Ky është dështimi i menaxhimit qeveritar

852
Kastriot Xefraj
Demonstrimi i djeshëm i naftëtarëve, gënjeshtrat e pafundme të ministrave dhe qeverisë aktuale kanë marrë fund. Askush nuk i beson më ata. Shfaqja e djeshme ishte një përsëritje e turpshme e akrobacive dhe njëkohësisht e papërgjegjshmërisë totale se si pushteti i trajton punonjësit e tij, se si kapitali më i madh njerëzor përbuzet dhe tallet. “Nesër ju do të merrni pagat. Punëdhënësi do të marrë kredi.” E thonë ministrat. Pra, kredi për të paguar pagat. Bankers, kompania që furnizon me lëndë të parë, thotë kompania se ka krijuar borxhe. Pra shkurt, kompania s’ka para, por i bie që ministrat të detyrojnë bankat t’i japin para për këtë punëdhënës që ky fundviti të shtyhet. Dhe çfarë parash, paratë e kursimeve të popullatës! Dhe bankat duhet ta japin kredinë se s’bën, edhe pse s’kanë asnjë garanci. Çfarë force paskan këta ministra mbi bankat, po mbi punëdhënësin? Por pse e kanë lënë deri këtu situatën? Por kur shikon ecurinë kjo është një situatë e çuditshme. Por ajo që duket tej ecurisë është edhe shfaqja apo menaxhimi qesharak, ku vetë ministrat përgjegjës kanë luajtur rolin e blofit.

Tashmë del në skenë përsëri Ministri Gjiknuri, i cili është një outsider, një xhol në zgjidhjen e kësaj situate, duke e konsideruar situatën e ARMO-s mjaft të komplikuar. Ai e pranon zyrtarisht me shkresa që nuk merret me ARMO-n. Dhe ju mos u merrni më me të. Në Ministrinë e Gjiknurit të thonë, se historia me ARMO-n ka vdekur. Pra të gjithë në ministri e dinin se me ARMON qeveria i ka larë duart si Pilati. Ajo që qeveria ka bërë, është lënia në mëshirë të fatit e pasurisë kombëtare e të ardhurave që mungojnë në buxhet, për shkak të allishverisheve të parave të pista, që qarkullojnë në zyrat e jakave të bardha, që menaxhojnë dhe përdorin këtë pasuri publike. E theksoj publike, sepse askush nuk ka paguar për ta blerë, por thjesht janë investuar për të vjedhur shtetin në tre metoda duke pasur si objekt ARMO-n pa para.

1- Metoda e parë është: Gjoja ndryshimi i pronësisë nga shtet në Privat. Kjo pronësi u bë pa para sepse në vitin 2012 dhe vitin 2013 banka azere ka deklaruar (shihni vendimin gjyqësor nr 468 datë 03.08.2012 të Gjykatës së rrethit gjyqësor të shkallës së parë Tiranë) se këto para nuk ishin dhënë për privatizimin, por si një fond financiar për marrëdhëniet midis bankave), të cilën banka e kishte përdorur jashtë marrëveshjes?!. Përgjegjësia? Kryeministri i asaj kohe së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Kjo solli rezultatin e parë të mega vjedhjes, sepse asnjëherë dhe në asnjë rast nuk vërtetohet analiza e kryerjes së investimit, riskut dhe përgjegjësisë qeveritare, të cilët kishin detyrë analizimin e borxhit, burimeve financiare për marrjen borxh, teknikat se si ky borxh duhet merrej të shlyhej dhe si mbulohej me kolateral. Po kështu edhe transparenca e burimeve financiare. Ndërsa roli i bankës së Shqipërisë duhet të ishte vendimtar, sepse asaj i erdhën nga një bankë e Azerbajxhanit një fond kaq i madh në euro pa destinacion për blerjen apo privatizimin e shoqërisë ARMO, të marra si kredi nga privatizuesi zyrtar në emër personal. As agjencia e pastrimit të parave nuk foli. Kush dhe pse iu dhanë paratë atij apo atyre. Çfarë garancie kishin? Si vikërkan paratë pa destinacion dhe Banka ia jep pa të keq dhe pastaj kujtohet se nuk i kishte parë letrat si duhet? Përse del në fund të operacionit prapë Banka? Cili është roli i saj i vërtetë? Kush fshihet pas saj? Pse nuk investigon prokuroria?

2- Forma e dytë ishte marrja e parave të publikut në banka duke marrë kredi dhe duke lënë kolateral, po këto pasuri. Pra, pasi u bënë pronarë pa lekë, thanë se tashmë na duhen lekët dhe e zhytën ARMO-n në kredi. Kjo është bërë me ndërgjegjen më të plotë të bankave sepse: 

a- Këto banka ishin në dijeni që pasuria e aksionerëve të rinj të ARMO-s ishte minimale dhe e tërë vlera e saj ishte gjoja kredi nga Azerbajxhani. 
b- Ato kryhen një rivlerësim pasurie duke 8 e 10-fishuar vlerën e aseteve afatgjatë, me qëllim rritjen fiktive të kapitalit të vet. Kjo i hapte rrugë marrjes së kredive më të mëdha. Ndërkohë që bankat duhet të analizonin ecurinë e pasqyrave financiare dhe investigonin mbi shkaqet e rritjes së papritur të kësaj vlerë, kur një raport ekspertimi ishte kryer para procesit të privatizimit.

c- Shoqëria nuk kishte fitime përkundrazi humbje dhe asnjë element nuk garantonte dhënien e kredive dhe kthyeshmërinë e tyre.

d- Shoqëria duke qenë aksionere dhe nga ana tjetër strategjike, banka ishte në dijeni të plotë se ajo nuk mund të merrte kurrsesi asnjë pronë dhe aq më shumë nuk mund të konfiskonte elemente thelbësore të saj, në rast dështimi të kthimit të kredive, elemente që lidheshin me funksionimin e saj si shoqëri për përpunimin e naftës. Pastaj shoqëria ishte në proces gjyqësor me Albpetrol për shuma mbi 20 milionë euro.

e- Vetë statuti dhe ligji mbi bankat në Shqipëri ndalon që bankat të ushtrojnë funksion industrial. Veprimtaria e tyre ka të bëjë me tregun e parasë dhe produktet e këtij tregu. Ajo s’mund të marrë misione falimentimi dhe aq më shumë të drejtojë të tilla misione. Për këtë arsye këtyre bankave që janë zhytur në këto aktivitete u duhet hequr licenca. Përfshirja në operacione të tilla nënkupton që kupola menaxheriale merr pjesë nga kjo mega vjedhje, e cila është njësoj me atë të vjedhjen e parave të furgonëve që vidhen në Rrugën e Rinasit apo në Rinas nën kushtin e e transferimit të tyre.

3-Metoda e tretë e vjedhjes së shtetit janë tatimet. Evazioni fiskal. Çdo vit, që kalon gropës i shtohen 50-60 milionë euro nga forma çuditshme e funksionimit të ARMO-s. Dhe këto janë paratë e taksa paguesve shqiptarë, të cilët kanë krijuar një ministri financash dhe ekonomie, një administratë tatimore për të mbikëqyrur dhe grumbulluar çdo pare, por askush nuk e bën ose bën sikur nuk e shikon atë. Këtu nuk përfshihen punonjësit dhe furnitorët. Ata si ka askush në llogari.

Këtij presioni të këtyre të fundit ku qeveria aktuale (e majtë) dhe ajo e larguar (e djathtë) janë munduar t’i shmangin me dy rrugë, rrugën e dajakut dhe shtyrjes duke i mashtruar. Ata u mashtruan edhe dje.

Qeveria e djathtë, kur ndryshoi pronësinë u tha punonjësve që s’kishin marrë pagat dhe nuk u ishin paguar detyrimet, se blerësi garantonte shlyerjen e detyrimeve ndaj punonjësve, bankave dhe furnitorëve. Kjo ishte një lëvizje taktike me synim ruajtjen e përfitimeve të kësaj qeverie në ikje me votë dhe pastrimit të saj nga poshtërsitë e aplikuara mbi punonjësit dhe furnitorët dhe kreditorët e tjerë. Firma e datës 31 korrik e ministrit të PD-s ishte akti i fundit prej së cilës duhet të fillonte hetimi.

Qeveria e majtë fillimisht me ministrin xhol Gjiknurin, i cili s’ka asnjë përgjegjësi mbi kurriz, përveç faktit që kjo industri duhet të punojë sipas kushteve dhe rregullave teknike dhe teknologjike, “mori” përsipër zgjidhjen, ndërkohë, që zgjidhjen reale e dha ish- ministri socialist i Financave të vitit 2013, i cili lejoi kompaninë të punonte në kundërshtim me ligjin, pasi aktiviteti i saj ishte i bllokuar nga tatimet dhe se kompania nuk paraqiste asnjë burim financiar për mundësinë financiare të borxheve të mbartura për të vijuar punën dhe shlyente kreditorët dhe punonjësit. Nuk ka asnjë memorandum mbi shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, qoftë me vullnet të mirë, qoftë me marrëveshje ristrukturimi borxhi, qoftë me administrim të përkohshëm të shpenzimeve dhe praktikave tregtare. Për më tepër qeveria socialiste nuk denoncoi qeverinë e mëparshme për aferën korruptive dhe nuk bëri asnjëherë transparencë, se cila ishte kompania blerëse dhe se ku ishin mjetet e saj financiare që do fuqizonin këtë sektor përpunimi. Në asnjë rast ministri i ekonomisë i atëhershëm nuk është shprehur publikisht ashtu sikurse edhe sot nuk del t’u japë përgjigje punonjësve që si pronar i 15% aksioneve të ARMO-s i ka vjedhur ata, duke mos u dhënë pagat dhe duke mos iu paguar sigurimet e tyre. Vendimet e asamblesë së aksioneve i ka apo s’i ka firmosur ai, ose i autorizuari prej tij, janë dëshmi e përgjegjësisë së tij personale dhe se atij i është dhënë funksioni ta administrojë, zhvillojë dhe të shtojë vlerën e kësaj pasurie dhe jo të nëpërkëmbet nga bankat dhe firmat fantazmë që gjoja e kanë marrë me qira nga bankat që të menaxhojnë paskrupull këtë pasuri publike. Sa është vlera e aksioneve të ARMOS sot z. Ministër? Për këtë çështje i takon prokurorisë të merret. Ajo që bën përshtypje në tërë këtë maskarallëk është varfërimi i tejskajshëm i kësaj shtrese.

Pse?
Së pari, nuk janë vetëm pagat dhe sigurimet e papaguara por edhe dinjiteti i tyre. Ky shtet nuk i mbron këta qytetarë, s’ia fut thonjtë në grykë aksionerëve të paskrupullt, të cilët jetojnë në mes të luksit, por e ka më të lehtë të merret me viktimën. Duhet të kishte ligje që çdo punëdhënës, i cili nuk paguan punonjësit brenda muajit, nuk u siguron atyre kushtet e punës, nuk u siguron pagesat e kontributeve, por përdor edhe kontributet e mbajtura nga paga e tyre të dënohet me kod penal, duke i privuar jetën dhe pasurinë, me marrjen e indicieve. Ndryshe ARMO të tjera do të kemi. Ka sot shumë punëdhënës që nuk japin pagat në kohë duke investuar apo përdorur paratë e pagave të punonjësve dhe këta janë shumicë.

Së dyti, këta punonjës kanë humbur të drejtën e përfitimit të vjetërsisë në punë. Ndryshimi i pronarit pa asnjë marrëveshje midis ARMO-s dhe firmave apo firmës që e ka “blerë“ që në rastin e shkurtimeve nga puna me kontratën e re nuk e njeh kushtin e vjetërsisë plus kësaj rriten tendencat e punës së zezë duke luajtur me kartën e paskrupullt të varfërisë së tejskajshme.

Është fatale që drejtohemi nga këta qeveritarë që i tregojnë punonjësve se… kjo kompani menaxhohet nga privatët. Por nga cilët privatë? Nga ata që s’kanë paguar asnjë kacidhe?
Por edhe po të ishin privatë që kishin paguar para, punë e madhe! Këta privatë duhet të jenë njëlloj të përgjegjshëm para ligjit dhe jo të lejohen të shijnë mbi kurrizin e naftëtarëve. Është pikërisht ministri aktual i Financave përgjegjës direkt për falimentimin e ARMO-s dhe mosdhënien e pagave punonjësve të reja apo të prapambetura. Vendimet gjyqësore të fituara nga punonjësit janë pirg, duke bllokuar çdo veprimtari të ARMO-s, ku ky ministër përfaqëson shtetin me 15% të aksioneve. Hapeni ekstraktin e ARMO-s dhe do të shihni vendimet e sekuestros. Si u shitka prona fizike pa ndryshuar numri i aksioneve zotërinj qeveritarë?! Askush nuk mund të lëvizë një pronë pa u kryer procedurat në QKB. Këta punonjës kanë mbi dy vjet që kanë fituar por s’ka në marrë rrogat e tyre. Përse z Ministër ke lejuar vjedhjen e punonjësve? Ti je përfaqësues i 15%. Ti mbron të drejtat e tyre. Ktheju vlerën punonjësve që kanë fituar gjyqet. Kjo është pyetja që nuk do të të ndahet edhe kur s’do të jesh më ministër. Sepse atë ditë do të fillojë edhe kalvari juaj për të shpëtuar nga përgjegjësitë penale për ARMO-n. Kështu ju rezultoni palë direkt në vjedhje, sepse jeni ju aksioner i saj zyrtarisht.
Naftëtarë! Po ju vjedhin që të gjithë, madje edhe qeveria, sepse privati po se po. Qeveria përbëhet nga njerëz që nuk kanë përgjegjësi për ju. Për ta ju jeni thjesht njerëz që punoni tek privatët, që s’keni asnjë lidhje me qeverinë, pra kjo është një qeveri që ju ka harruar, që ju ka dorëzuar tek këta privatë, që t’ju vrasin dhe t’ju vjedhin dhe ajo të dëfrehet me ta, me paturpësinë e radhës. Harron qeveria që ju jeni kapitali më i madh i këtij vendi dhe jo paratë apo investimet fizike të jakave të bardha.
Sigal