Kozma GJINI/ O me ne, o kundra nesh…

687
Sigal

     “…Franko kishte pranuar të ndërtohej një monument ku janë figurantë edhe kundërshtarët e tij dhe kjo vepër dihet që është vendosur në një shesh të qytetit…” Ky është realiteti emancipues i një shoqërie demokratike. Sa e pranueshme do të ishte kjo për opinionin shqiptar, nëse për analogji, do të hidhej ideja e një projekti (monumenti) të tillë këtu tek ne? Në Tiranë, jo se jo, por edhe në periferi do të ishte e dyshimtë. Ahmet Zogu ishte ministër i Brendshëm i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, 1920. Nëse në sistemin e kaluar u mohua kontributi i tij, besoni se edhe një rruge që mori emrin “Ahmet Zogu”, (në qytet),  tabelën nuk e zunë 24 orë. Ditë më pas u rivendos dhe përsëri e thyen. Ligjvënësi me siguri duhet të ketë menduar: “Diçka çalon në këtë mes”. Në fakt, rruga kishte disa dekada që mbante emrin “Marin Barleti”. Pra, jo Ahmet Zogu, por edhe Enver Hoxha sikur t’ia vinin emrin, kjo rrugë, “Marin Barleti” do të thirrej nga banorët. Duhej apo s’duhej hequr emri “Marin Barleti” e në vend të tij, rrugës t’i vihej emri i mbretit Zog, kjo i takon organit kompetent, por realiteti i përballjes me opinionin ndaj figurave, të bën të mendohesh… e mbase është edhe si një mësim se fundja… “rrugët bëhen duke ecur”.

Le të marrim për ilustrim një ngjarje makabre. Shkujka. A e pranojnë të dyja palët se  të ekzekutuarit e Shkujkës së Myzeqesë  ishin viktima të luftës? Lind pyetja: Çfarë do t’i quajmë këta? Viktima? Dëshmorë? Apo tradhtarë? Kë po tradhtonin:  G L, R N, H M,  etj… të cilët ishin duke pluguar tokën, i morën me dhunë në rresht dhe u treguan grykën e pushkës? Ishin disa dhjetëra njerëz të pafajshëm, bujq, nëpunës e zanatçinj, që u ekzekutuan sipas idesë staliniane “O me ne, o kundra nesh” të cilën edhe vetë Mehmet Shehu kur ishte gjallë, e  ka pohuar se ajo qe një masakër. Ata ishin njerëz të lirë në një botë të lirë nga fshatrat: Remas, Kryekuq, Shënkollas, Grabian, Gur, Shënepremte, Biçak, Divjakë që lanë fëmijët jetimë. Eshtrat e tyre (rreth 80 veta), viteve të demokracisë, u vendosën në një copë vend karshi varrezave ekzistuese të dëshmorëve, por (djathtas-!). Sot, politika po i përdor të rënët për liri (qofshin dhe viktimat) si fasadë preferenciale për afri me të gjallët.

Më tej. Sapo ngjitesh tek varrezat e dëshmorëve të qytetit lexon mbishkrimin: “LAVDI DËSHMORËVE!”. Cilëve dëshmorë, përderisa nuk ka një qëndrim unik për ta? Me rastin e festave, të majtët vendosin kurora te dëshmorët majtas, të djathtët te dëshmorët djathtas (djathtas janë ata të Shkujkës!). Kush e ndau kështu më dysh popullin? Qëndrimi ndaj dëshmorëve, është qëndrim ndaj luftës NCL. Politika po e mban peng qëndrimin unik.

“Bukëshkalët”.Të ashtuquajturit “bukëshkalë” të aksh partie (s’ka asnjë parti të mos ketë të tillë), të zemëruar me “të parin e fisit” që u thoshte “O me ne, o kundra nesh”, e “braktisën grupimin fillestar” dhe krijuan partitë fantazmë, (për inat të sime vjehrre, fle me mullixhinë) që në zgjedhje nuk arritën të marrin qoftë edhe një “çerek” deputeti. A nuk është kjo luftë për karrige?

Këto ditë, Azem Hajdari, pishtari i demokracisë, do të prehet në varrezat e dëshmorëve të kombit. Le të shpresojmë që ndarja e tij nga jeta të shërbejë për bashkimin e të gjallëve. Në mbyllje, (politikës sonë), këtij opinioni, do t’i shkonte mesazhi që përcjell fjalimi i presidentit Obama, në nëntor 2012, i cili tha: “…Pres me padurim të ulem me guvernatorin Romni për të parë se ku mund të punojmë bashkë për ta çuar këtë vend përpara…Besoj se mund ta kapim së bashku të ardhmen, sepse nuk jemi aq të përçarë sa na tregon politika”.