Kumbaro pohoi se i “zbuloi” në logun e Bjeshkëve, vlera këto
që me shekuj kanë pasqyruar fisnikërinë dhe tiparet e pavdekshme të malësorit
dhe të shqiptarit. Por njëkohësisht të vizitonte “shtëpinë” e atij Fishte i
cili gjithnjë edhe sot përndiqet dhe përdhunohet nga vetë institucionet e kombi
i tij, atij kombi të cilit ai vetëm nam e lavdi u mundua t’i sillte. Emri i At
Gjergj Fishtës është sinonim me Malësinë e Madhe, një emër që lartëson vlerat,
trimëritë dhe traditat shekullore të shqiptarit, një emër i cili me veprat e
tija, si Lahuta e Malësisë, edhe sot jep shpresën, ringjallë heroizmin dhe shton
dashurinë ndaj Atdheut, veti këto që fatkeqësisht mungojnë sot në radhët e
shqiptarëve. Rasti i “shtëpisë” së At Gjergj Fishtës. Megjithë deklaratat retorike
të përfaqësuesve të ndryshëm të qeverive shqiptare post-komuniste se shtëpia e
At Gjergj Fishtës do të rindërtohej dhe do të shndërrohej një muze, në përputhje
me lartësinë e këtij personaliteti të kulturës dhe të politikës kombëtare, deri
më sot asgjë nuk është bërë në këtë drejtim megjithë ofertat nga individë privat
për të marrë përsipër shpenzimet e projektit. As autoritetet qendrore as ato
vendore nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se pse nuk autorizohet rikonstrukturimi i
banesës së dikurshme të poetit. “Shtëpia” e këtij Gjergj Fishte i cili si
askush tjetër – me jetën dhe veprat e tija – gjithë jetën kultivoi dhe përjetësoi
vlerat e Malësisë së Madhe dhe mbrojti si rrallë kush të drejtat e mbarë kombit
shqiptar, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ato “legjenda dhe përralla” për të
cilat kishte dëgjuar më herët në jetën e saj e të cilat Ministrja Kumbaro tha
se më fund i zbuloi në Logun e Malësisë së Madhe, se “në fakt qenkan të vërteta”,
At Gjergj Fishta në epopenë kombëtare, Lahuta e Malësisë i pasqyron me protagonistë
të vërtetë shqiptarë, si luftëtarë të lirisë, si mbrojtës të vlerave dhe të vërtetave
historike iliro-trake dhe trashëgimtarë të vërtetë të traditave stërgjyshore. Veç
duhet të lexohet! Siç ka shkruar edhe At Daniel Gjeçaj, Lahuta e Malësisë e
Gjergj Fishtës, “Është kanga që të bën të thithish ajrin e kulluet të maleve
arbënore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që dikon nga dejtë e tokës sonë e që
kurrë nuk shterret sado tërmeti të trondisë në themel alpet e mbjelluna me
kulla-shkamb të Shqiptarit”. Ai vazhdon duke thënë se, Lahuta e Gjergj Fishtës,
“Ashtë shkolla e votrës stërgjyshore, ku rreth zjarmit mikëpritës u ruajt deri
më sot ndera, burrnija, virtyti, besa, trimnija, dashunija …. me një fjalë bërthama
e thalbi i nji kombi që nuk vdes derisa Lahuta të këndohet” dhe për derisa të
ndiqet dhe të mësohet për heroizmin dhe urtësinë e protagonistëve të saj. Fatkeqësisht,
sot Lahuta e Malësisë nuk këndohet dhe as i madhi Gjergj Fishtë nuk njihet as
nuk respektohet për meritat e tija si një zë i pashoqë i ndjenjave dhe vlerave
të shqiptarit. Sot Lahuta nuk është e tija, pasi Gjergj Fishta nuk është më. Por
duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, për vlerat kombëtare që përmban për
brezat e tashëm dhe të ardhshëm. Këto vlera nuk janë vetëm të Malësisë së Madhe
por të mbarë kombit shqiptar. Si i tillë, At Gjergj Fishta duhet të nderohet
dhe të respektohet si i YNI. Duhet t’i jepet fund, njëherë e mirë, përdhunimit
historik të kësaj figure kombëtare dhe përjashtimit të tij nga letërsia dhe historia
e kombit shqiptar!