Lavdosh Ferruni: Qeveritarët e pa vaksinuar dhe sëmundshmëria në rritje

845
Lavdosh Ferruni

Vendi vuan nga shkatërrimi i shpejtë i qelizave vitale të trupit të tij, nga Valbona, në Krujë e në Tomor e në Butrint, e padyshim edhe në Tiranën e sëmurë nga alergjia e shtuar e pallateve e kullave. Fieri është nën ethe, në këtë fillim viti. Plagëve të vjetra prej plehrave të kudo ndodhura vetëm se u shtohen të reja. Në mënyrë që mos të shkatërrohet mjedisi, jeta e njerëzve, sot e për të ardhmen, në vitet 70 njerëz të mençur në vendet e zhvilluara shpikën një vaksinë, që mori njohje ligjore ndërkombëtare për t’u zbatuar në vitin 2001, dhe që e ka pranuar e firmosur edhe Shqipëria. Kjo “vaksinë” u quajt “Konventa Aahrus” (shkurt “Aahrus”). Aahrusi kërkon që për çdo vendim investimi që afekton mjedisin dhe njerëzit, duhet ndërtuar në dokumentacion i qartë që të tregojë, që për këtë vendim njerëzit janë informuar dhe duhet të marrin edhe ata pjesë në vendimmarrje. Qeveritarët në Shqipëri e dinë që ekziston kjo vaksinë, e dinë që e kanë edhe detyrim ta bëjnë, por nuk e bëjnë se në trupin e tyre me “imunitet” (imunitet që po dobësohet) mund të bëjnë ca gjëra, që po të bëjnë vaksinën nuk i bëjë dot, p.sh mund të pasurohen brenda ditës, duke firmosur një koncesion. Në Shqipëri është e zakonshme që të falsifikohen “vaksinat”. Kështu ka ndodhur me TEC-in e Vlorës, me HEC-et në gjithë vendin, nga Lengarica në Poçem në Vjosë e në Valbonë etj, e së fundi me inceneratorin e Fierit.

Rasti i inceneratorit të Fierit
A e thonë dot këta qeveritarët e pa vaksinuar se banorët e fshatit Verri në Fier ku tashmë është vërsulur policia për të rrahur banorët, të cilët po kundërshtojnë vendimin për ndërtimin e djegësit të plehrave pranë shtëpive të tyre, nëse kanë marrë pjesë në hartimin e projektit të inceneratorit aty dhe që ata apo një pjesë e tyre janë dakord? Që ata duhet të marrin pjesë në këtë vendim e shkruan ligji. Dhe ata që nuk e kanë zbatuar ligjin duhet të ndëshkohen dhe puna deri sa të zbatohet ligji duhet pezulluar. Nëse pjesëmarrja e komunitetit dhe publikut realizohet dhe faktohet qeveria mund të veproj edhe në kundërshtim me komunitetin dhe publikun e gjerë dhe ligji nuk e pengon qeverinë të veproj, por asnjë qeveri në një vend të zhvilluar nuk do të vepronte në rast të një kundërshtimi të gjithë komunitetit, pasi kjo rrezikon jo vetëm komunitetin e prekur drejtpërsëdrejti, por gjithë vendin. Në këto raste kemi me shumë të ngjarë lulzim dhe bekim të korrupsionit, konflikte të forta sociale, sëmundshmëri të lartë me kosto të madhe edhe publike, shkatërrim të pakthyeshëm të mjedisit. Inceneratori në Fier është rast tipik i vendimmarrjes nga qeveritar të pa vaksinuar që gjeneron vetëm fatkeqësi. Dihet që inceneratori sado modern të jetë (nuk ka shanse që të jetë i tillë ky i Fierit) prodhon nga plehrat që djeg gazra shumë helmuese si dioksinat e furanet, grimcat ultra të imta, metale të rënda fluturuese shumë toksifikuese dhe të rrezikshme, që precipitojnë në bimët, në tokë, në ujërat e më pas edhe në zinxhirin ushqimor, e më pas në tregjet dhe tavolinat e çdo banori te këtij vendi, pa u kuptuar edhe kur OBSH jep statistika të rritjes së vdekshmërisë së parakohshme. Këta banorë që preken më shumë (fshatrat për rreth dhe qyteti ) si për ironi do paguajnë disa herë më shumë për të përballuar kostot më të larta të menaxhimit të mbetjeve me djegie, arsye për të cilën OKB nuk e rekomandon këtë metodë në vendet në zhvillim. Ky toksicitet si i inceneratorit të Fierit nuk ka detoks që e shëron. Ka vetëm një ilaç, parandalimi i toksifikimit. Banorët e dinë këtë dhe po lufojnë. Ata meritojnë mbështetje. 
Sigal