Kryeministri i “vjetër” që zgjodhi kryeparlamentarin e “ri”

756
Nga Miltiadh M. Muçi 

Në zgjedhjet e 26 qershorit, Edi Rama i kërkoi elektoratit “timonin”, të krijojë për herë të parë qeverinë pa koalicion partish, duke dashur ta zëvendësoj me të qytetarëve. Bashkë me timonin tashmë do të ketë të tijën dhe “tepsinë”. Ishte logo e pa dëgjuar më parë, që iu drejtua shqiptarëve, në dukje e rëndomtë dhe vërtetë e tillë, me shumë rreziqe. Timoni të nxjerrë edhe jashtë rruge, shpesh herë me pasoja të mëdha, ndërsa tepsia varet me çfarë e ke mbushur, çfarë shije ke përzgjedhur, sa do t’ju pëlqejë qytetarëve. Edi Rama i fitoi të dyja çka dëshironte, timonin dhe tepsinë. Për këtë shfrytëzoi momentin ku u ndodhën dy partitë e tjera kundërshtare, PD-ja dhe LSI-ja. E para në largimin edhe de fakto të ish-liderit Berisha, ndërsa e dyta me euforinë që kishte arritur si asnjëherë, me logon “forcë e parë – forcë e paparë”. Edi Rama tashmë ka në duar një timon të rëndë, shumë të rëndë për të drejtuar, sepse nuk është timoni i një veturë, por i autobusit më të madh të mbushur me qytetarë. Po kështu, edhe tepsinë ka premtuar ta ndajë me qytetarët, që janë jo vetëm shumë herë më shumë se partitë, por dhe të uritur, të cilët “nuk do të mund të mbushin barkun me ujë dhe jo më me bukë”, sikurse thuhet në proverb. Dy muaj pas zgjedhjeve, Edi Rama mblodhi Asamblenë e PS-së ku “shpalosi” dhe strategjinë se si i vetëm do të drejtojë timonin, por dhe se si me një forcë të re do të mbushë tepsinë, e cila në takimin e parë të Llogorasë mësuam se do të jetë PS-ja Plus. Le ta presim se çfarë do të na zbulojë pas Plusit ! Enigmën më të parë që Rama na zbuloi, ishte se kush do të drejtojë Kuvendin e ri, sa u duk sikur harroi të prezantonte ministrat dhe ministritë e rikonstrukturuara të qeverisë Rama 2, dhe ky ishte Gramoz Ruçi, numri dy i PS-së, që vite më parë i qëndroi më pranë se kushdo për t’u bërë timonieri i saj, ndërsa në vitet më pas i gatshëm të largoheshin të tjerë, dhe pse të rinj në moshë, duke preferuar ministrin më të fundit të PPSH-ës, si ekuivalent sekretarin e Byrosë së PPSH-ës, Berishën, dhjetoristin e desantuar në protestën më të madhe popullore të qytetit të studentëve, në vitin ’90. Dhe padyshim për Ramën, Asamblenë e PS-ës dhe anëtarët e saj, Gramoz Ruçi e “meriton” të jetë kryeparlamentari i “ri”, por jo në krye të institucionit më të rëndësishëm, sikurse është Kuvendi i Shqipërisë pra jo i partisë, një personazh mjaft i diskutueshëm për opinionin shqiptar dhe aq më tepër atë perëndimor. Unë do ta shikoja në një këndvështrim tjetër, si një deputet që për shumë legjislatura ka përfaqësuar elektoratin tepelenas, ku bën pjesë edhe komuniteti lekëljot i një fshati 6 km nga qendra e qytetit Tepelenë. Në vitin ’90, në jugun e vendit “politikanë” të shumtë tepelenas “mbinë”, ndërsa nga lekëljotët dhe ndonjë që kishte dëshirën të kontribuonte, si drejtues partie u larguan shpejtë. Kjo ndodhi jo se i provuan aftësitë dhe nuk ishin të përkushtuar, përkundrazi anëtarët që i kishin zgjedhur nuk u pajtuan me dorëheqjen e tyre. Por lekëljotët e kuptuan se nuk kishin të bënin, me politikë dhe politikanë të interesuar vërtetë për vendin dhe shtresat e gjëra të popullit, sikurse e treguan vitet që kemi përcjellë. Ishin interesat e ngushta të tyre që i krijuan dhe i mbyllën firmat piramidale, duke shkaktuar pasojat e ngjarjeve të marsit ’97, të mbyturit e 140 viktimave në ngjarjen e Otrantos dhe Karaburunit, 26 të vrarët dhe 300 të gjymtuarit në demontimin e municioneve të Gërdecit të Tiranës, 4 protestuesit e vrarë dhe 6 të tjerë në tentativë vrasje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011, dhe gjithçka tjetër e keqe që ka sjellë tranzicioni ynë i tejzgjatur. Për të gjitha këto në veçanti përgjegjës kanë qenë dhe mbeten, edhe dy figurat më të vjetra të politikës në PD dhe në PS, pra Berisha e Ruçi. Ruçi ka bërë shumë gabime edhe ndaj banorëve të Leklit, historisë e trashëgimisë kulturore të tyre. Në vitin 2004, për interesa elektorale preferoi t’u merrte ujin banorëve të Leklit, duke i tharë për të vaditur prodhimet e tyre bujqësore, sikurse i vadisnin tradicionalisht, kur mund e duhej ta merrte në Ujin e Ftohtë, që dhe pas 15 vite vazhdon të derdhet me vrull në Drinos, edhe nëse do të duhej një investim më i madh. Jo vetëm kaq, por ndërtimi i ujësjellësit të Leklit shkatërroi atë investim të madh të bërë nga vet lekëljotët, 75 vjet përpara, në burimin e Gurrës së Leklit, objekti me shumë vlera të trashëgimisë kulturore, që fare mirë mund e duhej të evitohej shkatërrimi i tij. Në vitet 1997-2004, Gramoz Ruçi ju premtoi lekëljotëve për rikonstruksionin e rrugës së Leklit, që jo vetëm nuk u realizua, por ja la qeverisë Berisha, kur ishte detyrim i tyre për të rikonstrukturuar atë rrugë të shkatërruar dhe më keq nga përdorimi i mjeteve të rënda, për ndërtimin e ujësjellësit të Tepelenës. Edhe kur mori përsipër të mbështeste disa emra rruge, shkolle e biblioteke në Tiranë e Tepelenë nuk mbante mënd ku i kishin përfunduar kërkesat e përgatitura nga shoqata “Odrie-Golik” e Rrëzës së Tepelenës. Shoku Gramoz si dhe disa “byroristë” të tjerë tepelenas, jo vetëm nuk morën pjesë në promovimin e librit historik “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”, por as nuk dëshiroi ta merrte nga autori, ndërsa “porositi” t’ia linin punonjësit të shërbimit në hollin e selisë së PS-së, që për autorin e enciklopedisë së botuar pas tetë vite punë, ishte fyese. Ky është Gramozi “burrëror”, “babaxhan”, i “dashur” në 27 vjet që vetëm ka “sakrifikuar“ për bashkëfshatarët, bashkëqytetarët tepelenas, për partinë e tij dhe anëtarët e saj, për elektoratin e Tepelenës dhe të Fierit, për shqiptarët e Shqipërinë. Edhe ky, si të gjithë politikanët e tjerë, sa herë ka qenë në opozitë i binte gjoksit, se do të bënte gjithçka për popullin dhe sa herë ka kaluar në pozitë, është fshehur si struci.
Sigal