Kristo Mërtiri: Rektorë e dekanë pasanikë, “shkarkoni” Ali Jasharin në Korçë

566
Sigal

Titujt e lajmit të fundit për rektorët e dekanët pasanikë, veçuan si më “të varfër” vetëm Rektorin e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, Prof. Ali Jashari. Bile, jo më kot u theksua se apartamentin ku banon e paska marrë me kredi bankare

Ditët e fundit, kur gati tërë media elektronike dhe ajo e shkruar po jepte lajmin e zgjeruar mbi pasuritë e çuditshme të rektorëve e dekanëve nëpër Universitetet Publike të Shqipërizës sonë, po kujtoja penëhollin e papërsëritshëm të viseve të mia, të paharruarin Nonda Bulka. Kujtova gazetarin e shkrimtarin e çmuar, njeriun që qeshte dhe qante si bilbili, qytetarin e kulturuar që dinte të polemizonte bukur edhe me majën e gjilpërës. Dhe nuk ishte rastësi e zakonshme. Duke menduar rreth pasurisë tepër të dyshimtë të atyre pedagogëve, sot me kolltuqe të larta shtetërore, po vërtitesha rreth fjalës “grazhd” ku hanë tagji lopa, kali e mushka. Fjalë e lashtë sa vetë bota. Por mua mu faneps revista e famshme “Hosteni”, koleksionin e të cilës e shfletonim me kënaqësi në Bibliotekën Kombëtare e në atë universitare, sidomos gjatë viteve stundentore në Degën e Gazetarisë. Sepse “ka edhe grazhde për njerëz. Gjenden në këtë botë njerëz dhe jo nga ata sidokudo, po të prepsur (të mbajtur mirë), me kollare e me bastun, me shumë “gjuhë”. Roli që ka luajtur grazhdi në vendin tonë ka një rëndësi të madhe patriotiko-kombëtare të dorës së parë. Grazhdi ku kullotin lopët e kuajt, vjen një erë, të cilën pak a shumë e njohin. Një tjetër lloj ere vjen grazhdi i myteberëve…”. Ironi e sarkazëm që fshikullon fort sot e kësaj dite, botuar 65 vjet më parë ! Bëhet fjalë për ata tipa që u pjell edhe këndesi. Myteberë që tunden e shkunden si koka të mëdha, shesin moral pa doganë dhe pasurohen në kurriz të hallexhinjve taksapagues, në kurrizin e studentëve të varfër. Ashtu tinzarë e kapadainj, ethebutë e mësalla me dy faqe, me lëkurë qengji a luani, sojsëzë e biçimsëzë të pamëshirshëm përballë studentëve të mjerë që shkurtojnë deri vaktet e ushqimit, lakmitarë të pashoq e të panginjur, pehlivanë që shkojnë gjithmonë nga fryn era dhurataprurëse e pushteteve. Dhe nuk janë grazhdarë të rëndomtë. Janë me spaleta e grada të larta shkencore, mjeshtra korruptivë në tregun e lirë të demokracisë. Njerëz që përdhosin ndoshta më tepër se kushdo një gjeneratë të tërë për sot dhe për nesër. Një kolerë që do e paguajnë shtrenjtë brezat, vetë mëmëdheu ynë halleshumë. Ata tipa dinë si dhe ku grazhdohen fitimet mbi e nën dorë nëpër qilarët e pistë të Tranzicionkaosit shqiptar.

Hendeku mes profesorëve


Fjala vjen, unë njoh mjaft profesorë të zotë e të ndershëm që punojnë ende ose kanë dalë faqebardhë në pension. Nuk abuzojnë e nuk fëlliqen kurrë. Me kontribute të mëdha në Arsim Kulturë, Ekonomi, Hidroenergjetikë, në Gjeologji-Miniera, Bujqësi e kudo. Me paga modeste ose pensione qesharake. Që dhanë shumë e u shpërblyen fare pak. Por dinjitozë e aspak qaramanë. Shërbyen dhe nuk rrëmbyen. Mjaft prej tyre, po t’u ngjanin sadopak atyre rektorëve e dekanëve pasanikë të sotëm, do të ishin miliarderë e mund të na thyenin kokën me para të pista. Përshembull, Profesorit e mikut tim përmetar, Arqile Teta, në fillim iu dukën të pabesueshme ato shifra e fakte tronditëse. Kur i citova me zë të lartë dy paragrafë gazete, iu përflak fytyra dhe nisi të mërmërinte thekshëm me veten. Madje i hëngra pak kohë nga puna intensive për hartimin e një fjalori të ri. “Jam atje ku kam qenë, te shtëpia e kohës së Enverit, në atë apartament…”,-mu përgjigj kur e pyeta se ku banonte. Ky profesor emërmirë në fushën e vet, ka patur “në dorë” shumë burime shtetërore ku mund të bëhej zengjin me kohë. Që nga Fakulteti Gjeologji-Miniera; Drejtor i Arsimit të Lartë të Republikës (më jetëgjati) dhe Shef i Arsimit të Kryeqytetit. Por nuk e bëri kurrë pis dorën e xhepin ish student i shkëlqyer, pedagogu serioz e shtetari korrekt. Atë ditë që biseduam bashkë te Brryli, u trishtua shumë…Si Arqile Teta janë të paktë. Kursen nga lekët e pensionit dhe boton libra të rrallë e aspak surrogate!… Njerëz të tillë kanë të drejtë që fyhen kur dëgjojnë e lexojnë lajme të atilla për kolegët e brezit të ri. Për ata që ngrysen të varfër e gdhihen befas të kamur e të majmur nëpër “grazhde” të errëta hajdutërie. Askush nuk u kërkon hesap, as Ligji, as Senatet, as OJQ-të studentore me emra vezullues etj. Derdhen informacione lumë, por rrallë e për mall ndalen konkretisht e gjerësisht me shkrime, intervista e filmime të pasurive. Mirëpo, titujt e lajmit të fundit për rektorët e dekanët pasanikë, veçuan si më “të varfër” vetëm Rektorin e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, Prof. Ali Jashari. Bile, jo më kot u theksua se apartamentin ku banon e paska marrë me kredi bankare. Të jem i sinqertë, personalisht u ndjeva mirë për këtë intelektual të brezit tim. Kam shumë vite pa u takuar me të. Studimet e larta në Universitetin e Tiranës, i kemi përfunduar bashkë gati në të njëjtin vit. Por emrin e tij e takoja shpesh si autor artikujsh shkencorë te revista “Studime filologjike”,”Nëntori”,”Gjuha jonë”,”Kultura popullore” etj. Por edhe te tekste të shumta shkollore dhe në katalogjet e disa shtëpive botuese brenda e jashtë Shqipërisë. Një arsye tjetër që më gëzoi pas veçimit të emrit të tij nga gjithë media: Kohë më parë, krejt rastësisht, më ra në dorë një shkrim i botuar me pseudonym (për mua mbetet një letër anonime ligëshane, baltëmadhe dhe hiç qytetare) dhe provova një hidhësirë profesionale e njerëzore. Nuk gjeta asnjë fakt konkret, por vetëm “llafe kazani” e britma pazari démodé. Sepse anonimët, shpesh edhe priftin e hoxhën i bëjnë me barrë! Pse ta fsheh, i kam urryer në vite kartat anonime që përgjithësisht pikojnë poshtërsi e zezona. Dhe prita gjatë, për të pyetur e për t’u shkoqitur me ndonjë të njohur a mik prej Korçe. Por lajmi i fundit, me burim zyrtar Inspektoriatin Shtetëror të deklarimit të pasurive, sikur m’i thau pikëpyetjet e mbledhura xhëng te unë. Madje, atë ditë kisha lexuar edhe punimin shkencor interesant të një zonje korçare me mbiemrin e Aliut. Mora vesh se ishte vajza e tij. U kënaqa edhe më shumë… Sepse Ali Jashari, nuk ka ecur e as është ngritur me katapult partiak, fisnor a krahinor nëpër detyra të ndryshme, siç po ndodh ende në këtë vendin tonë të bekuar nga Perëndia dhe të mallkuar nga Politika “pa din e iman”. Ai e nisi udhën e shenjtë të mësuesisë në Miras të Devollit, gati 40 vjet më parë. Me djersën e vet të vlerësuar nga rrethi e qendra, hyri në qytetin e Korçës e dha mësim nëpër shkolla të mesme e gjer në drejtimin e punës pedagogjike cilësore në qytete e fshatra. Pa iu ndarë krijimtarisë e publikimit të tyre në shkallë vendi. Akademikët tanë të shquar, jo më kot ia përmendnin emrin me respekt në Tiranë. Por edhe bashkëpunuan ngushtë me Aliun. Veçse emrin e tij mund ta dëgjosh edhe në Universitetin e Prishtinës, në Prizren e Tetovë, Tiranë e gjer në Universitetin e Oksfordit, në Danimarkë, Bolonjë, Selanik e në Londër. Por gjykoj se integriteti i tij moral, kulturor, profesional e qytetar, u ngrit edhe më lart përballë opinionit publik që ka sy të shikojë e veshë të dëgjojë. E tha bukur një akademik i nderuar, pardje në kryeqytet, kur i thashë se dua të shkruaj diçka: Miku im, po e bëre shkrimin, lëre me këtë titull: Rektorë e Dekanë pasanikë, o ktheni paratë e grabitura, o shkarkoni Ali Jasharin në Korçë!… Në universitete duhej të binin “tërmete” pas atij lajmi. Këta matrapazë të pangopur janë “thëngjij të mbuluar”, por edhe “sekserë të 100 flamurëve” nëpër istikamet e pushteteve të majta e të djathta… Ironia egërshane dhe e drejtë, flet vet. Heshtja e Senateve, e Ministrisë përkatëse e gjer te Parlamenti ynë i shëmtuar që zien e ligjëron si “e ëma e Zeqos në majë të thanes”, të dëshpëron. Vallë, askujt nuk i ka “hyrë lepuri në bark”?! Ky rreth vicioz i padurueshëm i vë kazmën moralit të arsimimit të vërtetë. Si nuk mori guximin ndonjë Rektor a Dekan pasanik e minimalisht të jepte dorëheqje të revokueshme, të dilte e të sqaronte hapur burimet e ligjshme financiare. E theksojmë: të revokueshme. Ai që është i pastër, rikthehet më me dinjitet e personalitet të fortë. Dhe ulërasin përditë për Transparencën! Apo kanë “tharë” gojën e zorrën, kanë dhënë prova dorështrënguar, kanë kursyer marrëzisht duke e “lidhur lekun me ushkur”?… Sepse nuk mund të futet minarja në thes e as të mbulohen me gjethe fiku pasuritë e luajtshme e të paluajtshme. Apo vetë presin e vetë qepin. Këta “ujqër me mëlçi në qafë”, do vazhdojnë të mbeten “pronarë” provimesh, titujsh e gradash, diplomash, masterash, apartamentesh, dyqanesh, trojesh, garazhesh; zotërues të dhjetra llogarive bankare; drejtues e anëtarë bordesh etj? Ironia e mikut tim akademik nuk më shqitet ende. Sepse në këtë mesele, më “anormali” e më “mëkatari” po mbetet Ali Jashari në Korçë e fare pak ca të tjerë si ai…Shkarkojeni këtë “humbameno” e të shpëtojnë pasanikët qerratenj e të shkathët!…