Kume: Komisionet bipartizane nuk kanë dhënë rezultat, roli i LSI-së i rëndësishëm

Reforma Zgjedhore që në nisje të ngritjes së komisionit rrezikon të mos funksionojë. Partitë e mëdha nuk bien dakord për përbërjen

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume e konsideron të dështuar reformën zgjedhore që në nisje të saj, teksa i referohet mënyrës së ndërtimit të Komisionit. Ai shprehet për gazetën “Telegraf”, se dy partitë e mëdha, PD dhe PS duhet të ulen e të diskutojnë lidhur me këtë problem, për të cilin edhe më herët ka pasur kontestime. “Nuk ka në asnjë vend ku shkruhet që Komisioni Parlamentar të përbëhet nga këto parti apo ato”, - shprehet Kume. Por, gjithsesi ai është i bindur se për këtë rast duhet t’i referohemi vendimit të parlamentit që përcakton përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sipas tij, nëse në vendim thuhet, se partitë e opozitës parlamentare duhet të mbajnë një numër të caktuar vendesh, atëherë themi se opozita parlamentare ka vetëm dy parti dhe ato janë PD dhe LSI. Për ish-kryetarin e KQZ në bazë të fuqisë që këto dy parti kanë në parlament bëhet edhe ndarje e vendeve në komision. “I bie që Partia Demokratike të ketë tre anëtarë në komision dhe LSI të përfaqësohet me 2 anëtarë”, shprehet Kume. Më tej Kume shprehet, se partitë e vogla në parlament nuk janë parti parlamentare, por ato thjesht janë pjesë e grupit të PD-së me të cilën kanë bashkëpunuar. Ai shprehet se këto parti nuk kanë aspak të drejtë të kërkojnë vende në komision. Në këtë mënyrë Kume hedh poshtë edhe idenë e Partisë Demokratike, e cila ka kërkuar numër më të madh të anëtarëve të komisionit për t’i hapur vende edhe aleatëve të saj. 

“PR, e cila ka garuar në zgjedhje si parti më vete nuk ka marrë votat e nevojshme. Ashtu sikurse është edhe partia e Shpëtim Idrizit. Dhe kjo e fundit duhet parë, se ku e gjen veten në mazhorancë apo opozitë parlamentare”, shprehet Kume. Një tjetër deklaratë e fortë e Kumes ka të bëjë me përbërjen e komisionit nga dy parti. “Se si e vendos Kuvendi i Shqipërisë të veprojë për reformën zgjedhore, kjo është në të drejtën e tij. Por deri sot komisionet dhe reformat bipartizane, pa përfaqësim të të tjerëve nuk na kanë prodhuar ndonjë gjë. I kemi provuar dhe produktet kanë qenë problematike”, thotë ai. Për këtë rast i referohet edhe deklaratave të ndërkombëtarëve, të cilët edhe më herët janë shprehur për proces gjithëpërfshirës. “Edhe ndërkombëtarët kanë thënë, që të bëhet një reformë gjithëpërfshirëse. Por kur t’i përjashton një parti jo të vogël siç është LSI, atëherë kuptohet qëllimi”, deklaron ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume. 

Kodi Zgjedhor, marrëveshja e 18 majit prish formulën, partitë e vogla pa përfaqësim 

Hapat e parë të nisjes së punës për reformimin e Kodit Zgjedhor, nuk tregojnë vullnetin e plotë të politikës. Kjo duket qartë tek mosdakordësimi i dy partive të mëdha në vend PD dhe PS për të ngritur komisionin për reformën zgjedhore. Ditë e djeshme ishte përcaktuar mbledhja e parë e këtij komisioni, por ishte dështim. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një dalje publike deklaroi se partia e tij i qëndron pikë për pikë, marrëveshjes së 18 majit, ku është përcaktuar se komisioni i reformës do të përbëhet nga 10 anëtarë 5 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Por firmosja e marrëveshjes nuk e kishte parashikuar që pas nga zgjedhjet e 25 qershorit do të dilnin dy parti të mëdha opozitare. Në këtë rast, është lënë jashtë përfaqësimit Partia lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka në Kuvend 18 deputete. Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare është mbledhur ditën e djeshme për të diskutuar lidhur me detajet, por në fund nuk është marrë asnjë vendim. Duhet të përcaktohej përbëra e komisionit dhe roli i partive të vogla. Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të ngrihet sot. Palët politike kanë qartësuar pozicionet e tyre por ende nuk kanë nisur negociata me njëra-tjetrën. Komisioni do të funksionojë me numër të barabartë anëtarësh dhe me bashkë-kryesim. Dy bashkëkryetarët e komisionit do të jenë Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi. Partia Socialiste do t’i mbajë të gjithë anëtarët për vete si e vetmja forcë qeverisëse, por e paqartë ngelet situata në kampin opozitar. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se përveç bashkëkryetarit Bylykbashi, kjo parti është e gatshme t’i ndajë këto vende me 4 aleatët e saj me të cilët garoi në zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë mënyrë LSI do të ngelej e pa përfaqësuar. Por duke marrë në konsideratë peshën e votave të LSI-së në parlament, situata imponon marrëveshje dhe negociata mes PD-së dhe LSI-së, pasi janë në të njëjtën llogore. Një zgjidhje e mundshme është ajo që komisioni të ketë 5 anëtarë përveç personit të gjashtë, bashkëkryetarit. Kështu, PD-ja do të kishte të përfaqësuar aleatët, të cilëve ju ka premtuar, e do të krijohej edhe një vend për LSI-në. 

Nisja e punës 
Pas ngritjes së komisionit, do të fillojë puna për reformën zgjedhore, e cila është e parashikuar që në marrëveshjen e 18 majit mes Ramës dhe Bashës në kapitullin e reformës kushtetuese. PD kërkon sistem mazhoritar të kushtëzuar me votim e numërim elektronik, ndërsa PS-ja nuk shprehet qartësisht nëse kërkon ndryshim sistemi, por vetëm thotë se nuk mund të ulen në këtë tryezë me kushte. Në relacionin e projektvendimit “Për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore”, që pritet të miratohet në Kuvend dhe të hartuar nga demokratët theksohet se Legjislatura e shkuar e Kuvendit, për shkak të mungesës së vullnetit të mazhorancës qeverisëse, nuk arriti të realizonte ndryshimet e nevojshme ligjore dhe infrastrukturore, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke bllokuar për më shumë se 1 vit propozimet konkrete të paraqitura nga Partia Demokratike dhe që adresonin shqetësimet kryesore që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. 

Detyrat e komisionit
Komisioni për Reformën zgjedhore ka për detyrë analizimin e të gjitha problematikave të konstatuara në zgjedhje nga partitë politike pjesëmarrëse, si dhe organizmat monitorues, si dhe hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e propozimeve të partive politike, institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, si dhe rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Komisioni duhet të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike parlamentare, me partitë politike joparlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1 për qind të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë ne procesin zgjedhor. Gjithashtu, konsultime e dëgjesa publike duhet të zhvillohen me kërkesën e palëve dhe me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ekspertë të fushës zgjedhore, si dhe me institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Sipas traditës së konsoliduar parlamentare, Komisioni propozohet që të drejtohet nga dy bashkëkryetarë: një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste, si dhe anëtarësia të formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare, me përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës.