Kuotat gjinore dhe revolucioni i grave në jetën politike shqiptare

1989
Xhoi Jakaj
Drejtoreshë e burgut të grave
“Për t’u bërë vërtetë e lirë, një gruaje i duhet të hedhë zinxhirët e formës aktuale të familjes, të cilat janë të tejkaluara dhe shtypëse. Për gratë, zgjidhja e çështjes së familjes, nuk duhet të jetë më pak e rëndësishme se sa arritja e barazisë politike dhe asaj ekonomike”.

Aleksandra Kollontai
Revolucionare ruse 
Sa shumë flitet për emancipimin e gruas në mbarë botën… Po ku jemi në fakt si vend? Po të hedhim vështrimin në të shkuarën, jemi më pranë zhvillimeve pozitive apo ka pësuar regres emancipimi i gruas? Në ditët e sotme të flasësh për të drejtat e femrës është bërë një mënyrë e përditshme jetese saqë shpeshherë, duket sikur kemi fituar aq shumë imunitet ndaj këtyre teorive dhe nuk po risjellim asgjë të re në këtë aspekt për të mbrojtur femrat realisht. Në parim, ne po jetojmë një kohë lulëzimi për femrat pasi janë ato të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta, gjithashtu, kanë më shumë rol dhe integrim në jetën sociale, politike e ekonomike. Përmes kulturës sonë, vetëdijes e ekzistencës së pabarazisë gjinore (që na e dëshmon historia) mund të kuptojmë se emancipimi i femrës është i domosdoshëm në të mirën e saj dhe të shoqërisë në tërësi. Gjinia femërore nuk ka qenë në kushte shumë favorizuese në Shqipëri as më parë, e nuk është as në ditët e sotme paçka “make up”-it që ka hedhur mbi të për të mbuluar vragat e shumta që ka. Sot, në Shqipëri gruas së zakonshme i duhet të përballet me rritjen e fëmijëve, punës dhe kujdesit të shtëpisë, e i mbetet shumë pak kohë për përpjekje dhe arritje të një karriere të sukseshme. Sigurisht, gra nga familje mbi mesataren ekonomike, mund t’i lejojnë vetes luksin e një gruaje ndihmëse – në një stil krejt borgjez – për të gatuar a pastruar, por ky nuk është realiteti i masës. Ndaj dhe emancipimi i gruas në Shqipërinë post komuniste, është përqendruar veçse në një rreth të ngushtë grash, të klasave ekonomikisht më të pasura. Masa duket se është mjaftuar me fitimin asaj pak lirie në të shprehur, veshur, vepruar, e nëse kanë pak fat… edhe mund të marrin vendime për veten e tyre. Është e një rëndësie parësore që të ndodhë ndarja me modelin e familjes patriarkale, ku pesha dhe përgjegjësitë të bien mbi të dy bashkëshortët, duke çliruar të dy prej modeleve të paracaktuara gjinore. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve që janë bërë, politikave zbutëse që janë ndërmarrë apo edhe strategjive kombëtare e rekomandimeve ndërkombëtare, fatkeqësisht, debati mbi emancipimin e gruas sot në Shqipëri edhe kur ndodh, mbetet një debat shterpë me tone dhe ngjyra krejtësisht kapitaliste duke qenë se kufizohet në dhënien e të drejtave dhe lirive politike grave të shtresës së mesme që jetojnë në mjedise urbane, duke lënë thuajse krejtësisht jashtë gratë e zonave rurale dhe të shtresave më pak të privilegjuara. Emancipimi dhe vlerësimi i drejtë i femrës lidhet ngushtë (më tepër është tregues) me zhvillimin e shteteve, shkallën e kulturës së popullit, të zhvillimit të tij. Në barazinë e vërtetë njerëzore, nëse emancipimi arrin në shkallën e duhur mund të vlerësohet padyshim se është mundur të ndërtohet skema e duhur e një populli të zhvilluar. E në amullinë e zhvillimit progresiv apo regresiv dhe emancipimit të femrës, disa “ja kanë dalë” që të prekin edhe botën e politikës shqiptare. Më tepër kjo arritje është shkak i artikulimit mes prioriteteve të vendosura nga sfondi ndërkombëtar se sa nga vullneti i përbashkët i gjinisë mashkullore në Shqipëri i cili, nuk ngurron ta shprehë haptazi e sapo t’i jepet mundësia se çfarë pozicioni realisht do të donte t’i caktonte femrës në shoqërinë tonë. Në procesin e vendimmarrjes, ligjërisht të paktën, duhet që jo më pak se 30% e mundësive të jetë e “rezervuar” për gratë… ne fakt ky është interpretimi që masa i bën ligjit – kush e ka në dorë e lexon atë sipas interesit të tij – por realisht ligji mbi barazinë gjinore përcakton se duhet të sigurohet përfaqësimi prej të paktën 30% i secilës gjini në organet e të tre pushteteve. Pse ky 30% i lihet si normë gjinisë femërore? Pse nuk mund të jetë objekt debati për atë mashkullore? (Të mos harrojmë faktin se partitë politike vijojnë të jenë nën këtë normë të përfaqësimit të tyre nga radhët e grave.) Edhe pse ligjvënësit tanë duket se janë matur shumë në terminologji kur e kanë nxjerrë këtë ligj sërish, pse nuk mund të jetë kjo shifër aq sa është raporti i popullsisë në tërësi? Mundësitë e barabarta për pjesëmarrje në politikë janë çështje të të drejtave të njeriut dhe nuk mund të jenë të kuotizuara si për të nxjerrë në pah shtresën sociale të marxhinalizuar. Në historinë e zhvillimit të demokracisë së vendit tonë, veçanërisht gjatë viteve të fundit, ka dëshmuar se prania e tyre në institucionet vendimmarrëse ka përmirësuar cilësinë e qeverisjes; ka dëshmuar një konsistencë të fortë politike duke theksuar se pjesëmarrja e barabartë është e rëndësishme për të pasqyruar interesat e grave në mënyrë të qartë e të drejtë në të gjitha nivelet vendimmarrëse. Gratë në politikë nuk janë përfshirë për “t’u ngritur në revoltë” kundër burrave, e as për t’u përqendruar vetëm në çështjet për gratë e fëmijët. Përkundrazi, kanë treguar qartazi vizionin e tyre e janë pjesë aktive në trajtimin e problemeve të politikës mbarëkombëtare, sigurisë e integrimit duke fituar identitet më të gjerë përfaqësues. Është e qartë se gratë shqiptare e rrëzojnë shpejt mitin sipas të cilit vetëm burrat kanë mundësitë dhe cilësitë e duhura për përfaqësim, ndaj edhe përfaqësimi i tyre në politikë duhet të lihet në dorën e tyre nëse do të duam që realisht të kemi progres si shoqëri në tërësi apo edhe të krijojmë një tjetër kulturë me qasje më pozitive ndaj asaj çka shoqëria vetë prodhon e kërkon. E nëse shoqëria i atribuon me shumë te drejta por dhe e vendos ne kushte të barabarta konkurrence gruan në këtë vend disi maskilist ju siguroj qe ato janë te afta të përmirësojnë jetën politike me “nikoqirllëk” ashtu sikurse shumica prej tyre rregullojnë familjen e tyre dhe i lënë gjithnjë gjerat në një rregullsi që është e pamundur të realizohet nga burrat, por për fatin tonë jo të mire akoma kuotat drejtimi dhe përfshirja në jetën politike dhe akademike varet më se shumti prej burrave, ndaj një apel kam për gratë, jepini me shumë mbështetje njëra- tjetrës si dhe edukoni e rrisni djem qe respekton motrën, shoqen dhe nesër bashkëshorten e miken në mënyrë të tillë që të shtrojmë ca shina të drejta për të ardhmen me të mirë të gruas shqiptare.
Sigal