Kufizimi i mirëqenies

45

Në këtë shkrim, po iu ikim të ashtuquajturave “tema të mprehta të ditës”, sikundër janë referendumi i propozuar nga Kryeministri Sali Berisha (për ta tymosur historinë me status dhe BE) apo ndryshimet më të fundit në SHISH, (sa shpejt “ra” Presidenti), etj., gjëra për të cilat qytetarët shqiptarë nuk ka pse të habiten. Nëse ka gjëra për të cilat mund të bëhej referendum në Shqipëri, është ajo që ka të bëjë me vazhdimin ose jo të sundimit të komunistëve apo neokomunistëve, është çështja e bërjes më në fund të zgjedhjeve të lira e të drejta, por këtyre temave s’iu del askush për zot, madje as aleatët perëndimorë, pra po e mbyllim me kaq. Në gjithë zhurmën e përditshme me të cilën jeton vendi ynë (gjithnjë pa fat, gjithnjë i vonuar) nuk ka asgjë më të rëndësishme se cenimi i parimeve demokratike dhe i mirëqenies së qytetarëve të tij. Kjo të kujton kohëra të vështira për shqiptarët, kur demagogjia pomponte ç’t’i vinte për dore, mjaft që të mos ndihej shumë mjerimi në të cilin zhytej vendi vit pas viti. Nuk ka asnjë rast tjetër sadopak të ngjashëm në rajon, kur një vend të merret kaq shumë me politikë dhe sajesa të tjera tymuese, duke harruar pamjet më të rëndësishme të jetës. Diskutimet e sajuara, që shpeshherë prodhohen si pjesë e axhendave të kryeministrit dhe qeverisë shqiptare, referendumet, shkarkimet politike, shitjet e sforcuara, e gjithë barra e ngecjes në vend sa i takon statusit të vendit kandidat për në BE, më në fund shfryjnë në mungesën e rregullave, në nivelin e kufizuar të demokracisë dhe mirëqenien në rënie të qytetarëve. Kjo është ajo çka prodhon realisht qeveria aktuale dhe përgjithësisht politika konfliktuale në Shqipëri. Për shkak të mungesës së standardeve të cekura më lart, vendi ka probleme të rënda sigurie e mirëqenieje. (Nëse do të kishte një statistikë të vdekjeve e lëndimeve jo për shkaqe natyrale e shëndetësore, ne do të ishim në krye të renditjes. Ja një rekord jo si ato të kryeministrit tonë qesharak.) Po sjellim vetëm disa argumente të tjera, mbase më pak mbase më shumë të dhimbshme. Në Shqipëri, ku disa klane kanë mbërthyer për gryke institucionet, ekonominë, politikën, të ardhurat për frymë janë më të ulëtat e krejt Evropës Juglindore, (përjashto Kosovën). Ka kohë që flitet për “fortunal” në Greqi dhe përqark këtij vendi; por i kujtojmë lexuesit të nderuar se në vitin 2010 (kulmi i krizës) Greqia renditej në vendin e 27-të sa iu takon të ardhurave vjetore për frymë me 29.420 dollarë për frymë në vit; (pas Japonisë dhe Spanjës). Për të treguar ndjeshmërinë e qytetarëve të këtij vendi ndaj problematikave ekonomike, mjafton të themi se që nga koha kur u deklarua kriza, janë zhvilluar dy herë zgjedhje të parakohshme. Është për të qeshur të mendosh se sa herë dhe sa shumë më tepër ka pasur nevojë vendi ynë për zgjedhje të parakohshme, por ato nuk janë lejuar. Në këtë temë, çuditërisht (por edhe s’është shumë për t’u çuditur) aleatët tanë të nderuar BE dhe SHBA kanë qenë kundër zgjedhjeve të parakohshme dhe ato kanë diktuar, (gjë që nuk e bëjnë në asnjë vend tjetër.)

Për ta mbyllur këtë kapitull, si dhe krahasimin me Greqinë në krizë, në atë studim (të “Global Finance”,) Shqipëria është në vendin e 95-të, me vetëm 7.342 dollarë për frymë në vit, (më poshtë nga të gjitha vendet e rajonit). E ç’i duhen Shqipërisë zgjedhjet e parakohshme! Sa për referendumet që i vijnë për mbarë qeverisë aktuale dhe kryeministrit Sali Berisha, është një gjë krejt tjetër, ato mund të sajohen sakaq. Dhe në gjithë këtë sajesë, qytetarët shqiptarë dhe intelektualët shqiptarë, në masë, rrinë gojëkyçur. Sigurisht, edhe kjo gjë është pjesë e “ritmeve” të zhvillimit dhe standardeve të kufizuara të demokracisë në vend. Dhe nuk është i vetmi rast që goja kyçet dhe veshët taposen. Le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë ndodh, bie fjala, me skemën e pensioneve. Në këtë temë, ka përjashtime me përfitime të dukshme për ligjvënësit dhe qeveritarët. Privilegjet fillojnë që pa ardhur mosha e pensionit. Në bazë të ligjit të pensioneve suplementare, një deputet, qeveritar apo zyrtar i lartë i funksioneve kushtetuese, në rast se largohet nga detyra dhe fillon një punë tjetër me pagë më të ulët, përfiton menjëherë nga skema e sigurimeve diferencën mes pagës që ka patur në funksionin shtetëror dhe pagës së re. Sipas ligjit, një ish-deputet apo funksionar i lartë që largohet nga detyra në moshën 55-vjeçare ka të drejtë të përfitojë një pension të barabartë me 50 për qind të pagës së tij për tre vjet. E thënë në vlerë, pagesa për një deputet, që ende nuk e ka mbushur moshën për të dalë në pension, arrin në rreth 60 mijë lekë për tre vjet. Nëse Kryeministri do të dilte në pension sot (sigurisht, ai s’e ka ndër mend) pagesa që do të përfitonte, do të ishte rreth 170 mijë lekë ose tetë herë me shumë se pensioni maksimal i një qytetari të zakonshëm(!) Shëndeti, një nga treguesit kryesorë të mirëqenies në një vend, është një tjetër përrallë në degradim e sipër. Nuk po merremi me shërbimin në spitale e ambulanca dhe me lulëzimin e klinikave private, më në fund as me problemet e rënda në zona larg qyteteve të mëdha. “Save the Children” na thoshte – jo shumë kohë më parë – se vdekshmëria gjatë lindjes në Shqipëri mbetet më e larta në kategorinë e vendeve më të zhvilluara. Raporti i kësaj organizate analizonte 165 vende, të cilat i ndante në dy grupe: vende më të zhvilluara dhe vende më pak të zhvilluara; (ato vlerësohen në bazë të tre indekseve: mirëqenia e nënës, mirëqenia e fëmijës dhe mirëqenia e përgjithshme e gruas.) Shqipëria, e cila përfshihej në kategorinë e vendeve më të zhvilluara, renditej e fundit në grupin me 43 vende, në të tre këto indekse. Raporti vjetor i publikuar nga organizata në fjalë – në lidhje me gjendjen e nënave në botë – është një sinjal alarmi për Shqipërinë. Sipas të dhënave të publikuara, në Shqipëri ritmet e vdekshmërisë gjendeshin 1 në 1700 gra gjatë lindjes, shumë më të larta në krahasim me shifrat e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë(!) Një ndër problemet që cilësonte organizata në Shqipëri është niveli i kufizuar i personelit të kualifikuar gjatë lindjes. (“Save the Children” i bënte thirrje qeverisë shqiptare që të rrisë vëmendjen ndaj nënave. Harronte t’i kujtonte asaj edhe mbështjelljen me nga pak propagandë të gjithë kësaj teme.) Për t’i mbyllur këto radhë në një mënyrë sa më inkurajuese, së pari do të kujtoja disa pak fraza nga “Kapitalizmi dhe liria”. (Milton Friedman): “Si mund ta kontrollojmë qeverinë të mos shndërrohet në Frankeshtain që shkatërron vetë lirinë në mbrojtje të së cilës e kemi krijuar atë?” Dhe më tej: “Kërcënimi më i madh i lirisë është përqendrimi i pushtetit…” Së dyti, nga “Projekt për transformimin politik dhe procesin zgjedhor në Europën postkomuniste”, botim i OSCE: “Asnjë shoqëri e hapur nuk mund të ekzistojë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme”. No comment!