Lista e Zezë, show dhe pikëpyetje

604
Nga Vangjush SARO
Jam i një mendjeje me shumë nga kundërshtarët dhe kundërshtuesit e të ashtuquajturës Listë e Zezë, paraqitur këto ditë nga Kryeministri i vendit, z. Edi Rama ku janë emrat e një sërë nëpunësve (të shtetit) për të cilët thuhet se kanë abuzuar me detyrën. Po shoh ndërkaq në shtyp dhe në rrjete një reagim kaq agresiv dhe tendencioz, si dhe përtëritjen e termave më të çuditshëm: njëri thotë ‘fletë-rrufe’, tjetri ‘vija e masave’, një i tretë flet për ‘sistem spiunimi’, dikush uron ‘e gëzofshi Ramën’… ‘përshesh shqiptar’! Ani. Vetiu lind pyetja: Çfarë duan dhe çfarë nuk duan shqiptarët? Pastaj vijnë e ikin edhe pyetje të tjera, jo më pak përvëluese dhe të shoqëruara me interpretimet e para. A është kjo një mënyrë normale për të ndëshkuar nëpunësit që abuzojnë? Jo. Po a duhen ndëshkuar ata dhe a duhet të ketë një fillim, një nxitje në këtë histori tashmë komike? Po. Epo, fundja, e përsërisim, çfarë duan dhe çfarë nuk duan shqiptarët? Kemi thënë se, ata duan shtet. Prandaj edhe ia dhanë sërish votat Partisë Socialiste dhe z. Edi Rama. Por a është kjo listë një veprim i ngutur, njëlloj paradhënieje e nxituar e asaj që mund të kenë në mendje e në program Partia Socialiste dhe z. Edi Rama? Apo kemi të bëjmë me një show, me një shfaqje, një lloj intermexoje, ndërkohë që veprimet zyrtare (Veting-u i shumëpërfolur) po vonojnë? Le ta shtrojmë pak bisedën. Është e njohur për të gjithë ajo që ndodh në Shqipëri: me gjyqet dhe me drejtësinë në përgjithësi, me operimet dhe me shëndetësinë në përgjithësi, me emërimet dhe shkarkimet e punonjësve, me tenderët, me rrugët, me licencat, me dramën ekologjike. Qytetarët e këtij vendi janë të ndarë tashmë në disa (pothuaj) komunitete dhe shkojnë në bindje e dëshira nga më të ndryshmet. Një pjesë e madhe duan shtet dhe drejtësi. Por shumë syresh e pranojnë abuzimin, sepse janë deri diku protagonistë në këtë dukuri. Shikoni katet e para të shtëpive e pallateve të Tiranës. Janë kthyer të gjitha në kafene. Deri pas mesnate vlon gjullurdia… Njësi karburanti të reja janë ngritur në mes të Tiranës, ngjit me pallatet ku jetojnë njerëzit. Ndërtimet dhe rindërtimet, si dhe oxhaqet e qebaptoreve, po ia marrin frymën qytetit më të madh të vendit. Papastërtitë gjithashtu. Institucionet po vdesin. Informaliteti po e mbyt këtë shtet. Politika, me konfliktet dhe nazet e veta, qëndron në krye të Listës (jo kësaj të fundit) së arsyeve dhe mos-arsyeve pse është kjo gjendje. Ngado që ta vërtisësh argumentin, hallet janë sa te Lista (kjo e fundit) aq edhe jashtë saj. Atëherë, duhet apo nuk duhet operuar me mjete a mënyra të tilla? Kujtimet e shqiptarëve janë të trishta nga dekadat e shkuara me përndjekje, varfëri, spiunime… Kohët kanë ndryshuar, disa terma e kanë humbur vlerën dhe ngarkesën e dikurshme. Bie fjala, edhe në vendet më të zhvilluara, qytetarët “spiunojnë”. Po. Spiunojnë kur ndodh apo ka gjasa të ndodhë një ngjarje e rëndë, kur konstatojnë shkelje të policisë apo qytetarëve të thjeshtë, kur shohin makina që luhaten në rrugë sepse drejtuesit e tyre janë të dehur, kur dikush flet në celular ndërkohë që po jep makinës, kur përdoret dhunë në familje… etj. Si do ta gjejnë gjuhën duhur shqiptarët? Duan shtet. Por vetë e menderosin çdo përpjekje për ta bërë atë. (Shtetin) Sepse atyre ua hedhin ditën dhe natën: me shembullin profan të politikës mediokre, me pluhurin e padurueshëm, me naftën e keqe, me ushqimet e pasigurta, me ndotjen akustike, me një sërë programesh të vjedhura e të stisura nëpër TV, ku (me disa përjashtime) mungon jeta e vërtetë e Shqipërisë dhe problemet reale të qytetarëve shqiptarë. Dhe ata nuk bëjnë asgjë ose nuk kanë në dorë të bëjnë asgjë për ta ndryshuar këtë pamje. Por edhe kur ngrihet ndonjë stuhi e bëhet një listë e frikshme, qytetarët, në masë intelektualët, nuk e pranojnë një sulm të tillë – për hir të së vërtetës informal – mbi një mori të dyshuarish për abuzime. Dhe kanë të drejtë. Me të vërtetë, hartimi dhe publikimi i kësaj liste ka hapur shumë telashe. Por meqë Kryeministri, z. Edi Rama, është nisur të qeverisë (edhe) duke dëgjuar zërin e qytetarëve, le ta bënte një anketë edhe për këtë listë, pra e donin njerëzit, nuk e donin, e mendojnë kështu apo ndryshe… Në mënyrë formale, zyrtare, nuk ka asgjë që mund të lidhë Veting-un me një Listë të Zezë. Pra, anomalitë e jetës duhet të paraqiten më së pari në dyert a zyrat e Drejtësisë, sepse kështu funksionon Demokracia. Institucionet janë ato që vendosin – sipas parimeve dhe të drejtave që iu janë dhënë – çfarë është mirë e çfarë është keq, ku apo cilët janë abuzimet dhe abuzuesit. Qeveria dhe Kryeministri (duhet të) inkurajojnë institucionet të veprojnë sipas ligjeve të vendit, ndërkohë që ata vetë (duhet të) prodhojnë dhe përpiqen të aplikojnë politikat më të mira në shërbim të vendit e të qytetarëve. Në këtë vështrim, qytetarët duan shtetin, por jo mbretin. Duan ndëshkimin e abuzimeve dhe të abuzuesve, por jo përmes abuzimit të një lloji të ri (ose të vjetër) që vjen erë autoritarizëm dhe anarki. Në të drejtën e tyre, qytetarët që e kanë zgjedhur Kryeministrin dhe që, ndërkaq, e kanë yshtur atë me informacionin në fjalë, kanë parë që Drejtësia është shumë e shumë larg qëmtimit dhe mbështetjes së të vërtetës; dhe këtu nuk ka asnjë sekret, fundja edhe kjo Listë e Zezë (ku çuditërisht mungojnë shumë të “zinj” të tjerë,) është shprehje e një realiteti të caktuar dhe e një padurimi që gjithsesi duhet formalizuar. Kështu, prapë, përshtypja më e verifikuar mbetet ajo që e percepton këtë listë si një show, si një shfaqje, për të treguar se po punohet, sa iu takon pretendimeve të votuesve dhe premtimeve që u bënë në fushatë. Ndërkohë, pikëpyetjet në këtë temë, janë të panumërta dhe mbeten e djegin si ky zhur i verës së sivjetme. 
Sigal