Lëreni këngën labe të këndohet sipas zakonit të brezave dhe jo sipas interesave…

1361
Përparim HALILI
Debati ka plasur prej afro 3 vitesh, mes disa individëve që nëse guxojnë të belbëzojnë qoftë edhe një varg kënge labe do të “lemerisin” gjithë Labërinë, por që janë të ligjëruar e të pozicionuar si përfaqësues biznesi privat edhe me këngën labe, duke u paraqitur në institucione shteti dhe në komunitetet shqiptare në rajon, në Europë e në botë me “copa kartoni” tip “licenca”, që i mbajnë varur në qafë sa herë që prezantohen si “profesorë të labçes” dhe kërkojnë fonde, por që edhe pse jepen financime miliona lekë, nuk dihet ku shkojnë, mbasi nuk jepet asnjë llogari nga ata që i kërkojnë, që i marrin e bëjnë letrat nëpër banka e nëpër xhepa. Aq keq janë ndarë grupet e këngës labe në kundërshtarë, sa babai mbron labçen polifonike, djali mbron labçen iso-polifonike që mbledh miliona fonde, por në dasma e ahengje ulen e këndojnë të dy palët njësoj! Çfarë po ndodh? Ashtu si “përleshësit” për sojin dhe llojin e këngës labe, as unë nuk jam studiues i kësaj kënge, por me sa kam dëgjuar e lexuar, kënga labe është quajtur “kënga polifonike” dhe si të tillë e këndonin deri në vitin 1990 edhe në grupet folklorike amatore të minierës së qymyrgurit në Memaliaj, madje edhe kur këndohej nëpër autobusë nga minatorët, djem të Tepelenës, Vlorës, Dhemblanit, Shkozës, Kalivaçit, Dukajt, Bënçes, Luzatit, Hormovës, Rexhinit, Dukatit, Tërbaçit, Salarisë etj., ku prej disa vitesh padyshim bënte pjesë edhe inxhinieri i nderuar Sejmen Gjokoli, i cili në ato vite ishte një nga amatorët e “Grupit Polifonik të Minierës”, paçka se rreshtohej në grup me qylaf më kokë e ia bënte vetëm “eeeeeee”, sa për të plotësuar një kënaqësi shpirtërore si djalë i Labërisë së poshtme. 

Mirëpo lënga labe është bërë “sebep sherri” mes dy grupesh, që duket se nuk e kanë hallin tek fati dhe historia e kësaj kënge që nuk është krijuar me tender bashkie, ministrie e qeverie, por me shpirt shumë shekullor, me tekste të kaluara brez pas brezi pa autorë e pa… noteri! Janë botuar edhe albume, almanakë, tekste këngësh e literaturë studimore historie të këngës polifonike labe, disa prej të cilave edhe janë deformuar e shëmtuar me mballoma fjalësh, vargjesh, strofash e stile bajate shtesë, pikërisht prej “profesorëve” të sotëm. Nëse do të ishte gjallë tekst-polifoniku i shquar Maliq Lila, patjetër që do të prononcohej e do të thoshte, se kënga labe është “polifoni”. Mirëpo “Polifonia” po tentohet të quhet “Iso-polifoni”, me “argumentin shkencor” të diktuar prej përfaqësuesve të kësaj “rryme”, sipas të cilëve “Isopolifoni” e ka shkruar në letra zyrtare përfaqësues i “UNESKO” edhe për Shqipërinë, një grek me origjinë nga malet e Pindit, i cili vuri si kusht ndryshimin e cilësimit të këngës labe shqiptare nga “Polifoni”, në “Isopolifoni”, siç e ka greku dhe lëvroi 600 mijë euro fond në një adresë llogarie bankare të grupit të “profesorëve” dhe “gërmonjësve” që i mbajnë “Isopolifonisë” greke, siç thotë edhe “biri” i grabitqarit të trojeve shqiptare Panajotis Barkas, që deklaron se “labçja polifonike shqiptare është Isopolifoni greke dhe se është vjedhur nga shqiptarët”! Në fakt nuk është vjedhur, por grekët i kanë ndryshuar “emrin në pasaportë” (si emigrantëve), duke paguar 600 mijë eurot e UNESKO-s, të cilat i depozituan në një llogari bankare, që nuk zbardhet. 

Grupi që ka përlarë milionat e UNESKO-s me firmën e grekut e quan “Isopolifoni”, ndërsa grupi tjetër e quan “polifoni”. Nuk më intereson aspak debati që po bëhet mes dy “grupeve shkencore”, sepse edhe pse debatohet, kënga labe po vazhdon të këndohet ashtu siç e do zakoni e jo ashtu siç thonë “shkencëtarët” që zihen për “zbulimet e tyre”. Më shqetëson e më irriton fakti, që këta tenderxhinj nuk po e lenë rehat këngën labe të gjëmoj lirshëm, ashtu “vendçe” siç ka lindur e siç na e kanë lënë trashëgim të parët. Janë dy-tre grupe “filozofësh”, të cilët për interesa personale financiare e egoiste, disa edhe në të drejtë të argumentit motivues, që i kanë ndarë në “çeta” grupet e këngës labe në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. I kanë “mobilizuar” nëpër “transhe lufte” kundër njeri-tjetrit, duke i përdorur “si ushtri” personale deri me lista anëtarësie në shoqata, deri me joshje me ekskursione brenda e jashtë shtetit, deri me peticione në qeveri, ministri, firma biznesi e ambasada, duke hedhur baltë mbi këngën labe. Këta janë ata “tutorët” që edhe prej këngës labe duan të nxjerrin përfitime. Mund të ndash copa tokash, lokale, pallate, vila e fonde, por nuk mund të ndash në pjesë këngën labe. Ajo është NJË dhe do të mbetet NJË trup, sepse e tillë ka ardhur që prej lindjes, si një trup e nuk mund të bëhet “fërtele” nga ata që ndeshen për t’i vënë mballoma “matrikujsh”, duke e quajtur “polifoni”, apo “iso-polifoni”. Në konceptin tim, kënga labe që këndohet nga “lebërit safi” e jo nga ata që “hingëllijnë” koncerteve për pagesa të sponsorizuara me jargavitje për të imituar lebërit e për të plotësuar numrin e grupit, nuk është as polifoni e as iso-polifoni, por është thjeshtë dhe vetëm “këngë popullore labe”. 

Nëse më kundërshtoni, më thoni ju lutem, se ku është përmbajtja “popullore” në emërtimin “Polifoni”, mbasi siç dihet, “poli” (polifoto-poliedrik, poliagjent), do të thotë “shumë zëra” (foni-jo shqip). Atëherë, çfarë zëri (foni) është kjo? Se me sa dihet, kënga labe ka si tregues vetëm zërin e bashkuar popullor, pa muzikë qoftë edhe me dy vetë, por pa “DJ” (dixhej), pa përpunime teknike studiosh muzikore. Ju thoni është “polifoni” e “iso-polifoni?!! Iso ka, por foni nuk ka, mbasi në këngën popullore labe, nuk kam dëgjuar të thuhet “dridhe foninë”, por “dridhe zërin”. Iso ka dhe ka shumë zëra isosh, sepse kur këndonin “burrat e parë”, pas çdo vargu të këngës labe, njeri nga thënësit ose kthyesit, thërriste fuqishëm gjatë pauzës së fjalëve “iso djema”, dmth që kishte shumë zëra isosh. Mjafton ky fakt, që “regjisorët” dhe “profesorët” e polifonisë e kanë hequr si element “ndezës” të fuqisë dhe emocionit të këngës labe, për të thënë që ju ia fusni kot fare kur vini e hiqni emërtesa për këngën labe. Ju po e përdhosni këngën labe. Nëse doni të kuptoni se ku e keni katandisur këngën popullore labe atë që këndohej me “damar koke e gryke”, mjafton t’ju kujtoj se i keni ngjitur këngës labe “mballoma” banale e bajate si skena me drita diskosh, tymnaja e zhurma muzikore. Keni lejuar e lejoni grupe të ashtuquajtura “labe”, që këndojnë këngën labe me minifunde e dekolte, me fizarmonika, violina e kitara PUB-esh, me kostume të qepur shëmtuar tek stilistët e diskove. Të veshur me këpucë “sherifësh”, me geta, kollare e pantallona xhinse, madje edhe pa qylafë, me meshkuj me vathë në vesh e femra me pirs në hundë, buzë, vetull e gjuhë. Pra, ju nuk e lini këngën labe të këndohet me zë, me iso e me veshje si “në kohë të vetë”.

 Mos bëni sikur jeni ju “mitra” e këngës labe. Kënga labe, nuk ka lindur as sot që kryetar shoqate është Yzeiri, as kur Sejmeni u diploma në “Master arti”, as ku Fitim Caushi këndonte për të marrë disa ditë pune pushim si “amator”, as kur profesor Bardhoshi fëmijë përsëriste në prehrin e gjyshit këngët labe që këndoheshin me “7 palë nure” nëpër dasma. Nuk ka lindur kënga labe, as kur “shkencëtari” Vaso Tole nga Përmeti, gjeti sponsor dhe bëri një libër “shkencor” për t’u treguar lebërve, se çfarë është ajo që po këndojnë… lebërit! Lebërit o “profesora”, këndojnë atë që u thotë zemra e që e kanë përcjellë brez pas brezi. Ata këndojnë edhe kur janë vetëm, pa zë, por me mërmërima nëpër stane, nëpër bokorima, në porta shtëpish në meditime gëzimesh, hallesh e dertesh, duke korrur misër e bar, majë pemëve, duke krasitur pemë e duke u “grindur me gruan” në avlli të shtëpisë. Ju një “ushtri” me profesorë ndaheni e ziheni, ndërsa kur bashkohen dy lebër “grupin” lab, atë grup e atë këngë që ju doni ta ndani në… grupe e në “marka”. Kur bëhen dy, lebërit këndojnë atë që quhet kënga labe, atë që sot njeri e quan polifoni e tjetri iso-polifoni. Lebërit nuk këndojnë as me urdhër, as me vendim gjykate, as me ftesa brenda e jashtë vendit, as kur dalin fondet nga ministria, as kur është dita e festivalit, as kur i thërrasin se vjen kryeministri, apo kryetari i partisë për miting, as kur inaugurohet çerdhja, as kur i teket ndonjë biznesmeni të paguaj suflaqe për drekat e darkat, kartat e telefonit, apo biletat e autobusit të grupit. Sepse ndryshe, nuk do quhej këngë labe, por “këngë pune biznes”. Se ndryshe do të quhej këngë labe edhe bejtja “labe”, që iu këndua Rrapush Xhaferrit në Tepelenë në vitin 1995, me tekstin: 

O Rrapush, o gjeneral,
Hajde të puthim në ballë,
Pa punë, lekë na jep trefish,
Po pimë verë e po hamë mish.
Ose mund të quani e të fusni në fondin e këngës labe si “këngë labe” (polifoni-isopolifoni) edhe bejten komike që iu këndua në fushatë elektorale në Berat, ish-Kryeministrit Sali Berisha, me këto vargje: 
O Sali t’u bëfsha ferrë,
I nderuar në çdo derë,
Merr pushtetin dhe njëherë,
Krahë-për krah me Lefterë. 
Që të mos zgjatemi, kam një mesazh: “Lërini lebërit ta këndojnë këngën labe sipas zakonit të brezave dhe jo sipas interesave…”.
.
Sigal