Kush e varfëron popullin?

158
Bardhyl Berberi 

Druaj, se prej disa kohësh, me ne shqiptarët po fillojnë të tallen e të qeshin, jo vetëm fqinjët tanë, por dhe më gjerë. Ata tallen me varfërinë tonë, me korrupsionin dhe sidomos me kanabizimin e vendit. Me një njeri, me një grup njerëzish apo edhe me një shoqëri, nëse do të tallesh dhe qeshësh, së pari duhesh ta varfërosh e ta bësh të varur. Kur je i varur dhe nuk ke mundësi të bësh asgjë pa ndihmën e dikujt, kur të diskutohet buka e gojës, atëherë rritet edhe mundësia e një varësie totale. Kështu e ndodh që mund të bësh edhe gjëra jashtë natyrës tënde, madje të merresh edhe me pisllëqesh; të mbjellësh drogë apo ta ujitësh atë për llogari të trafikantëve, për të marrë një pagesë-lëmoshë që të mbash fëmijët me bukë. E vërteta e hidhur përmban raste kur jo pak prej këtyre argatëve dhe shërbëtorëve të trafikantëve kanë bërë dhe burg. Po kush janë shkaktarët e kësaj varfërie galopante? Përgjigja është e qartë si kristali: Politika. Politika dhe politikanët e sotëm, në vrapin e tyre për t’u pasuruar vetë, e kanë harruar mirëqenien e popullit. Ndërsa pikërisht kjo fjalë ishte premtimi kryesor i tyre nëpër fushatat e ndryshme parazgjedhore, siç është edhe kjo e fundit ka qenë rritja maksimale e mirëqenies. Gënjeshtër e kulluar, sepse mirëqenia nuk arrihet me premtime, por me rritjen e mundësive ekonomike të qytetarëve. 

Kam disa pyetje direkt për politikanët shqiptarë:

Pse e doni varfërimin e shqiptarëve? 
Ky është një mision i juaji apo jeni naivë dhe mendoni se, nëse i varfëroni shqiptarët do të jeni pa konkurrencë dhe kështu do të vazhdoni ta rritni pasurinë tuaj që të mund të qëndroni shumë më gjatë në pushtet? Është tendenca për shkatërrimin e popullit tuaj përmes varfërimit? Çuditërisht ju jeni kaq naivë dhe nuk e kuptoni se barqet bosh nuk të japin vota dhe rruga për në zemër kalon nëpërmjet stomakut thotë një proverb i lashtë. Ju i gëzoheni pasurimit të çastit duke vjedhur djersën e të tjerëve por nuk kuptoni dot asnjëherë, se do të vijë një bast i vështirë që ju do të jepnin llogari për ato shuma marramendëse… Nuk duhet të kënaqeni me gjërat që nuk i keni krijuar vetë, se çdo gjë që nuk është e juaja dhe nuk nuk mund të mbetet kurrë tek ju. Populli thotë paraja e fituar haram ashtu siç vjen ikën… Premtime marramendëse për realizim projektesh nga kandidatë të ndryshëm para votimit, aq sa të krijohet përshtypja, se janë duke garuar manjatët ekonomikë dhe financiarë të jetës publike botërore. Projektet duhet realizuar, por praktikat dhe veprimet e deritashme të shumë funksionarëve të bëjnë skeptik për korrektësinë dhe gatishmërinë, qoftë të deputetëve apo kryetarëve të Bashkive. Është turp të shikosh Pogradecin që përvec unazës së qytetit që është duke u riasfaltuar në Pogradec nuk është ngulur një gozhdë. Të gjitha fondet shkojnë në Korçë. Pogradecit i ka ngelur vetëm liqeni, edhe atë nuk e marrin dot, se po të kishin mundësi dhe liqenin do ta zhvendosin drejt Korçës. Njerëzve u duhen gjëra reale, praktike të prekshme që të ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre e jo fantazma që nuk mund t’i imagjinojë as bota më e pasur. A nuk është tragjike, që në një qytezë minatorësh, tek ish miniera e Gurit të Kuq, mbi 70 për qind e fëmijëve janë analfabetë?! Analfabetizmi po rritet në mënyrë të frikshme në të gjithë vendin dhe të mendosh se, kjo qytezë e vogël ku banojnë ish-minatorët e Gurit të Kuq nuk është më larg se 2 km nga qyteti i Pogradecit. Vilat mbretërore të pushtetarëve të ngritura nëpër qytete turistike apo parakalimi me makina te viteve të fundit nuk është gjë tjetër veç mburrje me një luks të zi, që fatkeqësisht nuk kanë asnjë lidhje me popullin e varfër që flet me vete, ndërkaq ATA flasin me Ajfonët e fundit… Ju një gjë keni të përbashkët me popullin ndërsa fukarai vrapon të të gjetur ushqimin e përditshëm JU vraponi për të tretur dhjamin nga mirëqenia juaj e begatë…