Kristo Mërtiri: PSE I DUA ISH KOMUNISTËT E NDERSHËM ?

648
Sigal

Gazeta Telegraf/


Nga Kristo Mërtiri


Pardje, po
prisja përballë ushtarëve të Gardës së Republikës për të hyrë në zyrat e
Departamentit të Administratës Publike (sinqerisht nuk e kuptoj ende atë
kontrollin e imtësishëm dhe mbajtjen në kamaret e tyre si filxhanët të çelësave
të shtëpisë, të celularëve dhe vëzhgimin elektronik të rrobave në trup!). Dhe
njerëzit e thjeshtë a nëpunësit e ardhur enkas nga kryeqendra dhe periferia,
nuk dinë nga hyjnë e nga dalin të stresuar si përmes një labirinti të çuditshëm.
“Përse e ka emrin “publike”, se këtu vetëm publiku nuk hyn dot lirshëm e
natyrshëm këtu ?”, pyetëm jo pa pakëz humor përcëllues. Por kjo është tjetër
temë shkrimi. Duke pritur jashtë në heshtje, befas vjen e më takon një i
njohuri im i vjetër qysh gjatë studimeve të larta universitare dhe më vonë  i patundur nëpër Administratën Shtetërore.
Ashtu i shkathët e gjithnjë “luajal” peqelepërie e përgjërues me shefat, nuk
provoi asnjëherë hedhjen në rrugë, papunësinë vrastare. Mirëpo, nuk thoshte kot
babai im i urtë e hallemadh në Tepelenë : “Servilin kulpër e të ligun përcille
me urim-mallkimin “Të pafsha pa punë!”,,.
Por i njohuri im nuk është thjesht mburravec i rëndomtë, kur më tha se zotëronte
disa apartamente të lëshuara me qera në Tiranë dhe dy për vakanca në bregdetin
e Durrësit e të Vlorës. Paske patur rrogë të majme në shtet ?,-iu ktheva aty për
aty me ironi. –Në mos rrjedhtë, do pikojë,-u përgjigj duke qeshur. Pastaj, ti e
di, nuk ka kala që nuk marrin komunistët, or mik !… –Të lutem korrigjoje pakëz,
thuaj “nuk ka kala që nuk marrin…Paratë!”, ti e mban mend atë shkrimin tim të
botuar me këtë titull. -T’i lemë romuzet. A ke sajuar ndonjë kioskë; ndonjë
ngastër toke “të xanun” rreth Tiranës apo në vendlindje; ndonjë kafene a lokal
lloto-sporti, kazino a dhomë farmaceutike; ndonjë motel të vockël që buron e
nuk shteron; ndonjë bord ku qarkullojnë miliona pa u vrarë; ndonjë tender me
dhjamë e të tjera mundësi praktike ? Se ti njeh dynjanë dhe ke bërë mjaft ndere
pa asnjë kacidhe… Kur iu përgjigja me ngritje supesh dhe pastaj me deklarenë
time të prerë se “me rrogën e shtetit a të privatit, ato pasurira nuk bëhen kurrë,
kam vetëm çatinë me kredi si litar në fyt dhe unë jam ai që kam qenë, siç më ke
njohur dikur”, më dha dorën për t’u larguar dhe zbrazi fjalinë e papritur : –
Pse nuk më ndalove që në fillim të bisedës, se i paskam rënë kot teneqesë…Ti
paske mbetur komunist i parinovuar !… Iku duke qeshur (më saktë, i ngërdheshur),
sepse siç më tha, në hotel “Sheraton” do të zhvillohej një konferencë e rëndësishme
për luftën kundër korrupsionit (!?). U trishtova jo pak dhe rashë në mendime të
trazuara. Në tregun e lirë të demokracisë, ish komunisti pehlivan e i
“rinovuar” qe bërë pasanik duke vjelur në kolltuqet shtetërore ! Prandaj u ula
të shkruaj. Kjo besoj do të jetë edhe një përgjigje e plotë për atë tip dhe të
tjerë të shtuar si egjra. Por trishtimi im u ngarkua vetiu më tepër kur më tha
si kalimthi për vdekjen e një ish pedagogut tonë të nderuar, njeriut të mirë
Selfo Kuka. “ I mirë, i mirë, por ç’e do, ishte dhe mbeti fukara profesori i
ekonomisë…”. Ndërsa unë parafytyroj atë intelektual e burrë me zemrën llagar,
ish komunist i ndershëm që studentët e respektonin shumë. Gjatë leksioneve në
auditore dhe jashtë tyre. Mua më dukej se e doja diçka më tepër se kolegët e
mi. Ndoshta, nisur edhe nga lidhjet e tij shpirtërore e profesionale në Tepelenën
time. 24 karat gjirokastrit. Disa vite drejtoi plot sukses sektorin ekonomik të
minierës së qymyrgurit në Memaliaj. Pra, nuk erdhi pedagog në fakultet nga
bulevardet e kryeqytetit. Erdhi nga llavat, galeritë e puset e asaj miniere
historike, ku edhe unë punova pak kohë në moshën e parë të djalërisë. Bashkë me
usta Brahimin e dashur në sektorin e tretë. Selfon nuk e kisha njohur fare atëherë.
Por në memorien e studentit të Degës së Gazetarisë , gjatë shfletimit të
koleksioneve të shtypit në bibliotekë, më kish mbetur një reportazh i bukur nga
Dritëroi ynë. Dhe nuk ishin shënime nga zyrat e studiot e Tiranës, por qenë
mbajtur nëpër galeri, atje ku shpatullat punëtore të njeriut lëviznin
shpatullat e malit. Atje ku 300 komunistë derdhni djersën e udhëhiqnin betejat
pa pretendime dhe larg fjalimeve boshe, për t’i dhënë Shqipërisë e Evropës
qymyr nga më cilësorët. Në ato zgafella ku dalloheshin vetëm sytë dhe dhëmbët e
bardhë nën dritën e llambës të montuar në ballë në kapelë, e sidomos nëpër
llavat 70 cm të larta e me pjerrësi të madhe ku ecej gati zvarrë përmes tymit e
pluhurit të minave, deri te galeria tjetër. Dhe ecte Dritëroi me shokun e hershëm
të klasës në gjimnazin e qytetit të Gjirokastrës, që kishte qejf edhe
gjeometrinë, edhe historinë. Me njërën këmbë të zgjatur përpara dhe tjetrën nën
vete. Bisedonin me ata heronj të gjallë të nëntokës, duke thithur edhe erën e
thartë të dinamitit e të qymyrit që derdhej me uturimë nëpër vagonë. Ndërsa
Selfua e pyeste për shkrimtarin Emil Zola, një nga penat e fuqishme që hodhi në
letër vepra të pavdekshme për minatorët e qymyrit “…( Pak kohë më parë, në
mbrëmje vonë ndoqa një emision televiziv drithërues për qytetin që lindi e u
rrit bashkë me minierën, për Memaliajn e sotme të zhytur në skamjen e varfërinë
e Tranzicionit çerekshekullor ! Jetë akullirë, ku era e luginës së Vjosës të
duket se vajton valësertë në heshtje e me ligje mërmërimë. Ç’u bënë ata dhjetëra
inxhinierë, teknikë të mesëm e mjeshtra me famë, ekonomistë, arsimtarë, artistë
etj. që mbanin përditë ndezur jetën kulturore e sportive, vetë mushkëritë e
qytetit ? Thonë se është kthyer prapë koha e lundërxhiut pranë Rrapit të
Dervenit, ku dikur kalonin lumin mushkat e ngarkuara me qymyr guri !…).
Shumica e minatorëve ish anëtarë të PPSh-së dhe ata pa tesera që njoha unë dhe
kolegët e mi, kanë ikur në atë botë dhe prehen te ajo lëndina lotëvaditur në
hyrje të qytetit e gjetkë. Prehen faqebardhë, në paqe me veten dhe të tjerët.
Ashtu si pedagogu im i paharruar, Selfo Kuka, në Tiranë… Të vërtetat e punës së
ndershme të njerëzve të ndershëm (qofshin anëtarë partie ose jo), kurrsesi
s’mund të fshihen dhe as të retushohen me bojërat e pluralizmit. Sepse në fund
të fundit, “nuk futet minarja në thes”! Mua personalisht, nuk më dridhet zëri
dhe as më dridhen gishtërinjtë të shkruaj për këta njerëz me shpirt të kulluar
si bora mbi male, që përgjithësisht e ngrysën jetën me dinjitet e në fukarallëk
dhe aspak në maskarallëk e hajdutllëk. Kur shikoj e dëgjoj sidomos nga ajo
skota e ish komunistëve të pacipë “antikomunistë”, që sot shesin leksione
demokracie mbi thasët e parave të pista, më vjen vërtet për të vjellë. Boll u
hodh baltë me lopata mbi ata mësues, agronomë, ushtarakë, mjekë e ekonomistë, zooteknikë
e veterinerë, inxhinierë e luanë të tuneleve dhe të digave madhështore që i
sollën Shqipërisë dritë nga Bistrica, Ulëza e Shkopeti; nga tre kolosët mbi
lumin Drin: Vau i Dejës, Fierza e Komani etj. Pasuri dhe krenari kombëtare e veçantë.
Përse do i akuzosh sot ata shqiptarë me tesera e pa tesera ? Shumë prej tyre
ndoshta ua ka ulur pak shpinën varfëria dhe pensionet qesharake e tepër fyese për
një brez që i dha gjithçka mëmëdheut. Lanë familjet dhe hallet e tyre mënjanë
dhe shkuan në Veri e në Jug, në betejat ndërtimtare për një Botë të Re. Ashtu
si në Luftën e shenjtë Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Po sot? Mjaft
profesionistë nga ata që përmendëm më lart, sot e quajnë padrejtësi të madhe e
deri “internim” vajtjen në fshatra e zona të thella për t’u shërbyer
taksapaguesve të mjerë. P.sh. një kardiolog paguhet e përgjigjet në roje të shëndetit
të zemrave për dy-tre rrethe bashkë (!?). Spitalet u shkretuan. Specialistët u
dyndën në metropol, në qytete të tjera e në mërgim. E tmerrshme: mjaft gra e
nuse të reja shtatzëna transportohen me vig për të lindur në qendër të rrethit
a të qarkut, tamam siç na tregonte gjyshja e ndjerë për kohën para Çlirimit të
vendit ! Në emër të lirisë kallpazane të maskuar me luftën “kundër komunizmit”,
u bënë shkrumb e hi shkolla, librari, uzina e fabrika; bibliotekat e famshme të
Shkodrës, Universitetit të Kamzës e atë të Sarandës; redaksi gazetash etj. Dhe
ulërinin e shanin Enverin e ish komunistët që sipas tyre duhet të çoheshin “në
litar”. Le të digjej Shqipëria, mjafton që polit(h)ika mesjetare të rrëmbejë
votat e pushtpushtetit ! Bashkë me depot e armëve donin të hapeshin edhe portat
e luftës së zezë civile. Dhe ja ku jemi sosur pas 25 viteve… Hatarat e këtij
Tranzicioni të harbuar nuk kanë anë e fund. U shkulën deri ca gurë themeli në
tradita e moral. Të persekutuarit e vërtetë e dinjitozë dhe mjaft ish komunistë
të ndershëm ngelën me gisht në gojë. Është trishtuese e kuptimplote, bie fjala,
ajo deklareja hidhësirë e një nëne të vuajtur padrejtësisht në monizëm e në
pluralizëm. Ja çfarë i tha Kryeministrit të sotëm : “-Herë tjetër, do të vij në
Tiranë me një karafil në dorë dhe do ta çoj te varri i Enver Hoxhës…”. Dhe nuk
ishte thjesht një shkreptimë dëshpërimi e çastit pas kaq vjetësh pa punë, pa
strehë e dritë elektrike. Karakteret e fëlliqura, dje të fshehur e mbuluar si
iriq dhe sot të zhveshur lakuriq, janë edhe zemër katilë e shumë larg shtetit të
vërtetë social. Dhe duke dalë me fuoristrada nga vilat e lokalet luksoze të
parave të pista, na tundin flamurin e demokracisë evroperëndimore (?!). Tani po
na troket muzgu i jetës. Bëjmë edhe bilance dinjiteti e personaliteti, përballë
Polit(h)ikës pa kurrfarë morali. Pse ta fsheh, unë i dua dhe i respektoj ish
komunistët e ndershëm, por jo xhambazët e tregut të lirë të demokracisë: ish
komunistët “antikomunistë” dhe pinjollët e tyre hajdutë djathtas e majtas. As
frikësohem dhe as kompleksohem të flas e të shkruaj hapur për ata që luftuan e
punuan pa hile për vendin tim, “të cilët as u korruptuan, as vodhën, as u
inkriminuan me krime, por luftuan si idealistë asketë për një shoqëri humane,
duke dalë të zhgënjyer jo vetëm në Shqipëri, por në gjysmën e botës”…