Lefterie Lleshi, kamikaze e KQZ-së!

623
Sigal

Refleksion/Numëruesit e votave që …(nuk) duhet të dënohen

E gjithë procedura e rinumërimit të votave është një …komedi, e cilën  buron  dhe prodhon  vetë Kodi Zgjedhor, ndonëse mbi kokat të emëruarve në gjithë administratën zgjedhore qëndron e varur, si shpata e Demokleut,  dënimi me ( 7 ) vite burgu,  për këdo që  shkel Kodin Zgjedhor. Nëse do të kishim me të vërtetë  një administratë zgjedhore të paanshme, jo politike, kurrë nuk do të ndodhte kjo komedi që po ndodh me procesin paszgjedhor në Shqipëri. Që është pranuar nga të gjitha palët politike rezultati, që është pranuar nga të gjitha palët politike se zgjedhjet u zhvilluan normalisht. Por… tani, gati 30 ditë nga zgjedhjet, palët politike të përpiqen që të mos njohin rezultatin. Atëherë, cila është e vërteta? Përse luhet kjo komedi në dëm të demokracisë tonë? Kujt  forcave politike u intereson ky destabilitet demokratik në Shqipëri?

Interesi partiak mbi çdo standart demokratik!

PD-PS në situatën paszgjedhore, nuk duan që të gjejnë shkeljet e vërteta ligjore. Por,  mundohen që të gjejnë se kush nga njerëzit e tij ka treguar  më shumë “zotësinë” në kurriz e në dëm të palës tjetër politike. PD-PS, njerëzit i kanë emëruar në administratën zgjedhore vetëm me një kriter. Detyra e ngarkuar partiake e gjithsecilit  të emëruar në administratën zgjedhore ka qenë që të bëjnë gjithçka që vota t’i shkojë partisë së tij. Gjithçka, që kanë në dorë.  Pak rëndësi ka ligji…juridik, përparësi ka ligji partiak! Qoftë si Kryetare e KQZ-së, qoftë si anëtarë të KQZ-së, e kështu me radhë, te kryetar e anëtarë i  KZAZ-ve e deri, si  anëtarë e numërimit të votave. Dhe kur militanti partiak, ngarkohet  me detyrë nga partia e tij, që të bëjë  “gjithçka” në postin që i “mirëbeson” në administratën zgjedhore, ka vetëm një kuptim. Të manipulojë votën në interes të partisë të tij. Që të kryejë këtë detyrë partiake, militantit i garantohet nga partia se koka e tij do të jetë e paprekshme nga …ligji!

Lefterie Lleshi, kamikaze politike në KQZ

Kryetarja e KQZ-së,  Lefterie Lleshi qëllimisht sabotoi projektin pilot të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimin elektronik në Qarkun e Tiranës, edhe pse dha nga buxheti i shtetit 4,3 milionë euro për të ligjësuar dështimin. Edhe pse ndaj Kryetares së KQZ-së është bërë një padi penale, deri tani Prokuroria hesht. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi i sabotoi këto projekte dhe u zbardh tani pse-ja. Në Qarkun e Fierit, kandidati i pavarur Dritan Prifti pretendon se i janë vjedhur mbi 6. 000 vota.  Po të ishte zbatuar numërimi elektronik, askush nga palët politike nuk do të kishte mundësinë të dyshonte. Ankesën  e Priftit, për rinumërimin e votave, Kryetarja e KQZ-së, Lleshi e hedh në …kosh, ngaqë kështu e ka urdhrin partiak, pavarësisht se ç’thotë Kodi Zgjedhor. Në Qarkun e Lezhës, nga rinumërimi, u evidentuan se shumë zgjedhës, edhe pse nuk kanë ardhur në Shqipëri ditën e votimit, dikush ka votuar në emër të tyre. Asnjë nga palët politike nuk kërkoi që të bëhej rinumërimi i votave në gjithë Qarkun e Lezhës, por Kryetarja e KQZ-së dha urdhër të bëhet rinumërimi në gjitha Qarkun, sepse kështu e urdhëroi  partia edhe atë, edhe pse nuk thotë kështu Kodi Zgjedhor.LSI-ja, partia e tretë, në saj të rezultateve të deritanishme, kërkon, në bazë të Kodit Zgjedhor, të rinumërohen votat në Qarkun e Kukësit, mirëpo Lefterie Lleshi urdhëron “JO!” sepse kështu e urdhëron partia, edhe pse në relaks, urdhëron rinumërim të votave të Qarkut të Shkodrës, me kërkesën e PR-së, sepse kështu e urdhëron partia. Dy standardet e Lleshit, janë edhe mohimi pa asnjë justifikim bindës,  që i bëri kërkesës të kandidatit Prifti, për rinumërim në Qarkun e Fierit. Kështu që KQZ-ja, me kryetare Lefterie Lleshi, nuk mund të jetë një institucion i pavarur kushtetues, i besueshëm dhe i respektueshëm. Dhe Lefterie Lleshi vepron si një kamikaze partiake në krye të KQZ-së!

Numëruesit janë segmente të urdhrit partiak

Kush mund të besojë se “gabimet” e numërimit të votave, nga numëruesit janë gabime rastësore, janë gabime jo të qëllimta, ose gabime të bëra vetëm nga koka e numëruesve? Të gjithë e kanë të qartë, që mbrapa “gabimeve” të numërimit të votave, janë urdhrat partiakë që ka marrë çdo numërues. Për atë detyrë numëruesi u përzgjodh nga partia në atë detyrë. Prandaj, asnjë nuk është i interesuar që ligji të prekë gjithë ata numërues që kanë manipuluar votat. Sepse ata kanë zbatuar urdhrin partiak, ndaj kanë edhe imunitetin ligjor nga partitë që i kanë urdhëruar. , Gjithë lufta politike  tani, bëhet nga partitë, që të gjejnë “fajtor” atë që manipuloi më shumë, në dëm të tjetrit. Prandaj, askush nuk e beson se vërtet do të zbatohet ligji penal ndaj atyre numëruesve që kanë vjedhë votat. Nëse vërtet palët politike, e sidomos PD-PS,  janë të interesuara dhe duan që vota të mos vidhet, të mos manipulohet, le të depolitizojnë administratën e zgjedhjeve nga militantët partiakë. Që nga Kryetari i KQZ-së, e deri te numëruesi më i thjeshtë. Që të mos ketë  asnjë Lefterie Lleshi kamikaze, as në KQZ, as në KZAZ, por as edhe në QV-të!