Kristo Mërtiri/ Zoti Kryeministër, e gëzofsh “Fatligxhafërinë” !

907
Më në fund e theu heshtjen tinzare e tepër hileqare. Më në fund reagoi publikisht. Si “dëshmitar publik i pazëvendësueshëm”, por edhe si avokat mbrojtës prepotent.Në fund të fundit, ku ka më mirë se ta kesh avokatin edhe Kryeministër !? Në botën demokratike nuk besoj të gjeni rast tjetër. Sepse ikën 10 vjetë me “fol o gur, fol o mur”. Nuk cucuriti as si Kryetar Bashkie, as si Kryetar partie dhe as si Kryeministër. Ama, e rrëzoi deklarenë time para kolegëve e miqve të shumtë, se “ai nuk ka gojë dhe nuk do të flasë kurrë për “fatligxhafërinë”. Shkurt, topi mediatik “bam” e Rama tutje ! Një trimëri e padëgjuar në betejat e Tranzicionit kusuremadh. Një heshtje varri me të njohura e të panjohura. Ngushëllohemi sadopak vetëm me atë faktin kokfortë që për 10 vjetë as pohoi e as mohoi gjëkafshë. Megjithatë, parashikimi im u shua përmes etheve gushtore. Vecse reagimi i tij mjaft fyes për profesionistët e gazetarisë serioze, u vuri vulën (më mirë vonë se kurrë) pikëpyetjeve e dilemave drithëruese të pasqyruara herët dhe pa maska te disa media tashmë i humbur, e të tjerë. Sepse e vërteta mund të hollohet, por nuk këputet ! Përshembull, sikur vetëm faktet telegrafike që iu dërguan edhe Ambasadorëve të SHBA e BE nëpërmjet shkrimit “Drejtësia shqiptare nuk mund të pastrohet nga “halimxhafëria”(botuar në 14 korrik), flasin dhe rrëfejnë hapur për imoralitetin politik të Kryeministrit tonë mujshar i pandreqshëm…Tjetër. Nuk mund të harrojmë edhe një ironi therëse të mbi 10 vjetëve më parë në media : “Me “fatligxhafërinë” në krye, Partia Socialiste do të bëjë shumë përpara…”. Pas pak muajsh, kjo forcë politike u dergj 8 vjetë në opozitë (?!). Kryetari mandatdhuruar përmes errësirës së kulisave “antinano” (paradite iu rrëzua Platforma në forume), pas një nate historike të mbarsur me ligësira, pagjumësi e intriga “fatligxhafëriste”, në mëngjesin tjetër cuditërisht rrëmbeu fët e fët kolltukun e Njëshit ! Dollibashët ose më saktë yzmetcinjtë e regjur (ca shushunja të pashqitura për 25 vjetë mbi kokën dhe qafën e PS ), e mbajnë sot e gjithë ditën nën sqetullat e tyre erërënda. Kjo corbë, mos vallë këtë lugë kërkon ?

…Atje, në Dhërmiun e Petro Markos së paharruar që prehet në paqe nën një ulli shekullor. Atje, Kryeministri ynë piktor , pasi kishte matur detin me filxhan dhe Zahoja po përkundej ëmbël nga valët shkumëbardha të Jonit, dritat e vilës qeveritare u ndezën befas pas mesnate. Ndërsa yjet shkrepën mbi vargmalin e Vetëtimës, si fishekzjarre festive për nipcen Kryeministër. Sapo kish trokitur e mbërritur pa yrysh e zhurmë data 4 gusht. Vendosi të mbrehte qetë përballë opozitës ! Megjithse me rroba banje e pa këmishë antiplumb, mbase iu duk vetja shenjtor. Që agu i mëngjesit ta gjente njerëzinë duke kënduar e ngarë me hosten qetë e parmendës. (Theksojmë se ndonjë portal a gazetë jashtë rrjetës ediramiste, u zhgënjyen sa hap e mbyll sytë. Ndoshta prisnin ndonjë reagim si dikur në media ose nga ai soji i letërkëmbimit me Enverin nga ferri. Por nuk ndodhi as njera e as tjetra. Mjaft media online e të printuara në Tiranë, e bënë gjumin harram…). Fytyra mavi e udhëheqësit po nxihej nga inati. Më në fund e nisi si “letër rekomande”, por u bitis si hejbe me gurë. Nuk e hodhi në sup, por i uroi fat e udhë të mbarë nëpër shtigjet e xhunglës së internetit që e presin si ujët e pakët në këtë përcëllimë gushti. Po cfarë hataje kishte ngjarë, cilat ethe ia pushtuan mizorisht pushimet dhe kush ia prishi humorin e dialogut me turistin e vecantë, Toni Bler ?…

-Cuditë nuk paskan anë e fund, miku ynë.-Të ngrihesh leshrapërpjetë pas mesnate dhe të kuvendosh me njerëzinë për rrugët e përgjakura, për jetët e humbura gjatë kësaj vere ulërimë me Drejtësinë në gojë e mbi shpinë; të flasësh për administratën e korruptuar e “më injorantja në Europë” sic e pagëzoi saktë S. Ngjela; të shkruash për hajdutërinë e koncesioneve marramendëse me firmën e vulën kryeministrore; të flasësh me penë e me tastier për nepotizmin sipëror si litar rreth grykëzënës Qeveri etj., ia bëjmë kabull të gjitha. Nuk thosh kot mjeshtri i rrallë Jakov Xoxa:”edhe në fjetsha, zemrën s’ma vë dot njeri në gjumë”. Por në rastin konkret ndryshon shumë puna…Të dalësh pa u gdhirë Bregut të Detit, vetëm e vetëm si “dëshmitar publik” i përgjëruar për byrazerin e kryetarit faqezi të Komisionit të Reformës në Drejtësi, kjo pataksi e tromaksirë sikur të lë ulok e me të dyja duart në kokë ! Apo gjetkë vallja e gjetkë daullja ?…I thuaj Edi Ramës, me gojë a me shkrim : Aman, tu bëfshim kurban o kryetar, si nuk tu njom gjuha asnjëherë për bëmat dhe gjëmat e “fatligxhafërisë” në vite, përse nuk lëshove as ndonjë batutë si top me lecka para publikut supevarur ? Thonë se je bërë byrazer me të dhe keni thithur pika gjaku nga mollzat e gishtave të njeri-tjetrit. Tjetër. Sa herë shkoje në Pogradec, dy orë përpara nisjes zhyteshe e laje ca mëkate te pishinat e kryetarit të Ligjeve në Parlament, te liqeni artificial ! A i ke takuar ata fëmijët e qytetit të Lasgushit, tashmë të rritur e që po kërkojnë me qiri në dorë cerdhen e dikurshme që u rrafshua për hir të pallatit të deputetit kollovar, sot në krye të Reformës ? E të tjera, që i dinë më mirë edhe Ambasadorët e nderuar të SHBA e BE. Mos u leqendis kaq shumë, a derëbardhë dhe mos e lësho nga duart “inkubatorin e intrigave në PS”, por së paku verifiko e na thuaj : Përse shkoi disa herë në Itali ky paloministër drejtësie gjatë vitit 2004 dhe cfarë i solli Shqipërisë e Qeverisë nga Venecia e gjetkë ?! Futja e duarve të pista në atë dosjen e qepur në Itali e të shqepur në dikasterin që drejtonte vetë, tregohet me neveri sot e kësaj dite. Mos na lëntë Perëndia pa këta mashtrues e manipulatorë profesionistë të pacipë… Vërtet nuk i kënduat dot dy faqe gazette në disa medie, plot e përplot me fakte erërënda për “byrazerin” tënd ? As edhe një kolektiv dikasteri (autorët e asaj letrës publike të paharruar) nuk ta bën sadopak qejfin qeder ? Arroganca e karshillëku yt me brirë po e shton zhgënjimin vrasës te elektorati. Apo kujton se mileti i ha tërë brockullat tuaja të hedhura nëpër gjirize internet…

Dikur, dikur ama, ka qenë ithtar i mendimit ndryshe. O Zot, sot i quan pa pikë qytetarie “qentë që lehin”(?!). Po Edin e djeshëm e të sotëm, si ta thërrasim vallë, me të njëjtën monedhë ? Një tjetërsim i pashembullt, hipur në kolltukun e pushtetit. Më konkretisht. Sikur tërë akuzat dhe kritikat e opozitës e të medias të shumëzohen me zero, ato për “fatligxhafërinë” nuk ka kandar që i peshon e mbron. Ti qofsh, që bëre lanet gjumin e natës gushtore në Dhërmi dhe si padashje kërceve mbi telat e ndryshkur të hipokrizisë ! Dhe kur të do kokrra e qejfit, lëshon edhe statuse për të “përndjekurit politikë” si këmisha force përballë Drejtësisë së vonuar e jo pak të intimiduar. Apo “iriqi në ferrë se në ferrë” është mësuar e nuk c’mësohet dot ?…Ende nuk më bën zemra të besoj se kjo parti po merr rrokullimën. Mua personalisht, më dhemb jo pak. Nuk më lidh fare asnjë interes vetiak, material a karriere. Në shtyp nuk heshta për 40 vjetë, por mendimin dhe penën as ma merrni dhe as ma thyeni dot. Unë i përbuz ata që rrëmbyen e nuk shërbyen. Është fjala për ata që përkëdhelin thasët me para të pista dhe ti Kryeministër u fërkon kokën e trupin duke i vendosur deri në krye të Reformës në Drejtësi ! A do i dëgjosh ndonjëherë sinqerisht socialistët dhe eurosocialistët e vërtetë e të ndershëm, të braktisur e me gisht në gojë ? Apo të kanë mbërthyer rilindistët që ranë si ufo nga hëna drejt e në selinë e PS-së. Mjaft prej tyre paskan para me okë, por nuk kanë asnjë gram dinjitet !…
Përndryshe do të mbahet mend gjatë vetëm urimi trishtues e kuptimplotë : Zoti Kryeministër, e gëzofsh e i pafsh hajrin “fatligxhafërisë” ! Të kuptohemi mirë. Nuk them kurrsesi të djegësh shtëpinë për të përzënë minjtë…
Sigal