Kozma Kondakciu/ Sistemet virtuale, aplikimi dhe auditim i tyre

786
Fjala virtual rrjedh nga latinishtja “virtue” dhe në terminologjinë e informatikës përdoret me kuptimin e diçkaje që nuk ekziston fizikisht por është krijuar nëpërmjet programeve kompjuterike. Që në fillesat e njerëzimit imagjinata ka krijuar një botë paralele me atë reale botën virtuale e imagjinare të reflektuar në letërsi e arte e që në fëmijëri na ka bërë të ëndërrojmë tej kufijve të realitetit. Fillesat e virtuales në informatikë nisin në vitet 1960, kur inxhinierët e IBM-së përdorën termin “virtualizim” për të realizuar një platformë kompjuterike simuluese të quajtur “makinë virtuale”. Kështu lindi koncepti i virtualizimit, me anë të së cilit u bë e mundur që në një platformë harduerike të vetme të realizohet një makinë virtuale e cila do bënte të mundur simulimin e më shumë se një softueri mysafir, ku secili nga këta do të ekzekutohej në mënyrë të pavarur nga tjetri. Si rrjedhojë e këtij inovacioni, IBM-ja në vitin 1966 me anë të sistemeve IBM CP-40 dhe IBM CP-67 demonstroi konceptin e quajtur “virtualizim i plotë”. Në vitin 1974, Gerald J. Popek dhe Robert P. Goldberg në artikullin “Formal Requirements for Virtualizable Third Generation Architectures” vendosën definicionin për makinën virtuale duke e quajtur atë “dublikatë efikase e izoluar e makinës “reale”. Ishte kjo periudha kur kompjuterët po drejtoheshin nga qarqet e integruara, që më vonë do të njihen me emrin procesorë apo mikroprocesorë. Gjithë këto zbulime dhe shumë të tjera, si në aspektin harduerik ashtu edhe atë softuerik, mundësuan që koncepti i virtualizimit të mos mbetet thjesht vetëm një koncept historik, por të formësohet dhe shtrihet anembanë botës së teknologjisë informative, si në virtualizimin e rrjeteve kompjuterike, në sistemet operative (virtualizimi i kujtesës), në aplikacione softuerike (virtualizimi i aplikacioneve), në teknologjitë për ruajtjen e të dhënave (virtualizimi i disqeve), etj
Sot, në përgjithësi njihen tri metoda të implementimit të virtualizimit:
1. Emulacioni i sistemit operativ – mundësia e ekzekutimit të izoluar dhe të sigurt të një apo më shumë sistemeve operative në një server fizik të vetëm, në të cilin softuerët mysafirë përdorin resurset e të njëjtit softuer mikpritës. 
2. Emulacioni i harduerit – mundëson fshehjen e karakteristikave fizike të sistemit kompjuterik nga përdoruesit duke shfaqur një platformë tjetër abstrakte, me qëllim që ta ekzekutojë softuerin në një mjedis të ndarë nga resurset harduerike thelbësore. 
3. Para-virtualizimi – është metodë e virtualizimit, në të cilin ofrohet ndërfaqës softuerik për makinën virtuale, e cila nuk simulon harduerin por ofron API të posaçëm për të modifikuar softuerin mysafir. 
Në dobinë e përdorimit të virtualizimit për të realizuar sisteme informative pa dyshim kostoja dhe fleksibiliteti konsiderohet përfitimet më të mëdha. Në vend të blerjes së dhjetëra serverëve fizikë, biznesi blen vetëm një apo disa prej tyre.
VIRTUALIZIMI NË TEKNOLLOGJINË E INFORMACIONIT NË KLSH
Zhvillimet e teknologjisë së informacionit në KLSH prej tre vitesh po shënojnë jo vetëm rritje por edhe vizion të ri. Në vitin 2012 u hodhën bazat për krijimin e një infrastrukture të virtualizimit bazuar në Microsoft Hypper-V, e cila ofroi rritjen e performancës duke shfrytëzuar në maksimum kapacitet e serverëve dhe konfigurimin e duplikuar të çdo aplikimi (Exchange, Active Directory, Domain Controller etj). Në vitet 2013-2014 u kryen investime për Integrimin dhe implementimi i dy Core Switch Layer2/Layer3 në një Virtual Switch/Router, i cili ofroi një ambient të sigurt për ndërlidhjen e Server, Storage dhe përdoruesve me kapacitet dhe siguri të lartë. Lidhja e storage (iSCSI 10GbE) me Core Switch duke përdorur linqe 10GbE, dhe integrimi i shërbimeve të storage me serverët e virtualizimit. Në investimet e vitit 2015 parashikohet krijimi i Wireless Access Point për KLSH me një Platformë menaxhimi për të kryer administrimin e plotë të rrjetit instaluar në një makinë virtuale mbi ambientin ekzistues të Microsoft Hyper-V. Vlen të përmendet se virtualizimi gjatë gjithë këtyre viteve dëshmoi se di të shtyjë përpara proceset në KLSH, në veçanti të krijojë një platformë të fortë. Ndjekja e kësaj politike vizionare ka sjellë shfrytëzimin maksimal të burimeve financiare në fushën e teknologjisë së informacionit me kosto minimale për shërbimet e shtuara.
AUDITIMIT I SISTEMEVE TË VIRTUALIZUARA
Auditimi TI i sistemeve të virtualizuara në përgjithësi i nënshtrohet parimeve bazë të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, por me disa veçori ku mund të veçojmë:
1. Specifika në Auditimin e planifikimit të sistemeve virtuale
Shkallëzimi: rritja e shërbimeve në raport me zgjerimin e biznesit vë në sprovë shkallëzimin e mjedisit virtual, 
2. Specifika në Auditimin e Sigurisë së sistemeve virtuale.
Duke qenë se sistemet operative ekzekutohen në format të izoluar dhe të sigurt, atëherë konsiderohet se ka siguri të shtresuar në mjediset e virtualizuara, por shqetësimi vazhdon të mbetet tek situata kur një makinë virtuale “arratiset” nga mjedisi i izoluar virtual dhe vendos komunikimin me softuerin mikpritës. Atëherë ekziston mundësia që nëse sulmuesi tashmë e ka marrë kontrollin e softuerit mysafir, fare lehtë mund të mënjanojë elementet e sigurisë në softuerin mikpritës dhe të shkelë edhe sigurinë e makinave të tjera virtuale.
3. Specifika në auditimin e shërbime virtuale të kryera nga palë të treta
Një aspekt jo pak i rëndësishëm në auditimin e ambienteve e shërbimeve të virtualizuara është marrëdhëniet kontraktuale midis palëve. Vështirësi hasen në rastet kur Entet publike përfitojnë shërbime nga palë të treta që zhvillohen në ambiente virtuale që pala e tretë mund ti posedojë apo i ka marrë me qera.
E ARDHMJA 
Njerëzimi ka përfituar shumë nga inovacionet. Ideja e themeluar enkas për kompjuterët mainframe të IBM-së, me kalimin e viteve mori përmasa shumë-dimensionale në fushën e teknologjisë informative, saqë sot është bërë pjesë integrale e bizneseve. Virtualizimi gjatë gjithë këtyre dekadave dëshmoi se di të shtyjë përpara proceset e biznesit, në veçanti të krijojë një platformë të fortë për teknologjitë që do vijnë. Një nga ato teknologji që po priten me shumë kureshtje nga bizneset është edhe “cloud computing”. Kjo bën që ardhmëria e virtualizimit të jetë më se e garantuar.
Sigal