Kur oligarkët mendojnë vetëm për vete, për shumicën e shqiptarëve mbetet vetëm varfëria

Ilirian Demiri 

Që shqiptarët varfëria i ka kapur në ashtin e kockës këtë e dimë të gjithë. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk bëzajmë kur një klasë e tërë politike vetëm tallet me ne, të shtypurit nga varfëria dhe mjerimi. Na e kërkojnë votën, ne ua japim, na gënjejnë ne ua falim mëkatin, na vjedhin, ne ua falim poshtërsinë. Tashmë atyre u është mbushur radakja se çfardo të na bëjnë, ne nuk do bëzajmë. Për ne as nuk u shkon mendja të punojnë qoftë pa hile edhe një ditë në vit. Ndërsa çdo ditë vazhdojnë të punojnë pa ndërprerje për vete. Duke u kthyer brenda një viti nga zorraxhinj në milionerë. Ndërsa shumica e shqiptarëve vazhdon të varfërohet, myteberët e politikës sonë nuk harrojnë t’i japin një ndihmë më të madhe vetes dhe familjes së tyre. Me vendime e ligje që nuk dinë të ndalen me të vetmin synim: të shtojnë pasurinë e vetes, pasurinë e klasës politike që edhe pse na ka zhytur në varfëri e skamje nuk di as të kërkojë pakëz falje, pale më të largohet nga skena. Edhe pse ajo e di se është e vetmja fajtore pse Shqipëria ndodhet në këtë derexhe, sa bijtë e saj nuk rreshtin së larguari me të vetmin synim: t’i shpëtojnë varfërisë. Kësaj klase politike nuk i hyn në sy se çfarë po ndodh rrotull saj. Ajo di të punojë vetëm në interes të saj, edhe pse kësisoj po çudit dynjanë. Ndërsa për shumicën e shqiptarëve varfëria shtohet, ajo përmes ligjesh të çuditshme, apo jo, shton privilegjet dhe favore të paimagjinueshme nga mendja e varfanjakëve shqiptarë. Një nga ligjet e para që do të miratohet në shtator është ai i privilegjeve që do të përfitojnë ish presidentët e kësaj Republike të çuditshme në breg të Adriatikut. Projektligji i hartuar për institucionin e Presidentit, në kapitullin e fundit të tij parashikon të gjitha privilegjet për ish-presidentët e Shqipërisë. Sipas ligjit, ish-presidentët përfitojnë banesë, roje personale, staf mbështetës, ambiente zyre, tituj të përjetshëm etj. Konkretisht, projektligji parashikon që, personi i cili ka shërbyer si President i Republikës do të mbajë titullin e Presidentit të Republikës përjetë, përveç rasteve kur gjykata vendos heqjen e titullit. Po ashtu, Presidentit i cili ka përfunduar mandatin e tij, i sigurohet një sipërfaqe për banim, pa pagesë. Ligji i ri parashikon gjithashtu që Presidentëve u sigurohet mbrojtje personale nga Departamenti i Personaliteteve, në varësi të Ministrisë përgjegjëse për rendin publik. Sipas ligjit që pritet të miratohet nga parlamenti i ri “Presidenti i Republikës, të cilit i ka mbaruar mandati ka të drejtë: për ambient zyre deri në 100 m2 për kryerjen e aktivitetit të tij, staf mbështetës të përbërë nga të paktën dy persona dhe të drejtën e shfrytëzimit të makinës zyrtare dhe shoferit. Po ashtu Presidentit të Republikës edhe pas mbarimit të mandatit, shpenzimet mjekësore të tij dhe të familjes i mbulohen nga buxheti i shtetit. Po ashtu edhe dhëtimet jashtë shtetit, apo shpenzimet për pritjen e miqve të huaj që kryen ish Presidenti, mbulohen nga buuxheti i shtetit. Pra, një shpenzim i konsiderueshëm të cilin duhet ta sigurojë buxheti i shtetit në përputhje me procedurën e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. I gjithë ky shpenzim bie mbi kurrizin e taksapaguesve, shumica të varfër shqiptarë. Nuk është fjala vetëm për shpenzimet e mëdha që duhet të kryerjë shqiptari për ish Presidsentët. Edhe pse kur ishin në detyrë jo se na kanë ndritur. Vetë shqiptarët e pohojnë se, duke përjashtuar plakun ( Alfred Moisiun) që do të vazhdoj të mbahet mend e të respektohet nga shqiptarët) të tjerët do të mbahen mend vetëm se kanë bërë një vërë në ujë në shërbim të shqiptarëve. Është një nivel i lartë grotesku, kur mendon se për secilin deputet, taksapaguesi shqiptar shpenzon në ditë mbi 7 mijë lekë në ditë. Po t’i llogaritësh, pagën, dhe shpërblimet e tjera, duke nisur nga pagesa për telefonat që kryejnë me dashnoret, çdo deputet fiton mbi 250 mijë lek në muaj. Të gjithë e mbajnë mend, krekosjen e një deputeti se, “unë fitoj në zonën time me votat e dashnoreve”. Dhe ne shqiptarët e varfër duhet t’u paguajmë këtyre farë politikanëve – deputetë, çdo lloj hardallosjeje që kryejnë ata me dashnorët e tyre. Ne shqiptarëve na mbetet vetëm të mërmërisim: Bo, Bo, në ç’duar kemi rënë! Sepse këto lloj monstrash e dinë mirë se ne u jemi nënshtruar plotësisht. Ndaj dhe vetëm na tallin. Më tregonte një ditë një pensionist: Kam punuar mbi 35 vjet në kohë të diktaturës. U gëzova kur erdhi demokracia, të cilën e përjetova duke dalë në pension. Gjatë gjithë viteve të punës paguhesha me një pagë prej 900 lekësh, një pagë e lartë për kohën. Tani në pension paguhem me vetëm 14000 lekë. Një pension që sot nuk del për asgjë. Ndërsa ne vazhdojmë të paguajmë ish presidentë që vetëm kanë lëshuar dekorata kujt i ka dashur menderja, apo deputetë që s’kanë çelur gojën njëherë. Ky është një turp për të gjithë shqiptarët që vetëm po varfërohen. Dhe për t’i shpëtuar kësaj varfërie përpiqen ta gjejnë zgjidhjen duke u larguar nga vendi i tyre amë. Aq sa sot kanë frikësuar miqtë, që duan të na rikthejnë vizat. Pensionisti ka të drejtë,derisa jemi të varfër. Sepse shqiptarët tallen, kur mësojnë se ish presidentët vetëm pse kanë lëshuar dekorata, ne duhet të paguajmë edhe dy roje për ta. Ish presidentët të nderohen, por jo në mënyra groteske sa çudisin shqiptarët e shkretë të mbytur nga varfëria. Apo me nder me thënë deputetë që s’dinë të çelin gojën. Është e çuditshme, ndërsa nuk harrojnë të nxjerrin ligje pas ligjesh për veten e tyre, kjo farë klase politike, harron se ne shqiptarët e shkretë ende nuk e kemi ndjerë si duhet frymën e një administrate serioze shtetërore. Sepse deri tën kemi një administrate shtetërore “të pushtuar” nga nepotizmi dhe familjariteti, një sëmundje që na ka lënë gjithë të tjerëve të sëmurë e të varfër sa gjithnjë e më tepër na con drejt vetrasjes, treguesi i së iclës ka një tendencë rritjeje të vazhdueshme. Sepse nuk do të mund të shërohen plagët e mëdha të kësaj Shqipërie të shkretë, përderisa 129 partitë kanë instaluar nëpër administratë vetëm vëllezër, motra, kushërinj, kunetër, baxhanakë etj, të kryetarëve e deputetëve, kryebashkiakëve etj. Punonjës administrate që dinë vetëm të tregojnë nga 2 – 3 diploma që i kanë blerë në tregun e lirë. Deri tani me të tillë “specialistë” është ngritur administrata shtetërore. Ndaj reforma Administrative po pritet me entuziazëm nga shqiptarët, ndonëse e kanë të vështirë të besojnë se vërtetë mund të kryhet me efikasitetin e duhur.