Kristo MËRTIRI/ Shamku gurgulleshë dhe 100 koqevetë e Nastradinit…

640
Sigal

-Më dëgjo pak, miku im. Nuk thoshte kot mësuesi ynë i ndjerë, i paharruari Murat Kociaj: Më mirë të të shkasë këmba se gjuha! Këtu, në Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit ende nuk po na mbushet radakja se ai Shkreli dhe ajo Shamku (Shkreli) qenkërkan vërtet këshilltarë specialë e deputetë namusqarë. Njëri i kryetarit të Qeverisë dhe tjetra në tempullin e Sovranit. Sepse nga mesmarsi që shkoi e vate, po gjerbja një filxhan kafe e një teke raki nga pjergullat e Beçishtit përtej kalasë së Ali Pashës. Por, sikur më shkuan prapa kurrizit! Jo rastësisht këndova në gazetë një deklaratë që ma bëri mendjen ujë. Paskësh folur ai (jo ajo) publikisht në ekran, se, “nëse do të jetonte gjatë Luftës së Dytë Botërore, me shumë dëshirë do të donte të ishte ministër Kuisling”(?!). Më kanë lënë sytë apo veshët?-pyeta veten i telikosur. Pse të gënjej, u trishtova shumë. Shkurt e troç muhabeti, të jesh mercenar i shkallës sipërore i pushtuesve fashistë e nazistë, sipas këtij kalanderi mujshar e aspak provokator i rëndomtë, do të thotë ta kthesh kokëposhtë historinë Çlirimtare mbi 70- vjeçare dhe ta vërvitësh në koshin e rëndë të humbësve me damkë! Pastaj të jargavitesh i krekosur e fodull sipas devizës jo pak të njohur: “I menderosur, por krenar”! Megjithatë, unë vazhdoj të besoj, se ai e ajo po prashisin në erë e në ujë, por nuk ma nxë goja e të them fët e fët se u ka shkundur era trutë. Veçse kur u sosa në fshat, ai vërsniku e miku ynë i përbashkët pa asnjë teserë partie në xhep, i vuri kapak handakosjes time shpirtërore. Ashtu hokatar e fjalëhalë, më pikasi shpejt dhe po mërmërinte buzëpaqeshur në vetmi. Ia merrte e ia kthente vetë. Në këngë dukej vetë zot e vetë shkop! I’a merrte e ia kthente me “oi-oi”. Herë-herë e priste me gjongul dhe derdhte pa kursim ison labërishte nëpër vargje: “Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë! Po vijnë bejlerët, si desht’ pa këmborë, ballist e zogistë, të zgjedhur me dorë. Kuisling të djeshëm, nëpër dhiasporë, rigroposen prapë si të jenë dëshmorë! Qeveria s’ndihet për 70 vjetor! Mediat kokolepsur, në shi e në borë, dridhen e përdridhen, si furka në dorë. Emision për qentë,shkrim për ndonjë horr, lule djemt’ e nënës, qeshin a vajtojnë! Qaj moj Shqipëri,ulëri e gjorë”!… Pa u rrokullisur shumë rrëke me ujë, e ngau fort fjalën ca ditë më parë dhe nuk bënte shaka me kripë a pa kripë. Ngulte këmbë si mushka te ajo (jo te ai). Nuk shqitej nga celulari me “ofertë”. Pas sulmeve mbi shqipen standarde, nuk e fshihte dot irritimin jo të zakonshëm përballë kartës së djegur të “dekomunistizimit” të gjuhës. Vetëm ajo intervista analitike, kurajoze, e kthjellët dhe dinjitoze e Prof. Rami Memushaj, ia riktheu disi humorin e qetësinë vulëhumbur. -Ore babam, dikur më thanë se një “kotele” kishte nxjerrë putrat njomështirë në media dhe si me inat fëminor donte të çirrte pakëz me thonj shekullorin e papërsëritshëm historian, Kristo Frashëri. Eh, ç’më hipi i madhi gas! Madje atëherë u kandisa ta kaloja me një “lajthitje aguridhe” apo me “mbase do piqet një ditë”…Dhe çfarë feksi e shkrepi si papritur e pa kujtuar? Ajo (jo ai) zbrazi një cingërimë a furtunë ndjellakeqe, jo mbi një gotë ujë, por mbi 20 akademikë gjuhëtarë, shkrimtarë, botues e historianë shqiptarë jo dosido dhe që nuk lypnin asnjë kolltuk ekzekutivi e legjislativi, as me nder tendera e projekte arkitekturore. Ata kërkuan publikisht e aspak pas perdes paprekshmërinë, mbrojtjen e pasurisë së rrallë kombëtare: Gjuha Shqipe. Të lutem shumë, miku im i vjetër, më bëj 2 gisht kartë nga Tirana e më thuaj se kush është ajo zonjë që përkëdhelet me 2 emra e me 2 llagapet me 2 “Sh”? Është politikane e përzgjedhur thjesht nga lapsi i ngrohte nepotik i liderëve; është gjuhëtare “me shkollë nate” dhe e vetëshpallur linguiste apo është fallxhore e magjistare akshami? Mos vallë i ka rrënjët në truallin e “shkarpaxhinjve” të Fishtës apo pak më larg rreth çanakut me dhallë e “përshesh” siç qesëndiste Samiu nga Dangëllia e dhembshur? Sepse ti e di mirë, ne i kemi patur zët tërë jetën e nuk i besojmë kollaj kallëpet kallp të ca kallpazanëve diletantë e stinorë, si në monizëm dhe në pluralizëm. Aq më tepër kur ligjërojnë me pat’hos vetëm nga maja e “Olimpit”, nga bulevardi kryeqytetas apo nga kullat me e pa fildish. Të guxosh e të bësh deklaratë publike se në vendin tonë “nuk ka shqipe standarde” apo të gërhasësh në 2014 se fëmijët tanë duhet të lëçisin e mësojnë dialektin, do të thotë të fyesh të vdekur e të gjallë nga bota e ndritur akademike në trojet etnike e gjer te arbëreshët dhembje shumë. Se mizëria me amatorë e aguridhë nuk na bën vetëm të qeshim. Ata ngujohen gjasme te “shqipja e traditës” e diktatura e proletariatit”. Më konkretisht: Zonja me dy “SH” në dy llagape, englediset mbi ca letra në tavolinat parlamentare si deputete e “mosvarme” e kulluar dhe bitis e ua nis mediave “foton” e akademikëve të nderuar bashkë me diçiturën marramendëse: “Paudhësi kombëtare”?!. Pa një pa dy “zbulon” jo nga vrima e çelësit kapakun e ndryshkur se ata “po kërkojnë të mbijetojnë nën sqetullën e politikës”. O tempora, o morës! Nuk thotë kot i mençuri: Kush pi veresie, dehet dy herë. Pra, pa u bërë esëll i pret drutë shkurt e çakërqejf një zonjë e strehuar çuditërisht nga anonimati e drejt në podiumet e larta të politikës. Të tjerë punuan e u munduan, të tjerë në sofër u shtruan! A ka hipokrizi më të madhe? Aman, më qafsh, si i quajnë vallë sqetullat ku rron e mbretëron kjo kallpazane që sulmon “një mision historik, siç është standardizimi i gjuhës shqipe”? Se, në fund të fundit, siç pohon me të drejtë kokëploti i mirënjohur Moikom Zeqo, Kongresi i famshëm ishte vetëm një konfirmim zyrtar i shqipes standarde të formësuar herët. Më thoni ju, të sfilitesh e përpëlitesh me kukamë e të bashkosh grurin me bykun, thjesht për të vënë tinëzisht e djallëzisht “krahinoren mbi kombëtaren”!, minimalisht kujt i bën temena vallë: unitetit apo mediokritetit ? Mirëpo, hallet për të gjallët janë. Po sikur Shamku-Shkreli të ishte tëpkë si ajo gurgullesha nëpër skërkat e Golikut e të Trebeshinës? Sinqerisht, hiç nuk do bëzanim. Është fjala për atë bimën e uruar “me rrënjë si kokë hudhre, që përdoret në mjekësinë popullore kundër ngalosës (sëmundjes së mallkuar që u bie dhenve e dhive dhe u prek kyçet e këmbëve, sytë e gjinjtë (zbekthi). Të kishte qenë për Gjuhën Shqipe si ajo vaksina e bekuar, me siguri i’ a bënim kabull ndonjë lajthitje pranverore a si i thonë sot europiançe “lapsus”. Unë kam një jetë të tërë që lëroj ugaret e gazetarisë dhe ende s’më hapen mjaft dyer e faqe në shtypin e shkruar e atë elektronik… Nuk bëj shpoti, e kam zili këtë zonjë që ulet këmbëkryq pranë oxhaqeve mediatike sa herë ia do kokrra e qejfit. Por të injorosh e politizosh pa fre Kuvendin e madh të Drejtshkrimit (1972), më e pakta është njëlloj si të lësh dasmën e të shkosh për shkarpa. Aspak me zë të mbytur e të ndërprerë, si ajo pula kur bie klloçkë, të ngrohësh ca vezë “kuislinge” në gjuhësi dhe të flasësh përçart si në kllapi, domosdo nuk do nxjerrësh zog. Pra, vetëm vezë kllukë e më shqip “vezë e prishur me erë të keqe”! Veçse klloçitjet mediokre nuk na vrasin vetëm veshin, dhe nuk janë thjesht kontribute e as verë e vjetër nëpër bute. Shumë nga ata akademikë e intelektualë të shquar, kam patur fatin t’i njoh nga afër. “Vezën” e tyre të çmuar jo kushdo mund ta bëjë. E vërteta është një, ne jemi shumë. Sepse vjen një ditë dhe hilet dalin si koqevetë! Le ta mbyllim me një rrëfim të shkurtër, gati anekdotë, nga burimet popullore në viset e mia buzë Vjosës: “- Grua, kam bërë një koqeve!-i thirri Nastradini. –Si?-Po, pra! -E muarrtë vesh ?-pyeste e përgjigjej vetë ajo.-Nastradini bëri dy koqeve!

U hap llafi e mori dynjanë, por për një çikë, si thoshin pazarit, ai na kishte bërë 98 koqeve. E dëgjoi mbreti dhe e thirri menjëherë:-Ti, ke bërë 99 koqeve, më thanë…

-E ke gabim, zotrote,-iu përgjigj Nastradini,-unë kam bërë 100 koqeve! -Po si i shtove, se mua më thanë që ke bërë 99? -Me qenë që zotrote besove, se unë kisha bërë 98 dhe nga ana tënde shtove edhe një, pse të mos shtoj edhe unë që jam i zoti i punës?”.