Lavrovi mbron krimin ruso-carist

970
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Para ca ditësh, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, ishte për vizitë në Beograd. Gjatë asaj vizite ai shprehu shqetësimin e Moskës lidhur me planet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe për pasivitetin e Bashkimit Evropian për këtë çështje. Ai deklaroi: “Natyrisht që neve nuk mund të mos na shqetësojë pasiviteti i Bashkimit Evropian lidhur me nismën që vjen nga Tirana për të ashtuquajturën “Platformë e Tiranës”, e cila është një thirrje e hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe” (Citohet sipas:“Lavrovi komentoi idenë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe””. Faqja e internetit “Ria Novosti”. 21 shkurt 2018). Ndërsa lidhur me ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni, Lavrovi ka deklaruar me shqetësim: “Fare pak kohë më parë, kur në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, kryetari i parlamentit, i zgjedhur në këtë post, hyri në kabinetin e vet dhe në tryezën e punës vendosi flamurin shqiptar” (po aty). Njëkohësisht, mjetet ruse të informimit masiv bëjnë të ditur se gjatë vizitës në Beograd, Lavrovi paska lëshuar edhe një deklaratë tjetër. Ai paska thënë: “Moska është e gatshme të dalë në rolin e ndërmjetësit në bisedimet e zgjeruara mes autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës” (Citohet sipas: “Rusia është gati të dalë në rolin e ndërmjetësit në bisedimet Serbi-Kosovë”. Faqja e internetit e gazetës “Izvestia”. 21 shkurt 2018). 

Për dijeninë e kryediplomatit rus, në leksikun e gjuhës shqipe nuk ekziston absolutisht termi “Shqipëri e Madhe”, një term ky i shpikur nga diplomacia dhe politika grekosllave dhe i përkrahur fuqimisht nga diplomacia dhe politika ruse. Në leksikun e gjuhës shqipe ekziston vetëm termi “Shqipëri Etnike”, e banuar nga shqiptarë rrënjës gjatë shekujve. Se ku shtrihet “Shqipëria Etnike”, Sergej Lavrovi le ta mësojë, duke shfletuar Fjalorin Enciklopedik Rus, botim i Akademisë së Shkencave të Peterburgut, i cili ka dalë nga shtypi në vitin 1896. Le të lexojë atje zërin “Albania”, f. 359. Me këtë rast, dëshiroj që Sergej Lavrovit t’i kujtoj se me deklaratën e tij kundër të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, ai, si përfaqësues i lartë i diplomacisë dhe i politikës ruse, vazhdon të mbrojë me xhelozi krimin rusocarist dhe të ndjekë me besnikëri traditën armiqësore të diplomacisë ruso-cariste kundër kombit shqiptar. Sepse perëndimi evropian na i copëtoi trojet tona etnike pikërisht nën presionin e diplomacisë dhe të politikës ruso-cariste, duke filluar nga Kongresi famëkeq i Berlinit. Këtu po ndalem vetëm në ca momente kulmore, për të nxjerrë në pah faktin se politika ruso-cariste, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor në periudhat e kthesave historike për fatet e kombit shqiptar, qëndrim ky që është kultivuar me shumë kujdes në radhët e mbarë opinionit publik rus. 

Së pari, kur diskutimi i çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që u mblodh më 10 qershor 1878, fuqitë evropiane u mblodhën në Kongresin e Berlinit dhe më 13 korrik të po atij viti, nën presionin e fuqishëm të Rusisë, nënshkruan një traktat famëkeq për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Para nënshkrimit të atij traktati, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo, paraardhës carist i Sergej Lavrovit, interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34). 

Së dyti, kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht Rusia ishte ajo, e para, që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu, më 27 tetor (9 nëntor) 1912, në një telegram sekret që i dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej: “Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë” (Citohet sipas librit: “Faktori shqiptar në zhvillimin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Dokumente. Vëll. i parë (1878-1997)”. Shtëpia Botuese “INDRIK”. Moskë 2006, f. 57). 

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov, paraardhës carist i Sergej Lavrovit. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan: “Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahe nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”. Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79). Në këtë mënyrë, Rusia përgatiste terrenin për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, që u konkretizua me vendimin e Konferencës famëkeqe të Londrës që u mor më 30 maj 1913. Sipas atij vendimi famëkeq, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Rusisë, mbetën ¾ e trojeve tona etnike.

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia, që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste greko-sllave.

Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka pasur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan: “Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Rusia cariste gjatë luftës botërore”. Shtëpia Botuese “Mezhdunarodnoje otnoshenjija. Moskë 1991, f. 129). Në takimin me ambasadorin francez, perandori rus i çelte rrugën zhdukjes një herë e mirë nga harta e Evropës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti pas Konferencës së Londrës, zhdukje që do të shpallej me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës që u mor më 26 prill 1915 dhe ku Rusia luajti violinën e parë. Pra, nëse diplomacia dhe politika ruse do të dëshironin të kishin marrëdhënie vërtet korrekte me Republikën e Shqipërisë dhe me mbarë shqiptarët në trojet tona etnike, atëherë ajo, pikë së pari, duhej t’i kishte kërkuar ndjesë me kohë kombit shqiptar për qëndrimin tejet armiqësor që ka mbajtur ndaj tij diplomacia ruso-cariste, të konkretizuar me hallakatjen e shqiptarëve nëpër disa shtete ballkanike. Lidhur me deklaratën e Lavrovit për dëshirën e diplomacisë ruse për të marrë pjesë si ndërmjetëse në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, mund të thuhet ballazi se ajo tingëllon naive, për të mos thënë paradoksale. Si është e mundur që Moska të kërkojë të marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në bisedime të tilla, kur ajo nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur? Jo vetëm kaq, por gjatë tërë kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë, Moska mori në mbrojtje Millosheviçin, u radhit përkrah Serbisë gjatë krimeve dhe shkatërrimeve të jashtëzakonshme që ajo bëri në Kosovë, duke e konkretizuar simpatinë e saj për Beogradin me regjistrimin në Moskë ditën për drekë të 70 mijë vullnetarëve para dyerve të ministrisë së mbrojtjes, për të shkuar në frontin e luftës dhe për të vrarë shqiptarë. Jo vetëm kaq, por përfaqësues të lartë zyrtarë rusë dolën dëshmitarë në mbrojtje të Millosheviçit gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Sergej Lavrovi nervozohet dhe ngrihet kundër ligjit që aprovoi parlamenti i Maqedonisë për gjuhën shqipe, si gjuhë të dytë zyrtare. Ky është një tjetër qëndrim paradoksal i kryediplomatit rus kundër popullit shqiptar të Maqedonisë, i cili, faktikisht, përbën 40% të popullsisë së atij vendi. Me sa duket, Lavrovi nuk ka arritur të shkëputet dot nga mendësia e ish-perandorisë sovjetike, kur Moska mundohej t’i rusifikonte ish-republikat sovjetike edhe nëpërmjet gjuhës ruse, duke lënë pas dore gjuhët e kombësive. Kur njihesh me qëndrimin tradicionalisht armiqësor të diplomacisë dhe të politikës ruso-cariste ndaj kombit shqiptar dhe me mbrojtjen e saj nga ana e diplomacisë dhe e politikës ruse të ditëve tona, sidomos me rreshtimi e saj përkrah kriminelit Millosheviç për masakrat dhe shkatërrimet e rënda që bëri në Kosovë, nuk mund mos të të vijë ndër mend fjalimi i avokatit të shquar rus Vasilij Maklakov, i mbajtur në Dumën ruse në gusht të vitit 1915. Moris Paleologu, në kujtimet e lartpërmendura, ka shkëputur nja frazë mjaft domethënëse nga ai fjalim: “Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon” (po aty, f.9). Mirë është që ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ta ketë të qartë se Çështja e Ribashkimit të Trojeve Tona Etnike vazhdon të mbetet e ankthshme që asokohe kur perëndimi evropian, nën diktatin e shovinizmit carist rusomadh, i copëtoi në mënyrën më barbare nga trungu amë. Kjo Çështje Madhore e kombit shqiptar kërkon zgjidhje, kërkon zhbërjen e padrejtësisë që atij iu imponua me dhunë nga fuqitë e mëdha evropiane. Kërkesa për kthimin e atij borxhi që na kanë fuqitë e mëdha evropiane, ushton fuqishëm në vargjet poetike, në këngët popullore që burojnë nga shpirti i popullit dhe në këngët e kultivuara të artistëve të talentuar, apo në intervista dhe artikuj publicistikë. Çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare nuk mund dhe nuk duhet të heshtë para deklaratave të tilla të papërgjegjshme që ka lëshuar kryediplomati rus gjatë vizitës së tij në Beograd. Normalisht, kundër deklaratave të Lavrovit në Beograd duhej të ngrihej dhe të protestonte fuqishëm klasa politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Por, fatkeqësisht, në trekëndëshin në fjalë, nuk mund t’i kërkohet klasës politike shqiptare të reagojë siç duhet ndaj deklaratave të lartpërmendura të Lavrovit, sepse artin e nënshtrimit dhe të servilizmit para të huajve ajo e ka yll karvani. Kjo është vërtetuar katërçipërisht që në dhjetorin e vitit 1990, kur në Shqipëri u vendos sistemi pluralist. Ishte rasti më ideal që kjo klasë politike të dilte botërisht me platformën e zhbërjes së vendimeve të Konferencës famëkeqe të Londrës dhe të kërkonte me zë të lartë Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur. Por klasa politike shqiptare heshti, paçka se pas vitit 1990, në Evropë u ndryshuan shumë kufij dhe u krijuan 18 shtete të reja. Le të shpresojmë se një ditë të bukur do të dalë në skenë një tjetër klasë politike shqiptare, me vetëdije dhe me moral të lartë kombëtar, e cila do të luajë rolin që i takon, duke siguruar përkrahjen e mbarë kombit shqiptar. Le të shpresojmë se kjo klasë e re politike do të bëhet Kryezonjë e Idesë Madhore për Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike, duke e përzënë nga skena e jetës shqiptare klasën e tanishme politike pa vetëdije dhe pa moral kombëtar, servile të regjur dhe kurrizshtruar shembullore para të huajve. 
San Francisko, Kaliforni
Sigal