Kryeqytet… me gardhe fshati

801
Sigal

Petrit Brahollari

Në fshat gardhet shërbejnë për të mbrojtur të mbjellat nga kafshët e buta dhe të egra. Gardhet hyjnë në punë dhe për të penguar njerëzit me profesionin, hajdut, ndaj pemëtarisë. Ata janë të domosdoshëm kur vendosen me rregull dhe atje ku duhet dhe të papranueshëm kur cenojnë pronën e tjetrit. Mbi gardhet shikojmë dhe dëgjojmë shumë, deri dhe nxitje konfliktesh. Jo rrallë, ka agresivitet dhe shpirtngushtësi, mani të tepruar dhe dhunë. Tejkalimet që shpërdorojnë arsyen kanë arritur deri atje, sa i ka marrë jetën vëllai, vëllait, sepse kaloi pula gardhin dhe çukiti domatet në pronën e tij.

Gardhi është kufi, por dhe mentalitet

Vlerën e kufirit gardh, ia di ai që e bën, porsi e bën, e di dhe ai që e vuan. Gardhi ka arritur të ndërtohet sipas rrethanave dhe në faqet e maleve, deri në pikat më të larta, pra, gardhe stanesh. Maja e malit takohet me qiellin, ku vetëm në qiell s’ka gardh. Hunjtë që s’kanë mundësi të ngulen në qiell, kanë zbritur nga maja e malit dhe janë bërë gardhe në prehërin e qytetit, pra, lagjet e kryeqytetit, janë miqësuar me gardhe fshati e stane malesh! Kudo dhe në çdo cep ka gardhe. Mëngjes i ri gdhihet me gardh të ri. Besoj se urbanistika vendos ligjshmërinë e gardheve në kryeqytet. Pa vulën e pushtetit, Policia Bashkiake do t’i shkatërronte gardhet si shkarravina të arkitekturës së kohës. Të ngulësh një hu gardhi është e lehtë. Të ngulësh një gozhdë në murin e shtëpisë tënde pa leje penalizohesh. Kështu ndodh me gozhdën dhe gardhin. Gozhdët janë temë tjetër, por fjala është për gardhet e drunjtë prej frashëri, dëllënje dhe panje që zbresin nga fshati për të ndihmuar qytetin. Tokë e pushtuar në faqe të pallatit, apo shtëpi private me gardhe. Brenda gardheve, sytë sodisin portokalle, limonë, qershi, fiq e ide. Gardhi që ka pushtuar hapësirën publike, i qëndron besnik të fortit të lagjes, i cili, ha frutat dhe po ngriti zërin dikush, shkul një hu gardhi dhe ia kërcet kurrizit.

E çfarë ndryshon nga fshati, përveç përbërjes së gardhit, ku në qytet mbizotërojnë më tepër gardhe hekuri? Gardhe stanesh në mal për dhitë, gardhe stanesh në lagje të kryeqytetit, për lopë e dele. Po, po, në lagje të Tiranës ka lopë, dele e gomerë. Hardhitë në formë tende të ngritur, me hekura të gjatë, fillojnë nga muri i pallatit dhe deri te cenimi i trotuarëve. Hunjtë e ahut dhe bredhit, që mbajnë peshën e hardhisë, janë të stazhionuar nga fondi i pyllit të fshatit. Brenda gardhit e poshtë hardhisë, kuletëtrashi i pallatit, zien rakinë me kazan bakri dhe inoksi. Pi rakinë e ngrohtë, që nxjerr llullaja dhe ia merr dhe këngës, si për shtatë palë qejfe, brenda gardhit, me ligjin 7501, me ndryshim. Jashtë gardhit, afshi i rakisë, zgjon pijetarët dhe pianecët dështojnë në fund të gardhit. Trotuarët i zaptojnë gardhe hekuri, që improvizojnë dyqan me mbulesë llamarine. Poshtë llamarinës, shitësi, i ardhur nga fshati por banues në qytet, shet vezë marketi, grimuar me jashtëqitjen e pulave të fshatit. Po ashtu edhe qytetari i qytetit, shtrihet në trotuar me vazo lulesh të derdhura betoni, para dyqanit, sikur edhe trotuarin e ka të vetin. Tani dihet, do të pushtosh, bëj gardh qoftë dhe me vazo betoni apo govata rrapi. S’mjafton me kaq, po bëhen gardhe me dërrasa të strugasura dhe rrethojnë lulishte mbi trotuar. Hekura, gardhe të stileve të ndryshme, me shkurre kacavjerrëse, sulmojnë trotuarët dhe kalimtarit, i takon të përplaset me makinat, në rrugë të madhe. Gardhet e qytetit ia kanë kaluar fshatit. Për arsye se trotuarët u binden gardheve, bërrylave e objekteve, ato prej hekuri po ngulen në asfalt, disa metra nga muret e pallateve me zinxhirë e kyça, ku shërben si garazh gjithëstinësh, për të rehatuar makinën, më i zoti në lagje. Nga t’ia mbajnë kalimtarët ngado që shkojnë përplasen me gardhe. S’ka ngelur gjë tjetër veç t’u ngelen pantallonat dhe fustanet varur në telin me gjemba të gardhit. Trotuarët shtrohen me pllaka të trasha, me motive të ndryshme, por ata ngushtohen deri në limitin zero të detyruar nga muret e gardhet. Hapësirë gardhesh në hapësirën pa hapësirë “zhvillim” kryeqyteti. Po, kryeqyteti, kërkon ajër dhe dritë. Kur do t’iu thuhet ndal, pushtimit të hapësirave publike, trotuarëve dhe rrugëve? Ndal, faktorëve abuzivë dhe selektivë! Kryeqyteti nuk është vetëm qendra, si një trup pa krahë. Ai është model për qytetet e tjera. Me gardhe, fshati, s’ka qytetërim. Evropa, nuk mjaftohet me dëshira e lutje dhe s’t’i hap krahët, që t’ia çjerrin gardhet. Ajo të do të kollarisur, nuse të bukur, por jo me vello të grisur.