Kriza teatrore pasojë e mungesës së krijimtarisë dramaturgjike

796
Nga Mystehak Xhemali

Këto ditë po flitet shumë për një krizë në skenat teatrore. Në këto diskutime, përveç komunitetit të artistëve, janë aktivizuar edhe organizma të tjera, përfshi edhe strukturat partiake. Dhe e gjithë tymnaja është përqendruar tek sipërmarrja e ndërtimit të projektit për ngritjen e një godine të re të Teatrit Kombëtar. Dhe të gjithë pa përjashtim bien dakord për të njëjtën gjë: Godina ekzistuese e teatrit është tejet e amortizuar e ajo nuk i plotëson kërkesat për zhvillimin normal të shfaqjeve teatrore. Deri këtu dakord. Por pastaj diskutimi acarohet e vijohet me akuza e kundër-akuza, se nga do të dalin fondet për ngritjen apo edhe restaurimin e godinës të teatrit. Në këtë debat një pjesë e komunitet të artistëve shprehen në mënyrë kategorike, që ndërtimi të mos bëhet nga sipërmarrësit privatë, por nga shteti. Kësaj i thonë të luftosh me mullinjtë e erës. Pyetja shtrohet: E pse duhet të merakoset kjo pjesë e komunitetit të artistëve se nga cili xhep dalin paratë për ngritjen e teatrit të ri? Atyre u intereson që teatri të jetë funksional e të plotësojë gjithë kërkesat e tyre. E në këtë vështrim e gjykim të gjithë ata që përbëjnë strukturën organike të teatrit, patjetër duhet të japin mendime e të diskutojnë anën multi-funksionale të një godine teatrore. Kështu aktorët, regjisorët, skenografët, inspektorët e skenës, rekuizatorët, guarderobierët e deri tek punonjësit e fonisë dhe të ndriçimit duhet të diskutojnë, të japin mendime e të këmbëngulin që të realizohen gjithë hapësirat e nevojshme për të pasur shfaqje sa më dinjitoze e komode për të gjithë sipërmarrësit e premierave teatrore deri në sigurimin e kushteve të aspirimit e të ngrohjes së sallës të spektatorëve si dhe të ambienteve të tjera deri tek kabinat e aktorëve. Jo vetëm kaq, por kërkesat e tyre të shkojnë deri aty sa çdo kabinë aktori të jetë e pajisur edhe me nyje hidro-sanitare për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve, kur jo rrallë herë ka ndodhur që, nga mungesa e këtyre ambienteve, ka pasur raste kur aktorë të veçantë nga nxitimi kanë dalë në skenë, duke kopsitur pantallonat. Jo vetëm kaq, por i gjithë komuniteti teatror duhet të marrë pjesë e të diskutojë edhe arkitekturën e godinës të teatrit, që ajo të jetë dinjitoze, pse jo edhe e mbështetur në traditën tonë ndërtimore. E për këtë me të drejtë duhet mbështetur e përkrahur ideja se për godinën e re të Tetarit Kombëtar duhet të hapet një konkurs ndërkombëtar e të diskutohen disa variante arkitektonike, përfshi këtu, përveç arkitektëve vendas, edhe të huaj. Imponimi i një varianti të vetëm e cungon dhe e deformon ngritjen e një godine teatri bashkëkohor, duke sjellë edhe mjaft pikëpyetje e dyshime për afera korruptive. Është koha që një gjë e tillë të korrigjohet, duke mënjanuar çdo lloj keqkuptimi, apo interpretimi subjektiv. Të gjitha sa thamë më sipër duhen për të pasur normalitet në përgatitjen e premierave cilësore, edhe pse dihet që zanafilla e lindjes së bërthamave teatrore e ka fillesën nga organizimi i shfaqjeve nëpër rrugë për nder të perëndisë të Dionisit në Greqinë e lashtë, apo le të kujtojmë se edhe komediani i madh francez, Molieri, veprat e tij brilante i shfaqte me një trup lëvizëse, duke u endur nga njëri qytet në tjetrin, apo faktin e pamohueshëm që trupa të vogla teatrore i jepnin shfaqjet në rrugë, duke krijuar kështu trupat e estradave, të cilat në Shqipëri kanë pasur një zhvillim e sukses, duke lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e shqiptarëve, jo vetëm për humorin e shëndoshë, por edhe për tematikën e problemet e mprehta që trajtonin, duke mundësuar që me gjuhën e artit të sfidonin edhe vetë sistemin diktatorial. Guximi dhe aftësia e krijuesve arrinte deri atje, sa me mjete groteske të pasqyronte me aq sa mundte gjendjen e rënduar ekonomike e sociale të kohës. Për ta ilustruar këtë po sjell në kujtesë atë skeçin pas parodisë “Dasma e Malos” nga Estrada e Fierit me autor e regjisor Pëllumb Kullën, kur me sy të fryrë nga pagjumësia, u shërbehet kafja me lloj enësh, pjata, tasa, gota uji me vesh e të gjithë vrasin mendjen se dikur kafja u shërbehej me ca gjëra të vogla, por askush nuk e sillte ndërmend emrin, pasi ato gjëra mungonin në treg e kur dikush pa dashje i drejtohet tjetrit me batutën se “i ishin fryrë sytë si filxhan”, njëzëri kujtojnë filxhanët, që mungonin në treg. Ta pasqyroje e ta thoshe këtë gjë me zë lartë, që tregu ishte bosh, ishte jo thjesht guxim, por sarkazëm e akuzë për një realitet aq të dhimbshëm të varfërisë, që kishte pllakosur Shqipërinë e atyre viteve, ndërkohë që propaganda e kohës përpiqej të bënte të kundërtën. E solla këtë shembull për të treguar, se roli i teatrit është i pazëvendësueshëm për të sfiduar kohën. Nisur nga ky rast, a mund të themi, se aktualisht teatri ynë po e luan këtë rol? Fatkeqësisht jo. Të gjithë e pranojmë, se edhe në sistemin e mëparshëm diktatorial në vendin tonë trupat teatrore, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytet të tjera kanë pasur arritje të suksesshme. Mjaft drama, komedi spektakle kanë mbetur në kujtesën e shqiptarëve për vlerat e tyre artistike, ndërkohë që sot, duke filluar nga Teatri Kombëtar, përfshi edhe dhjetë teatrot e rretheve, nuk japin asnjë shenjë veprimtarie, a thua se nuk ekzistojnë fare. E kjo krizë nuk e ka burimin tek mungesa e godinave teatrore, por tek mungesa e krijimtarisë dramaturgjike në të gjitha zhanret e saj, përfshi dramat, komeditë, skeçet me një akt, paroditë, monologët e tjera. Këtu qëndron edhe pika e dobët dhe e pafalshme e ministrisë të Kulturës, e cila nuk ka bërë e nuk bën asgjë për të nxitur e stimuluar krijimtarinë dramaturgjike. Për fat të keq, dramaturgjia shqiptare është fshirë nga platformat regjisoriale. Ky është një dëm i pallogaritshëm. Ky dëm ka sjellë edhe amullinë teatrore në vendin tonë. Dhe këtë brezat nuk do të na e falin. Për këtë duhet të shqetësohen të gjithë: Drejtuesit e ministrisë e të teatrove, krijuesit, artistët, regjisorët, skenaristët, skenografët. Nëse pranojmë se nga e kaluara duhet të mbështetmi në trashëgiminë kulturore, të mos harrojmë edhe arritjet pozitive të sistemit të mëparshëm, sidomos në krijimtarinë cilësore dramaturgjike, duke mënjanuar censurën ndaj përmbajtjes, por jo atë ndaj vlerave cilësore të krijimtarisë. E në këtë këndvështrim krijuesve iu duhet siguruar liria e krijimtarisë, kushtet më komode për të inskenuar veprat e tyre, nxitja nëpërmjet konkurseve e formave të tjera inkurajuese. Ky është një detyrim i organeve kompetente e kusht i patjetërsueshëm për të arritur suksesin. Por nëse në këto probleme të brendshme të komunitetit teatror futin hundët edhe subjektet politike, siç ka ndodhur këto kohët e fundit, atëherë kemi të bëjmë me aspekte abuzive, të cilat janë të papranueshme për krijuesit dhe interpretuesit e shfaqjeve teatrore. Çështjet marrin kështu një tjetër drejtim dhe here-herë tingëllojnë si një shkak për të krijuar probleme inatçore e, pse jo edhe tendenca rivaliteti e përfitimesh të subjekteve ndërtimore. Edhe njëherë po e theksoj, se për komunitetin teatror, nuk ka rëndësi se nga cili xhep dalin paratë. Rëndësi ka që ky komunitet të ketë një teatër dinjitoz e multi-funksional. 
Sigal