Kurt KOLA / Lamtumirë Lirak Bejko, simbol i lirisë!

553
Sigal

Fjala që neodiktatura e Kryeministrit nuk më lejoi ta mbaja në homazhin e lamtumirës

Lirak! Po të përcjellim duke të dhënë me vete dhimbjen e të gjithë bashkëvuajtësve, që nuk i theu dot diktatura komuniste. Mezi pranuan të të bëjmë homazhet, në shtëpinë tonë të gjenocidit komunist, sepse kryeministri aktual, duke qenë pjesë e gjenocidit, na e mori shtëpinë dhe e bëri Institut të spiunëve të tij. Lirak! Ti u bëre martir i kauzës sonë, për shkak, të cilës komunizmi ekzekutoi gjashtë mijë burra e gra, burgosi shtatëmbëdhjetë mijë të tjerë dhe internoi dhjetëra mijëra pleq e plaka, fëmijë e deri foshnja të porsalindura.  Ne dhamë jetën në emër të lirisë, sepse e vlerësojmë më shumë atë. Puthadorët, servilët dhe një plak i shëmtuar midis tyre, shprehen: “Nuk digjet njeriu për lekë”, për të përbaltur aktin tënd sublim. Por balta ku kanë rënë e zvarriten këta mjeranë nuk ngjit tek Ti. Lirak! Ti imitove Xhordano Brunon e Mesjetës! Ai iu tha inkuizitorëve, zjarrvënësve të tij: “Jo! Nuk e mohoj! Toka rrotullohet!…”. Inkuizitorët e hodhën në zjarr, por akti i tij do të ndrijë kohërave si një flakadan shprese për të vërtetat e nëpërkëmbura të botës. Edhe ti, Lirak, i the inkuizitorit tënd komunist Berisha: “Mjaft më e përdhunove kauzën tonë, Lirinë!  Unë që vuajta për të, edhe do të vdes për të!” Ti dhe Liria u bëtë Xhordanë të kohërave moderne!…Lirak! Të kishte ndodhur në Londër, të ishe një Lirak anglez, e të digjeshe në benzinë, se një kryeministër shkel ligjet e shtetit, londinezët, brenda natës, do ta hidhnin kryeministrin në lumin Tamis! Por kjo ndodh në Shqipëri, ku kryeministri tipik si Enver Hoxha, edhe sot në këtë ditë tragjike, del para shqiptarëve dhe iu thotë: “Vij tek ju me ballin lart, të më jepni votat edhe për mandatin e tretë! Jo për ato që kam bërë, por për ato që do të bëj, katër herë më shumë…”. Pra, në këtë mandat vrau 31 shqiptarë, se kërkuan drejtësi. Në mandatin e ardhshëm ka planifikuar 124, katërfishin! Tamam si mësuesi i tij, diktatori Hoxha, që planifikonte në çdo pesëvjeçar sa do të pushkatonte, sa do të burgoste e internonte… Dhe shqiptarët e duartrokisnin, e brohorisnin me entuziazëm, për arritjet e sukseset e mëdha! Ani se nuk kishin bukë në shtëpi e punonin si bujkrobër! Edhe këtë e duartrokasin e i shkojnë pas si tufa e dhenve, kur turret pas ujkut me instinktin e frikës… Dhe këto gjeste të turpshme të popullit tënd servil e frikacak, Lirak, të bëjnë të kërkosh pas 100 vjetësh Çajupin e Madh: “Shqiptar, mos  rri po duku, shqiptar! Shqipërinë po ta han ujku, shqiptar mos rri po duku!”… Lirak! Po e pyes kryeministrin, sozinë e diktatorit Hoxha: si ndihet sot kur ty po të nderon gjithë demokracia botërore, Amerika dhe Europa? Keq. Jo për jetën tënde, Lirak! Por se akti yt sublim i hoqi maskën “demokratit” para tyre dhe tani ata e shohin ashiqare si stalinistin e fundit në Europën ish- komuniste! Lamtumirë Lirak, o flakadan në errësirën shqiptare!