Kristo MËRTIRI / 130 FËMIJË TË NGUJUAR APO 140 DEPUTETË TË TJETËRSUAR?!…

59

Ore babam, me kë tallen këta politikanët e sotëm të tranzicionit shqiptar? Ja një ulërimë me thes në kokë: “Në emër të Gjakmarrjes, gjatë 20 vjetëve të fundit janë ekzekutuar 5700 viktima”(!). A më dëgjove mirë? 5700 shqiptarë kanë ikur në botën tjetër! Thjesht shifër e frikshme?…Dikur, deri në podiumet e festivaleve folklorike kombëtare vërshonte një këngë që u përhap jo pak. Thuhej me të drejtë brenda e jashtë Shqipërizës tonë, se iku koha e nëmur kur “Vriste vëllai vëllanë Për një ledh për një kufi…”. Pse jo, mbillte natyrshëm edhe një lloj krenarie reale. Mirëpo, ndoshta koha provoi se ajo kolerë kish mbetur si një i vdekur dhe i pakallur!,-gulçon trishtim mbuluar miku im i vjetër Kiço Peshtanaku, që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit.-Ky zakon i egër, kjo kosë e pashpirt po çudit, po ngre vetullat e ngrysura dhe supet e Evropës së qytetëruar. Ndërsa ne këtu bëjmë llogje të nxehta: Është gjakmarrje apo hakmarrje; është brenda apo matanë Kanunit; vjen nga fukarallëku apo nga maskarallëku, nga padituria apo nga pasuria etj. Dhe plaga shekullore u rihap, kullon gjak shqiptari me mëkate e pa mëkate. Vetëm me OJQ-ra e me Konferencat e tyre homazh, vetëm me përrenj fondacionesh fitimprurëse për krerët e tyre do të lahen e përthahen këto plagë? Më thuaj ti, të kam rixha, përse nuk është mbledhur ndonjëherë Parlamenti për këtë gjëmë kombëtare që do të gjëmojë gjatë, me dhimbje e pasoja të shumta në breza? Shkurt muhabeti, kush duhet t’ia marrë “gjakun” një të vrari, Ligji apo Maliqi? Mos vallë u duken pak 5700 viktima nga tyta e armës hakmarrëse?!… Statistika të tilla drithëronjëse nuk i ndjek e dëgjon vetëm vërsniku im në Jug. Edhe politikanët kanë veshë, por nuk e bëjnë qejfin qeder dhe fundosen e krekosen nëpër kolltukë, mes favoreve e privilegjeve që nuk i velin kurrë. Po të ndjenin sadopak dhimbje njerëzore dhe detyrime qytetare e elektorale, politika zemërgur nuk do të rrinte duarkryq. Ajo plagë kobmbjellëse, erdhi bashkë me lirinë?! Erdhi me lirinë e fituar apo me lirinë e përdhunuar pa pikë mëshire?…Hidh teza e hipoteza sa të duash, por praktika i lë mënjanë. Madje, bashkë me ndonjë “dekret shkishërimi” që kërkon e pretendon të bëjë zap ata që fe mbi fe kanë pushkën që shuan pushkët! Politika nuk po e zgjidh ende grykën e “thesit” të saj plot faje e mëkate. Më thoni, kur i ftohu gjakrat mes nesh? Përballë menefregizmit të shtetit, individi kërkon shpagimin duke ndezur menjëherë hakmarrjen mesjetare. Dhe nis një tjetër kalvar i tmerrshëm:Ngujimi në kulla !…

-Vetëm në qarkun e Shkodrës, sivjet janë ekzekutuar 4 meshkuj dhe një vajzë 17 vjeçare duke punuar në arë. Deri tani ka mbi 1200 vetë të ngujuar që i tremben edhe rrezes së diellit mbi tokë, se hënëza nuk i sodit dot…Dhe ja një majë tjetër ajsbergu tronditës: në ato kulla dergjen të ngujuar, gdhihen e ngrysen të terrorizuar mbi 130 fëmijë krejt të pafajshëm, fëmijë pa fëmijëri!

Këto shifra ulëritëse, asnjë kryetar partie politike, asnjë parlamentar nuk i priti me gojëhapur a supengritur. Si gjithnjë, heshtje varri. O tempora, o mores ! Po votat, si ua rrëmbejnë vallë gjatë fushatave me ethe të forta lokale e qëndrore ? Vërsniku im në Jug, me të drejtë i quajti të vdekur e të pakallur. Në fund të fundit, të ngujuarit janë si varre të hapur ! Vetëm me “pajtim gjaqesh” do mbyllet e përthahet kjo plagë shfarosëse ? Po kur marrëdhëniet shoqërore, miqësore e fisnore janë bërë copë e thërrime, kush duhet të veprojë në atë terren të minuar ? Apo do mjaftohemi vetëm me mesazhet e fatkeqes Elona, bashkëshortes së Dritan Prrojit 28 vjeçar që u vra në mes të ditës e në mes të qytetit të Shkodrës ? I vetmi “faj” i tij ishte se xhaxhai i Dritanit paskësh vrarë xhaxhanë e vrasësit (?!)…Pasi mbyllën sytë përgjithmonë dhe shkuan në botën tjetër 5700 vetë, OJQ-rat “jofitimprurëse” sot u kujtuan të thërrasin publikisht: -Të vendoset vetëm dënimi me burgim të përjetshëm për çdo vrasje,”pavarësisht se në çfarë rrethanash”! Heshtin juristët e shumtë me spaleta e pa spaleta, me grada e pa grada shkencore. Heshtin psikologë e sociologë, filozofë me mjekër e pa mjekër. Heshtin mësues të vjetër e të rinj, prokurorë e gjyqtarë të ngujuar nëpër qelira paraburgimi e salla gjyqesh. Heshtin punonjës e specialist të Policisë së Shtetit që rendin shpesh si “pas pilafit”, thjesht për të përpiluar procesverbalet e ekspertizat në shërbim të borderosë vetiake në fund të muajit. Ndërsa ata të pushtetit lokal në Komuna e bashki, i mbajnë sytë nga qielli !…Për punën parandaluese, gati askush nuk përgjigjet seriozisht e zyrtarisht nga terreni. Askush nuk e mat e nuk e peshon dot këtë hallkë jot ë vogël: Parandalimin!

-Më thuaj, cili drejtues i policisë në rrethe, qarqe a në qendër (qoftë edhe një i vetëm), ka dhënë dorëheqjen nga posti kur nuk janë mbledhur sot e kësaj dite armët luftarake që qarkullojnë lirshëm nëpër Tiranë e gjetkë? Sa dyer dhe zemra të ngujuara presin të hapen, të prekin lirinë e vërtetë, jetën e çmuar që ua siguron Zoti dhe Shteti i së Drejtës! A kanë këllqe OJQ-rat për ta mbyllur e përtharë këtë plagë të tmerrshme? E kuptoj, ti mund të më silloisësh e të më mbash fjalime për shoqërinë civile, për taboret me fondacione e për organizata “vullnetare” me emra përkëdhelës e joshës. Po unë dua të prek në çdo hap dorën e shtetit tim demokratik. Sepse deputetët e tjetërsuar (140) kanë vënë festen mbi sy dhe rrinë mbyllur si në kullën e fildishtë. As kullojnë e as turbullojnë. Por ngujimin e mbi 130 fëmijëve të bardhë e të pastër si bora në male, unë e përjetoj keq…Mjaft deputetë rrinë tepër larg fshatrave e zonave të thella. Disa nuk pipëtijnë për asgjë, as nga frëngjitë lokale ku kanë rrëmbyer mandatin. Mos është më mirë të ngujohen këta nëpër kulla e salla luksoze në kryeqytet, se sa fëmijët pa fëmijëri?!…