Lahuta e Malësisë grabitet nga Serbia dhe pranohet nga UNESKO

1211
Sigal

Dr. Qemal Lame

Ka ndodhur një falsifikim flagrant i historisë dhe grabitje e trashëgimisë kulturore të qytetërimit të lashtë shqiptar dhe nuk ka reagim të fuqishëm zyrtar nga institucionet shtetërore dhe shkencore të vendit tonë.

Në nëntor 2018, UNESKO ka futur Lahutën në listën e trashëgimisë kulturore serbe: “Serbian gusle”, në shqip “Lahuta serbe”.

Tjetërsohet pronësia e një instrumenti origjinal muzikor ku materializohet historia dhe tradita e kombit shqiptar në hapësirën gjeografike veriore të territoreve të tij etnike.

UNESKO ka vlerësuar dokumentacionin e paraqitur nga Serbi. Për të arritur në një gjykim objektiv dhe dinjitoz, ishte e domosdoshme të merrte dhe të vlerësonte mendimin e Shqipërisë, si anëtare e po kësaj organizate. E nevojshme do të ishte edhe marrja e mendimit nga Kosova, megjithëse për shkak të ndërhyrjes së padrejtë të Serbisë dhe mosarritjes së numrit të votave nuk u pranua për të dytën herë në këtë organizatë.

Për të njohur dhe arritur në përfundime të drejta për origjinalitetin e trashëgimisë kulturore, të Eposit të Kreshnikëve, të Lahutës së Malësisë, do të mjaftonin të dhënat e hershme të depozituara në fondin e vetë kësaj organizate. Në Paris, ku ajo ka selinë, ka dokumente të shumta për Shqipërinë e shqiptarët. E nevojshme dhe dobiprurëse do të ishte edhe krijimi i bindjes po të dërgoheshin ekspertë në Shqipëri dhe në gjithë viset ku jetojnë në trojet e tyre të lashta shqiptarët, duke përfshirë edhe ata që ndodhen akoma në territorin e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës. Kjo është një ngjarje që në mënyrë flagrante, në kohën e sotme të qytetërimit modern botëror, falsifikohet historia e origjinës së lashtë të një instrumenti muzikor tipik origjinal shqiptar. Trashëgimia kulturore Eposi i Kreshnikëve dhe Lahuta e Malësisë masakrohen zyrtarisht nga UNESKO dhe lejohet të grabiten e tjetërsohen në favor të shteti dhe populli të ardhur dhe të vendosur në trojet shqiptare! Pas falsifikimit të historisë së lashtësisë, të mesjetës dhe të periudhës pas Traktatit të Shën Stefanit, ndryshimit të emërtimit të Gadishullit Ilirik në Ballkanik të realizuara me qëllime të mirëfillta politike, ndodh papritur e padrejtësisht copëtimi i trashëgimisë kulturore të qytetërimit shqiptar dhe tjetërsimi me argumentime kulturore, por që përmbajnë po qëllime politike.

Me grabitjen e Lahutës, mohohet historia dhe trashëgimia kulturore origjinale shqiptare që ka një vend të rëndësishëm në trashëgiminë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Serbia na ka grabitur kishat katolike e ato ortodokse, i ka bërë pronë të saj dhe i vlerësohen si trashëgimi serbe. Tani do të ketë një dokument ndërkombëtar për trashëgiminë kulturore të grabitur shqiptarëve dhe do ta quaj po pronë të saj!Në qendër të Beogradit qëndron një monument me figurën e një malësori që mban në kokë një qeleshe, që është në fakt dëshmi e qytetërimit shqiptar. Në historinë e Serbisë kanë dhënë kontributin e tyre edhe shqiptarë të asimiluar nga ideologjia e sllavizmit antishqiptar. Shqiptarët e asimiluar në serb kanë historinë e tyre në shtetin dhe shoqërinë serbe. Mbreti serb Petar I, që ka kryer krime mizore ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, në shtypin beogradas të kohës së ardhjes së tij në pushtet, ai ka deklaruar vetë se ka prejardhjen nga fisi i njohur shqiptar Kelmendi.

Lidhjet midis kulturave ndihmojnë në miqësinë midis shqiptarëve dhe serbëve. Por personat që kanë kryer krime dhe zbatuar politikën antishqiptare, nuk mund të merren si argumente për të grabitur trashëgiminë e kulturës shqiptare.

Nuk mund të merren si argumente as kultura e shqiptarëve të asimiluar ose që i kanë rezistuar asimilimit e zhdukjes kombëtare në Serbi. Trashëgimia kulturore e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Serbi mbetet trashëgimi e kombit shqiptar. Serbia nuk ka të drejtë të përvetësojë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve që ndodhen akoma nën pushtimin e territoreve.

Fatkeqësisht, nga UNESKO janë pranuar si trashëgimi kulturore të Greqisë, të kulturës artificiale helene, trashëgimia e lashtë e shqiptarëve-arvanitasve. Kjo demonstrohet zyrtarisht edhe në veshjen e fustanellën shqiptare të Gardës Kombëtare para Parlamentit të Greqisë.

Lahuta është vegla muzikore e Shqipërisë Veriore, e malësorëve tanë. Atë e gjejmë kudo në në Krujë, në Veriperëndim, pastaj Malësi e madhe, Hoti e Gruda, Kelmendi, Kastrati, Rranxat e Shkodrës, Dukagjin, Postrribë, Shllak, Nikaj-Merturi, si dhe në zonat e Malësisë së Gjakovës, Sanxhakut, Luginës së Preshevës etj.

Lahutën e gjejmë aktualisht pothuajse në çdo familje të emigruar nga këto treva shqiptare dhe të vendosura në vende të tjera, në Shqipëri dhe kudo në Evropë, Amerikë, Kanada, Australi etj.

Pothuajse në asnjë shtëpi të serbëve nuk gjenden Lahuta dhe nuk këndohen këngë të Eposit të Kreshnikëve. Në çdo aktivitet kulturor në Shqipëri dhe kudo në botë është e pranishme Lahuta dhe këngët e Eposit të Kreshnikëve. Eposi i Kreshnikëve, këngët tradicionale të lashta dhe ato moderne të trevave veriore shqiptare kanë bazën dhe lidhjen organike të tyre me melodinë e Lahutës. Ndodhemi para një gjendjeje faktike tragjike. Nuk është publikuar akoma se si kanë vepruar konkretisht përfaqësia jonë në UNESKO, Akademia e Shkencave, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës.

UNESKO ka publikuar me kohë kërkesën e Serbisë. Përse nuk ka reaguar në kohë përfaqësia jonë në këtë organizatë?Është e domosdoshme të reagohet fuqimisht nga institucionet trashëgimisë kulturore, sidomos Akademia e Shkencave, Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Shqipërisë. Kemi detyrim kombëtar të mbrojmë historinë dhe trashëgiminë kulturore, si dhe të kontribuojmë në korrigjimin e historisë dhe kulturës sonë të falsifikuar në dobi të argumentimit e imponimit të historisë e kulturës së Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë etj., të ndërtuara artificialisht në hapësirën gjeografike dhe popullsinë etnike shqiptare.

UNESKO është e domosdoshme të ruajë paanshmërinë, objektivitetin dhe gjykimin e bazuar në dëshmitë dhe jetën në vazhdimësi të popujve të shteteve që kërkojnë njohjen e trashëgimisë kulturore. Për këtë qëllim është themeluar dhe kështu mbrohet qytetërimi dhe kultura botërore.