Kriza dhe shpërthimi social grek

685
Sigal

Greqia kthehet prapa në vitet 1970, toleranca “zero” në punë për shqiptarët!

Thua se Greqia e ka të keqen nga shqiptarët. Brenda 4 viteve të fundit Greqia si rezultat i reformave antikrizë ka pësuar një rënie ekonomike që ndoshta vetëm dora e Zotit mund ta shpëtojë. Standardet e jetesës dhe fuqia blerëse është kthyer në atë të viteve 1970. Kjo sipas një studimi të ri nga ana e Institutit të Punës (GSEE), që do të publikohet  javën e ardhshme. Fuqia blerëse në krahasim me atë të një viti më parë ka pësuar një rënie në 50 për qind, duke humbur 4.4 miliardë euro, në një kohë që qeveria Samaras po përgatit edhe 70 masa të reja antikrizë në kurriz të shtresës së varfër dhe pensionistëve, të cilët nga dita në ditë shikojnë shkurtime në pagat e tyre. Ndihmat sociale apo dhuratat në prag të festave për punonjësit e shërbimit publik do të priten nga qeveria Samaras, me qëllim për të kursyer edhe 3.3 miliardë euro të tjera, për të siguruar një kredi tjetër prej 11,5 miliardë euro.

Thika pret thellë

Edhe kjo qeveri, ashtu si ato ish- qeveritë e mëparshme, për të siguruar miliarda ka gjetur rrugën më të lehtë në shkurtimet e pagave të kësaj shtrese, pasi e ka të vështirë të kontrollojë bizneset e mëdha në detyrimet që kanë ndaj shtetit. Që nga viti 2010 populli grek është përballur me 78 masa anti-krizë, ndërsa që nga sot e tutje do të përballet edhe me 70 masa të tjera, ka deklaruar kryeministri Samaras. Sindikatat e Përgjithshme të Greqisë kanë dhënë alarmin pasi 91% e punëtorëve grekë kanë parë të ardhurat e tyre të shkurtohen. Gjithashtu, krahas uljes se rrogave vendasit do përballen edhe me rritjen e biletave të transportit urban prej 25 për qind. Gjithashtu Samaras premtoi se, do jetë masa e fundit antikrizë që merr qeveria e tij. Në një takim me deputetet e tij, Antonis Samaras theksoi se: “Pas dy vjetësh do të ketë një Greqi tjetër dhe se e ardhmja e Greqisë është padyshim Eurozona. Ne kemi nevojë për të shkuar edhe më të shpejtë … Prioritetet tona janë privatizimi, ndryshime strukturore dhe investimet. Nuk do të jetë një reformë e përhershme e taksave. Kundërshtari ynë është koha, koha e vjetër e matur në muaj, tani numërimi në javë e ditë. Reagime ka patur nga opozita, e cila nga ana e saj ka kundërshtuar paketën antikrizë që përmban edhe 70 masa të reja. Por kjo krizë si gjithmonë ka nxjerrë në pah edhe pikëpamjet politike të partive të ndryshme ndaj emigrantëve shqiptarë. Pas pezullimit të nënshtetësisë ndaj emigrantëve shqiptarë nga Kryeministri Samaras, sot është hedhur në sulm kundra shqiptarëve edhe partia naziste, duke kërkuar pezullimin e tyre nga puna.

Shkurtohet paga e pensionistëve në 40 për qind

Pensionet në dy vitet e fundit janë shkurtuar shtatë herë, ndërsa pritet edhe një shkurtim tjetër, në një kohë që në portofolin e tyre paratë janë shkurtuar në 40 për qind. Shkurtimi i njëpasnjëshme i pagave ka bërë qe pjesa më e madhe e vendasve të pësojë një goditje psikologjike, pasi grekët ishin mësuar të bënin një jetë tjetër që nuk i takonte. Një pjesë e tyre kanë humbur gjithçka, aq sa i japin fund jetës së tyre, kjo ka bërë që çdo vit të regjistrohen 500-700 viktima, ndërsa një pjesë tjetër për të jetuar ka zgjedhur kërkimin e sendeve ushqimore në kazanët e plehrave. Heqja e dhuratave do të thotë një reduktim prej 12% për një pensionist, i cili tani merr një pension mujor prej 500 euro, do të humbas në vit rreth 800 euro, pra nga 6.800 që merrte, do të marrë 6.000 euro. Shkurtimet në pensione, si dhe në ndihmat sociale shteti do marrë nga xhepat e pensionistëve dhe masave punonjëse  4.8 miliard, kursime të planifikuara buxhetore.

Papunësia në Greqi 23.1 për qind

Mbyllja e njëpasnjëshme e bizneseve ka bërë që papunësia të kapë shifrat rekord 23.1 për qind për muajin maj të 2012, të paparë ndonjëherë për këtë vend, që pas rënies së Juntës Ushtarake të Papadhopulos. Në krahasim me muajin prill papunësia pati një rritje prej 0.5 për qind, ndërsa në krahasim me muajin prill të 2011 papunësia u rrit 6.3 për qind. Këto të dhëna u dhanë nga në Bruksel nga Eurostat më 31 gusht të 2012. Shifra e lartë e papunësisë në Greqi është e dyta për BE, pasi Spanja zë vendin e pare me një papunësi prej 25.1 për qind (të dhënat e fundit për muajin korrik) Papunësia me shifra të ulëta janë në Austri me 4.5 për qind, Holandë 5.3 për qind dhe Luksemburgu me 5.5 për qind. Simbas Eurostat-it, papunësia në eurozonë për korrikun e 2012 shkoi në 11.3 për qind, ndërsa në BE shkoi në 10.4 për qind. Sipas të dhënave të njëjta, Greqia ka normën më të lartë të papunësisë në BE përsa i përket të rinjve në 53,8% (të dhënat në muajin maj), ndërsa për burrat norma e papunësisë qëndron në 20.3 për qind dhe femrat në 26.8 për qind.

Toleranca “Zero” në punë  për shqiptarët!

Kjo ishte kërkesa e partisë naziste e bërë nga deputeti i saj z. Jorgo Gjermenis drejtuar qeverisë të Andonis Samaras, duke abuzuar gjithnjë e më shumë me emigrantët, me qëllim përfitimi politik. Sipas nazistëve, emigrantët nuk duhet që të punojnë në shërbimet publike, në një kohë kur faktikisht në këto shërbime nuk ndodhet asnjë emigrant, pasi e ndalon Kushtetuta dhe ligji vendas i emigracionit. Nazistët kanë kërkuar nga qeveria “Samaras” pezullimin e shqiptarëve, pasi sot ata janë kthyer në punëmarrës, në një kohë kur Greqia ka mbi 1 milion të papunë. Përgjigja e qeverisë me anën e zv/ministrit të Ekonomisë ishte se: “Greqia ka një politikë emigracioni që i jep leje ligjore të punës emigrantëve. Puna e zezë nuk është e mbrojtur nga kontratat publike, por përkundrazi, për këtë të një kontraktori i duhet të paraqesë emrat e punonjësve dhe të provojnë se kanë dokumente ligjore për të punuar. Brenda shtetit, ka ligje për të cilët ka të drejtë të punojë emigranti, si për qytetarët evropianë, në bazë të traktateve të pranimit të ketë forcën kushtetuese të BE-së, të huajve rregullohet në kuadër të politikës së emigracionit në përgjithësi. Për emigrantët e paligjshëm, qeveria nisi operacionin”Xenios Zeus “për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, të gjithë duhet të mbështesin këtë opoeracion

“Greqia do të shkatërrohet pas zgjedhjeve të SHBA”

“Rreziku është reduktuar në zero. Obama mund të marr frymë lirisht për shkak se, Greqia nuk do të largohet nga eurozona para zgjedhjeve të SHBA”, shkruan një artikull në Vvall Street Journal. Rreziku i shembjes së ekonomisë greke para zgjedhjeve presidenciale të SHBA më 6 nëntor, i cili do të hedhin vaj në zjarr krizës në Europë dhe ndoshta do të shkaktojë një tjetër recesion në Shtetet e Bashkuara, ka rënë afër zeros, kjo sipas ekonomistit Nicolas Veron. Antonis Samaras gjatë disa javëve të kaluara, në mënyrë të ndjeshëm ka eliminuar skenarin, ku vendi borxhli do të binte në shtator ose tetor”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp. “Ekipi Obama mund të ndjehet më i qetë, pa makthin grek, kjo varet mbi perspektivat e rritjes së zhvillimit të SHBA. Mundësia e një kolapsi të tipit lloj-Lehman që do të ndryshojë ekuacionin në zgjedhjet amerikane-nuk ekziston më në këtë kohë”, tha analisti.

Nazistët grekë: Shpërthimi social është vetëm çështje kohe

 “Qeveria kukull e peshkaqenë çon njerëzit në varfëri dhe shkatërrim në vend”, thekson në një deklaratë e “Agim Artë” në kuadrin e masave të shpallura në dy vitet e ardhshme. Grekët, si një popull krenar, së shpejti do të reagojnë. Shpërthimi social është një çështje e kohës”.