KUVENDI I PARTISË DEMOKRATE TË AMERIKËS

570
Sigal

Këtë javë, Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara mban Kuvendin e saj për të ri-emëruar zyrtarisht si kandidatë të saj edhe për një afat tjetër katër vjeçar, Presidentin Barak Obama dhe Zëvendës-Presidentin Xho Bajdën, për t’u përballur në zgjedhjet e përgjithshme për president në nëntor, me kandidatët e Partisë Republikane Mit Romni dhe Pol Rajën, të cilët, në Kuvendin e Partisë Republikane javën që kaloi, pranuan emërimin si kandidatë për president dhe zëvendës president të partisë së tyre.

 Prej datës 4 deri më 6 shtator, mbi 6,000 delegatë nga çdo shtet e territor i Shteteve të Bashkuara — më shumë se çdo herë tjetër në histori — do të mblidhen në qytetin Çarlotë të Karolinës së Veriut për të marrë pjesë në Kuvendin e Partisë Demokrate, ku Presidenti  Barak Obama do të pranojë emërimin e tij si kandidat i kësaj partie, për president të Shteteve të Bashkuara.   Katër vjet më parë, Zoti Obama u zgjodh presidenti i 44-ët i Shteteve të Bashkuara.   Një listë e gjatë folësish është përgatitur me emrat e senatorëve, kongresistëve dhe guvernatorëve demokratë, si dhe aktivistëve të Partisë Demokrate, të cilët,  me fjalimet e tyre gjatë punimeve të kuvendit prej tri ditësh, do t’u drejtohen delegatëve dhe votuesve amerikanë në përpjekje për t’i bindur ata se Presidenti Obama dhe Zëvendës-presidenti Bajdën meritojnë edhe katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë.  Ndër folësit e parë dhe kryesorë do të jetë Zonja e parë, Mishel Obama dhe ish-Presidenti Xhimi Karter.  Pritet që ditën e dytë të kuvendit, ish-Presidenti Bill Klinton, i cili gëzon gjithnjë popullaritet të konsiderueshëm në radhët e demokratëve, dhe është një ndër oratorët më të mirë të Partisë Demokrate, ta tundë kuvendin me fjalimin e tij, të mërkurën mbrëma. Një ndër fjalimet kryesore do të jetë edhe ai i Senatorit Xhon Kerry i shtetit Masaçusets, dhe ish-kandidat për president i Partisë Demokrate kundër ish-presidentit Xhorxh Bush më 2004 — i cili tani në pozitën e tij si kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, pritet të flasë mbi sukseset e administratës së Presidentit Obama në fushën e politikës së jashtme, gjatë katër vjetëve të kaluar.   Por, fjalimet kryesore të Kuvendit, natyrisht, rezervohen për zotërinjtë Obama dhe Bajdën, të cilët pritet që ditën e tretë të kuvendit — të enjtën mbrëma– të  pranojnë emërimin nga kuvendi dhe të zyrtarizohen si kandidatë të Partisë Demokrate për president dhe zëvendës-president të Shteteve të Bashkuara.

 Kuvendet e dy partive kryesore në Amerikë, për emërimin e kandidatëve të tyre për president janë natyrisht ngjarje të rëndësishme politike për amerikanët.  Por si të tilla, ato tërheqin jo vetëm vëmendjen e medias amerikane, por edhe interesimin e medias ndërkombëtare, për këtë proces politik që është unik për zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të Amerikës, politikat e të cilit do të influencojnë jo vetëm jetën e përgjithshme në këtë vend, por falë rolit të Amerikës si superfuqia e vetme në botë — dashtë e pa dashtë — influencon edhe marrëdhëniet ndërkombëtare.  Ashtu siç ndodhi javën e kaluar në Kuvendin e Partisë Republikane në Tampa të shtetit Florida, edhe në Kuvendin e Partisë Demokrate këtë javë, do të marrin pjesë përfaqësues dhe udhëheqës politikë të ftuar nga shumë vende si edhe përfaqësues të medias ndërkombëtare nga e gjithë bota.

 Gjithashtu, siç është zakon dhe traditë për mbledhje të tilla kombëtare këtu në Amerikë, grupe të ndryshme protestuesish kanë njoftuar planet e tyre se do të jenë të pranishme  edhe gjatë punimeve të Kuvendit të Partisë Demokrate në qytetin Sharlotë të Karolinës së Veriut, për të venë në dukje ankesat dhe moskënaqësitë e tyre në përgjithësi, dhe për të protestuar kundër politikave të administratës Obama.

 Zoti Obama u zgjodh president i këtij vendi, katër vjet më parë, në një valë moskënaqësie popullore që kishte përfshirë vendin ndaj gjendjes së keqe ekonomike dhe nga lodhja e popullit amerikan me luftërat në Irak dhe Afganistan.   Gjatë fushatës për president, katër jetë më parë, me parullat ”Shpresë dhe Ndryshim” dhe ”Ndryshim në të cilin mund të besojmë”, Zoti Obama premtoi shumë gjëra, përfshirë edhe reformimin e sistemit shëndetësor të Amerikës.   Megjithëse ky ligj kundërshtohet ashpër nga republikanët dhe nga një shumicë e popullit amerikan, Gjykata e Lartë ka vendosur se pjesët kryesore të këtij legjislacioni janë kushtetuese dhe si të tilla qëndrojnë.   Presidenti Obama ose zëdhënësit e tij, gjatë kuvendit,  do të mbrojnë, ato që mund të konsiderohen si arritjet  dhe sukseset e shënuara të administratës së tijë gjatë katër vjetëve të kaluara, përfshirë edhe stimulimin ekonomik për të shpëtuar nga falimentimi kompanitë e automobilave Xheneral Motors dhe Krajslër. Në fushën e politikës së jashtme, administrata e Presidentit Obama do të marrë kredinë për vrasjen e krye-terroristit Osama bin Laden, gjatë një operacioni ushtarak super-sekret në Pakistan.   Administrata e Presidentit Obama ka treguar gjithashtu një agresivitet të jashtëzakonshëm ndaj eliminimit të terroristëve të ndryshëm, në Lindjen e Mesme dhe në Pakistan.   Ndër të tjera, ai pritet të theksojë, gjithashtu, edhe shtimin e numrit të forcave ushtarake në Afganistan dhe nënshkrimin e një traktati për kontrollin e armëve me Rusinë, bashkëpunimin me NATO-n dhe me organizatën e Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e problemeve botërore, si suksese në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike, republikanët, por edhe disa analistë politikë bëjnë krahasime midis administratës së Presidentit Obama dhe administratës së ish-presidentit Xhimi Karter duke thënë se pyetja që ish-presidenti Ronald Reagan e bëri të famshme në fushatën e tij kundër ish-Presidentit Karter, ”A jeni tani më mirë se katër vjet më parë?” është me vend edhe këtë vit dhe se do të përdoret nga republikanët në fushatën kundër presidentit Obama, të bindur se shumica e amerikanëve do të përgjigjeshin në mënyrë negative.  Por, në pritje të kësaj pyetjeje, zëdhënësit e Presidentit Obama janë gati me përgjigjen e tyre, përfshirë edhe njërin prej këshilltarëve kryesorë të Presidentit Obama, zotin Dejvid Aksëlrod, i cili i tha rrjetit të televizionit amerikan Foks se ”mund të them se jemi në gjendje më të mirë, përsa i përket ekonomisë, se ç’ishim katër vjet më parë  –në kuptimin se kur Presidenti Obama filloi nga detyra, ne ishim duke humbur 800.000 punë në muaj, ” dhe shtoi se ai, ”mendon se amerikanët e kuptojnë se kriza që arriti kulmin në vitin 2008, mori disa vite për të arritur nivelin në të cilin ishte në vitin 2009 dhe se do të marrë kohë të dalim nga kjo krizë”, përfundoi këshilltari i Presidentit Obama.

 Por republikanët venë në dukje shifrat që flasin për një gjendje ekonomike të vështirë, përfshirë papunësinë që tani është në nivelin 8,3 për qind si dhe borxhin kombëtar që vjen e  rritet çdo ditë, duke arritur në 16 trilionë dollarë.   Për më tepër, në një sondazh të kohëve të fundit nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma Ipsos thuhet se, 76 për qind e amerikanëve besojnë se vendi është në rrugë të gabuar dhe 73 për qind të atyre që u pyetën thanë gjithashtu se nuk janë optimistë për krijimin e vendeve të reja të punës.

Zgjedhja e Presidentit Obama katër vjet më parë ishte si diçka krejtësisht e papritur në politikën amerikane.  Pothuaj pas katër vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama mund të mburret me disa suksese në politikën e jashtme, por ekonomia mbetet për te një problem serioz.  Gjatë Kuvendit të Partisë Demokrate këtë javë, folësit kryesorë demokratë si dhe vet presidenti Obama dhe zëvendës-presidenti Bajdën – për të fituar votën e tyre në nëntor — do të përpiqen të bindin amerikanët se ekonomia është duke u përmirësuar dhe se gjendja ekonomiko-financiare në përgjithësi është stabilizuar.  Por pas të gjitha deklaratave dhe fjalimeve të zjarrta,  fjalën e fundit do ta kenë votuesit amerikanë në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.