Kur marrëzitë politike zbresin në institucionet akademike

58

Ditë më parë, mediat e Tiranës njoftuan se Këshilli Shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i themeluar për përgatitjen e Akademisë me të cilën do të shënohet 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, nuk e paska parë të arsyeshme ta ftojë Akademikun Rexhep Qosja.

Kryetari i Akademisë, akademiku Gudar Beqiraj, reagimit të opinionit, që ndryshe nga Prishtina në Tiranë ishte shumë i zëshëm, pritej t’i përgjigjej me faktin se Akademiku Rexhep Qosja është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shqipërisë, prandaj nuk ka pse të vendoset në listën e të ftuarve. E kjo do të thotë, nuk ka arsye që Profesor Qosja të ftohet në shtëpinë e tij. Përkundrazi, ai na kujtoi se, Profesor Qosja as ishte zënë në gojë nga ky Këshill, e kjo do të thotë se Profesor Qosja nuk ishte përfshirë nga Akademia dy herë: si anëtar i jashtëm i saj dhe si personalitet, i cili e ka nderuar atë në periudhat më të vështira të saj dhe besojmë kjo është edhe arsyeja pse Akademia e ka përzgjedhur në radhët e saj.
Po ja që e gjithë kjo është histori, sepse, si duket më në fund marrëzitë politike po zbresin edhe në institucionet akademike. E kuptueshme, qëndrimi ynë akademik ndaj zhvillimeve politike dhe kulturore në shoqërinë shqiptare dekada me radhë ka qenë i zbehtë dhe madje inferior. Duke pasur një qëndrim të tillë ne nuk mund të prisnim nga institucionet tona akademike sjellje të tjera ndaj atyre që Rexhep Qosja ua ka prishur gjumin në periudhën e ngylfatjeve ideologjike në Shqipëri, e të periudhës së dhunës kolonialiste në Kosovë; si dhe atyre që në të vërtetë Rexhep Qosja ua ka prishur rehatinë në periudhën e gëzhojës neokomuniste në Shqipëri dhe demagogjisë së demokracisë planetare në Kosovë.
Pra, në radhën e parë të kësaj Akademie për 100 vjetorin e pavarësisë nuk do të jetë Akademiku Rexhep Qosja, personaliteti që në foltoren e kësaj Akademie ka folur 20 vjet më parë, 10 vjet më parë dhe shumë herë të tjera për përvjetorët e Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë, në Prishtinë e në Vlorë, kur të tjerët nuk mund të shqiptonin guximshëm fjalët “Shqipëri” dhe “shqiptarë”, si një njësi etnike dhe hapësinore. Në Akademinë solemne të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nuk do të flasë personaliteti, i cili për një gjysmë shekulli, me veprën dhe mendimin e tij intelektual, i ka nderuar këta dy përbërës të qytetërimit shqiptar, si rrallë ndonjë tjetër; në ambientet e Akademisë së Shqipërisë nuk do të hyjë njeriu, i cili më shumë se askush tjetër e ka bërë të përhershëm mendimin shkencor në jetën shqiptare; sinonimi i lirisë, i pavarësisë dhe i demokracisë shqiptare, dijetari që guximin qytetar e ka bërë kult në jetën shqiptare.
Në këtë Akademi, madje sikur kuptojmë prej intervistës së akademikut Beqiraj, do të marrë pjesë vetëm kryetari i Akademisë së Kosovës, e kjo do të thotë se në këtë datë historike të shënuar edhe me mendimin shkencor, nuk do të marrë pjesë as Akademiku tjetër shumë i nderuar në jetën tonë, Idriz Ajeti. Nuk mund ta dimë psenë e mungesës të ftesës për Akademikun Ajeti, sado e marrim me mend. Profesor Ajeti, një personalitet i shquar, që në jetën posaçërisht të gjatë të tij është shquar për etikën e fjalës dhe të mendimit.
Sot, vetëm mund ta marr me mend se si radhën e parë a të dytë të Akademisë së Shkencave për 100 vjetorin e Pavarësisë, përveç pjesëmarrësve të institucioneve qeveritare dhe partiakëve, do ta përbëjnë edhe akademikë, të cilët ma aq përulje dhe krekosje i kanë shërbyer diktaturës së komunizmit; akademikë: këshilltarë të fundit të federatës jugosllave; sekretarë të parë të stalinizmit më të egër në Europën Lindore në Tiranë; shkrimtarë, të cilët në jetën shpirtërore të popullit shqiptar, dekada me radhë janë përpjekur që të mbjellin paranojën antieuropiane dhe ia kanë arritur këtë në ato përmasa që nuk e kanë arritur shumë politikanë të kohës së tyre; akademikë: të cilët me përkushtimin e tyre për kooperativat bujqësore e kanë shpërfytyruar jetën ekonomike, sociale dhe qytetëruese të popullit shqiptar; partiakë, nga gjithë hapësira shqiptare, shumë prej të cilëve për Ismail Qemalin dinë aq sa dinë dhe si dinë për Babadimrin e Vitit të Ri!
Historia e popullit shqiptar përgjithësisht ka shquar disa momente të bashkimit kombëtar në qaste rreziku të përbashkët dhe në qaste shënimi të arritjeve të saj. Kush nuk e ka mësuar në shkollën elementare se si shqiptarët janë bashkuar në Epokën e Skënderbeut, në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Kongresin e Lushnjës, në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve dhe kush nuk do ta priste që, në një Akademi të 100 vjetorit, si kjo, të mos ulen bashkë edhe ata që nuk janë ulur vite a dekada me radhë, për shkaqe shumë herë të parëndësishme!
Po ja që, si duket Akademia e Shqipërisë do të bëjë atë që më në fund nuk kanë arritur ta bëjnë klanet, partitë dhe organizatat gjithfarëshe joqeveritare, ta vulosë ndarjen tonë afatgjate më parë se sa bashkimin e përhershëm. Vetëm do të mund ta merrnim me mend se si do të dukej Akademia pa fotografinë e Ismail Qemalit në ballë dhe pa Rexhep Qosjen në foltoren e saj, dy sinonime të botës shqiptare në shekullin XX.