Kriza politike në Venezuela dhe sanksionet e SHBA-ve ndaj qeverisë së Nicolas Maduro

820
Diana SKRAPARI

Autoritetet amerikane kanë njoftuar vënien e sanksioneve ndaj tetë figurave të tjera të Venezuelës, duke përfshirë këtu një vëlla të të ndjerit ish-President të Venezuelës, Hugo Chavez, për shkak të lidhjeve të tyre me presidentin e kontestuar Nicolas Maduro. Më 9 gusht, Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione financiare ndaj Venezuelës, kur qeveria e presidentit Nicolas Maduro vazhdon marrjen në dorë të institucioneve, duke shkaktuar frikën e opozitës për shpërbërjen e parlamentit që ajo kontrollon.

“Të gjitha pronat e këtyre individëve janë të ngrira në Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët amerikanë e kanë të ndaluar tregtinë me ta”, tha në një deklaratë Sekretari i Thesarit amerikan Steven Munchin. “Ky regjim është i papranueshëm dhe se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë së bashku me opozitën (e cila lufton) kundër tiranisë derisa Venezuela të rikthehet në një demokraci të begatë dhe paqësore,” tha Sekretari i Thesarit. “Zgjedhjet e jashtëligjshme të djeshme konfirmuan se Maduro është një diktator që e përçmon vullnetin e popullit të Venezuelës,” shtoi Sekretari amerikan i Thesarit Steven Munchin duke njoftuar për shtyp në Shtëpinë e Bardhë një “ngrirje” të “të gjitha pasurive” që presidenti i Venezuelës do të kishte në Shtetet e Bashkuara.

“Të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë Kuvend jolegjitim Kushtetues do të jenë ekspozuar ndaj sanksioneve të tjera amerikane pasi pengojnë proceset demokratike dhe institucionet në Venezuelë,” paralajmëroi Sekretari i Thesarit.

“Maduro nuk është vetëm një lider i keq, ai është tani një diktator”, këmbënguli së bashku me Steven Munchin, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Donald Trump, gjenerali H. R. McMaster.

Është tejet e rrallë për qeverinë e SH.B.A.-së të sanksionojë një udhëheqës të huaj shtetëror në detyrë. Steven Munchin dhe H.R. McMaster theksuan se Maduro ishte vetëm presidenti i katërt që u sanksionua nga Uashingtoni, duke u bashkuar me një “klub ekskluziv” të përbërë nga presidentët sirianë Bashar al-Assad, Koreanoveriori Kim Xhong-Un dhe Zimbabvani Robert Mugabe.”Venezuela nuk mund të sanksionohet nga asgjë ose nga askush,” reagoi menjëherë Ministri i Jashtëm venezuelian Jorge Arreaza, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “duken qesharake para gjithë botës”. Që nga vdekja e Hugo Chavez në vitin 2013, një krizë politike e lindur nga fitorja e opozitës në zgjedhjet legjislative i shtohet një situate të vështirë ekonomike ku ka rënie e të ardhurave të naftës, burimi kryesor i vendit dhe hiperinflacioni i shkaktuar nga mungesa e ushqimit dhe ilaçeve. Presidenti chavist Nicolas Maduro i përgjigjet protestave të opozitës me një ofendim autoritar. Më 1 maj 2017, Nicolas Maduro njoftoi synimin e tij për të thirrur një asamble kushtetuese për të rishkruar kushtetutën e vitit 1999. 500 anëtarët e Kuvendit do të emërohen nga gjysma e lëvizjeve sociale chaviste dhe një gjysmë nga një votim në të cilin partitë politike nuk mund të paraqesin kandidatë. Qëllimi i projektit do të jetë të anashkalojë udhëheqësit e opozitës, armiqësor ndaj negociatave me qeverinë. Disa chavistë që e kanë kritikuar procesin janë quajtur si “tradhtarë” nga Maduro.

Më 24 maj, Luisa Ortega Díaz, një Chaviste historike, Prokurorja e Përgjithshme e Venezuelës që nga viti 2007, e rizgjedhur deri në 2021, ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj qeverisë së Nicolas Maduro. Ajo konsideron se “grupet e armatosura nuk duhet të sulmojnë demonstratat paqësore”, dhe thekson se hetimet janë duke vazhduar në lidhje me këta paramilitarë që kontrollojnë lagjet. Ajo gjithashtu beson se thirrja e një Asambleje Kushtetuese do të “përkeqësojë krizën”. Së fundmi, ajo denoncon përdorimin e gjykatave ushtarake kundër civilëve të arrestuar gjatë demonstratave. Opozita denoncoi sistemin e planifikuar për të caktuar anëtarët e asamblesë së ardhme kushtetuese duke organizuar një konsultim më 16 korrik për të kundërshtuar asamblenë: këto zgjedhje simbolike mblodhën 7.6 milionë vota (nga 19 milionë votues). Presidenti Maduro e konsideron këtë votim se nuk ka forcë ligjore ose detyruese. Zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese, do të mbaheshin më 30 korrik dhe së bashku, sipas autoriteteve, pjesëmarrja me 41.5% (tetë milionë votues), dhe më pak sipas opozitës, e cila kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve. Më 8 gusht, dymbëdhjetë vendet e Amerikës (Argjentinë, Brazil, Kanada, Kili, Kolumbi, Kosta Rika, Guatemala, Honduras, Meksikë, Panama, Paraguaj dhe Peru) dënuan një “thyerje të rendit demokratik” në Venezuelë dhe refuzojnë të pranojnë Kuvendin Kushtetues. Nga ana e saj, OKB-ja dënon sërish “përdorimin e tepruar të forcës”, duke akuzuar forcat e Venezuelës të sigurisë se kanë vrarë të paktën 73 protestues anti-qeveritar dhe grupe të armatosura pro-qeveritare qarkullojnë me motor me armë duke vrarë rreth tridhjetë të tjerë. Presidenti që ka udhëhequr Venezuelën para Nicolas Maduro ishte Hugo Chavez, i cili ka qenë President i Republikës së Venezuelës nga viti 1999 deri në vitin 2013. Ai ishte një kundërshtar i zjarrtë i imperializmit dhe i kapitalizmit neoliberal, ai kundërshtonte politikën e jashtme të SHBA-ve. Ai ishte bashkuar në aleanca të forta me qeveritë socialiste si të Evo Morales në Bolivi, Rafael Correa në Ekuador, Raul Kastro në Kubë. Presidentët e Venezuelës dhe Kubës, Hugo Chavez dhe Fidel Castro, bashkë me presidentin bolivian Evo Morales, formuan në prill të vitit 2005, Alternativën Bolivariane për Amerikat (ALBA-Alternativa Bolivariana de las Americas), duke forcuar bashkëpunimin mes këtyre vendeve. Këto marrëveshje janë nënshkruar në Havana, ndërsa Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoleiza Rajs vizitonte Amerikën Latine për të promovuar projektin e Zonës të Tregtisë së Lirë të Amerikave (Free Trade Area of the Americas). Hugo Chavez mbronte edhe Fark, të cilët janë një grup i armatosur marksist që vepron në Kolombi. (Kohët e fundit, ky grup ushtarak ka vendosur mos të bëjë më luftë me qeverinë kolombiane dhe pas 5 dekadash lufte të bëjë paqe me të dhe të krijojë një lëvizje politike). Në një fjalim në janar të vitit 2008, Hugo Chavez thotë se FARC dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk janë terroristë, por kryengritës bolivarianë që kanë një projekt politik të respektuar. Por Hugo Chavez u ka bërë thirrje gjithashtu FARC-ëve të të heqin dorë nga forca e armëve pas çlirimit të Ingrid Betancourt, e cila ishte një politikane franko-kolombiane e mbajtur për vite të tërë si peng i FARC-ëve në Kolombi. Qeveria Chavez tregon armiqësi të fortë ndaj administratës amerikane dhe atë që e quan imperializëm të SHBA-ve. Chavez e ka akuzuar qeverinë amerikane se ka bërë komplot për të përjetësuar hegjemoninë në vendin e tij dhe në Amerikën Latine, dhe për të arritur këtë, është përpjekur për të përmbysur qeverinë e tij. Hugo Chavez vdiq nga kanceri në 2013 dhe u kurua për një kohë në Kuba, por pa rezultat. Aleati i tij më i madh dhe frymëzuesi i tij, ishte Fidel Kastro dhe bashkëpunëtorët më të mëdhenj pas tij ishin Evo Morales, Presidenti i Bolivisë, i cili nuk ka hezituar të zgjedhë një fermere si ministre disa kohë më parë (duke na kujtuar ne shqiptarëve praktikat e shëmtuara të zgjedhjes së udhëheqësve tanë gjatë komunizmit) dhe nga Raul Kastro. Kur shikon Venezuelën e tanishme dhe zhvillimet e fundit e kuptojmë se kemi të bëjmë me një vend jo demokratik, ku të drejtat e njeriut janë të shkelura dhe ku nuk zhvillohen zgjedhje të lira dhe kjo na sjell ndërmend librin “Maska e vdekjes së kuqe” të Edgar Allan Poe, ku midis të tjerash ai thotë ” Dhe errësira, shkatërrimi dhe “vdekja e kuqe” kishin mbi të gjitha atë dominim të pakufizuar” dhe kjo e keqe e kuqe ka sjellë shumë pasoja pasi ka krijuar një shtet me baza jo të forta ku as e drejta e votës nuk respektohet ose siç shprehej Charles Bukovski “Dallimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ju votoni në fillim dhe merrni urdhra më vonë; në një diktaturë ju nuk duhet të humbni kohën tuaj duke votuar” dhe Presidenti amerikan Abraham Linkoln shprehej se “Demokracia është qeveria e popullit, nga populli, dhe për popullin.”
Sigal