Lirim LLANAJ/ Kur ordinerët u bënë “të burgosur politikë”

598
Sigal

Fillimisht, po tregoj me pak fjalë, “persekutimin e dytë” të familjes sonë, prej zyrtarëve të qeverisë që shkoi dhe injorancës së krerëve të Shoqatës së ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Babai ynë, Xhemal Ibrahim Llanaj, ka qenë oficer akademist, me studime ushtarake të kryera në Itali. Pushtimin fashist italian e priti me pushkë dhe u hodh në lëvizjen nacionalçlirimtare, ku dha një ndihmesë të vyer. Mbas çlirimit, vazhdoi të kryente detyrën si oficer në një formacion ushtarak me qendër në Tiranë. Por, ai nuk ishte për ushtrimin e dhunës dhe të terrorit mbi njerëz të pafajshëm. Nuk ishte për komunizmin, por për nacionalizmin dhe për çështjen kombëtare. Mendimet dhe bindjet e tij politike i shprehu haptas në mbledhjet që bëheshin. Kësisoj, komunistët e futën në listat e atyre që duhej të vriteshin pa gjyq. Këtë gjë ai e mësoi nga një shok i tij besnik. Prandaj, pa vonesë u hodh në arrati, duke iu bashkuar luftëtarëve të lirisë që ndodheshin nëpër male. Mbas disa luftimeve dhe përpjekjeve me forcat qeveritare të ndjekjes, ai mbeti i vrarë. Për meritat e tij, ish Presidenti Sali Berisha e dekoroi në vitin 1994, së bashku me dy të tjerë, të rënë heroikisht në atë përpjekje të armatosur kundër komunizmit.

Mirëpo, ish-kryetari i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë të Shqipërisë, z. Kurt Kola, nga pakujdesia ose nga injoranca e tij, në dokumentet që ia përcolli Presidencës, e shkroi gabim emrin e babait tim, ndonëse dekoratën e morëm pa e vënë re atë ndryshim të emrit, nga Xhemal Ibrahim Llanaj, në Xhemal Llan Him. Gjithashtu, ai nuk ia dërgoi Presidentit edhe dokumentet e tjera përkatëse, si Certifikatën, Proces-Verbalin , etj.. Këto veprime të gabuara të drejtuesve të Shoqatës, bënë që familjes sonë t’i hiqej e drejta e dëmshpërblimit financiar. Çështja ka shkuar deri në Gjykatë dhe ende nuk po gjen zgjidhje.
Ndërkohë, në vitin 2009, i patëm dërguar një letër ish- Kryeministrit Berisha, për këtë problem. Por, çuditërisht nuk morëm asnjë përgjigje prej tij. Në atë letër, ndër të tjera, shtronim edhe disa pyetje, të cilat mbetën pa përgjigje. Midis atyre, ishte edhe pyetja: Kush quhet i dënuar politik? Kjo, për arsye se asokohe po spekulohej shumë, duke marrë atributet e të dënuarit politik si dhe vlerësimet e përfitimet që garantonte ky status, persona që nuk e meritonin. Normalisht, të dënuar politikë, quhen ata që janë pushkatuar, burgosur ose internuar për motive të mirëfillta politike, që kanë pasur ideale kombëtare, demokratike, antidiktatoriale. Por, nuk mund të quhet i tillë, një njeri pa kurrfarë idealesh e bindjesh politike, i cili ka kryer një ose disa krime ordinere dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit, ka tentuar të arratiset jashtë shtetit, është kapur dhe burgosur. Pastaj është gjykuar e dënuar sipas Nenit 64 të Kodit Penal, për “Tradhti ndaj Atdheut”, dhe është dërguar në burgun politik. Ishte një anomali e asaj kohe, që këta elementë ordinerë, të dënoheshin në bazë të atij Neni, që shkonte nga dhjetë vjet privim lirie e deri me vdekje, dhe të emërtoheshin e të trajtoheshin si “të burgosur politikë”. Janë me qindra a me mijëra të tillë.
Disa kanë grabitur e vjedhur pronën vetjake, shoqërore ose atë shtetërore, dhe sapo janë diktuar, kanë vrapuar drejt kufirit për të shpëtuar lëkurën, pa menduar aspak për familjet e tyre. Ka edhe mjaft raste  vrasjesh a plagosjesh për motive të dobëta, nga persona që përfunduan në burgun politik. Dikush, prej një familjeje komuniste, që nuk kishte asnjë arsye për t’iu kundërvënë atij regjimi, ka rënë në burg vetëm për një aventurë dashurie me një femër të huaj. Por, edhe ai quhet “i burgosur politik”dhe ulërin më shumë se të tjerët për “të drejtat e mohuara”. Të tjerë kanë kryer vepra të turpshme ose incest me kushërirat dhe vetëm sepse janë kapur në kufi, kanë marrë titullin “politikanë”. Shumë prej këtyre tanimë njihen nga publiku i gjerë. Megjithatë, ata ndihen krenarë se kanë qenë “të burgosur politikë”! Regjimi komunist i quajti dhe i burgosi si të tillë, për dy arsye: së pari, që të krijonte panik në popull e sidomos tek të rinjtë, të cilët ëndërronin të shkonin jashtë shtetit. Së dyti, që këta njerëz të botës së krimit, t’ua nxinin jetën të burgosurve politikë të vërtetë, që kishin mbetur nëpër burgje, të cilët në shumicën e tyre ishin të moshuar e të rraskapitur nga vuajtja e gjatë. Dhe ishin persona të tillë, pa bindje politike e pa moral të shëndoshë, që përpunoheshin e rekrutoheshin më lehtë nga operativët e Sigurimit të burgjeve dhe të kampeve të punës. Ka pasur raste kur këta rrugaçë, të instruktuar nga operativi i Sigurimit, kanë keqtrajtuar intelektualët, priftërinjtë dhe të burgosurit e vërtetë politikë, duke iu grabitur ushqimet dhe duke krijuar përplasje midis grupimeve krahinore e fetare, siç tregon edhe At’ Zef Pëllumbi, tek libri i tij “Rrno për me tregue”. Mbas vitit 1990, ishin po këta që kërkonin më shumë se të tjerët dëmshpërblimin, punë të zgjedhura dhe prona nga pasuria kombëtare, e cila u nxor në ankand. Disa nga këta u veshën policë dhe u bënë shefa pa shkollë. Të tjerë blenë me “letra me vlerë” ndonjë hotel, ndonjë fabrikë, tokë në bregdet apo prona të tjera. Bijtë dhe bijat e të pushkatuarve për arsye politike,  të burgosurit e vërtetë politikë, si edhe të internuarit për motive politike, të cilët nuk u angazhuan me ndonjë parti, nuk përfituan asgjë; mbetën pa punë e pa prona. Nuk morën dot as një shtëpi falas, megjithëse ligji dhe Statusi ua garantonte, (në letër), këtë të drejtë. Rritja artificialisht e numrit të ish të burgosurve politikë, me ata ordinerë, e ka rënduar faturën financiare, duke e vështirësuar zgjidhjen e problemit të dëmshpërblimit. Ish të burgosurit ordinerë rrahin gjoksin si “ish të dënuar politikë” dhe kërkojnë të zhvatin ndonjë gjë për vete. Ata dalin e flasin nëpër mediat, në emër të ish të dënuarve politikë të vërtetë, pa qenë të autorizuar. Kërkesat e tyre përmblidhen vetëm tek dëmshpërblimi financiar. Të tjerat, si: “dënimi i krimeve të komunizmit”, “gjetja e eshtrave dhe rivarrimi i të rënëve nga plumbat e regjimit diktatorial”, “ngritja e memorialëve për të mos harruar të kaluarën komuniste”, “zbatimi i ligjeve që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike e morale të kësaj shtrese“, “punësimi me përparësi i bijve dhe bijave të ish të dënuarve politikë, tanimë me arsim të lartë e mastera”, “gjithëpërfshirja dhe pjesëmarrja e kësaj shtrese në veprimtaritë shoqërore, kulturore dhe ekonomike”… të gjitha këto, për ordinerët e konvertuar në të “burgosur politikë”, janë vetëm disa terma abstrakte që nuk ia vlen të përmenden fare. Ndërkohë, Ish të dënuarit e vërtetë politikë dhe bijtë e bijat e tyre, duke humbur besimin tek veprimi i shtetit ligjor dhe tek vendosja e drejtësisë, kanë zgjedhur heshtjen, sipas mentalitetit “Ç’më duhet mua të merrem me horrat?” Kjo ka bërë që ata të vazhdojnë të përfaqësohen nëpër mediat e kudo, nga disa elementë ordinerë, të cilët përdoren lehtësisht nga politika, sipas situatave që paraqiten.