Llukan Saqellari/ Heshtja e Kumbaros ndaj një monumenti të rrallë kulture

1201
Ka ulur kokën e u ngop së qari, herë me ligje e herë me ulërima. Ka një çerek shekulli që vajton dertet e saj. Edhe në kohën komuniste nuk i kish jetuar këto kohë të zeza. Po shkatërrohet një Monument Kulture, një kishë bizantine, me piktura të rralla murale, që shkëputen copa-copa nga trupi i saj. Dhe ikin përgjithnjë në “atë botë”! Çatia pikon dhe ujërat depertojnë gjer në kupolat e pikturuara… Hoshteva është i vetmi fshat në Jug me 23 kisha, shumica të rrëzuara. Me histori kishtare kombëtare nga më brilantet. Dhe nëqoftëse Zagoria mbeti krahinë monofetare është dhe merita e Hoshtevës. Aty, në Hoshtevë e Zagorie shtresëzohen kultura të lashta kristiane, fare të pastudiuara. Po kush i dëgjon vajtimet e Kishës së Shën Pjetrit? Shumë vendës të arsimuar janë larguar e kur kujtohen u dhemb në zemër se i vetmi argëtim i tyre ishte Kisha dhe sheshi saj. Kënga popullore e trashëguar thotë: “Dhe ca djemuri që qenë /ikën e muarr kurbenë/këtu ca çobanë mbenë…”.

Kanë mbetur pak njerëz për punë, që nuk e dinë çfarë thesaresh ka fshati i tyre. Vijnë dhe turistë dhe u bën përshtypje madhështia e saj, kultura që mbart. Shteti për 25 vjet ka bërë shurdhin. Pa le ish Komuna, e shurdhuar nga të dy veshët. Qëndrim prej sehirxhiu mban edhe Drejtoria e Monumenteve në Gjirokastër….Ulërima ka vajtur gjer te Ministresha Kumbaro, por as është përgjegjur fare. Megjithë hallin e madh që ka Kisha, i bien më qafë dhe grabitësit, hajdutët e natës. Për 25 vjet e ropën dhe e xhveshën. E lakurepsën! Pesëmbëdhjetë vjedhje i kanë bërë! E filluan me grabitjen e një ikone basoreliev të derdhur në argjend. Ja pat dhuruar një kurbetçi hoshtevjat, 100 e ca vjet më parë. Vazhduan me grabitjen e ikonave të mëdha, të vendosura mbi Ikonostas, pastaj me ikonat mesatare, midis të cilave ishte njëra me vlera të shumta, sipas studjuesit Theofan Popa. E, ç’nuk grabitën tjetër: kryqin, kungimin, shandanët, veshjet e priftërinjve, ardhur nga Amerika etj… Po fshati ç’bëri? U lodh së kërkuari ndihmën e shtetit, veçanërisht të Policisë. Policia nuk iu gjend pranë këtij “Monumenti Kulture”. Sa shefa Komisariati janë ndërruar, që i kanë lënë pa përgjigje këto vjedhje. Vetëm Polici i Zonës nuk është ndërruar prej 20 e ca vjetësh, mbase si shpërblim i mos zbulimit të vjedhjeve të Kishës Monument!

Edhe një maraz tjetër ka Kisha kokë ulur. Ditën me diell dy të ardhur në Hoshtevë blenë “dyqanin e fshatit”, ish dyqani i Kishës, ngritur në Sheshin e Kishës. Në sajë të allish-verisheve me Komunën, pronarët e dyqanit blenë dhe ish kopshtin e fëmijës, me pronar trualli Kishën. Të ardhurit “e zgjuar” e vunë në shitje dyqanin, të cilin e blenë dy hoshtevjatë. E, kështu, në truallin e Kishës, hedh shejtani valle. Po ç’thotë ligji për Monumentet e Kulturës. Këtë nuk e paska ditur as ish Komuna dhe as shitësit e blerësit e truallit të Kishës! Të parët tanë, të mençur, siguruan burimin e financimit të Kishës 200 vjet më parë. Një kullotë malore në Dhëmbel, më e mira e shoqeve, u ble në pronësi të Kishës dhe gjer më 1945, Kisha mirëmbahej si nuse bukur. Pas këtij viti, kullota u shtetëzua. Këto 10 vjetët e fundit u bënë 40 gjyqe për të njohur pronësinë e Kishës që u fitua edhe në Gjykatën e Larte. Por, ende nuk e ka kthyer AKPP! Kësaj ç’i thonë? Pare ka Kisha …e pare s’ka… Se paret e kullotës shtetërore ushqejnë korrupsionin. Në vend që të shpëtohet një Monument Kulture dhe Kisha të pushojë së vajtuari.
Sigal